“Mëkatet dhe të këqijat në Ramazan pakësohen tek agjëruesit, të cilët janë të kujdesshëm me kushtet dhe rregullat e agjërimit, por jo edhe tek ata agjërues, të cilët nuk i përmbahen këtyre kushteve dhe rregullave.”
Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Kur vjen Ramazani, hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe lidhen shejtanët.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi); “... dhe prangosen shejtanët.” (Në një transmetim tjetër nga Muslimi).
Allahu i Madhëruar ka krijuar tri krijesa në univers dhe i ka ngarkuar me përgjegjësi:
Engjëjt, të krijuar nga drita, e të cilët janë krijesa të urta. Ata nuk e refuzojnë urdhrin e Allahut dhe bëjnë të gjithë ata që urdhërohen;
Xhinët (shejtanët), të krijuar nga zjarri, e që janë krijesa me fuqi të jashtëzakonshme;
Njerëzit, të krijuar nga dheu, një krijesë që qëndron ndërmjet engjëjve dhe xhinëve.
Pasi që Allahu xh.sh. e krijoi njeriun, i urdhëroi engjëjt që t’i bënin sexhde respekti Ademit a.s.. Të gjithë iu përgjigjen Zotit, përveç Iblisit (i pari i shejtanëve), i cili e refuzoi urdhrin e Zotit. Pas kësaj, Allahu xh.sh. e përjashtoi nga mëshira e Tij dhe nga të gjitha përgjegjësit që kishte. Shejtani kërkoi nga Allahu xh.sh. që t’ia shtynte dënimin ndaj tij deri në Ditën e Kiametit, e Allahu ia shtyu dënimin deri në atë ditë.
Nga mllefi që njeriu u bë sebep që ai të përjashtohej nga mëshira e Zotit dhe që të dënohet përgjithmonë në Xhehenem, shejtani e kërcënoi njeriun se do ta sulmonte gjithmonë me të gjitha mundësitë dhe mënyrat, derisa t’ia shkatërronte jetën dhe ta devijonte atë nga rruga e drejtë e besimit në Zotin. Që nga ai moment, ai përgjithmonë e ndjek njeriun në çdo moment dhe në çdo kohë.
Mundësia që shejtani ka për ta dëmtuar njeriun është sugjestioni dhe ndikimi që ka në mendjen e njeriut, që ai të mendojë gabimisht, futja e dyshimeve në adhurime, dyshimet ndaj të tjerëve, të jetë i ashpër me veten e tij, humbja e besimit në vetveten, futja e frikës etj. Pra, shejtani nuk ka asnjë mundësi që njeriun ta dëmtojë fizikisht. Kërkimi i mbrojtjes te Zoti nga shejtani bëhet në mënyrat që na i ka mësuar feja, siç janë përmendja e Zotit, lutjet e ndryshme, leximi i Kuranit, namazi etj. Këto gjëra janë nevoja të përhershme, andaj mos të thotë askush se tanimë që jemi në Ramazan dhe se nuk kemi nevojë për kërkim të mbrojtjes nga ndikimi i tij.
Në muajin Ramazan, hadithi i mësipërm tregon se shejtanët janë të paaftë për të ndikuar tek agjëruesit, ngase ata prangohen, lidhen apo paaftësohen për një gjë të tillë. Rreth këtij hadithi dhe kuptimeve që dalin nga ai, dijetarët kanë dhënë mendime të shumta dhe të ndryshme.
Kush është i mbrojtur nga shejtanët në Ramazan?
Në këtë pikë, dijetarët janë të mendimit se nuk janë të mbrojtur të gjithë myslimanët, por vetëm agjëruesit dhe të gjithë ata që janë në dispozitë të agjëruesit, si të sëmurit, të shtyrit në moshë shumë të shtyrë, udhëtarët etj., duke i përjashtuar mëkatarët, qoftë edhe agjërues. Ata kanë dhënë mendime edhe rreth asaj se, prangosja e shejtanëve a është në kuptimin e vërtetë real, apo vetëm në kuptimin alegorik.
Rreth kësaj pike, dijetarët janë ndarë në tri grupe:
Prangosja mund të jetë edhe reale edhe alegorike së bashku, që nënkupton se shejtanët paaftësohen në ndikimin e tyre dhe bëhen sikur të prangosur, e kështu besimtarët janë të mbrojtur nga dëmtimet e tyre.
Prangosja është realitet. Ata prangosen dhe ndalohen nga dëmtimi i besimtarëve dhe nga ndikimi tek ata. Të këtij mendimi janë Kurtubiu, Ibnul Mundhiri etj.
