Në krahinën e Hixhazit, në pjesën perëndimore të Arabisë, jo larg Detit të Kuq, ndodhet qyteti i Mekës (Mekka). Në qendër të këtij qyteti gjendet një ndërtesë e vogël në formë katrori. Meka dhe ndërtesa e saj prej guri njihen nga udhëtarët dhe udhëpërshkruesit botërorë që nga lashtësia. Ajo ndërtesë është Bejtullahu – Shtëpia e Allahut.
Domethënia dhe origjina e agjërimit
Agjërim, në kuptimin etimologjik të fjalës do të thotë ndalim, të ndalosh veten nga çdo gjë: ushqimi, pija etj.. Fenomeni i agjërimit është shumë i hershëm dhe ka një histori shumë të lashtë. Agjërimi është i njohur në të gjitha fetë e shpallura, madje edhe në paganizëm. Të dhënat tregojnë se agjërimi ishte i njohur dhe aplikohej edhe tek egjiptianët e lashtë e pastaj është bartur edhe te grekët e vjetër. Këtë e kanë praktikuar edhe babilonasit, kinezët e popuj të tjerë. Agjërimi ishte i njohur dhe praktikohej edhe tek ithtarët e librave hyjnorë “Ehlul Kitab”. Këtë e vërteton ajeti që flet për obligueshmërin e agjërimit. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë:(Shih: El Bekare,183). Siç kuptohet edhe nga ajeti, agjërimi njihej tek popuj dhe gjenerata të hershme, që, në shenjë respekti ndaj Zotit, agjëronin ditë të caktuara ose i ndalonin vetes disa lloje ushqimesh. Edhe pse rendi dhe mënyra e agjërimit dalloheshin, të gjithë e njihnin atë si një formë adhurimi. Lashtësia e kësaj dispozite flet për rëndësinë e saj dhe për faktin se në shpirtin e njeriut është ushqyer përherë ndjenja për adhurimin e Allahut në forma të ndryshme.(1)
Fjala agjërim, në kuptimin terminologjik të Islamit do të thotë pezullim, largim, heqje dorë nga të ngrënët, të pirët dhe nga marrëdhëniet intime, që nga agimi deri në perëndimin e diellit.(2)
Synimet e agjërimit
Agjërimi dhe aplikimi i tij në praktikë, mbi të gjitha,është obligim fetar, një nga pesë shtyllat e Islamit dhe adhurim që bëhet vetëm për hir të Zotit, gjë që nënkupton nënshtrimin ndaj Allahut dhe respektimin e ligjeve të Tij. Agjërimi ka për qëllim lartësimin e shpirtit, dëlirësinë dhe përsosjen e tij. Synon ngritjen e ndërgjegjes së individit, ndriçimin e mendjes dhe zbardhjen e zemrës. Ai është një institucion edukativo-moral, i cili synon edukimin fizik e shpirtëror të njeriut, për ta përgatitur atë përballë sprovave me të cilat ballafaqohet në jetën e përditshme. Objektiv final i agjërimit është devotshmëria, mirëqenia e njeriut dhe lumturia e tij në këtë botë dhe në Botën tjetër.
