”Kush ia ledhaton flokët një jetimi dhe jo për tjetër, po vetëm për hir të Allahut , do të ketë shpërblimin po aq sa flokë kanë prekur dorën e tij, dhe kush sillet me bamirësi ndaj një jetimi a jetimeje, unë dhe ai do të jemi sikur këta dy në Xhenet ( dhe ndau gishtin tregues dhe të mesmin për të konkretizuar afërsinë e tij me të në Ditën e Kiametit)”.
Kur kemi parasysh faktin që Islami urdhëron drejtësinë në çdo fushë dhe në raport me secilin njeri, nuk do të mbetej vend për habi nëse vërejmë që ai i kushton një vëmendje dhe rëndësi të veçantë një kategorie njerëzish, të cilëve jo pak njerëz kanë prirje t’u bëjnë padrejtësi. Ata janë fëmijët e mbetur jetimë, që dëshira e Allahut ishte që të mos përjetojnë prehjen prindërore më së paku deri në moshën madhore të tyre. Ajo që vërejmë është se burimet e jurisprudencës islame i japin një hapësirë tejet të madhe dhe dukshëm domethënëse trajtimit të çështjes së jetimit-bonjakut dhe dispozitave që kanë të bëjnë me të. Jetim- në konceptin islam është fëmija të cilit i vdes babai para moshës madhore të tij.(1)
Madje edhe kuptimi i paskajores “el-jutmu”, prej nga rrjedh emri “el-jetimu” është vetmim, dobësi, preokupim dhe pakujdesi (2). Dhe kjo i ka shtyrë dijetarët që të theksojnë edhe asociacionin gjuhësor në mes këtyre kuptimeve dhe realitetit të jetimit, i cili jeton si i vetmuar, e shoqërojnë shqetësime dhe të tjerët janë të pakujdesshëm në raport me të. Siq shihet, në këtë përkufizim, në konceptin e rregullave juridike islame nuk konsiderohet jetim fëmija të cilit i vdes nëna para moshës madhore, edhe pse mungesa e saj ka efekt shpirtëror e emocional të thellë tek ai, por, meqë përkujdesjen materiale rëndom e siguron babai, ky konsiderohet më i nevojshëm për përkujdesje dhe mirëqenie të fëmijës.
Andaj, s’është çudi që Muhamedi a.s. ishte i dërguar që frymëzohej nga Kur’ani fisnik, por edhe nga natyra e tij prej një jetimi që ndien dhembshuri të thellë për secilin që ka nevojë për ndihmë dhe përkrahje, thotë :”Kush ia ledhaton flokët një jetimi dhe jo për tjetër, po vetëm për hir të Allahut , do të ketë shpërblimin po aq sa flokë kanë prekur dorën e tij, dhe kush sillet me bamirësi ndaj një jetimi a jetimeje, unë dhe ai do të jemi sikur këta dy në Xhenet ( dhe ndau gishtin tregues dhe të mesmin për të konkretizuar afërsinë e tij me të në Ditën e Kiametit)”.(3)
Ruajtja e pasurisë së jetimit synim i lartë sheriatik
Jo rrallë ndodh që fëmija të cilit i vdes babai e mbetet jetim, të trashëgojë nga ai pasuri të madhe, të cilën natyrisht që nuk do të ketë mundësi dhe as kapacitet mendor ta ruajë dhe ta administrojë për të mirën e tij.
Për këtë arsye, shumë ajete kuranore (që arrijnë numrin mbi 20), trajtojnë çështjen e pasurisë së jetimit dhe kujdesit të shtuar që duhet pasur në raport me të.
Një trajtim kaq i kujdesshëm nuk është i rastësishëm nga Ligjdhënësi i Gjithëdijshëm, ngase ata janë njerëz që për të mirat materiale që posedojnë, mund të ngjallin pangopshmërinë e shfrenuar të atyre njerëzve që nuk zgjedhin të lejuarën nga e palejuara. Përballë këtyre njerëzve do të duhej të mbylleshin të gjitha rrugët që do të mund të çonin në shfrytëzimin e padrejtë të pasurisë së jetimëve.
Thotë Allahu xh.sh.: ” Bonjakëve (jetimëve) jepuni pasurinë e tyre (kur të rriten), dhe mos e ndërroni të pastërtinë (mallin tuaj që e keni hallall) me të ndytin (me haramin) edhe mos e hani pasurinë e tyre (të përzier) me pasurinë tuaj, se ky është mëkat i madh)”. (En-Nisa , 2)
Thotë Ibn Kethiri, në kontekst të komentimit të këtij ajeti :” Allahu po urdhëron qe t’u dorëzohen pasuritë jetimëve në tërësi, pa kurrfarë mungese, posa ata të arrijnë moshën e pjekurisë –për martesë, dhe ndalon ngrënien e pasurisë së tyre, ose edhe bashkimin a asaj pasurie me pronën e tyre pa të drejtë...mos e përzieni atë më tuajën, në mënyrë që ta hani të tërën.(4)
Në të njëjtën kaptinë Allahu na detajizon edhe disa dispozita që kanë të bëjnë me pasurinë e jetimit. Ai në vijim thotë:“ Provoni bonjakët-jetimët derisa të bëhen për martesë, e nëse vëreni tek ata pjekuri, atëherë dorëzojuni pasurinë e tyre. Mos e hani atë duke e shkapërderdhur dhe duke u ngutur para se të rriten ata. Kush është i pasur, le t’i ruhet (shfrytëzimit të pasurisë së jetimëve), e kush është i varfër, le të hajë me maturi. E kur t’ua dorëzoni pasurinë e vet, dëshmoni atë (që dorëzoni). Mjafton që All-llahu është llogaritës”. (En-Nisa, 6)
Ajeti në fjalë saktëson një mori dispozitash të rëndësishme lidhur me këtë çështjen, të cilat do t’i përmbledhim si vijon:
a) Pjekuria e theksuar në ajet, sipas Imam Ebu Hanifes, ka të bëjë me pjekurinë për të ruajtur pasurinë, prandaj deri në moshën madhore nuk duhet t’i dorëzohet fëmijës jetim pasuria që ka trashëguar nga prindi i vdekur me unanimitet të dijetarëve. E nëse edhe në moshën madhore-në pubertet, ai nuk ka arritur pjekurinë mendore, atëherë duhet të pritet deri në moshën 25 vjeç dhe atëherë i dorëzohet pasuria pavarësisht nëse ka arritur shkallën e pjekurisë apo jo, ngase është transmetuar nga Umeri r.a. se pjekuria e njeriut arrihet në moshën 25 vjeç. Ndërsa dijetarët e tjerë mendojnë që pasuria nuk duhet t’i dorëzohet jetimit nga kujdestari i tij derisa të mos vërehet pjekuria për të ruajtur pasurinë edhe nëse kjo do të zgjaste deri në pleqëri a vdekje, që nënkupton se këtë çështje ata nuk e kufizojnë me moshë të caktuar, por me konfirmimin e arritjes së pjekurisë për aq sa ai mund ta ruajë dhe ta administrojë mirëfilli pasurinë e tij.(5)
b) Ky citat lejon për personin që është kujdestar ndaj jetimit të hajë nga pasuria e tij, nëse kujdestari është i varfër dhe ka nevojë për atë. Transmetohet se një i varfër kishte shkuar tek Muhamedi a.s,. për t’iu ankuar për gjendjen e rëndë materiale, dhe i kishte treguar që kishte nën përkujdesje një jetim që kishte pasuri, Muhamedi a.s., i thotë : “Ushqehu nga pasuria e jetimit që ke nën përkujdesje, por mos e tepro, mos shkapërderdh dhe mos e tubo atë për ta përvetësuar”.(6)
Mirëpo dijetarët islamë qysh nga ashabët e këndej kanë pasur divergjenca rreth pasurisë së jetimit që harxhon kujdestari i tij . Sipas Umerit r.a., Ibn Abasit r.a. , Ubejde Selemanijut, Ibn Xhubejrit, Sha’biut Imam Shafiut dhe një transmetimi nga Imam Ahmedi dhe të tjerë, pasurinë e harxhuar duhet ta konsiderojë borxh që do të mundohet t’ia kthejë sa më parë që është e mundur atij. Umeri r.a. ishte shprehur: ”Unë pasurinë e shtetit e konsideroj sikurse pasurinë e jetimit, nëse fitoj aq pasuri, sa më mjafton, nuk marr prej aty, e nëse jetoj në varfëri, harxhoj në mënyrë të ndershme prej saj, por, kur të pasurohem, do ta kthejë atë”.(7)
Ndërsa shumica e juristëve islamë-fukahenjtë duke përfshirë: Ata Ibn Ebi Rebahun , Hasen El Basriun, Kataden, Nah’aiun e të tjerë, mendojnë se kujdestari i jetimit që ka shpenzuar pasurinë e tij në mënyrë të ndershme, pa tejkaluar kufijtë e normales dhe të domosdoshmërisë, nuk obligohet t’ia kthejë atij edhe pasi të fitojë pasuri, sepse ajo mbikëqyrje dhe kujdesi i tij mund të konsiderohen si mbulesë për harxhimet e tij. Ky mendim, sipas Shevkaniut, është më afër frymës së përgjithshme të rregullave kuranore.(8)
Citati në fund sugjeron dëshmimin e dorëzimit të pasurisë së jetimit në duart e tij pas arritjes së moshës së pjekurisë. Sipas disa dijetarëve, pranimi i asaj pasurie është mirë edhe të dëshmohet, në mënyrë që të shmanget mundësia që jetimët të akuzojnë kujdestarët e tyre për keqpërdorim a përvetësim të pasurisë së tyre. Para çfarëdolloj dredhie a padrejtësie në raport me këtë çështje, duhet ta kujtojmë se Allahu do të jetë Llogaritësi i veprave tona në Ditën e Kiametit.
