Premtimi hyjnor për fitore dhe çlirime të reja për myslimanët
“Allahu ju premtoi plaçkë të pasur që do ta fitoni, e këtë (të Hajberit) jua përshpejtoi juve. Ai i pengoi duart e njerëzve kundër jush, që kjo të ishte një shenjë (e mirë) për besimtarët dhe që t’ju udhëzonte në rrugë të drejtë. Do të ketë edhe të tjera (fitore lufte), të cilat ju ende nuk i keni arritur, e që Allahu i di sipas përcaktimit të Tij, sepse Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë. Nëse jobesimtarët do t’ju shpallnin luftë, do të ishin ata që do të sprapseshin, dhe pastaj nuk do të gjenin as mbrojtës, e as ndihmës. I tillë ka qenë ligji i Allahut edhe më parë, e ti në ligjin e Allahut kurrë nuk do të gjesh ndryshime. Është Ai që pengoi duart e tyre kundër jush dhe duart tuaja kundër tyre, në luginën e Mekës, pasi që jua mundësoi ngadhënjimin ndaj tyre. Allahu sheh gjithçka që veproni.” - (El-Fet’h, 20-24)
Shkaku i zbritjes së ajetit 24
– Transmetohet nga Enesi r.a., të ketë thënë: Në ditën e Hudejbijes, 80 burra të armatosur patën zbritur nga kodra e Ten’imit, për ta zënë në befasi të Dërguarin e Allahut, por ishin kapur (nga myslimanët). Resulullahu s.a.v.s. i kishte liruar të gjithë, dhe në shenjë të tyre ka zbritur ajeti i 24: “Është Ai që pengoi duart e tyre kundër jush dhe duart tuaja kundër tyre, në luginën e Mekës, pasi që jua mundësoi ngadhënjimin ndaj tyre...”(1) - Transmetohet nga Abdullah bin Mugaffel el Muzeni të ketë thënë: “Ishim në Hudejbije, pranë pemës të cilën Allahu e ka përmendur në Kuran, dhe derisa ishim kështu, kur befas na dolën përpara 30 djem(2) të rinj, të armatosur, dhe ia mësynë drejt nesh. I Dërguari a.s. u lut kundër tyre dhe Allahu ua mori shikimin , e ne shkuam e i zumë të gjithë. I Dërguari a.s. i pyeti. “A keni ardhur në besë të ndokujt këtu? A ju ka ofruar dikush siguri?” - Për Zotin jo, - u përgjigjën ata. Atëherë Resulullahu s.a.v.s., i la të lirë, dhe në shenjë të tyre ka zbritur ajeti: “Është Ai që pengoi duart e tyre kundër jush dhe duart tuaja kundër tyre, në luginën e Mekës, pasi që jua mundësoi ngadhënjimin ndaj tyre...”(3)
Lidhja e këtyre ajeteve me ato paraprake
Në ajetet paraprake, Allahu i Gjithëmëshirshëm, flet fjalë miradije për ata që u besatuan në Hudejbije, për hir të gatishmërisë së tyre për t’u sakrifikuar në emër të lartësimit të fesë së Allahut. Për këtë arsye, Ai ua premtoi myslimanëve së pari çlirimin e Hajberit, e më pas edhe shumë fitore e çlirime të reja, deri në Ditën e Gjykimit, kurse tash, në këto ajete, shohim vazhdimësinë e premtimeve hyjnore për çlirime dhe fitore të reja, përveç Hajberit. I Lartmadhërishmi ua bëri të qartë myslimanëve, se ndihma e Tij nuk do të mungojë, ashtu siç nuk kishte munguar asnjëherë në ndihmën dhe përkrahjen e besimtarëve të drejtë nëpër kohë. Ky është ligj i Allahut që kurrë nuk ndryshon.
Koment:
20. Allahu ju premtoi plaçkë të pasur që do ta fitoni, e këtë (të Hajberit) jua përshpejtoi juve. Ai i pengoi duart e njerëzve kundër jush, që kjo të ishte një shenjë (e mirë) për besimtarët dhe që t’ju udhëzonte në rrugë të drejtë.