Devotshmëria synim parësor i agjërimit
Sipas Islamit, për agjërimin nuk mjafton nëse bëhet fjalë vetëm për aspektin fizik të njeriut, që manifestohet me heqjen dorë nga ushqimi, pija etj.. Agjërimi, para së gjithash, është një veprim aktiv shpirtëror, me të cilin ai që e kryen këtë obligim, dëshiron të arrijë cakun që i ka caktuar Allahu i Lartësuar. Për këtë arsye ai e bën nijetin për agjërim, që është në pajtim me qëllimin që vullneti i Allahut të Lartmadhëruar i caktoi agjërimit. Duhet ta dimë se ajo që Allahu i Madhërishëm dëshiron nga agjërimi ynë, është që vendimi ynë të jetë në pajtim me vullnetin e Tij. Gjëja e parë që do të na kujtohet kur të agjërojmë, le të jetë fakti se Allahu është i mëshirshëm, me agjërimin nuk synon vuajtjen as vështirësinë tonë dhe se deri tek Ai nuk do të arrijnë as rraskapitja e as dobësia e trupit tonë. Qëllimi i agjërimit nuk është vuajtja fizike, pavarësisht se gjatë agjërimit shfaqen disa vështirësi të vogla. Kur Allahu i Madhëruar tha: “Ju është bërë obligim agjërimi”, nuk e përfundoi ajetin me fjalët ”që të vuani”, ose “që të dobësoheni”, por tha: “që të bëheni të devotshëm”. Allahu i Lartësuar në këtë mënyrë agjërimin e bëri sprovim shpirtëror dhe moral. Ai dëshiroi që agjërimi të jetë mënyra përmes së cilës do të hyjmë në radhën e njerëzve të devotshëm. Pra, devotshmëria është qëllimi i vërtetë i agjërimit dhe, nëse e kuptojmë dhe e pranojmë këtë si qëllim kryesor të agjërimit, atëherë pas saj do t’i gjejmë edhe të gjitha frytet e tjera. Por, nëse gjatë agjërimit anashkalohet devotshmëria, atëherë i tërë angazhimi ynë do të jetë i kotë dhe pa vlerë tek Allahu. Devotshmëria është në të vërtetë qëllimi i përbashkët i të gjitha ibadeteve, po agjërimi i jep asaj një dimension të ri dhe domethënie më të gjerë. Arsyeja pse agjërimi i jep devotshmërisë një dimension të ri dhe domethënie më të gjerë, qëndron në faktin se devotshmëria që rezulton nga obligimet e tjera, ka të bëjë me përmbajtje, nga veprimet e ndaluara, kurse agjërimi këtyre ndalesave u shton një pjesë të re, e cila na mëson si të përmbahemi nga gjërat e lejuara dhe, nganjëherë, si mund të heqim dorë nga ajo që
rëndom është mjet për jetë. Nëse ndalesat e tjera në formë të maturisë dhe vazhdimësisë, lënë në trashëgimi themelet e para të devotshmërisë, agjërimi, në manifestimin e sinqertë të përuljes dhe pendimit, lë në trashëgim aspekte të devotshmërisë së skajshme.
Veçoritë, vlera dhe rëndësia e muajit të Ramazanit
Muaji i Ramazanit është i dalluar dhe veçohet nga muajt e tjerë. Ai ngërthen në vete ngjarjet dhe ndodhitë më madhështore në historinë e njerëzimit. Për nga vlera dhe rëndësia, muaji i Ramazanit është i pazëvendësueshëm. Në këtë muaj, me ndihmën e Allahut, myslimanët triumfuan në betejën e Bedrit, e cila solli momentin vendimtar ndërmjet besimit dhe mohimit, lajthitjes dhe përudhjes, së keqes dhe së mirës, së vërtetës dhe gënjeshtrës, së drejtës dhe së padrejtës. Në këtë muaj Allahu bëri të mundur çlirimin e Mekës, me se qe siguruar fitorja e imanit dhe së vërtetës dhe me se i Dërguari i Allahut proklamoi politikën e dashurisë, paqes dhe dëlirësisë. Në këtë muaj hapen dyert e qiellit, gjë që nënkupton hapjen e dyerve të mëshirës së Allahut për shumëfishimin e shpërblimit të veprave të mira dhe faljen e mëkateve për ata që pendohen. Në këtë muaj hapen dyert e Xhenetit, çelësat e të cilit janë veprat e mira dhe të sinqerta, të cilat, me anë të shumëfishimit të pakufishëm të shpërblimit të tyre, më lehtë se kurrë shpien drejt dyerve të tij (Xhenetit). Në këtë muaj mbyllen dyert e Xhehenemit, dhe kjo nënkupton mundësinë e madhe të agjëruesit dhe lehtësimin e tij për t’u larguar nga mëkatet, si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë shpirtëror e shoqëror. Largimi nga mëkatet rezulton me përfitimin e mëshirës dhe lirimin nga zjarri. Ai që lirohet nga zjarri, për të janë të mbyllura dyert e Xhehenemit.(3)
Në këtë muaj është Nata e Kadrit, që ka vlerën e më shumë se një mijë muajve dhe në të cilën njerëzve u ndahet mëshira dhe falja e Allahut. Dhe, mbi të gjitha, ashtu sikur thuhet edhe në suren Bekare, në këtë muaj zbriti Kur’ani fisnik, i cili do t’i ngjallte dhe ndriçonte zemrat pas një errësimi të thellë, dhe njerëzit do t’i udhëzonte në rrugën e drejtë duke i dhënë jetës kështu kuptimin e saj të vërtetë.”(ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramazanit, në të cilin filloi të shpallej Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra)”.( El Bekare, 185).
Për nga vlera dhe rëndësia, muaji i Ramazanit, i cili llogaritet sipas kalendarit hënor, shtrihet në të gjithë muajt e vitit kalendarik që kemi në përdorim, përmban një urtësi krejt të veçantë. Kështu, agjërimi mbahet në ditë të nxehta, të ftohta, të freskëta, në ditë të gjata, të shkurtra e
mesatare dhe begaton të gjitha ditët e vitit, pa dallim.
Vlera dhe dobitë e agjërimit
Vlera e agjërimit është shumë e madhe, kurse dobitë e tij janë të shumëllojshme. Sigurisht që nuk është e mundur që, nëpërmes një shkrimi simbolik, të përmblidhen vlerat dhe dobitë e agjërimit, mirëpo do të mundohemi të përmendim disa prej tyre.
Shumëfishimi i shpërblimit
Agjërimi është një sekret në mes njeriut dhe Krijuesit të tij, është një adhurim, i cili bëhet vetëm për hir të Allahut. Për këtë arsye edhe shpërblimi për të është i veçantë dhe shumëfish më i madh në krahasim me ibadetet e tjera. Në të vërtetë, shpërblimi për një punë të mirë shumëfishohet prej dhjetë deri shtatëqind herë, ndërsa shpërblimi i agjërimit nuk ka as fund e as numër, siç është theksuar edhe në hadithin kudsij, ku i Dërguari i Allahut përcjell fjalët e të Lartmadhërishmit dhe thotë: “Çdo punë e birit të Ademit i përket atij, përveç agjërimit. Ai është Imi dhe për të shpërblej Unë”. (Buhariu dhe Muslimi).
Arsyeja e veçimit të agjërimit në këtë hadith është se ky adhurim-ibadet është i fshehtë dhe askush nuk mund të dijë këtë përkushtim përveç Allahut të Lartësuar. Ai bëhet vetëm për hir të Allahut dhe është larg syve të njerëzve dhe larg çdo mendjemadhësie.(4)
Pranimi i duasë-lutjeve
Duaja-lutja ka qenë dhe mbetet gjithherë arma më e fuqishme e besimtarit, me anë të së cilës ai kërkon mëshirën, faljen dhe begatitë e Allahut të Lartësuar. Duaja-lutja është shigjeta e natës, ajo është litari i gjatë midis Tokës e qiellit, është fitim i qartë pa asnjë çmim, është leverdi pa telashe. Ajo është armiku i fatkeqësive, të cilat i pengon dhe i ndalon. Duaja, në të gjitha kohët, ka një rol mjaft të rëndësishëm në jetën e njeriut, dhe sidomos në muajin e Ramazanit. Ashtu sikur thotë Pejgamberi a.s., duaja e agjëruesit është e pranuar dhe nuk kthehet mbrapa: “Tre personave nuk u kthehet lutja mbrapa: Agjëruesit derisa të hyjë koha e iftarit, imamit të drejtë dhe atij që i është bërë padrejtësi“. (Termidhiu).
Agjëruesi duhet të jetë i kujdesshëm dhe të mos ngurrojë që të lutet në këtë muaj të bekuar, dhe në veçanti në kohën e iftarit, sepse në ato momente Allahu i pranon lutjet e sinqerta nga robërit e Vet. Po ashtu, në agimin e hershëm, gjegjësisht në kohën e syfyrit duhet të bëhen lutje, ngase mëshira e Allahut të Lartësuar zbret në qiellin e dynjasë dhe thotë: “A ka kush që Më lutet, që t’i përgjigjem”.
Falja e mëkateve
Edhe pse njeriu është nga krijesat më të përsosura, megjithatë është i krijuar në një formë të dobët, kështu që mundësia për të gabuar është shumë e madhe, mbase edhe nuk ka njeri pa gabime. Për këtë arsye besimtarit i bëhet thirrje që të pendohet dhe të kërkojë falje gjithnjë nga Allahu i Lartësuar. Muaji i Ramazanit është një rast ideal dhe mundësi shumë e mirë për t’u penduar dhe për t’i fshirë mëkatet. Agjërimi është një ibadet me anë të të cilit përfitohet më së lehti magfireti-falja. Madje, ashtu siç thotë i Dërguari i Allahut a.s., agjëruesit me bindje dhe sinqeritet, i falen të gjitha mëkatet: ”Kush e agjëron muajin e Ramazanit me besim (të sinqertë) dhe me shpresë (se do të shpërblehet nga Allahu për të), atij do t’i falen mëkatet e mëhershme“. (Buhariu dhe Muslimi).