Tregtia me pasurinë e jetimit dhe nxjerrja e zekatit prej asaj pasurie
Tregtia me pasurinë e jetimit, nëse bëhet më qëllim të shtimit dhe rritjes së saj, lejohet, madje shumica e dijetarëve një gjë të tillë e kanë preferuar, sepse në këtë rast duhet pasur parasysh interesi dhe mirëqenia e jetimit e jo ndoshta aq shumë çështja e kujdestarit të tij, i cili rëndom nuk llogaritet se ka kushte materiale të liga.
Tregtia me pasurinë e jetimit, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, lejohet, sepse në këtë mënyrë shmanget edhe harxhimi i vazhdueshëm i pasurisë së tij nga dhënia e zekatit e sadakatul fitrit dhe obligimeve të tjera, të cilat duhet t’i kryejë kujdestari i tij derisa ai të arrijë pjekurinë për administrimin e pasurisë(9). Prandaj, nëse nuk bëhet tregti me pasurinë e jetimit në ndonjë nga format e lejuara të tregtimit islam, do të pamundësohej zhvillimi ose rigjenerimi i asaj pasurie, e Sheriati islam nuk e dëshiron kurrsesi dëmtimin e jetimit, në çfarëdo forme qoftë ajo.
Thotë Muhamedi a.s.,” Ai që kujdeset për ndonjë jetim, le të bëjë tregti me pasurinë e tij, në mënyrë që pasurinë e tij të mos e harxhojë zekati”.(10)
Madje mendimi i Ebu Hanifes dhe një trensmetim i Imam Ahmedit theksojnë faktin se lejohet të merret edhe një hise nga përfitimi i pasurisë me të cilën ka tregtuar kujdestari jetimit. Sipas këtij mendimi iu lejua atij që të hajë nga ajo pasuri pa kompensim fare, nëse ekziston nevoja, e si të mos lejohet kur ai shpenzon kohë dhe mund në këtë çështje. Por një gjë të tillë duhet ta bëjë duke favorizuar në çdo rast interesin e jetimit, dhe kurrsesi interesin e tij individual. E tërë kjo lejohet të bëhet nëse evitohet dyshimi që kujdestari i tij ka për qëllim keqpërdorimin ose përvetësimin e pasurisë së tij.
Megjithatë, dijetarët islamë pajtohen në mënyrë unanime për të mos u lejuar dhënia e sadakasë-lëmoshës vullnetare nga pasuria e tij, dhe as t’i falet a t’i jepet dhuratë kujtdo qoftë ajo pasuri, sepse kujdestari nuk është pronar i asaj pasurie, po vetëm mbikëqyrës dhe ruajtës i saj. E tëra sa u tha dhe disa dispozita të tjera që kanë të bëjnë me trajtimin e çështjes së jetimit, tregojnë për mëshirën dhe urtësinë e skajshme që Sheriati islam pati në raport me këtë shtresë të pandashme të shoqërisë islame.
____________________
1. Muxhemu lugatil-fukaha, Muhamed Kal’ahxhi f. 483. Daru Nefais. Bot.1 1996. Bejrut .
2. Elkamusul-muhit. Fejruzabadi f.f.1081
3. Transmeton Imam Ahmedi në Musnedin e tij nga Ebi Umamete r.a.
4. Tefsir Ibn Kethir, Ibn Kethiri (1 \615 ). Bot. 5.2001. Daru Selam. Rrijad.
5. Bahrur-raik , Ibn Nuxhejm (8\ 91 ). Darul Ma’rife. Bejrut. Pa vit botimi.
6. Transmeton Imam Ahmedi , Ebu Davudi, Ibn Maxhe Bejhekiu etj.
7. Transmetojnë Taberiu në “ Tefsirin “ e tij(3\598 ).Darul kutubil-ilmijje. Bot.4. 2005.Bejrut.
8. Fet’hul Kadir , Imam Shevkani (1\ 324) . Mektebetu Rushd. Bot. 1.2001. Rrijad.
9. Është me rëndësi të theksohet se Imam Ebu Hanifeja mendon që, kujdestari i jetimit nuk obligohet ta nxjerrë zekatin nga pasuria e tij derisa atij t’i bëhet obligim namazi, pra në moshën madhore. Shih:El-Huxhxhe , Muhammed bin Hasen Esh-shejbani. (1\475). Daru alemil-kutub . Bejrut.
10. Transmeton Bejhakiu dhe Tirmidhiu në “Sunenin “ e tij dhe thotë që rreth zinxhirit të transmetuesve të këtij kanë hedhur dyshimin disa prej dijetarëve.Shih : Sunenu Tirmidhij (3\32-Hadithi nr:641)