Premtimi hyjnor për besimtarët e Njëshmërisë, se ata do të kenë fitore të mëdha në luftëra kundër armiqve, nga të cilat do të përfitonin edhe pasuri apo plaçkë të shumta, s’ka dyshim se do të realizohet nëpër kohë, deri në Ditën e Gjykimit. Nga kjo pjesë e ajetit kuptohet se bëhet fjalë për pasuritë që do t’i fitojnë myslimanët në të ardhmen, pas kthimit nga Hudejbija, sepse ata nuk hyrën në Mekë, që të merrnin pre të luftës.(4) Sipas të gjithë komentatorëve, me fjalinë: “...e këtë (të Hajberit) jua përshpejtoi juve”, nënkuptohet çlirimi i Hajberit dhe zotërimi i pasurive të shumta të hebrenjve, që iu dha krahë myslimanëve, për të vazhduar tutje në misionin e tyre të përhapjes së Fjalës së Allahut. Ndonëse ka mendime se kjo fitore e përshpejtuar është vetë Marrëveshja e Hudejbijes, megjithatë si mendim nuk ka ndonjë përkrahje nga mesi i dijetarëve.
Ky ajet po ashtu flet edhe për marrjen në mbrojtje të familjet myslimane në Medinë nga ana e Allahut xh.sh., kur myslimanët kishin marrë paqësisht rrugën drejt Mekës, për ta kryer umren, në krye me Pejgamberin a.s.. Kjo mbrojtje nënkuptonte moslejimin e duarve të hebrenjve dhe arabëve përreth Medinës, që të zgjateshin drejt familjeve të myslimanëve, përfshirë këtu pleqtë, gratë dhe fëmijët, ashtu siç i kishte penguar edhe duart e hebrenjve të Hajberit dhe të aleatëve të tyre nga fiset Esed dhe Gattafan, që t’i dëmtonin myslimanët gjatë rrethimit dhe çlirimit të fortifikatave të Hajberit.(5) Përveç kësaj mburoje hyjnore, Allahu i Madhërishëm kishte mbjellë frikë dhe lemeri në zemrat e hebrenjve dhe aleatëve të tyre.(6)
Të gjitha këto përgëzime dhe mbrojtje të myslimanëve nga i Madhërishmi prej armiqve shumëfish më të fortë ushtarakisht dhe numerikisht, pa dyshim që ishin shenja të mira nga ana e Tij për besimtarët, që ata ta kuptonin se Allahu dhe i Dërguari i Tij, janë të sinqertë në premtimet e tyre. Pasi do t’i shihnin haptazi këto shenja të mëdha, e njëra prej tyre ishte edhe çlirimi i Hajberit, myslimanëve pa dyshim do t’ju shtohej edhe me tepër imani dhe do ta shijonin me tërë qenien e tyre ëmbëlsinë e imanit dhe udhëzimin në rrugën e drejtë. Vetëm me një besim kaq të fortë, dhe duke qenë të frymëzuar nga burimi i udhëzimit hyjnor, këta burra sypatrembur, do ta ndryshonin rrjedhën e njerëzimit, duke përhapur gjithandej drejtësi dhe dashuri në emër të fesë që Allahu e ka përzgjedhur për mbarë njerëzimin – Islamin.
21. Do të ketë edhe të tjera (fitore), të cilat ju ende nuk i keni arritur, e që Allahu i di sipas përcaktimit të Tij, sepse Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë.
Në këtë ajet, shohim qartë një paralajmërim përgëzues për besimtarët, se në të ardhmen, ata do të korrnin fitore të reja, dhe do të zotëronin plaçka të mëdha lufte, që për momentin, nuk ishin në gjendje t’i arrinin, sepse ende ishin të preokupuar me ngritjen e themeleve të shtetit të ri, që bazohej në besimin e pastër në Zotin Një, në drejtësi dhe në trajtim të dinjitetshëm për secilin pjesëtar.
Për këto fitore madhështore të myslimanëve që do të ndodhin në të ardhmen, di vetëm Allahu, sipas Dijes dhe përcaktimit të Tij, sepse Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Plotfuqishëm për çdo gjë.
