Komentimi i sures El Fet’h (6)


Gjendja e atyre që hezituan të ishin në Hudejbije me Muhamedin, a.s.

“Do të të thonë ty arabët e shkretëtirës, të cilët ngelën pas jush: “Ne na penguan pasuria dhe familjet tona, prandaj kërko falje (Allahut) për ne!” Ata thonë me gjuhët e veta atë që nuk e kanë në zemrat e tyre. Thuaju: “Kush mund ta pengojë Allahun ndaj jush, nëse Ai dëshiron t’ju përfshijë ndonjë dëm, ose nëse dëshiron t’ju gjejë ndonjë e mirë?!”. Jo, por Allahu e di hollësisht atë që ju bëni. Ju menduat se i Dërguari dhe besimtarët nuk do të ktheheshin kurrë te familjet e veta, dhe kjo (bindje), u duk si gjë e mirë në zemrat tuaja. Ju patët mendim të keq, sepse jeni njerëz të prishur. Kush nuk i beson Allahut dhe të Dërguarit të Tij, le ta dijë se Ne kemi përgatitur për jobesimtarët një zjarr shumë të fortë! Vetëm Allahut i takon pushteti i qiejve dhe i Tokës. Ai fal kë të dojë, dhe ndëshkon kë të dojë. Allahu është Falës i gjynaheve, Mëshirëplotë. Kur ju të niseni për ta mbledhur plaçkën e luftës, ata që ngelën pas jush, do të ju thonë: “Na lini edhe ne që të vijmë me ju!”. Ata duan ta ndryshojnë urdhrin e Allahut. Thuaju: “Kurrsesi! Ju nuk keni për të ardhur me ne. Kështu ka thënë Allahu më herët!”. E ata do të ju thonë: “Nuk është ashtu, por ju na keni zili.”. Ah, sa pak që kuptojnë! Thuaju atyre arabëve beduinë që ngelën pas jush: “Ju do të thirreni kundër një populli luftarak e të fuqishëm, që do t’i luftoni ose do të dorëzohen. Nëse i përgjigjeni (thirrjes), Allahu do të ju japë shpërblim të mirë, e nëse shmangeni, ashtu siç keni bërë edhe më parë, Ai do të ju ndëshkojë me dënim të dhembshëm. Nuk është gjynah (që mos të marrin pjesë në luftë) për të verbrin, për të çalin, e as të sëmurin. E, kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Ai do ta futë në xhenete, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, kurse ai që shmanget, Ai do ta ndëshkojë me një dënim të dhembshëm.” (El Fet’h, 11-17)

Shkaku i zbritjes së ajetit të 17-të

Në lidhje me zbritjen e këtij ajeti, është përcjellë prej Ibën Abasit të ketë thënë: “Pasi zbriti ajeti i 16-të i kësaj sureje: “...por nëse shmangeni, ashtu siç keni bërë edhe më parë, Ai do t’ju ndëshkojë me dënim të dhembshëm”, ata që ishin me të meta fizike u pikëlluan e thanë: “Si do të jetë puna jonë, o i Dërguar i Allahut”, dhe menjëherë pas kësaj zbriti ajeti i 17-të, i cili ua heq obligimin e pjesëmarrjes në luftë të drejtpërdrejtë këtyre kategorive, si në vijim: “Nuk është gjynah (që mos të marrin pjesë në luftë) për të verbrin, për të çalin, e as të sëmurin...”(1)

Lidhja e këtyre ajeteve me ato paraprake

Këto ajete kanë një ndërlidhje me ajetin e 6-të të kësaj sureje, në të cilin i Madhërishmi flet për hipokritët që në zemrat e tyre e fshihnin kufrin dhe urrejtjen ndaj besimtarëve.
Edhe tash në këto ajete pjesa më e madhe e tyre flet për disa fise beduinësh arabë, të cilët banonin përreth Medinës, te të cilët, siç duket, Imani ende nuk kishte lëshuar rrënjë aq sa duhej në zemrat e tyre, e të cilët kishin hezituan të ishin me myslimanët në Hudejbije, duke gjetur arsyetime të ndryshme, për ta shmangur pjesëmarrjen në luftë. Mirëpo, të gjitha këto intriga të tyre Allahu, xh.sh., ua shfaqi haptazi, duke i demaskuar qëllimet e tyre të vërteta, duke sqaruar se vetëm ata që janë me ndonjë të metë fizike, si të verbrit, të çalët apo të sëmurët, janë të liruar nga pjesëmarrja në luftë.

