Tema ka të bëjë me njërin prej dy themeleve të besimit islam, gjegjësisht me njërin themel të dëshmisë islame – shehadetit: besimin në të Dërguarin e Allahut dhe dashurinë ndaj tij. Shumë njerëz deklarojnë se e besojnë dhe e duan këtë të Dërguar, por shpesh ndodh që praktika e tyre e përditshme të mos përputhet me atë që deklarojnë. Këtë na e dëshmon edhe rasti i njeriut me Ibrahim Ed’hemin, kur një nga banorët e Basrës takoi Ibrahim Ed’hemin dhe i tha duke iu ankuar: Allahu xh.sh. në Kur’an thotë: “Më thirrni Mua (kërkoni prej Meje), Unë ju përgjigjem.” (Gafir, 60).
E ç’ndodh me ne, i lutemi Allahut, por duaja s’na pranohet; kërkojmë nga Allahu xhel-le shanuhu, kurse përgjigje s’marrim dot. Vallë pse kështu?!- Për shkak se zemrat tuaja janë të vdekura, - u përgjigj Ibrahimi.- E kush i ka vdekur ato? – pyeti ai.- Dhjetë cilësi – u përgjigj Ibrahim Ed’hemi.- Cilat janë ato? – pyeti përsëri ai. Ibrahim Ed’hemi iu përgjigj duke i thënë se ato dhjetë cilësi janë:
1. E dini se Allahu xhel-le shanuhu është Një dhe Atë E njihni, por obligimet ndaj Tij nuk jeni duke i kryer dhe nuk jeni duke E adhuruar;
2. E lexoni Kur’anin , por s’jeni duke vepruar sipas tij, dhe as që doni të kuptoni nga ai (Kur’ani);
3. Thoni se e doni të Dërguarin e Allahut, por në bazë të Syneteve të tij s’jeni duke vepruar;
4. Thoni se shejtani është armiku juaj i madh dhe se e mallkoni atë, kurse ju përsëri jeni duke e mbajtur dhe e dëgjoni me plot bindje;
5. Thoni se i frikësoheni vdekjes dhe se ajo është e vërtetë e pamohueshme, por për këtë s’keni përgatitur asgjë;
6. Thoni se i frikësoheni zjarrit të Xhehenemit, ndërsa trupin tuaj e keni lodhur me punë që çojnë në zjarr;
7. Thoni se e doni Xhenetin, kurse për këtë s’jeni të përgatitur, sepse dëfrimet i keni shijuar në këtë botë dhe nuk keni bërë vepra që ju dërgojnë në atë (Xhenet);
8. Kur zgjoheni nga gjumi, të metat tuaja i hidhni pas kurrizit (e harroni veten tuaj), kurse të metat dhe veprat e turpshme të njerëzimit i zbuloni dhe i përgojoni. