Thirrja e hazreti Ibrahimit a.s. më shumë ishte një kumt ndër njerëz sesa një thirrje e thjeshtë. Në të vërtetë ajo ishte thirrje e Allahut. Sepse, në radhë të parë, hazreti Ibrahimi a.s. e ka bërë thirrjen e tij në emër të Allahut dhe me urdhër të Tij, e së dyti, dërgimin e thirrjes deri te njerëzit që kanë jetuar në atë kohë, si dhe te njerëzit e tjerë që nuk kanë qenë të lindur e të cilët do të vijnë pas tij, deri në Ditën e Gjykimit, e ka bërë vetë Allahu i Lartësuar. Allahu i Madhërishëm ka thënë në Kuran: “Dhe thirri njerëzit për ta kryer Haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura, që vijnë nga rrugë të largëta.” (El Haxh, 27) Më ka rastisur të dëgjoj prej myslimanëve që, gjersa bëjnë plane për të shkuar në vendet e shenjta për ta kryer ibadetin e Haxhit, thonë: “Inshallah më ka thirrur hazreti Ibrahimi a.s.” Në kuptim të parë kjo thënie na duket irracionale, sepse pejgamberi Ibrahim a.s. nuk është i gjallë e në mesin tonë, pra që të na thërrasë për haxhillëk?! Mirëpo, në anën tjetër, kjo thënie e tyre është shumë me vend, shumë domethënëse dhe shumë simpatike.
Konteksti i ajetit
Ajeti i lartpërmendur ka të bëjë me obligimin e ibadetit të Haxhit dhe urdhrin e Allahut ndaj njerëzve për ta kryer atë. Siç dihet, Haxhi ka qenë obligim edhe për umetet e kaluara para umetit të fundit të Muhamedit a.s. Në këtë kontekst ulematë islamë kanë mendime të ndryshme nëse urdhëresa e Allahut në këtë ajet: “Dhe thirri njerëzit për ta kryer Haxhin…!”, i dedikohet Muhamedit a.s. apo Ibrahimit a.s., apo të dyve. Pa dyshim se ky ajet në parim ka të bëjë me urdhrin e Allahut ndaj Muhamedit a.s., në mënyrë që njerëzve t’ua bëjë me dije obligimin e Haxhit. Këtë të gjithë e pranojnë, sepse fundja, Kurani, pjesë e të cilit është dhe ky ajet, i është zbritur Muhamedit a.s. dhe implikon një urdhër për një iradet, që është legjitim, i zbatueshëm dhe i obligueshëm në Islam. Mirëpo, në anën tjetër, Imam Rraziu, Imam Kurtubiu, dhe pjesa më e madhe e tefsirologëve mendojnë se ky ajet në mënyrë më të veçantë ka të bëjë me hazreti Ibrahimin a.s. dhe thirrjen e tij ndër njerëz për ta kryer Haxhin. Këtë askush nuk e kundërshton, e edhe ne e konsiderojmë si të mirëqenë, edhe për faktin se në ajetin paraprak Ibrahimi a.s. përmendet me emër, si dhe disa udhëzime të Allahut ndaj tij përkitazi me Qabenë në Mekë.
Ibrahimi a.s. dhe thirrja e tij për Haxh
Ibrahimi a.s. është njëri prej pejgamberëve të mëdhenj (Ulu’l azmi mine’r-rrusul), të përmendur në Kuran. Është babai dhe gjyshi i shumë pejgamberëve që kanë ardhur pas tij. Nga loza e tij është gjeneza e pejgamberit të fundit, Muhamedit a.s. Mbi këtë bazë mund të themi se Ibrahimi a.s., është ndër pejgamberët më emblematikë në Islam, edhe për faktin se ishte përballur me shumë sfida e sprova të jashtëzakonshme. Prej tyre dy kanë qenë shumë të rënda: 1) Kur armiqtë e kanë hedhur në zjarr, për ta djegur, dhe; 2) Sprova e Allahut për ta bërë kurban birin e tij, Ismailin a.s. Në të dy rastet Ibrahimi a.s. ka qenë stoik, dhe për asnjë moment nuk është luhatur në imanin e tij. Mirëpo, në të dy rastet ka qenë ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Allahut, dhe Ibrahimi a.s. i ka tejkaluar pa asnjë dëmtim. Sa i përket djegies, Allahu e ka urdhëruar zjarrin:
“Po, Ne i thamë: “O zjarr, bëhu i ftohtë, dhe shpëtim për Ibrahimin!” (En Nisa, 69). Pas këtij urdhri zjarri s’ishte normal, dhe Ibrahimi a.s. shpëtoi pa asnjë djegie të vogël. E, sa i përket rastit të dytë, Allahu përsëri ka ndërhyrë, duke ia dërguar një kafshë madhështore, që ta flijojë në vend të të birit, Ismailit a.s.
Përveç kësaj, Ibrahimi a.s. mbetet simbol i njeriut që arrin të gjejë besimin e drejtë në Allahun nëpërmjet forcës së arsyes. Që në fëmijëri, pra në kohën kur akoma nuk ishte pejgamber, nuk u pajtua me babanë e tij, që ishte mjeshtër i idhujve dhe adhurues i tyre. Ibrahimi a.s. e kundërshtoi babanë dhe të gjithë idhujadhuruesit, me arsyen se idhujt nuk kanë të bëjnë asgjë me Krijuesin e vërtetë. Kurani e përmend këtë shqetësim të Ibrahimit a.s. për besimin e vërtetë, si dhe interesimin e tij. Në këtë gjendje ai filloi të gjurmojë për Krijuesin absolut. Njëherë mendoi se Dielli, mbase, mund të ishte krijuesi, pasi që e sillte dritën dhe ngrohjen, pra dy elemente qenësore për ekzistencën. Por, mbi bazën e arsyes e sfidoi këtë bindje, dhe erdhi në përfundim se Dielli nuk mund të ishte krijuesi. Kështu veproi edhe me Hënën, dhe pas një analizimi të gjithësisë dhe fakteve kozmologjike, në fund konkludoi se Krijuesi i Vërtetë është vetëm Allahu, I Cili nuk ka nevojë për asgjë. Këtu qëndron arsyeja që Ebu Hanife ka thënë: “Njeriu nuk mund të justifikohet për mosnjohjen e ekzistencës së Krijuesit.”
E, sipër të gjithave, hazreti Ibrahimi a.s. ishte ai që e rindërtoi Qabenë, mbi themelet që kishin qenë të vendosura edhe më herët. Në këtë punë i ka ndihmuar edhe djali i tij, Ismaili a.s. Këtë e përmend Kurani, kur Allahu thotë: “Edhe kur Ibrahimi dhe Ismaili, duke i ngritur themelet e shtëpisë (Qabesë luteshin): “Zoti ynë, pranoje prej nesh, se me të vërtetë Ti je që Dëgjon dhe Di!” (El Bekare, 127)
Thirrjen e Ibrahimit a.s. e dëgjuan të gjithë njerëzit
Kur Ibrahimi a.s. e përfundoi rindërtimin e Qabesë, atëherë ishte e rrugës që njerëzit ta bëjnë vizitë atë në emër të ibadetit të Haxhit. Me këtë rast, Allahu i Lartësuar e obligoi duke i thënë: “Dhe thirri njerëzit për ta kryer Haxhin…!” (El Haxh, 27)
Ky urdhër i Allahut ishte obligim për Ibrahimin a.s. Tani, Ibrahimi a.s. nuk kishte zgjedhje tjetër, veçse t’i thërrasë njerëzit për Haxh, e ta çojë në vend amanetin e Allahut. Porse, dilema kryesore e Ibrahimit a.s. ishte mënyra e thirrjes. Allahu po e urdhëronte Ibrahimin a.s. që të bërtiste prej një vendi të caktuar, sado që të kishte mundësi. Mirëpo, Ibrahimi a.s. duke e ditur se zëri i tij ishte i vogël, i thotë Allahut: “Ja Rabb, po sa mund të dëgjohet zëri im? Allahu i Lartësuar po thotë: “Ti thirri njerëzit, e dërgimi i thirrjes sate te njerëzit është punë Imja.” Ibrahimi a.s., apo siç njihet me emërtimin Halilullahi (miku i Allahut) hipi në kodrën “Ebi Kubejs” dhe bërtiti: “O ju njerëz! Me të vërtetë Allahu ju ka urdhëruar për ta bërë Haxhin te kjo shtëpi (Qabeja), në mënyrë që t’ju shpërblejë me Xhenet dhe t’ju mbrojë nga zjarri i Xhehenemit, andaj kryejeni Haxhin! Këtë thirrje të hazreti Ibrahimit a.s. e dëgjuan të gjithë, ata që ishin fetus në mitër, dhe ata që ishin akoma pa u nisur për të ardhur në jetë, duke e thënë “telbijjen”: Lebbejke Allahumme Lebbejk – të përgjigjemi Ty, o Zoti im, të përgjigjemi Ty. Andaj, kush iu përgjigj kësaj thirrjeje, ai veçse do ta bëjë Haxhin, sipas asaj sa herë është përgjigjur; nëse është përgjigjur njëherë, atëherë një herë, e nëse është përgjigjur dy herë, atëherë do ta bëjë Haxhin dy herë.”
Transmeton Ebi Tufejl, se Ibën Abasi r.a. ka thënë: “Më ka thënë Ibën Abasi r.a.: “A e di se cili është realiteti i telbijjes? Unë i thashë: “Jo, nuk e di.” Ai më tha: “Kur Ibrahimi a.s. u urdhërua që t’i thërrasë njerëzit për ta kryer Haxhin, me atë rast bjeshkët i kanë ulur kokat, ndërsa luginat i kanë ngritur, e ai ka thirrur ndër njerëz për Haxh, dhe thirrjes së tij iu përgjigj çdo gjë duke thënë: “Lebbejke Allahumme Lebbejk–të përgjigjemi Ty, o Zoti im, të përgjigjemi Ty.”
Thirrja e Ibrahimit a.s. është thirrje e Allahut
Në të vërtetë thirrja e hazreti Ibrahimit a.s. më shumë ishte një kumt ndër njerëz sesa një thirrje e thjeshtë. Në të vërtetë ajo ishte thirrje e Allahut. Sepse, në radhë të parë, hazreti Ibrahimi a.s. e ka bërë thirrjen e tij në emër të Allahut dhe me urdhër të Tij dhe, së dyti, dërgimin e thirrjes deri te njerëzit që kanë jetuar në atë kohë dhe te njerëzit e tjerë që nuk kanë qenë të lindur, e të cilët do të vijnë pas tij, deri në Ditën e Gjykimit, pra e ka bërë vetë Allahu i Lartësuar. Madje, Ibrahimi a.s. ka qenë i vetëdijshëm për mundësitë e tij fizike për ta realizuar thirrjen, kur tha: “Ja rabb, po sa mund të dëgjohet zëri im?” Kjo na jep të kuptojmë se ai ishte vetëm mjet për ta lëshuar këtë kumt, ndërsa përçues i kësaj thirrjeje është vetë Allahu i Lartësuar, tek I Cili gravitojnë gjithë shpirtrat e krijesave, sepse thirrja depërtoi edhe te shpirtrat e atyre që akoma nuk janë në botën fenomenale. Por, nëse pyesim se në çfarë mënyre depërtoi kjo thirrje te njerëzit, atëherë themi se mënyra është veçanti e Madhështisë së Allahut, dhe përfshin aspektin hyjnor të komunikimit Krijues – krijesë. Kjo vërtetohet me faktin se pikërisht atë vit në Mekë do të vijnë njerëz për ta bërë ibadetin e Haxhit! Këta njerëz, që erdhën po atë vit, nuk kishin ardhur sepse i kishin dëgjuar tingujt e thirrjes së Ibrahimit a.s., por edhe thirrjen e Allahut. Për më tepër, Allahu i kishte garantuar Ibrahimit a.s. duke i thënë: “Dhe thirri njerëzit për ta kryer Haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura, që vijnë prej rrugëve të largëta.” (El Haxh, 27)
Fjala e Allahut: “se të vijnë ty këmbësorë…” sipas dijetarëve islamë ishte premtim i Allahut se në të njëjtin vit të thirrjes gjithsesi se do të vinin njerëzit. Ky është edhe një argument shtesë se thirrja e Ibrahimit a.s., në fakt ka qenë thirrje e Allahut. Prandaj, kur njerëzit thonë: “Inshallah më ka thirrur hazreti Ibrahimi”, ata me këtë sikur thonë: “Inshallah më ka thirrur Allahu, e ma ka bërë kësmet shkuarjen në vendet e shenjta”. Prandaj, kjo thënie është e mirë dhe nuk duhet ta largojmë nga bisedat tona.
______________
1. Shih: El Bejdavij, Envarut-tenzil ve esrarut-te’vil; Esh Shevkani, Fet’hul Kadir, En Nesefij, Tefsiru Mudarikit-tenzil ve hakaikit-te’vil, komentimi i ajetit: El-Haxh, 27.
2. Shih: Er Rrazi, Tefsiru mefatihil gajb- et-tefsirul kebir; El Kurtubij, Tefsirul xhamiil ahkam, Ibën Kethiri, Tefsirul Kuranil Kerim, etj., komen timi i ajetit: El-Haxh, 27.
3. El Kurtubij, po aty, komentimi i ajetit El-Haxh, 27.
4. El Kurtubij, po aty.
5. Shih: El Kurtubij, po aty