Lidhur me pjesën e ajetit: “Do të ketë edhe të tjera (fitore), të cilat ju ende nuk i keni arritur...”, komentatorët e Kuranit kanë dhënë disa mendime:
- Ibn Abasi në një mendim të tij thotë se me fjalët “Do të ketë edhe të tjera (fitore)...”, synohet Hajberi, meqë atë që ua përshpejtoi ishte marrëveshja e Hudejubijes.(7)
- Preja e luftës që u fitua në Hunejn, pasi u mund fisi i madh arab Hevazin, mendim të cilin e ka përzgjedhur Ebu Su’udi.(8)
- Çlirimi i Mekës, mendim i Katades, të cilin e kanë përzgjedhur Ibn Xherir et-Taberiu(9), Ibn Atije(10) dhe Sejid Kutbi(11), i cili mendim, ka një përkrahje të madhe të dijetarëve, sepse përputhet edhe me rrjedhën e ngjarjeve që trajtohen në këtë sure; dhe
- Çdo fitore dhe çlirim islam, që nga koha e zbritjes së kësaj sureje, ndër të cilat radhiten çlirimi i Hajberit, i Mekës, pastaj fitoret ndaj persianëve dhe romakëve, dhe të tjerat fitore që do të pasojnë,(12) mendim ky që është përcjellë nga Aliu r.a. dhe Ibn Abasi r.a., e që sipas mendimit tonë është mendimi më i saktë, sepse përfshin një fushë më të gjerë kohore që zgjatet përtej shekujve, dhe që do të vazhdojë deri në Ditën e Gjykimit.(13) Këtë mendim e ka përzgjedhur edhe Ibn Ashuri, i cili në lidhje me këto fitore dhe ngadhënjime të mys limanëve, të premtuara nga Allahu i Madhërishëm, dhe pasi që cek edhe mendimet që u thanë më parë, thotë se në këtë ajet bëhet fjalë për fitore në të cilat do të fitohen plaçka të mëdha lufte, pakrahasimisht më madhë shtore së të gjitha këto që u përmendën, dhe që mbase vështirë se edhe mund t’i kenë ima gjinuar myslimanët atëbotë, e ato ishin fitoret kundër persianëve dhe bizantinëve, e më vonë, tokat e berberëve, (në Afrikën Veriore), që nënkupton çlirimin dhe zotërimin e pasurive të atyre vendeve.(14)
Ky mendim i fundit i Ibn Ashurit, përputhet plotësisht edhe me mendimin e Muxhahidit, i cili thotë se: “Këto fitore janë çlirimet (futuhatet islame) dhe plaçka e luftës, deri në Ditën e Gjykimit.”(15)
22. Nëse jobesimtarët do t’ju shpallnin luftë, do të ishin ata që do të sprapseshin, dhe pastaj nuk do të gjenin as mbrojtës, e as ndihmës.
Ky ajet, i bën krenarë të gjithë myslimanët, sepse nëpërmjet tij, atyre u bëhet me dije se nëse idhujtarët kurejshë, do të tentonin t’ju sulmonin në Hudejbije, Allahu do t’ua mundësonte besimtarëve fitoren e qartë, pa kurrfarë dyshimi, kurse kurejshët do të ishin ata që do të sprapseshin të mundur e të turpëruar, pa pasur asnjë mundësi të gjenin ndonjë mbrojtës a përkrahës. Disa komentatorë të Kuranit kanë dhënë mendimin se ky ajet flet tërthorazi edhe për fiset arabe që ishin aleate të hebrenjve të Hajberit, fiset Esed dhe Gattafan, që edhe përkundër numrit të madh të tyre, as që kishin marrë guximin të lëviznin në drejtim të myslimanëve, kur këta po mbanin nën rrethim fortifikatat e Hajberit.(16) Megjithatë, mendimi se fjala është për idhujtarët mekasë që po i pengonin myslimanët në krye më të Dërguarin e Allahut, të hynin paqësisht në Mekë për ta kryer umren, është më i pranuari.
23. I tillë ka qenë ligji i Allahut edhe më parë, e ti në ligjin e Allahut kurrë nuk do të gjesh ndryshime.
Ky është ligji i Allahut që kurrë nuk ndryshon që prej se ushtritë besimtare janë ndeshur me ushtritë e kufrit, për lartësimin e Fjalës së Allahut. I Madhërishmi e ka përcaktuar këtë si një ligj të pandryshueshëm të ekzistencës, se gjithmonë do t’i përkrahë pasuesit e së vërtetës, dhe do t’i poshtërojë pasuesit e së kotës.(17) Madje, në shumë ajete kuranore e bën të qartë se Ai është dhe do të jetë gjithmonë në anën pejgamberëve dhe besimtarëve, të cilët i ka fuqizuar dhe ua ka mundësuar fitoren mbi armiqtë, pavarësisht numrit të tyre. Allahu xh.sh. në Kuranin fisnik thotë: “Allahu e ka shkruar (në Levhi Mahfudh): “Unë dhe të dërguarit e Mi, patjetër do të ngadhënjejmë” - (El-Muxhadele, 21); pastaj: “...Është detyrimi Ynë që të ndihmojmë besimtarët” - (Er-Rrum, 47) etj.(18)
24. Është Ai që pengoi duart e tyre kundër jush dhe duart tuaja kundër tyre, në luginën e Mekës, pasi që jua mundësoi ngadhënjimin ndaj tyre. Allahu sheh gjithçka që veproni.