Koment

11. Do të të thonë ty arabët e shkretëtirës, të cilët ngelën pas jush: “Ne na penguan pasuria dhe familjet tona, prandaj kërko falje (Allahut) për ne!” Ata thonë me gjuhët e veta atë që nuk e kanë në zemrat e tyre. Thuaju: “Kush mund ta pengojë Allahun ndaj jush, nëse Ai dëshiron t’ju përfshijë ndonjë dëm, ose nëse dëshiron t’ju gjejë ndonjë e mirë?!”. Jo, por Allahu e di hollësisht atë që ju bëni.

Gjatë kthimit nga Hudejbija, Allahu, xh.sh., duke i zbritur ajetet e kësaj sureje, njëkohësisht e njoftoi të Dërguarin e Vet për arsyet e vërteta të atyre që nuk iu bashkuan të Dërguarit, a.s., në umre, e cila përfundoi me nënshkrimin e një marrëveshjeje paqësore mes myslimanëve dhe kurejshëve. Këta ishin beduinët arabë që banonin përreth Medinës, nga fiset Eslem, Xhuhejne, Muzejne, Gifar, Eshxhaë dhe Ed Dil.(2) Ata do të sajonin dhjetëra arsyetime pse nuk iu bashkuan Resulullahut, s.a.v.s., në udhëtimin e tij, duke thënë se i penguan pasuria dhe familjet e tyre, përndryshe do të kishin ardhur! Ata madje edhe do t’i kërkonin të Dërguarit të Allahut që t’i kërkonte Allahut falje për ta. Mirëpo, Allahu, xh.sh., nëpërmjet këtyre ajeteve i turpëron ata haptazi, duke ua shfaqur hipokrizinë që ende e kishin në zemra, kur thotë: “Ata thonë me gjuhët e veta atë që nuk e kanë në zemrat e tyre.”. Pra, i demaskon fuqishëm, duke u thënë se nuk janë të sinqertë, dhe po gënjejnë haptazi, sepse që nga fillimi nuk deshën t’i bashkoheshin të Dërguarit, a.s., i cili u nis në mënyrë paqësore që ta vizitonte Qabenë, me qëllim të kryerjes së umres, ashtu siç kishte parë në ëndërr.
Këta që refuzuan të niseshin në umre me të Dërguarin, a.s., sikur harruan se po të donte Allahu që dikë ta përfshinte ndonjë dëm apo ndonjë e mirë, asgjë nuk mund ta pengojë vullnetin e Tij që të zbatohet. Përveç kësaj, Allahu është hollësisht i informuar për çdo veprim dhe mendim të tyre, dhe Atij nuk mund t’i fshihet ajo çka ata mbajnë në zemra.

12. Ju menduat se i Dërguari dhe besimtarët nuk do të ktheheshin kurrë te familjet e veta, dhe kjo (bindje) ju duk si gjë e mirë në zemrat tuaja. Ju patët mendim të keq, sepse jeni njerëz të prishur.

Këta që gjetën plot arsyetime që mos të merrnin pjesë në udhëtim me Pejgamberin, a.s., ishin shumë të bindur se i Dërguari, a.s., dhe besimtarët që ia kishin mësyrë paqësisht Mekës, për ta kryer umren do të ndesheshin me ushtrinë kurejshite, dhe do të mposhteshin, dhe nuk do të ktheheshin më në shtëpitë dhe familjet e tyre.(3) Teksa e mendonin këtë mendim kaq të ligë për myslimanët, ata thellë në zemrat e tyre të prishura e ndjenin këtë gjë si diçka të mirë dhe që u pëlqente. Kjo tregon për nifakunhipokrizinë që kishin në zemra, sepse shejtani i mallkuar ua kishte hijeshuar edhe më mendimet e tyre të këqija. Prandaj, i Madhërishmi i cilëson këta njerëz si të prishur, ndaj të cilëve edhe do të bjerë ndëshkimi i Tij në Ahiret.

13. Kush nuk i beson Allahut dhe të Dërguarit të Tij, le ta dijë se Ne kemi përgatitur për jobesimtarët një zjarr shumë të fortë!

Ky është paralajmërim kërcënues i Zotit Fuqiplotë ndaj atyre që nuk i kanë besuar sinqerisht, me shpirt e me zemër, Krijuesit të Tij, sepse besimi i sinqertë, përveç tjerash, nënkupton sinqeritet në bindje dhe në vepra, qoftë haptazi apo fshehurazi. Këta njerëz të prishur e përzien besimin e tyre me një dozë hipokrizie, prandaj ata që nuk e besojnë Allahun dhe nuk e pasojnë të Dërguarin e Tij, do të jenë në zjarr të Xhehenemit, si pasojë e veprave të tyre të shëmtuara.