Në hadith së pari është theksuar fjala imanen, d.m.th. kush e agjëron muajin e Ramazanit duke besuar fuqishëm se agjërimi i Ramazanit është një farz i rëndësishëm dhe se për të ka shpërblim tek Allahu i Lartësuar, e pastaj ihtisaben, d.m.th. kush shpreson shpërblimin te Allahu i Madhërishëm dhe
agjëron për hir të kënaqësisë së Tij. Ndaj myslimani agjëron për shkak se fuqishëm beson në farzin e agjërimit të cilin ia ka caktuar Krijuesi i tij, e jo për ndonjë shkak tjetër, dhe për agjërimin e tij pretë shpërblim vetëm nga Allahu i Lartësuar, e jo nga dikush tjetër.
Agjërimi ndërmjetësues Ditën e Gjykimit
Dita e Gjykimit është nga ditët më të vështira, ajo është dita e paraqitjes para Allahut të Plotfuqishëm, dhe është dita e llogarisë. Njeriu, në këtë ditë më shumë se kurrë ka nevojë për ndihmë, sepse atëherë përcaktohet vendbanimi i tij. Askush dhe asgjë nuk mund t’i ndihmojë njeriut atë ditë, përveçse mëshira e Allahut dhe veprat e tij. Agjërimi në këtë ditë ka një rol të veçantë dhe shumë me rëndësi. Ai, së bashku me Kur’anin, do të ndërmjetësojnë për besimtarin. I Dërguari i Allahut thotë: “Agjërimi dhe Kur’ani do të ndërmjetësojnë për besimtarin ditën e ringjalljes. Agjërimi do të thotë: O Zot! Unë agjëruesin e pengova ditën nga të ngrënët, të pirët dhe nevojat e tjera të natyrshme. Pranoma ndërmjetësimin për faljen e tij. Edhe Kur’ani do të thotë: O Zot! Unë lexuesin e pengova natën nga gjumi dhe pushimi. Më mundëso të ndërmjetësoj për faljen e tij. (Pas pranimit të këtyre lutjeve, të agjërimit dhe Kur’anit), do të pranohet ndërmjetësimi i tyre në favor të besimtarit”. (Imam Ahmedi dhe Tabraniu në elkebir).
Për agjëruesit derë e veçantë në Xhenet
S’ka dyshim se synimi final i çdo myslimani është që të arrijë kënaqësinë e Allahut dhe hyrjen në Xhenetin e Tij. Ai për këtë punon dhe përgatitet gjatë tërë jetës së tij. Agjërimi është një mjet shumë i fuqishëm, përmes të cilit arrihet Xheneti. Allahu i Madhërishëm ka bërë që për agjëruesit të jetë një derë e veçantë e Xhenetit, e cila quhet “Rrejjan”,përmes së cilës do të hynë vetëm agjëruesit. Pejgamberi a.s., ka thënë: ”Vërtet në Xhenet është një derë e cila quhet Rejjan, nëpër të cilën do të hyjnë Ditën e Gjykimit vetëm agjëruesit, e pasi të hyjnë agjëruesit, dera do të mbyllet dhe nuk do të mund të hyjë askush tjetër”. (Hadithin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi).
Këto ishin disa nga vlerat dhe dobitë e agjërimit. E lusim Allahun e Madhërishëm që të na pranojë agjërimin dhe të gjitha veprat e mira.
________________
(1) Es-sevm Fikhuhu ve Esraruhu, Mahjud-din Mitu (f.23-24). Darul kalem.Dimeshk-Bejrut.Bot.4.1979.
(2) Fikhu’s-Sijam,Jusuf Kardavi (f.9).Mektebetu vehbeh.Kajro.Bot.2.2006.
(3)Es-sijam ve Ramadan fis-suneti vel-Kuran, Abdurrahman Hasen el- Mejdani (f.149-150). Darul kalem-Dimeshk. Bot.1.1987.
(4) El-Ilmam bishejin min ahkam Es-sijam, Abdulaziz bin Abdallah Err-Rraxhhi (f.19-21). Darul vatan-Rijad. Bot.1.1993.