Ashtu siç pamë edhe nga shkaku i zbritjes së këtij ajeti, 80 burra të armatosur nga idhujtarët kurejshë, krye në vete, ia kishin mësyrë kampit të myslimanëve për t’i sulmuar, por përpjekja e tyre kishte dështuar, sepse ata ishin zënë rob nga ana e myslimanëve. Allahu i Madhërishëm, i pengoi duart e tyre që të arrinin te myslimanët për t’i dëmtuar ata, ashtu siç i pengoi edhe duart e myslimanëve që të mos përlyheshin me gjakun e atyre idhujtarëve, sepse myslimanët kishin ardhur të veshur në ihrama dhe në mënyrë paqësore po dëshironin të hynin në Mekë. E siç dihet, rregullat e të qenit muhrim, nuk lejojnë asnjë lloj gjakderdhjeje, edhe pse në kësi rrethanash lufta për vetëmbrojtje do të ishte plotësisht e justifikueshme. Allahu xh.sh., ua mundësoi myslimanëve neutralizimin e këtij grupi dhe i bëri ngadhënjimtarë ndaj tyre, duke i zënë robër, që pastaj t’i lironin pa kushte, duke treguar zemërgjerësinë dhe shpirtbardhësinë e tyre. Zaten, ky veprim i myslimanëve, d.t.th. lirimi i tyre pa kushte, do të ndikonte që shumë prej këtyre ta përqafonin Islamin aty për aty, e fryti i këtyre sjelljeve fisnike do të shihej dy vite e gjysmë më vonë gjatë hyrjes triumfale në Mekë, të mbi dhjetëmijë myslimanëve.
Ky pengimi i duarve të idhujtarëve mekasë që të arrinin te myslimanët, sipas të gjithë komentatorëve është tjetër nga ai i theksuar në ajetin e -20të, në të cilin Allahu përmendi pengimin e njerëzve, kur myslimanët kishin marrë udhën e umres së Hudejbijes. Nga kjo kuptojmë se ajeti i 20-të, bën fjalë për pengimin e hebrenjve përreth Medinës si dhe hebrenjve të Hajberit së bashku me aleatët e tyre prej fiseve arabe, që të mos kishin mundësi t’i dëmtonin familjet e myslimanëve, ndërkohë që në këtë ajet, të 24-t, është e kuptueshme dhe e qartë se bëhet fjalë vetëm për pengimin e idhujtarëve kurejshë që të mos i dëmtonin myslimanët në Hudejbije.(19)
Ajeti përfundon me fjalët ku Allahu iu drejtohet besimtarëve se Ai sheh gjithçka që ju veproni, e në këtë rast edhe sjelljet tuaja fisnike karshi atyre që u zunë rob dhe pastaj u liruan. Shkurt, kjo nënkupton që besimtarët duhet të jenë shembulli më i mirë i sjelljes fisnike, sepse vetëm kështu do të arrinin të “pushtonin” zemrat e njerëzve, në rrugën e shenjtë të përhapjes së Fjalës së Allahut në të katër anët e botës.
Porosia e këtyre ajeteve
- Allahu xh.sh. u ka premtuar besimtarëve të sinqertë, fitore të mëdha kundër armiqve, deri në Ditën e Gjykimit, dhe i përgëzoi paraprakisht për fitoren e parë të tyre, që do të ishte çlirimi i Hajberit dhe zotërimi i pasurive të hebrenjve të Hajberit dhe i aleatëve të tyre nga fiset arabe Esed dhe Gattafan.
- Allahu i Madhërishëm i pengoi duart e idhujtarëve mekasë ndaj myslimanëve, si në Hudejbije, po ashtu edhe në Hajber duke i bërë ngadhënjimtar ndaj tyre në çdo aspekt.