14. Vetëm Allahut i takon pushteti i qiejve dhe i Tokës. Ai fal kë të dojë, dhe ndëshkon kë të dojë. Allahu është Falës i gjynaheve, Mëshirëplotë.

Pa dyshim se i tërë pushteti mbi këtë ekzistencë, përfshirë qiejt dhe Tokën, i Takon Atij që i krijoi ato nga mosqenia, dhe vullneti i Tij zbatohet mbi çdo gjë. Ai e fal kë të dojë nga robërit e Tij, nëse ata pendohen dhe kthehen të përulur e të penduar para Madhërisë së Tij, dhe po ashtu e ndëshkon kë të dojë, nëse ata nuk përudhen dhe hiqen si të lartë, duke e ndjekur kotësinë dhe të pavërtetën. Çdo gjë në këtë univers i nënshtrohet Allahut. Pushteti i Tij është absolut. Askush nuk mund të ndërhyjë në punët e Tij, dhe nuk ka nevojë për asnjë prej krijesave të Tij. Ajeti përfundon me përmendjen e dy emrave të bukur të Allahut: Gafur- Gjynahnfalësidhe Rahim Mëshirëploti, për të na treguar se mëshira e Tij është më e madhe se hidhërimi dhe ndëshkimi i Tij, dhe pikërisht për këtë qëllim e ka lënë të hapur derën e pendimit edhe për ata njerëz të sëmurë me sëmundjen e hipokrizisë, e që dëshirojnë të kthehen tek Allahu, sepse kjo çështje është pjesë e mëshirës së Tij, e cila edhe përfshin çdo send. Mirëpo, me kusht që këta, pas pendimit, ta braktisin dhe lënë anash lakminë ndaj kësaj bote, t`i braktisin egot e tyre të sëmura, e sidomos ta braktisin lojën e tyre të dyfishtë!(4)

15. Kur ju të niseni për ta mbledhur plaçkën e luftës, ata që ngelën pas jush, do të ju thonë: “Na lini edhe ne që të vijmë me ju!”. Ata duan ta ndryshojnë urdhrin e Allahut. Thuaju: “Kurrsesi! Ju nuk keni për të ardhur me ne. Kështu ka thënë Allahu më herët!”. E ata do të ju thonë: “Nuk është ashtu, por ju na keni zili.”. Ah, sa pak që kuptojnë!

