Muhamed Abdullah Shebani
Në dy artikujt e mëparshëm kemi diskutuar për një aspekt prej aspekteve të problemit ekonomik e që është aspekti i rrallësisë së burimeve natyrore dhe kemi shpjeguar mënyrën se si Islami e trajton këtë problem. Ndërsa në këtë artikull do të diskutojmë aspektin e dytë të problemit ekonomik që paraqitet në mënyrën e llojin e shpërndarjes së faktorëve të prodhimit ndaj pjesëtarëve të shoqërisë, do të thotë caktimin e burimeve të të ardhurave personale, kriteret për fitimin e shpërndarjen e tyre dhe pjesëmarrjen e çdo faktori të prodhimit në të ardhura. Zgjidhja e problemit ekonomik lidhet me parimin përmes të cilit caktohen të hyrat më të mira për shpenzimet e harxhuara për faktorët e prodhimit dhe nivelin e ndikimit të kësaj ndaj ofertës së mjeteve të prodhimit. Prandaj, problemi ekonomik lidhet me mënyrën e programin përmes të cilëve trajtohet shpërndarja e shpenzimet për faktorët e ndryshëm të prodhimit.
Koncepti i teorisë së shpërndarjes
Teoria e shpërndarjes, sipas kuptimit ekonomik, cakton nivelin e shpenzimeve për faktorë të ndryshëm të prodhimit. Prandaj, teoria e shpërndarjes përmes kuptimit ekonomik bashkëkohor i kushton interesim të veçantë mënyrës së arritjes së të hyrave më të mira për shpenzimet e harxhuara për faktorët e prodhimit, që me rolin e tij të ndikojë në ofertën e mjeteve prodhuese.
Konceptet dogmatike e organizative ndërhyjnë në caktimin e vështrimit të sistemit ekonomik për marrëdhëniet ndikuese të faktorëve të prodhimit në krijimin e teorisë së shpërndarjes në aplikimin praktik. Prej koncepteve të tilla, që kanë ndikim në dallimin në mes sistemeve të ndryshme ekonomike, është mënyra e shpërndarjes së prodhimit neto të të ardhurave ndërmjet faktorëve të ndryshëm të prodhimit.
Kriteret e rregullat që vendosen përmes sistemeve ekonomike, kanë ndikim në lëvizjen e faktorëve të prodhimit. Për shembull, pikëpamja që përvetëson sis temi ekonomik ndaj faktorit punë dhe roli i tij në procesin e prodhimit e mënyrat e përdorura në nxitjen e tij e kështu edhe të faktorëve tjerë të prodhimit, - përcaktojnë dallimin dhe ndryshimin në mes sistemeve të ndryshme ekonomike në lidhje me shpërndarjen e prodhimit kombëtar për faktorë të ndryshëm të prodhimit.
Aspektet më të rëndësishme të problemit ekonomik paraqiten në mënyrat të cilat i përvetëson teoria e shpërndarjes për totalin e produkteve neto të të ardhurave të paraqitura në sasinë e të ardhurave personale (apo të pjesës së tij), që e fiton duke pasur parasysh pjesëmarrjen e tij në prodhim, qoftë me punën e tij apo pronësinë e tij, ose me të dyja së bashku. Këto mënyra, të cilat i ndjek sistemi ekonomik i çdo shoqërie, ndikohen nga filozofia që sistemi ekonomik synon të rrënjosë kuptimet e tij në lidhje me pikëpamjen për secilin prej faktorëve të prodhimit.
Me konceptin e shpërndarjes përmes pikëpamjes ekonomike synohet procesi i përcaktimit të pjesëve të faktorëve të prodhimit në të ardhurat e shoqërisë, të cilat përfshijnë dy aspekte:
1 - Shpërndarjen personale apo shpërndarjen e pronësisë së faktorëve të prodhimit për pjesëtarët e shoqërisë.
2 - Shpërndarjen në bazë të punës. Qëllimi i kësaj është përcaktimi i pjesëve të faktorëve të prodhimit në të ardhurat kombëtare në bazë të punës që kryen çdo faktor në realizimin e këtyre të ardhurave.
Problemi ekonomik në aspektin e tij të shpërndarjes bazohet në përcaktimin e burimeve të të ardhurave personale. Sistemi kapitalist, që është bërë sistemi dominues pas rënies së sistemit komunist, përcakton burimin e të ardhurave përmes punës dhe nga të hyrat e pronësisë, me gjithë mangësitë e sistemit kapitalist në vendosjen e rregullave të caktuara për fitimin e pronësisë apo shpërndarjes së tyre që ka sjellë keqshpërndarjen e pronësisë mes pjesëtarëve të shoqërisë që me rolin e tij ka shpënë në keqshpërndarjen e të ardhurave në mes tyre në lidhje me shpërndarjen personale. Ndërsa shpërndarja që ka rezultuar nga pjesëmarrja e faktorëve të prodhimit (apo shpërndarja në bazë të punës), sistemi kapitalist këtë shpërndarje e kufizon në fitimet nga toka, rroga nga puna, interesi nga kapitali dhe fitimi nga menaxhimi apo administrimi.
