Dr.Hasan Kaleshi ka qenë studiues që shquhej për një prodhim shumë të begatshëm dhe shumëdimensional të karakterit linguistik, letrar, historik dhe publicistik. Dr. Hasan Kaleshi, përveç veprimtarisë krijuese në fushat e përmendura, u dallua edhe si studiues në fushën e islamistikës. Prandaj opusi krijues i këtij personaliteti të shquar, nuk do të ishte i plotë pa theksuar studimin shkencor që ka bërë për Kuranin të cilin e botoi për herë të parë në gjuhën serbokroate si parathënie e librit “Iz Kur’ana casnog svetu celom opomene” (Nga Kur’ani Famlartë-mësime për mbarë njerëzimin).
Studimi i cili shtrihet në 27 faqe, është mbështetur në të dhëna shkencore me 73 referime në gjuhë të huaja: arabe, turke, angleze, gjermane, frënge dhe italiane. Punimin shkencor po kështu e karakterizojnë shënimet e pasura të autorit të cilat dëshmojnë që ky studim është fryt i një pune të gjatë kërkimore mbi Kur’anin Famlartë.
Libri përmbyllet me përkthimin tematik të disa ajeteve të 108 sureve të Kur’anit Famëlartë.
Studimit të Kur’anit Dr.Hasan Kale shi në këtë punim shkencor i është qasur në frymën e koncepteve të reformistëve të njohur islamë, si të Xhemaluddin Avganit dhe Muhamed Abduhus, në mënyrë që Islami të lirohet nga deformimet e huaja joislame, të cilat kanë për qëllim shtrembërimin e Islamit burimor. Këto deformime kanë depërtuar përmes formave të ndryshme në fenë islame. Madje duke u inkorporuar në të, kanë ndikuar në mënyrë negative në kuptimin fetar islam dhe në jetën e zhvillimit kulturor e arsimor në trojet shqiptare.
Studimi Nga Kur’ani Famlartë mësime për mbarë njerëzimin, është një punë me vlerë shkencore e autorit ku në mënyrë të hollësishme trajtohet tema më madhore por dhe më komplekse në fushën e islamistikës.
Në pjesën hyrëse të studimit dr. Hasan Kaleshi Kuranin e trajton në mënyrë kronologjike duke filluar nga emërtimet e kësaj Vepre madhore, si: El-Kur’an “i lexuar” El-Kitab “libër” dhe El-Mus haf “libër i faqosur.”
Në vazhdim autori bën fjalë për rolin e Kuranit si burim i parë i Islamit dhe si i tillë, ai përmban parimet fondamentale fetare, etike dhe juridike, për të konstatuar më pastaj se kjo Vepër është përmbledhje e rregullave në bazë të të cilave më vonë do të ndërtohet dhe zhvillohet jeta shpirtërore, materiale dhe kulturore e myslimanëve.
Që në fillim të studimit autori me arsye trajton ecurinë e shpalljes së Kuran it, e cila është realizuar në një interval kohor prej 23 vjetësh duke konstatuar: “.... Shpallja kohë pas kohe kishte për qëllim të përgatisë shpirtërisht një popull të prapambetur që me bindje të thellë të pranojë, fenë revolucionare e cila shembi jo vetëm politeizmin e atëhershëm arab por ndikoi edhe në marrëdhëniet shoqërore dhe ekonomike.” Dhe pikërisht këtu qëndron fenomeni kuranor që Shpallja të realizohej në situata dhe në kushte të caktuara kohore.
Në kontekstin e historisë së shpalljes së Kuranit, autori thekson besimet pagane politeiste parakuranore, që manifestoheshin në adhurimin e planetëve, në kultin e burimeve ushqimore, dhe në idhuj që i krijonin vetë. Suprimimi dhe mohimi i këtyre besimeve nuk ishte dhe aq i lehtë, për arsye se prekte thelbin fe tar arab dhe sedrën e tyre historike e kombëtare. Historinë e shpalljes së Kuranit autori e përfundon me definicionin për Kuranin: Kurani është fjalë e Zotit, Fjalë e përjetshme, jo e krijuar, Fjalë e cila ka qenë e shkruar para se të krijohej bota, me urdhër të All-llahut, në një tabelë të ruajtur mirë në LEUHI MAH FUZ në qiell. Ky përkufizim, pra, është në harmoni të plotë me konceptet islame dhe qëndrimin e drejtë të shkencëtarëve islamë për Kuranin Famëlartë.
Studimin Nga Kur’ani Famëlartë mësime për mbarë njerëzimin, Dr. Ka leshi e ka ndarë në nëntë njësi të shkurtra, të cilat mund të përmblidhen në dy pjesë tematike:
Pjesa e parë përfshin temat: Përmbajtja e Kuranit, Burimet e Kuranit, Kurani dhe religjioni i krishterë dhe hebrej, Kurani dhe Hadisi, Recensimi i Kuranit, Gjuha e Kuranit dhe Ndarja e Kuranit.
Në këtë pjesë shtjellohen çështjet fondamentale për kuptimin dhe vlerësimin objektiv të Kuranit Famëlartë.
Përmbajtjen e Kuranit autori e ka përmbledhur në pikat më kryesore duke filluar me besimin në Islam. Pikërisht këtu theksohet kredoja islame, e cila heq vijën ndarëse në mes besimit dhe mos besimit.
Mandej normat morale të cilat fisnikërojnë shpirtin njerëzor, tregime mbi popujt e tjerë, ligje praktike, të cilat janë dhënë definitivisht në Kuran e që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e njerëzve dhe Perëndisë, në një anë, dhe marrëdhëniet e njerëzve në mes tyre, në anën tjetër. Këto janë vija të përgjithshme që karakterizojnë përmbajtjen e Kuranit.
Origjinalitetin e Kuranit, dr.Hasan Kaleshi e trajtoi në pjesën e parë si temë bosht, me titull: Burimet e Kur’anit. Këtë temë mjaft komplekse në shkencën islame, autori e shtjellon në mënyrë analitike dhe me shumë kujdes.
Lidhur me origjinalitetin e Kuranit, Dr. Hasan Kaleshi, me guxim dhe me një akribi shkencore, konstaton: Kur’ani si vepër autentike është pranuar si fakt i pamohuar edhe nga shkencëtarët e Lindjes edhe ata të Evropës”.
Qëndrimi i Kuranit ndaj feve të shpallura, Hebraizmit dhe Krishterimit në këtë pjesë trajtohet në frymën pozitive, që Kurani i vërteton librat e mëparshëm të shenjtë. Kjo nuk nënkupton edhe ndryshimet esenciale në mes Islamit, Hebraizmit dhe Krishterimit, që manifestohen në konceptin parimor të Njëshmërisë së Perëndisë. Pikërisht Kurani suprimoi trinitetin dhe, për shembull, Isai a.s., sipas Islamit, është profet si shumë profetë të tjerë, por jo edhe Zot.
Paraqitja e birit të Zotit është e barabartë me mohimin e Zotit. Mirëpo në anën tjetër, të mohosh Musain dhe Isain a.s., që janë profetë të Perëndisë, po kështu sipas Islamit të largon nga besimi islam. Trajtimi i këtyre çështjeve fonda mentale na bind edhe më shumë se autori ka poseduar njohuri të thella në fushën e akaidit, tefsirit dhe filozofisë islame.
Dy burimet kryesore islame, Kurani dhe Hadisi, trajtohen si tema të veçanta në kuadër të këtij studimi. Në këtë pjesë ndriçohet botëkuptimi i Kuranit si Fjalë e Zotit, dhe hadithit fjalë dhe vepër e Muhamedit a.s. Në këtë korpus të studimit qëndron edhe tema: Recensimi i Kur’anit.
Recensimi i Kuranit, sipas mendimit të autorit, paraqitej si nevojë e ngutshme dhe e domosdoshme e kohës për arsye të dallimeve ortografike që bëheshin gjatë leximit të tij. Kështu, Halifi i parë Ebu Bekri, kishte urdhëruar Zejd ibn Thabi tin, sekretarin e Muhamedit a.s., i cili e dinte tërë Kuranin përmendsh, që të gjitha pjesët e tij, t’i shkruante në një vend. Këtë punë me kaq përgjegjësi, do ta kurorëzonte Halifi i tretë, Osmani, më 645 të e.r. me formimin e komisionit kompetent, të udhëhequr nga Zejd ibn Thabiti, i cili e përpiloi recensimin definitiv të Kuranit në katër ekzemplarë dhe të cilin e dërguan në katër qendrat islame: në Meke, në Basra, në Kufe dhe në Damask.
Një qasje të mirëfilltë shkencore në këtë studim, dr.Hasan Kaleshi bën për Hadisin, burimi i dytë islam. Në këtë kontekst autori thekson se Kurani i vë bazat themelore, ndërsa Hadisi i jetëson ato. Në këtë pjesë trajtohen në mënyrë të veçantë edhe fillet e regjistrimit të hadisit si dhe përmbledhjet më të njohura të tij. Në këtë pjesë të studimit, autori me përkushtim thekson veprat më autoritative dhe më origjinale në këtë lëmë si: Sahihul-Buhari dhe Muslimi.
Në pjesën e dytë të studimit, dr.Hasan Kaleshi Kuranin e vështron në aspektin gjuhësor, letrar e kulturor. Gjuha e Kuranit ka rëndësi të veçantë për filologjinë arabe, për se autori nxjerr në shesh një varg hipotezash lidhur me këtë problem. Kështu linguistët tradicionalë arabë konstatojnë se Kurani është shpallur dhe shkruar në gjuhën letrare arabe, pa huazime gjuhësore, pikërisht ashtu siç theksohet edhe në Kuranin Famëlartë.
Mirëpo, më vonë studiuesit islamë, si në Lindje ashtu edhe në Evropë, mendojnë se Kurani përfshin një numër të vogël huazimesh me prejardhje abisine, aramite, greke, hebraike dhe persiane. Kështu, për shembull, autori përmend fjalët {kalem} = penë, e cila është me prejardhje greke {kalamos}, si dhe fjalën {Kirtas}= në greqisht {Khartes} fletë. Me gjithë këto huazime që i ka, prapëseprapë gjuha e Kuranit është gjuhë e pastër arabe, e cila është në funksion të drejtpërdrejtë të gjuhës letrare arabe.
Me shumë interes në këtë studim është trajtimi i stilit të Kuranit. Pikërisht në këtë pjesë autori flet për stilin e sureve të Mekës, ajetet e të cilave janë të shkurtra e që përbëjnë tërësinë e një rime unike, tingëlluese dhe të pasur me rrokje të gjata dhe të theksuara. Kanë stil eliptik, çdo herë të zjarrtë, me oratori të mrekullueshme.
Përveç kësaj, vetë ndarja në ajete bazohet në një fakt të rëndësishëm stilistik, që do të thotë se paraqitja e një rime apo një asonance, që tek arabët quhet fasile, është forma e përfundimit të intervaleve me të cilat përfundojnë frazat muzikale.
Si e tillë, ajo është një nga elementet ritmike të gjuhës së Kuranit Famëlartë.
Nga karakteristikat e veçanta të stilit të Kuranit, është përsëritja e një ajeti pas një tjetri, respektivisht pas disa ajeteve, që do të thotë se një ajet është në funksion të refrenit. Të theksojmë shembullin e sures Er-Rrahman, ku një ajet përsëritet në formë refreni 31 herë.
Një karakteristikë tjetër stilistike të Kuranit Famëlartë autori e vëren në përdorimin e shpeshtë të tropeve: metafora, krahasimi, personifikimi, hiperbola etj. Në këtë kontekst autori thekson disa shembuj nga Kurani, si: Ata ikin si gomarët e frikësuar nga luani” Veprat e ty re i ngjajnë territ që shtrihet mbi detin e thellë. Ata do të kenë hyritë me sy të bukur” “Të ngjashëm me xhevahirët dhe koralet” për të konstatuar më në fund se tërë kjo është e nevojshme të parashtro het që lexuesi ynë të mund të kuptojë arsyen e fuqisë magjike të Kuranit, të cilën fuqi assesi nuk mund ta ndiejë në për kthim, sado i mirë të jetë ai.
Me pjesën tematike Ndikimi i Kuranit në krijimin e kulturës dhe qytetërimit arab përfundon studimi i autorit lidhur me Kuranin. Në këtë pjesë vihet re roli i Kuranit si faktor kryesor për formimin dhe përhapjen e gjuhës arabe. Nevoja për komentimin e Kuranit nxiti mbledhjen e tërë thesarit gjuhësor, ndërsa interesimi për ruajtjen e pastërtisë së tij gjuhësore, të shqiptimit dhe të leximit të drejtë, mundësoi krijimin e gramatikës dhe sintaksës arabe, të cilat, me disa modifikime të vogla, përdoren edhe sot.
Në saje të Kuranit – konstaton autori- gjatë tërë mesjetës, po edhe sot e kësaj dite, gjuha arabe përfaqëson jo vetëm gjuhën e shkencave islame, por edhe një gjuhë të shkencës dhe të qytetërimit botëror.
Në këtë studim për Kuranin, Dr. Hasan Kaleshi ka ndriçuar njëherësh edhe një varg ngjarjesh të historisë së zhvillimit islam në përgjithësi, prandaj ky punim shkencor përbën një kontribut të vlefshëm në fushën e studimeve të Kur anit.
Prof. dr. Ismail Ahmedi
Dituria Islame 214