Dielli do të lindte edhe në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit të bekuar Ramazan, të vitit të dytë pas hixhretit të të Dërguarit të Zotit a.s., nga Meka për në Medine. Por kjo ditë, që dielli do të lindte zakonshëm, nuk do të ishte e zakonshme, ngase në këtë ditë, Zoti i Gjithësisë, kishte përgatitur një nga befasitë më të këndshme për të Dërguarin e Tij dhe për besimtarët mbarë. Por krahas kësaj, Ai, edhe për mushrikët dhe armiqtë e fesë kishte përgatitur ditën, të cilën, ata, nuk do ta harronin asnjëherë.
Kësaj dite të bekuar i kishin parapri disa ditë të tensionuara, lojërash me nerva, ku në njërën anë ishte i Dërguari i Zotit a.s., i cili nuk kishte dalë për të luftuar, por vetëm për ta vëzhguar karvanin që kthehej nga Shami dhe për të shpresuar se ndoshta Allahu Fuqiplotë do t'ua kompensonte sado pak humbjet e jashtëzakonshme që ua kishin shkaktuar kurejshitë në tërë pasurinë e konfiskuar pas dëbimit nga Meka.
Përballë kësaj gjendeshin kurejshitë, që me mburrjen e tyre, me kryelartësinë e tyre, nuk mund ta pranon faktin se ata të cilët i kishin maltretuar deri në dëbim nga vendi, tanimë janë forcuar dhe po ua rrezikonin imazhin e tyre të pathyeshëm në imagjinatën e tyre.
Kurejshëve, edhe pse u kishte shpëtuar karvani, dhe ku Ebu Sufjani, si udhëheqës i karvanit, kërkonte nga mekasit që të ktheheshin, sepse nuk kishin asnjë arsye për luftë, prapëseprapë, një grup i udhëheqësve kurejshë, të rrëmbyer nga mburrja, siç ishte ndër ta Ebu Xhehli, nuk pranuan në asnjë mënyrë të ktheheshin me një ushtri që ishte trefish më e madhe se e myslimanëve, diku njëmijë ushtarë, që të gjithë të përgatitur për luftë, në krahasim me myslimanët, të cilët ishin treqind e disa, dhe atë të papërgatitur për luftë.(1) Ebu Xhehli tha se do të bëjnë tri ditë festë para ballafaqimit. Të hënën do të theren shumë deve, e do të kemi një festë për të cilën do të dëgjojnë tërë arabët. Ne, tha ai, përveçse do ta mposhtim këtë grup të rebeluar njerëzish, ne do t'ua fusim edhe frikën në palcë kujtdo që vetëm guxon të mendojë t'i sfidojë kurejshitë, fqinjët e Qabesë.
Por, dita e Bedrit kishte përgatitur krejt diçka tjetër...
Këtë ditë, Allahu Fuqiplotë, e kishte caktuar që të mos ishte si ditët e tjera.
Nuk qe si ditët e tjera, sepse këtu u thyen rregullat e fitores dhe të humbjes. Kush do të mendonte se një grup i vogël njerëzish, i papërgatitur për luftë, do ta mposhte një ushtri trefish më të madhe e me të gjitha përgatitjet për luftë?!
Nuk ishte ditë e zakonshme, sepse ndodhi ajo që nuk e prisnin asnjë, zbritja e pesëmijë melaqeve për ndihmë ndaj të Dërguarit a.s. dhe sahabëve nga ana e Allahut xh.sh., ashtu siç e dëshmon Ai xh.sh. në suren Ali Imran: "Po nëse jeni të qëndrueshëm e të matur, e ata (armiqtë) t'ju vinë tash në këtë moment, Zoti juaj ua vazhdon juve ndihmën me pesëmijë prej engjëjve të ushtruar (për luftë) ose të shënuar." (Ali Imran, 125).
Nuk ishte si ditët e tjera ku kryeneçët dhe arrogantët vazhdojnë arrogancën e tyre, ngase në luftën e Bedrit, ata i priti përdhosja e kësaj krenarie të rreme dhe nga aty dolën kokulur si asnjëherë më parë, disa prej tyre të vdekur e disa të tjerë të nënçmuar.
Nuk ishte si ditët e tjera, sepse në këtë ditë, burrat e vërtetë e dëshmuan burrërinë e besnikërinë ndaj të Dërguarit a.s.. Një prej tyre ishte Sad ibën Muadhi r.a., i cili tha: "Unë betohem në Zotin që të ka dërguar ty me të drejtë si pejgamber, se sikur të na urdhërosh të hymë në det, ne do të futemi të gjithë menjëherë, pa munguar nga ne asnjë. Ne nuk do të themi siç i thanë Musait shokët e tij, shko ti e lufto bashkë me Zotin tënd se ne po të presim këtu, e madhështia e kësaj dite ishte se ensarët - medinasit, ia kishin dhënë besën se do ta përkrahnin të Dërguarin a.s. në Medine, e tani ata ishin jashtë saj, Medinës."(2)
Kjo ditë nuk ishte si të tjerat, ku njerëzit e duan dhe japin gjithçka pas dynjasë e nuk e duan vdekjen. Në këtë ditë, kishte nga ata që kur përmendej Xheneti, nuk pranuan as t'i hanin hurmat që i kishin në duar nga frika se po vonoheshin, siç ishte rasti me Umer ibën el Humami el Ensariju.(3)
Dita që nuk i përngjanë asnjë dite, sepse Vetë Zoti i Madhëruar e quajti "Dita e dallimit të madh", pra dita ku u bë diferenca dhe dallimi përfundimtar ndërmjet të vërtetës dhe të kotës: “... dhe të (Kuranin) që ia zbritëm robit Tonë (Muhamedit) ditën e furkanit (ditën e Bedrit, kur u dallua e vërteta nga e shtrembra)..." (El Enfal, 41).
Këto janë vetëm disa nga gjërat që e bëjnë këtë ditë të jetë më ndryshe dhe më e veçantë, e për ata që e bënë këtë ditë të veçantë, Pejgamberi i Zotit a.s., tha se Allahu tha për ata që ishin në Bedër, veproni çfarë të doni, se Ai, Allahu ju ka falur.(4) Ju ka falur, sepse ju e ndihmuat të Dërguarin a.s. në momentet më të vështira, ju e përkrahët atë dhe nuk kursyet asgjë, madje as jetën, që kjo ditë të jetë dita e shpresës. Bindja se rrugëtimi i kësaj feje po merr vrullin e pandalshëm, në vazhdimësinë e së cilës jemi edhe ne, që tash, pas shumë viteve e kujtojmë këtë me krenari, duke lutur Zotin që të na bëjë edhe ne hallkë përcjellëse të dritës së fesë tek ata që vinë pas nesh, deri në atë ditë kur do të përfundojë i tërë tregimi e do të mbetet e përjetshme kënaqësia nën hijet e xheneteve, të gjithë së bashku, nën mëshirën e Krijuesit të Gjithësisë.
1. Ibni Hishami, "Sijer en Nebevije".
2. Transmeton Taberaniu me sened të mirë.
3. Transmeton Muslimi.
4. Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.