Gjatë viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, nëpër xhamitë e Prizrenit, rregullisht organizohej dhe mbahej mësimbesimi fetar islam. Një organizim i tillë, ku më shumë e ku më pak, varësisht prej përkushtimit të imamëve në fshatra, si dhe rrethanave objektive dhe subjektive në atë kohë, mbahej edhe nëpër xhamitë e fshatrave të Prizrenit.
Themi varësisht prej rrethanave dhe kushteve të kohës, sepse, sikurse dihet, ndonëse vitet e ’70-ta të shekullit të kaluar gjatë pushtetit të atëhershëm komunist, ishin sidokudo më të përballueshme për sa i përket ushtrimit të ibadeteve fetare islame, krahasuar me vitet e fillimit të pushtetit komunist (1945-1970).
Krahas mësimeve laike në shkollë fillore, po nga ky vit, përgjatë pushimeve verore, për vite me radhë kam ndjekur edhe mësimin fetar në xhaminë e Gazi Mehmed Pashës (Bajraklisë), te mualimi (mësuesi i fesë) i dashur, hafëz Maksut efendi Spahiu (shpirti i tij rahmet pastë!).
Mualimi im, hafëz Maksut ef. Spahiu ka qenë një punonjës i palodhshëm, i cili i ka dashur shumë fëmijët, dhe me gjithë angazhimin e tij si imam në xhaminë e Qatib Sinanit në qytet, me vullnet të plotë dhe pa asnjë metelik, përgjatë pushimeve verore dhe dimërore, mbante rregullisht mësim-besimin fetar në xhaminë e Bajraklisë.
Mësuesi im i mësim besimit, hafëz Maksut ef. Spahiu ishte pedant, elegant, i veshur me rregull, me sarëkun (shallin) dhe xhyben, të cilat i mbante pa ia nda. Ka qenë hafëz i fortë me një memorie të jashtëzakonshme të leximit të Kuranit. Ndonëse nuk kishte mekam (zë) të theksuar, ai konsiderohej si një ndër hafëzët më të fortë të qytetit të Prizrenit dhe më gjerë. Në vitet e shtatëdhjeta, gjatë muajit të bekuar Ramazan, së bashku me hafëz Abdullah ef. Sagdanin (1912-1991) lexonin rregullisht mukabele para namazit të ikindisë në xhaminë e Bajraklisë. Hafëz Maksut efendiu, çmohej edhe për kaligrafinë e tij të bukur e të veçantë, dhe se nuk kishte shkrim me alfabetin arab të cilin nuk mund ta deshifronte e ta lexonte.
Hafëz Maksut efendiu, përveç që na ka mësuar shartet e imanit, islamit, abdesit, etj. dhe njohuritë e tjera themelore të fesë islame, ai na ka mësuar edhe leximin e shkronjave të Kuranit, gjegjësisht shkronjat e alfabetit arab. Edhe sot e kësaj dite shehadetin (Dëshminë se Allahu është Një, dhe Pejgamberi Muhamedi a.s. është i Dërguari i Tij), si dhe të gjitha duatë dhe lutjet që i di, na i ka mësuar ai, dhe të cilat sot e kësaj dite i mbajë në mend.
E veçanta e tij ishte se pyetjet i bënte aty për aty dhe pa paralajmërim të përsëritjes së leximit, mësimit përmendsh të duave dhe lutjeve që i mësonim dhe i përsëritnim pa ndonjë problem të theksuar.