Në këtë ajet, shohim edhe një përgëzim tjetër nga ana e Allahut, i cili vlen për myslimanët që u besatuan në Hudejbije. I Madhërishmi ia zbriti të Dërguarit, a.s., këtë sure përnjëherë, duke e njoftuar të Dërguarin e Vet se çfarë do të thoshin ata që ngelën në rrethinat e Medinës, kur këta të arrinin në Medinë. Ata beduinë, që imanin e tyre e kishin mbështjellë me petkun e hipokrizisë, pas kthimit triumfal të Pejgamberit, a.s., në Medinë, do të përpiqeshin të arsyetoheshin për mospjesëmarrjen e tyre, se gjoja ishim të zënë me familjet dhe pasuritë e tyre. Madje, do të shprehnin dëshirë që në ekspeditat e ardhshme, në të cilat do të kishte plaçkë lufte, të ishin së bashku me Pejgamberin, a.s., dhe, e para nga këto ekspedita do të ishte çlirimi i Hajberit, fortifikatës më të madhe dhe më të mbrojtur të çifutëve në Gadishullin Arabik, që ndodhi katërdhjetë ditë pas kthimit nga Hudejbija. Mirëpo Allahu, xh.sh., duke i ditur qëllimet e tyre dinake dhe urrejtjen që ende e mbanin në zemra ndaj besimtarëve, po ashtu e njoftoi të Dërguarin, a.s., se “Çlirimi i Hajberit” dhe pasuritë që do të merreshin nga aty u takonin vetëm atyre që u besatuan në Hudejbije, dhe askujt tjetër.(5) Ky ishte shpërblimi i parë për besimtarët e besatimit të sinqertë në Hudejbije, të cilët ishin të gatshëm të flijoheshin për lartësimin e Fjalës së Allahut. Pikërisht nëpërmjet këtij ajeti vjen refuzimi dhe urdhri i prerë i Allahut në lidhje me ata që ngelën prapa radhëve të myslimanëve, e të cilën urdhëresë i Dërguari i Allahut ua komunikoi atyre nëpërmjet fjalës hyjnore: “Kurrsesi! Ju nuk keni për të ardhur me ne. Kështu ka thënë Allahu më herët!”
Edhe ajeti i 83-të i sures Et Tevbe, flet përafërsisht për një rast të ngjashëm, për një grup që nuk i qenë bashkuar të Dërguarit të Allahut në betejën e Tebukut. Edhe në këtë ajet shohim të njëjtën përgjigje të prerë, madje të veshur pak edhe me një dozë kërcënimi: “Nëse Allahu të kthen (prej Tebukut) te ndonjë grup i tyre (hipokritëve), e ata të kërkojnë leje për të dalë (me ty në ndonjë luftë), thuaju: “Ju kurrë nuk do të dilni me mua, dhe kurrë nuk do të luftoni ndonjë armik së bashku me mua! Ju ishit të kënaqur (kur nuk erdhët për të luftuar) herën e parë, prandaj rrini me ata që mbetën pas!”
Ajeti i 15-të i kësaj sureje përfundon me fjalët:“E ata do të ju thonë: “Nuk është ashtu, por ju na keni zili”. Ah, sa pak që kuptojnë!”, dhe nënkupton se pas refuzimit të prerë që ata të marrin pjesë në ndonjë ekspeditë të re ushtarake, ata do t’u thonë myslimanëve: “Ju nga zilia nuk po na lini të marrim pjesë në luftë për ndarjen e presë së fituar.”. Mirëpo, e vërteta është krejtësisht ndryshe, sepse ky refuzim nga ana e Allahut dhe e Pejgamberit, a.s., për ta vjen si dënim për shmangien nga pjesëmarrja në umren e Hudejbijes, e më vonë të disave edhe në luftën e Tebukut.(6)
16. Thuaju atyre arabëve beduinë që ngelën pas jush: “Ju do të thirreni kundër një populli luftarak e të fuqishëm, që do t’i luftoni ose do të dorëzohen. Nëse i përgjigjeni (thirrjes), Allahu do të ju japë shpërblim të mirë, e nëse shmangeni, ashtu siç keni bërë edhe më parë, Ai do të ju ndëshkojë me dënim të dhembshëm.
Allahu i Gjithëmëshirshëm është shumë i dhimbshëm për krijesat, sidomos për njerëzit, të cilëve sërish e sërish ua jep rastin të pendohen dhe ta dëshmojnë në vepër pendimin e tyre të sinqertë. Në këtë rast pendimi i atyre që ngelën pas e nuk iu bashkuan myslimanëve në Hudejbije do të pranohet vetëm pasi ata stoikisht të qëndrojnë në luftë kundër jobesimtarëve të fuqishëm ushtarakisht, duke mos e sjellë ndër mend tërheqjen nga fronti i luftës. Mirëpo, a thua se kush është ky popull i fuqishëm dhe luftarak, e të cilin Allahu, xh.sh., po e cilëson në këtë ajet? Sipas disa dijetarëve, këta ishin popujt Hevazin, Gatefan dhe Thekif, me të cilët myslimanët u ballafaquan në ditën e Hunejnit. Disa të tjerë janë të mendimit se këta ishin fisi i Musejlemetul Kedhabit (gënjeshtarit që pretendonte se ishte i dërguar), Benu Hanife. Ndërkaq, disa thonë se ky popull luftarak dhe i fortë mund të ishin persianët dhe romakët.(7) Pavarësisht se cilin popull e ka synuar Allahu, kjo ka pak rëndësi, meqë nuk kemi ndonjë argument të qartë as nga Kurani e as nga Suneti për këtë, por me rëndësi është fakti se lufta kërkon sakrificë dhe durim të paparë, dhe për këtë arsye në luftën e vërtetë nuk do të ketë mundësi për shtirje. Nëse këta njerëz me iman të dobët e të dyshimtë pendohen dhe luftojnë në rrugën e Allahut me zemër të pastër, atëherë Ai do t’ua falë mëkatin e shmangies nga radhët e myslimanëve, siç ishte rasti në Hudejbije dhe ai në Tebuk. Ndërsa, nëse sërish largohen dhe mundohen të gjejnë ndonjë arsyetim të paqenë për mospjesëmarrje në luftë, atëherë ata i pret zjarri i Xhehenemit dhe ndëshkimi i përjetshëm në Ahiret.