- Allahu u ka premtuar myslimanëve fitore pas fitoreje dhe çlirim pas çlirimi deri në Ditën e fundit të kësaj bote. Pas Hajberit, do të pasonte çlirimi i Mekës, pastaj mposhtja e fisit idhujtar Hevazin, në Hunejn, e më pas i përgëzoi edhe për fitore të tjera në të ardhmen e afërt, siç ishin mposhtja e dy perandorive më të fuqishme të kohës, Persisë dhe Bizantit, etj.
- Premtimi i Allahut se do t’i përkrahë besimtarët në çdo kohë kundër armiqve, është Ligj që nuk ndryshon në asnjë kohë. - Allahu vigjilon mbi çdo gjë dhe i sheh të gjitha veprat e njerëzve.
- vijon –
____________________________
1. Esbabu nuzuli-l Kuran, f. 609 (rivajeti i Argijaniut); Lubabu-n-nukuli fi esbabi-n-nuzuli, f. 236. E transmetojnë Muslimi (5/195) nr. 1808 dhe 133; Tirmidhiu (3264); Nesaiu (8667) dhe (11510); ); Ebu Davudi (2688); Bejhekiu në Delail en-Nubuvveti (4/141) etj.. - Isnadi i këtij hadithi është ‘sahih’.
2. Në shumicën e rivajeteve ku përmendet numri i disa mekasve që tentuan ta sulmonin Pejgamberin a.s. në është shënuar se ishin 80, përveç Ibn Mugaffelit që përmend numrin 30. Megjithatë, mendimi i parë është më i pranuar nga ana e dijetarëve dhe biografëve. (Sqarim yni – S.B.).
3. Esbabu nuzuli-l Kuran, f. 610. E transmetojnë Ahmedi (4/86); Nesaiu (11511); Hakimi në El-Mustedrek (2/460). Hadithi është i kategorisë ‘sahih’; Shih edhe: Isam bin Abdulmuhsin el Humejdan, Es-Sahih min esbabi-n-nuzul, Kajro, 1999, ff. 292-293; Fet’hu-rr-Rrahman fi esbab nuzuli-l Kuran, f. 130.
4. Imam Maturidiu, Te’vilatu Ehli-s-Sunneti, Istanbul, 2007, vëll. XIV, f. 32 (redaktuar nga Muhamed Ma’sum Vanllëogllu).
5. Ebu Bekr El-Xhezairi, Ejseru-t-t-tefair, Medinë, 1997, vëll. V, ff. 108-109.
6. Et-Tes’hil li te’vili-t-tenzil, tefsir xhuz’u Ahkaf fi sualin ve xhevabin, f. 250.
7. Tefsiri i Kurtubiut, IXX, vëll. f. 322. (Redaktuar nga Dr. Abdullah Turki).
8. Ebu Su’ud, Irshadu-l akli-s-selim ila mezaja el Kurani-l Kerim, Bejrut, pa vit botimi, vëll. VIII. f. 110.
9. Ibn Xheri et-Taberi, Xhamiu-l bejan an te’vili aji-l Kuran, vëll. XXI, f. 286. (Redaktuar nga Dr. Abdullah Turki).
10. Ibn Atijje el Endelusi, El-Muharreru-l vexhiz fi tefsiri-l Kitabi-l Aziz, Doha-Katar, 2007, vëll. VII (pjesa 26) f. 681.
11. Fi Dhilali-l Kuran, vëll. VI, pjesa 26, f. 3327.
12. Ibrahim bin Muhamed el Melisi, Et-Tenasuk el mevduijju fi sureti-l Fet’h, Mekë, 1434 h., f. 356.
13. Fahru-r-Rrazi Mefatihu-l Gajb, vëll. XXVIII, f. 80.
14. Et-Tahriru ve-t-tenviru, vëll. 26. f. 181.
15. Ibn Kethir, Tefsiru-l Kurani-l Adhim, Rijad, 1999, vëll. 7 , f. 341. (redaktor, Sami bin Muhamed es-Selame).
16. Tefsir sureti-l Fet’h, f. 118.
17. Imam Sha’ravi, Havatiri havle-l Kurani-l Kerim, f. 14404.
18. Ahmed bin Muhamed bin Axhibeh , El-Bahru-l medid fi tefsiri-l Kitabi-l Mexhid, Kajro, 2000, vëll. V, f. 399.
19. Shih më gjerësisht transmetimin nga Katadeja që e përcjell Taberiu në tefsirin e tij: Xhamiu-l bejan an te’vili aji-l Kuran, vëll. XXI, f. 282.
Sabri Bajgora