Talebet (nxënësit) e mësim besimit fetar me mualimin (mësuesin) e tyre, hafëz Maksut ef. Spahiun, në oborrin e xhamisë së Bajraklisë (Foto e viteve 1970)
Gjatë kohës sa kemi ndjekur mësimbesimin në mejtep te hafëz Maksut efendiu, nuk kemi pasur libra të veçantë për mësimin e shkronjave të Kuranit, gjegjësisht të shkronjave të alfabetit arab. Mualimi ynë i dashur, hafëz Maksut efendiu për çdo ditë që vijonim mësim-besimin, na i shënonte nga dy rreshta në fletoret tona, të cilët rreshta ne i mësonim dhe të nesërmen i lexonim dhe i përsëritnim para tij, gjersa përfundonim shkronjat dhe fjali të shkurta leximi me rrokje dhe pas përfundimit të tyre kalonim në leximin e Kuranit fisnik.
Ka pasur vite kur gjatë pushimeve verore mësimin në mejtepin e xhamisë së Bajraklisë te mësuesi hafëz Maksut efendiu, e vijonin edhe gjer në 100 talebe (nxënës). Në ditët kur numri i nxënësve ishte më i ulët, mualimi ynë i dashur mbetej i dëshpëruar dhe i dilnit lotët për shkak të mos vijimit të rregullt të nxënësve. Kur ishim më pak nxënës, mësimin e mbanim në sallën që gjendej në përdhese të objektit të vjetër të vakëfit - sot zyrat e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit.
Edhe gjatë pushimeve dimërore, hafëzi ynë i dashur, mbante mësim-besim, porse për shkak të motit të ftohtë, frekuentimi i nxënësve ishte shumë i vogël, dhe se zakonisht në këtë periudhë kohore mësimin e vijonin vetëm ata nxënës që kishin hyrë në leximin e Kurani kerimit.
Këto ishin vetëm disa nga kujtimet e mia, plot 50 vjet (gjysmë shekulli) më parë, nga vijimi i mësim-besimit te mualimi (mësuesi) im i dashur, hafëz Makut ef. Spahiu. Do ta mbaj mend përherë gjersa të jem gjallë, dhe i jam falënderues nga zemra për të gjitha mësimet që i kam marrë prej tij. Zoti e shpërbleftë dhe e gradoftë me Xhenetin Firdevs!
Biografia e Hafëz Maksut ef. Spahiut
U lind në vitin 1910, nga babai Ymer dhe nëna Gjylnaze. Ka kryer medresenë e Gazi Mehmed Pashës në Prizren së bashku me ish-myftiun e Prizrenit, hafëz Safet ef. Bashën (1920-1987). Në fillim, detyrën e imamit e ka ushtruar një kohë në fshatin Lubizhdë, për namazin e xhumasë, më pas kaloi me shërbim si imam në fshatin Piranë, ku qëndroi për një kohë të shkurtër. Më pas kthehet në qytetin e Prizrenit për të shërbyer si imam. Në fillim caktohet në detyrën e imamit në xhaminë e Haxhi Ramadanit (Qorr Agës), për t’u transferuar më tutje në xhaminë e Qatip Sinanit (Levishës), ku ka shërbyer imam prej vitit 1960 e deri në vitin 1982, kur doli në pension.
Hafëz Maksut Spahiu nderohej, çmohej, respektohej nga xhemati i tij dhe qytetarët e gjerë të Prizrenit, sepse karakterizohej me natyrë të qetë, i heshtur. Ishte hafëz i fortë dhe një ekspert i rrallë i kaligrafisë arabe. Përveç gjuhëve orientale (arabe, turke dhe perse) njihte edhe gjuhën frënge.
Hafëz Maksut ef. Spahiu ndërroi jetë dhe kaloi në Ahiret, në fund të muajit maj, në vitin 1989, në moshën 79 vjeçare. U varros me nderime të larta fetare dhe qytetare në varrezat Kuriçeshme të qytetit tonë të bukur të Prizrenit.
Në kujtim të tij, në krye të këtij përvjetori të 50-të të takimit me mësuesin-mualimin tim të mësimbesimit fetar, bëj dua për shpirtin e tij të ndritur, me shpresë dhe lutje që Allahu i Plotfuqishëm ta shpërblejë me Xhenetin Firdevs!
Faik Miftar
Dituria Islame 393