Ndërkaq, sistemi komunist e anulon pronën personale të faktorëve të prodhimit plotësisht ose e kufizon në një shkallë të madhe. Prandaj shpërndarja kryhet në bazë të punës dhe sipas planit ekonomik që vendos shteti, dhe me këtë veprim bie në kundërshtim me sistemin kapitalist. Praktika e ka sqaruar pamundësinë e këtij sistemi për të zgjidhur problemin ekonomik, ky madje ka ndikuar në keqësimin e tij dhe pamundësinë për të realizuar ëndrrat me të cilat i përgëzonte ndjekësit e pasuesit e tij. Kurse, për sa i përket sistemit kapitalist, teoritë e tij kanë filluar të dështojnë dhe aspektet e problemit ekonomik kanë filluar të keqësohen, gjë që paralajmëron rënien e afërme të sistemit kapitalist të bazuar tek kamata. Dhe kjo do të shpjerë në një katastrofë botërore, pasojat e së cilës nuk i di askush tjetër përveç Allahut xh.sh. Pjesët e problemit ekonomik janë zgjeruar, zhvilluar dhe janë ndarë, gjë që i ka shtyrë teoricienët e sistemit ekonomik kapitalist t’u kushtojnë rëndësi këtyre pjesëve dhe të punojnë për t’i shmangur dëmet që u bashkohen pjesëve të tjera të problemit ekonomik.
Teorinë islame në lidhje me aspektin e shpërndarjes, nuk e ka përvetësuar askush në realitetin e aplikimit. Prandaj, tezat që do të paraqiten në lidhje me trajtimin e problemit ekonomik në aspektin e saj të shpërndarjes, do të mbështeten në supozimin që këto teza bazohen në faktin që ekziston integrim në pikëpamje të administrimit të ekonomisë së shtetit dhe i cili lidhet me sistemet e tjera shoqërore të mbetura, të marra nga Sheriati islam, ose që këto teza nuk mund të kenë rol në trajtimin e këtij aspekti të problemit ekonomik nëse izolohen nga mjedisi i saj rrethues. Qëllimi i paraqitjes së këtyre tezave për trajtimin e aspektit të shpërndarjes nga këndvështrimi islam, gjatë trajtimit të problemit ekonomik, është prezantimi që Islami posedon mënyrën e programin, me të cilët nëse punojmë së bashku edhe me sistemet e tjera të Islamit, të zgjidhim tërë atë që vuan njeriu në kohën bashkëkohore, prej problemeve ekonomike që rezultojnë nga devijimi prej natyrshmërisë së Allahut xh.sh., në të cilën i ka krijuar njerëzit.
Lidhjet mes faktorëve të prodhimit dhe shpërndarjes së të ardhurave kombëtare, janë lidhje reciproke e ngërthyese. Dhe këto lidhje përqendrohen në përcaktimin e faktorëve të pronësisë e burimeve të tyre dhe mënyrën që duhet ndjekur gjatë shpërndarjes së të ardhurave kombëtare, mbi faktorët e prodhimit. Prej burimeve të paraqitjes së problemit ekonomik, në çfarëdo sistemi ekonomik ekzistojnë kufijtë, sisteme dhe burime të pronësisë, dhe mënyra e realizimit të ekuilibrit në mes faktorëve të ndryshëm të prodhimit në ndarjen e pjesës së të ardhurave kombëtare, dhe kjo ndikohet nga rregullat, sistemet dhe legjislacionet që përcaktojnë burimet e të ardhurave dhe mënyrat e fitimit, nivelin e fushën e përdorimit të tepricës së kursyer nga fitimi.
Nga çështjet më të rëndësishme që preokupojnë ekonomistët, është mënyra e trajtimit të joekuilibrit në specifikimin dhe shpërndarjen e të ardhurave për faktorë të ndryshëm të prodhimit.
Islami ka koncept të caktuar dhe sistem të veçantë, që përcaktojnë mënyrat e fitimit dhe fushën e tij. Gjithashtu trajton mënyrën e shpenzimit duke nxitur për kursim dhe investim, duke ruajtur ekuilibrin e shoqërisë.
“...që ajo të mos ndahet ndërmjet pasanikëve tuaj...”. (el-Hashr: 7)
Islami insiston në arritjen e ekuilibrit në mes faktorëve të ndryshëm të prodhimit, duke ndërhyrë në rast domosdoshmërie, me vendosjen e rregullave nga të cilat udhëhiqet. Nga faktorët e prodhimit që pranon Islami dhe punon për të arritur ekuilibrin në mes tyre, janë tre faktorë themelorë: puna, burimet natyrore dhe kapitali, ndërsa faktori i menaxhimit apo administrimit konsiderohet prej faktorit punë. Islami i jep rëndësi të veçantë punës, që ka rol të dalluar në procesin prodhues. Ai është faktori ndikues në formimin e kapitalit, por nuk neglizhohet roli i pjesëmarrjes së kapitalit në procesin prodhues.
Prishja e ekuilibrit të faktorëve të prodhimit shkakton probleme ekonomike, prandaj, Islami ka vendosur rregulla për ndalimin e këtij dallimi në mes faktorëve të prodhimit. Në vazhdim do të diskutojmë mënyrën se si trajton Islami secilin prej faktorëve të prodhimit në lidhje me trajtimin e shpërndarjes së të hyrave kombëtare. Këtë do ta pasojë paraqitja e trajtimit të përgjithshëm për arritjen e ekuilibrit në mes faktorëve të ndryshëm të prodhimit sipas sistemit ekonomik islam.
Islami faktorin punë e konsideron si kriterin themelor të pronësisë. Ai është dominues dhe ndikues në caktimin e shpenzimeve të prodhimit, pasi prodhimi i të mirave apo ofrimi i shërbimeve është i lidhur me punën e bërë, nëse kjo fuqi manifestohet në përpjekjet mendore apo fizike. Prodhimi i të mirave apo ofrimi i shërbimeve nuk arrihet vetëm se me fuqinë e punës. Dhe me këtë Islami njeh rolin e punës në procesin prodhues.
Transmetohet se Muhamedi a.s. është pyetur për fitimin më të mirë. Dhe ka thënë: “Shitja e pranuar dhe puna (fitimi) i njeriut nga dora e vet”. Ndërsa, në një transmetim tjetër, Muhamedi a.s. është pyetur: “Cili është fitimi më i mirë?” Muhamedi a.s. thotë: “Puna (fitimi) e njeriut nga dora e tij dhe çdo shitje e pranuar”.
Nga këto hadithe dhe të tjera, kuptojmë që Islami i jep rëndësi punës në procesin e prodhimit, dhe që puna është mënyra më e mirë e fitimit, për shkak të rëndësisë që ka në aktivitetin ekonomik dhe ndikimit të tij në ciklin ekonomik. Në paraqitjen e problemeve ekonomike, Islami ka synuar trajtimin e problemeve ku mund të ndikojë puna. Nga trajtimet e tilla, Islami i ka dhënë rëndësi vendosjes së zgjidhjeve të tyre dhe ka porositur që të merren parasysh çështjet vijuese:
1 - Vendosja e parimeve për caktimin e rrogave
Gjatë vendosjes së politikës së rrogave, duhen vendosur parime për caktimin e rrogave në shoqëri. Transmetohet se Muhamedi a.s. ka thënë: “Kush nuk ka punëtor, le të marrë punëtor, e nëse nuk ka shërbëtor le të marrë shërbëtor, e nëse nuk ka shtëpi, le të marrë shtëpi”. Ky hadith vendos rregull të përgjithshme për politikën e rrogave dhe pjesën e punës nga të hyrat publike. Kjo rregull manifestohet në faktin që duhet të ketë minimum të rrogave, duke mos lejuar që të jepet më pak se ajo. Dhe ky minimum është i lidhur me mjaftueshmërinë për të realizuar kërkesat e domosdoshmërive themelore. Prandaj, problemet që ndikojnë në rëndimin e problemit ekonomik, janë zvogëlimi i rrogave dhe dobësimi i pjesës së tyre nga të hyrat publike, meqë dobësimi i tyre do të ndikojë në shpenz ime. E tërë kjo do të ndikojë në ciklin prodhues.
2 - Domosdoshmëria e caktimit të rrogave dhe pagesa e tyre me realizimin e punës
Kjo rregull ndihmon në gjetjen e tregut të stabilizuar të punës dhe ndalimin e çrregullimeve të punëtorëve, që është tipari dallues në shoqëritë kapitaliste. Transmetohet se Muhamedi a.s. ka thënë: “Nëse dikush prej jush merr një punëtor, atëherë le t’ia bëjë me dije rrogën e tij”. Gjithashtu transmetohet se Muhamedi a.s. ka ndaluar që të merret punëtori derisa t’ia sqarojë rrogën e tij dhe ka ndaluar nga ngacmimi, prekja e hedhja e gurit”. Transmetohet se Muhamedi a.s. ka thënë: “Jepjani punëtorit rrogën e tij para se t’i thahen djersët, dhe tregoni rrogën e tij derisa është në punë”. Të gjitha këto hadithe profetike na porosisin për pagimin e asaj që i takon punëtorit në kohën e duhur dhe domosdoshmërinë e caktimit të rrogës, duke synuar me këtë krijimin e marrëdhënieve të reja në mes punëdhënësve e punëtorëve, dhe kësodore stabilizimin e tregut të punës.
3 - Përpjekja për stabilizimin e tregut të punës
Dhe kjo duke punuar për vendosjen e parimit të stabilitetit dhe mbetjen e punëtorit në punën e tij dhe mostransferimin e tij në ndonjë punë tjetër. Çrregullimi i tregut të punës dhe mosvazhdimësia e punëtorëve në çdo aktivitet ekonomik, do të ndikojë në shpenzimet e prodhimit për shkak të kurbës së ofertës punëtore, që do të ndikojë në shfaqjen e çrregullimit në tregun e punës. Prandaj Islami synon nxitjen e stabilitetit të punëtorëve dhe mostransferimin e tyre. Transmetohet nga Nafi’ë: “Udhëtoja për në Sham e Egjipt. Dhe njëherë u përgatita për t’u nisur në Irak. Shkova te nëna e besimtarëve, Aisheja r.a. dhe i thashë: Oj nëna e besimtarëve, udhëtoja për në Sham, por kësaj here u përgatita të shkoja në Irak. Dhe më tha: Mos e bëj këtë, sepse e kam dëgjuar Muhamedin a.s. duke thënë: “Kur ndokujt prej jush Allahu xh.sh. i sjell furnizim nga një anë, të mos e lërë atë derisa të ndryshojë apo të largohet”. Transmetohet gjithashtu se Muhammedi a.s. ka thënë: “Nëse ndokujt i ndodh ndonjë gjë, atëherë le t’i përmbahet asaj”. Të gjitha këto porosi profetike tregojnë interesimin për domosdoshmërinë e punës në stabilizimin e punëtorëve dhe mbetjen e tyre në punë për të ruajtur ekuilibrin e ofertës dhe kërkesës të fuqisë punëtore.
4 - Mbrojtja e të drejtave të punëtorëve
Strategjia e organizimit të punës ashtu siç na porosisin urdhrat islame, bazohet në ruajtjen e të drejtave të punëtorëve dhe obligimin e punëdhënësve për të siguruar kushtet e përshtatshme të ambientit, mosshfrytëzimin e fuqisë punëtore mbi fuqinë e tyre dhe domosdoshmërinë e mjaftueshmërisë së rrogës për të realizuar nevojat e tij themelore. Shumë prej haditheve na kanë porositur që të kemi parasysh këtë dhe të punojmë me këtë. Ebu Hurejrja r.a. transmeton se Muhamedi a.s. ka thënë: “Robit i duhen siguruar ushqimi dhe veshja e tij dhe ai nuk duhet të ngarkohet me punë që nuk mund të përballojë”. Gjithashtu transmetohet se Muhamedi a.s. ka thënë: “Allahu xh.sh. vëllezërit tuaj i ka lënë nën kujdesin tuaj. Nëse vëllai juaj është nën kujdesin tuaj, le ta ushqejë nga ajo që ha, le ta veshë nga ajo që vesh dhe të mos e ngarkojë mbi fuqinë e tij. E nëse e ngarkon mbi fuqinë e tij, atëherë le ta ndihmojë”.
Nga këto hadithe mund të vendosim politikë të përgjithshme për marrëdhëniet në mes punëdhënësve dhe punëtorëve, që kanë të bëjnë me dhënien e rrogave të mjaftueshme për plotësimin e nevojave të tyre; duke vendosur kritere që i ndalojnë punëdhënësit t’i ngarkojnë punëtorët mbi fuqinë e tyre; duke obliguar punëdhënësin për krijimin e kushteve, të cilat nuk do të shkaktojnë lodhjen e tepërt të punëtorit fizikisht e psikikisht. Në të gjitha këto çështje interesi i punëtorit nuk duhet të fitojë mbi interesin e punëdhënësit, dhe as interesi i punëdhënësit mbi interesin e punëtorit, por duhet që, kur të vendosim politikat e punëtorëve, të marrim parasysh konceptin që të gjithë jemi vëllezër, që na lidh lidhja e besimit.
Muhamed Abdullah el-Shebani
Përktheu nga arabishtja: Fuad Morina
Marrë nga revista el-Bejan, nr. 81
Dituria Islame 218