Prangosja është vetëm alegori, e jo realitet, ngase Allahu është ai që i mbron myslimanët në Ramazan, kështu që shejtani nuk mund të ndikoj tek ata në Ramazan, ashtu siç ka ndikuar gjatë tërë vitit. I këtij mendimi është Ibën Abdulberri.
Ibën Haxheri ka thënë: “Prangosja e shejtanëve nënkupton paaftësinë e tyre në vesvese dhe në zbukurimin e epsheve. Edhe ata që thonë se prangosja është realitet, e kanë ndërlidhur me ndikimin e tyre te njeriu vetëm në veprat e tij, dhe se kjo nënkupton pengimin, prangosjen dhe lidhjen e shejtanit.”
Dijetari i fikhut hanefi, Eturbeshtiu ka thënë: “Prangosja apo lidhja e shejtanëve nënkupton zbritjen e mëshirës së Zotit dhe largimin e pengesës në ngritjen e punëve te Zoti.”
Kur prangosen shejtanët, në ditët apo në netët e Ramazanit?
Kadi el-Halimi ka thënë: “Mendohet se prangosja e shejtanëve në Ramazan është vetëm ditëve të Ramazanit. Ai për këtë ka aluduar në shejtanët Elmeredeh, të cilët vjedhin informacione nga qielli, sepse në një prej haditheve përmendet kjo për shejtanët Elmeredeh.” Ndërkaq, Sujutiu për këtë ka thënë: “Kuptimi i hadithit është i përgjithshëm (pra në të gjitha ditët dhe netët), sepse hadithi nuk veçon kohën, por muajin Ramazan.
Cilët shejtan prangosen?
Në këtë pikë ka shumë mendime, mirëpo më kryesoret janë:
Të gjithë shejtanët; Vetëm disa prej tyre, p.sh. shejtanët Elmeredeh, ata që vjedhin informacionet nga qielli;
Kryesori i shejtanëve, Iblisi.
Nëse në Ramazan prangosen shejtanët, atëherë përse shohim të këqija dhe mëkate në Ramazan
Kurtubiu për këtë ka thënë: “Mëkatet dhe të këqijat në Ramazan pakësohen tek agjëruesit, të cilët janë të kujdesshëm me kushtet dhe rregullat e agjërimit, por jo edhe tek ata agjërues, të cilët nuk i përmbahen këtyre kushteve dhe rregullave.” Edhe nëse e pranojmë se shejtanët janë të prangosur kundrejt secilit agjërues, kjo nuk nënkupton që ata të mos kenë të këqija dhe mëkate në Ramazan, sepse të këqijat dhe mëkatet nuk vijnë vetëm nga ndikimi i shejtanëve, por edhe nga shkaqet e tjera të shumta, ndër to përmendim:
Njeriu shpirtlig, i cili kënaqet me të këqijat që ai i bën ose edhe nga të këqijat e të tjerëve;
Traditat e këqija në shoqëri, me të cilat janë adaptuar;
Shejtanët nga njerëzit. Këta janë më të rrezikshëm se shejtanët nga xhinët, ngase shejtanët nga xhinët ndikojnë vetëm në mendjen e njeriut dhe jo edhe në fizikun e tij. Pastaj, nga këta është më lehtë të mbrohesh, p.sh. vetëm me një përmendje të Zotit, me leximin e Kuranit, me namazin etj. Ndërkaq, shejtanët e njerëzve ndikojnë edhe në mendjen por edhe në fizikun e tij, dhe nga këta është më vështirë të mbrohesh;
Mëkatet e veçanta me të cilat njeriu është adaptuar gjatë jetës me to, dhe nga të cilat nuk arrin që të lirohet, siç janë nervozizmi, sharjet dhe ofendimet, përgojimet, shikimi në haram, lënia e namazit etj;
Efektet nga ndikimet e shejtanëve më herët, të cilat janë rrënjosur në shpirtrat e mëkatarëve, dhe këta nuk mund të lirohen prej tyre.
Si mund ta dallojmë nëse mëkati është nga shejtani apo nga vetë njeriu?
Imam Sharavi ka thënë: “Nëse e ndien të shtyrë veten se do të bësh ndonjë mëkat të veçantë, atëherë kjo është nga vetja jote (d.m.th. është pikë e dobët e njeriut që jeton me të). E nëse je i shtyrë për çfarëdo mëkati, atëherë është nga shejtani, sepse qëllimi i shejtanit është që të të shtyjë të bësh mëkat, pavarësisht se çfarë mëkati është ai.”
Literatura:
1. Fet’h el-Bari, Ibën Haxher el-Askalani
2. Umdetul Karië – sherh Sahih el-Buhari
3. El insan ve-shejtan – Imam Sharavi
4. Literaturë nga interneti
Dituria Islame 364