17. Nuk është gjynah (që mos të marrin pjesë në luftë) për të verbrin, për të çalin, e as të sëmurin. E, kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Ai do ta futë në xhenete, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, kurse ai që shmanget, Ai do ta ndëshkojë me një dënim të dhembshëm.

Ajeti i 17-të i kësaj sureje i përcakton shumë qartë kategoritë që lirohen nga pjesëmarrja aktive në luftë, për shkak të dobësive të ndryshme, siç janë sëmundja, mungesa e ndonjë gjymtyre, siç janë: syri, këmba, dora etj. Që të gjitha këto kategori janë të falura, dhe nuk janë të ngarkuara me obligimin e xhihadit apo pjesëmarrjes në luftë, për shkak të të metave fizike me të cilat janë sprovuar në këtë dynja.(8) Në këtë ajet shohim një nxitje në përpjekjen e vërtetë për lartësimin e fesë së Allahut, pra për të gjithë ata që i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këta do t’i gëzojnë të gjitha begatitë e Krijuesit në Xhenet, ndërsa ata që shmangen qëllimisht nga lufta, dhe nuk kanë ndonjë arsye e as ndonjë të metë fizike, por bëjnë hile e mashtrim, ata i pret ndëshkimi i dhimbshëm dhe hidhërimi i përjetshëm i Allahut ndaj tyre.

Porosia e këtyre ajeteve

- Ata që ngelën në Medinë, nga fiset arabe, dhe nuk iu bashkuan të Dërguarit të Allahut, ishin njerëz me iman të dobët, që i afrohet bukur shumë përshkrimit të mynafikëve. Arsyetimet e tyre ishin aq të mjera, sepse kur është në pyetje ideali i pastër islam, as pasuria e as familja nuk mund të jenë pengesë për ta arritur kënaqësinë e të Madhit Zot.
- Ata e fshihnin hipokrizinë e tyre në zemra, sepse në vete ishin lutur që myslimanët të pësonin disfatë prej kurejshëve. Allahu ua kishte shfaqur haptazi gënjeshtrat dhe mendimet e tyre të këqija. Madje ata haptazi do të kërkonin të merrnin pjesë në luftërat e ardhshme, ku do të ndahej plaçka e luftës, mirëpo një gjë të tillë nuk ua lejoi Allahu, xh.sh. - Allahu e ka lënë të hapur gjithmonë derën e pendimit, e kjo vlen edhe për ata që ngelën pas myslimanëve dhe nuk iu bashkuan atyre. Nëse pendohen sinqerisht, Allahu është i Mëshirshëm dhe i fal, e nëse sërish shfaqin mosbindje dhe anojnë kah intrigat, Allahu do t’i marrë me ndëshkim të dhimbshëm në Ahiret.
- Nga pjesëmarrja në luftë janë të liruar disa kategori të caktuara, sikurse: i verbri, i çali, i sëmuri rëndë etj., sepse pjesëmarrja e tyre përveçqë nga aspekti fizik do të ishte e padobishme, në të njëjtën kohë ata do të bëheshin barrë për myslimanët e tjerë pas fillimit të ballafaqimit me armikun. - Ata që i binden Allahut, Ai do t’i shpërblejë në xhenet, kurse të pabindurit dhe hipokritët i pret dënimi me Zjarr.

- vijon –


____________________________
1. Imam Kurtubiu, El Xhamiu li Ahkamil Kuran, Bejrut, 2006, vëll. 19 f. 313 (redaktuar prej Dr. Abdullah Turkit, dhe, bashkëredaktues në këtë vëllim ishte edhe Muhamed Ridvan Arkasusi); Tefsiri i Begaviut, Mealimu Et Tenzil, Rijad, 1412 h., vëll. VII, f. 303.
2. Et Tefsirul Munir, vëll. 26, f. 496.
3. Et Tahriru ve Et Tenviru, vëll. 26, f. 162.
4. Muhamed el Gazali, Nahve tefsirin mevduijj li suveril Kuranil Kerim, Kajro, 2000 (botimi i IV), f. 399.
5. Abdul Kahir El Xhurxhani, Durxhud Durer fi Tefsiril Kuranil Adhim, Aman, 2009, vëll. II, f. 575.
6. Nexhmuddin Et Tufi, Isharat el Ilahije ilel mebahithil usulijje, Kajro, 2002, vëll. II, f. 259.
7. Ebu Lejth Es Semerkandi, Bahrul Ulum, Bejrut, 1993, vëll. III, f. 255.
8. Ahmed Mustafa El Meragij, Tefsirul Meragij, Kajro, 1946, vëll. 26, f. 99- 100.



Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi