Gjatë gjithë historisë së zhvillimit të kombit shqiptar, Islami dhe Krishterimi kanë luajtur rol të rëndësishëm në kultivimin e paqes dhe tolerancës ndërfetare brenda popullit shqiptar. Prijësit e komuniteteve të ndryshme në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare, kanë jetuar në harmoni dhe pa konfrontime përçarëse në mes tyre. Vetë ekzistenca e objekteve fetare, xhamive, kishave e manastireve, flet mjaft dhe simbolizon të kaluarën e popullit tonë.
Përsa i përket Islamit, ai nga besimtarët e vet jo vetëm që kërkon dialog, tolerancë e mirëkuptim me pjesëtarët e feve të tjera, por shkon edhe më tutje e nga toleranca kalon në shkallën e njohjes, që është shkalla më e lartë e tolerancës dhe garanci për bashkëjetesë. Lidhur me këtë, në Kur’an shkruan: “O ithtarë të librit, ejani të bashkohemi rreth gjërave të përbashkëta edhe për ju edhe për ne. Të adhurojmë vetëm Një Zot e të mos i bëjmë asnjë shok Atij dhe të mos marrim njëri-tjetrin për Zot në vend të Perëndisë”.(Ali Imran,64.) Ky verset kuranor, dhe shumë të tjera, i nxisin besimtarët myslimanë që t’i shtrijnë dorën njëri-tjetrit dhe të krijojnë një bashkësi të qëndrueshme me besimtarët e feve tjera.
Përsa i përket tolerancës fetare ndër shqiptarët, mund të themi se, gjatë gjithë historisë së zhvillimit të kombit shqiptar, Islami dhe Krishterimi kanë luajtur rol të rëndësishëm në kultivimin e paqes dhe tolerancës ndërfetare brenda popullit shqiptar. Prijësit e komuniteteve të ndryshme në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare, kanë jetuar në harmoni dhe pa konfrontime përçarëse në mes tyre. Vetë ekzistenca e objekteve fetare, xhamive, kishave e manastireve, mendoj se flet mjaft dhe simbolizon të kaluarën e popullit tonë.
Dokumentet e shumta që ndodhen në Arkivin Qendror të Shqipërisë në një shtrirje kohore nga shek.XVI, të shkruara veçanërisht në osmanishte, latinishte, italishte dhe greqishte, argumentojnë qëndrimin tolerues të fesë islame në shoqërinë shqiptare; ndonëse elementi mysliman përbënte shumicën e popullsisë, kishat e manastiret kanë gëzuar liri të plotë. Patrioti mysliman Hoxhë Kadri Prishtina, lidhur me këtë problematikë, shkruante: “Kur vinte në Shkodër delegati Apostolik i papës, muslimanët e Shkodrës, nën gjëmimin e kambanave, vraponin me e pritë e me i bë nderime. Shqiptarët musliman janë shumë durimtarë dhe këtë e bëjnë vetëm e vetëm për të siguruar shpëtimin e jetës e kombësisë së tyre”.
Ekzistojnë argumente të shumta se elementi mysliman, që përbënte shumicën, për realizimin e objektivave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në kushte të sundimit osman arriti të krijonte një unitet ndërmjet përfaqësuesve të kategorive të ndryshme të besimit fetar. Ky unitet përpara detyrës kryesore të kombit nuk njohu kufi klase, race, ngjyre e feje. Boshti i këtij uniteti u bë toleranca e elementit mysliman që zinte vendin kryesor për nga numri i popullsisë.
Hoxhallarët për bashkimin e popullit shqiptar
Në një sërë memorandumesh, protestash dhe thirrjesh të popullsisë shqiptare, drejtuar qeverive të shteteve të ndryshme të Evropës, Fuqive të Mëdha, Kongresit të Berlinit, Konferencës së Hagës, opinionit publik etj., - shprehet kërkesa e përbashkët për mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe mbrojtjen e njësisë territoriale. Në protestën e popullsisë së Dibrës, drejtuar më 3 qershor 1878 Ambasadorit të Anglisë në Stamboll, kundër vendimit të Traktatit të Shën-Stefanit, theksohej: “Dibra është një vend krejt shqiptar dhe ka përmbi 220.000 musliman e 10.000 të krishterë që janë të gjithë prej një gjaku”. Kurse në protestën e popullsisë së Tetovës, më 22 maj 1878, ndër të tjera, theksohej:“Ne banorët e Tetovës jemi më shumë së 30.000 burra musliman, ndërsa të krishterët nuk janë më shumë se një e katërta. Pra muslimanët përbëjnë shumicën si numër, por ta lëmë këtë, sepse si shqiptar ne jemi të gjith të bashkuar. Kështu ne dhe bashkatdhetarët tanë të krishterë e shohim të pamundur jetesën nën cilëndo administratë të pavarur ose autonome”.
Patriotët e besimit mysliman të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, si Haxhi Zeka, Sylejman Vokshi, Dervish Hima, Vëllezërit Frashëri - Abdyli, Samiu dhe Naimi, Hasan Prishtina, Haxhi Vehbi Dibra e shumë të tjerë punuan pandërprerë dhe me shumë sakrifica për bashkimin e popullit shqiptar pa dallim feje, me të vetmin qëllim çlirimin kombëtar të vendit. Në këtë rrafsh ata bashkëpunuan me patriotët e besimeve të tjera, si Thimi Mitko, Filip Shiroka, Luigj Gurakuqi, Spiro Dine, Fan Noli etj.. Faktet e këtij bashkëpunimi i hasim edhe në letërkëmbimin e tyre të gjerë, që ruhet në Arkivin Qendror të shtetit, që në ato kushte të vështira, kishin zgjedhur si të vetmin mjet komunikimi për shprehjen e mendimeve dhe të bashkëveprimit ndaj rrugëve të zgjidhjes së problemeve të kohës në interes të kauzës kombëtare. Fakte të tjera janë edhe organizatat, klubet, shoqëritë, që u formuan brenda e jashtë atdheut si dhe kongreset e konferencat, ku në mënyrë transparente dhe demokratike parashtronin pikëpamjet e tyre. Pas debatesh e diskutimesh, edhe pse me mendime të ndryshme të shfaqura ndonjëherë, në fund dilnin me një platformë të përbashkët.
Këtë unifikim të faktorit politik shqiptar të të gjitha besimeve e vërejmë edhe në letrën e datës 25 maj 1912, që Ismail Qemaili, së bashku me Fuat Toptanin dhe Luigj Gurakuqin, i drejtonin shoqërisë shqiptare “Vëllazëria e Egjiptit”, ku shkruanin: “Shqipëria e sipërme, e mesmja janë të lidhura me një fjalë ashtu më shumë se gjysma e Toskërisë. Sot burrat e Kosovës, të Mirditës, të Lumës, të Dibrës, të Malësisë nën kryesinë e më të mirëve atdhetarë, po përpiqen të lidhen bashkë muhamedan e të krishterë për të drejtat e atdheut”.
Ndryshimi në fe nuk e ka dobësuar patriotizmin e shqiptarëve
Kur jemi te kontributi i personaliteteve myslimane shqiptare, vlen të përmenden edhe Haxhi Vehbi Dibra dhe Ferid Vokopola, të cilët qenë ndër të parët që hodhën firmën në Kuvendin e Vlorës më 28 nentor 1912. Haxhi Vehbi Dibra ishte njëherësh kryetar i Senatit të parë qeveritar dhe shpesh zëvendës i Ismail Qemalit. Ndërkaq, Ismail Efendi Ndroçi, i njohur si “flamurtar i nacionalizmës” në nentor 1912, pas shpalljes së Pavarësisë i pari kishte ngritur flamurin në Tiranë.Toleranca fetare ndër shqiptarët është nënvizuar edhe nga kronistë dhe autoritete të shteteve të tjera. Kështu një kronikan osman shkruante: “Ndryshimi në fe nuk e ka dobësuar patriotizmin e tyre, devotshmëria kombëtare dhe patriotizmi midis shqiptarëve janë aq të fortë, saqë ndryshimi në fe nuk mund t’i dobësojë ata aspak”. Ne mendojmë se edhe në ditët e sotme shqiptarët në përgjithësi, myslimanë e të krishterë mund të bashkëjetojnë në paqe, harmoni e në tolerancë. Ata, kështu si janë dhe me vlerat e tyre morale, gjuhësore, kulturore e me identitetin e tyre fetar e kombëtar, mund të integrohen në mekanizmat e Bashkimit Evropian dhe në institucione të tjera ndërkombëtare. Integrimi i shqiptarëve në Evropë mendoj se nuk mund të bëhet edhe pa pjesën dërrmuese të shqiptarëve që i përkasin fesë islame. Në këtë rrafsh roli i shqiptarëve myslimanë dhe i vetë Islamit në shoqëri, mund të jetë shumë i rëndësishëm për integrimin e shqiptarëve në Evropë, në rast se i trajtojnë dhe i shfrytëzojnë mirë, drejt dhe pa paragjykime.
Dituria Islame 269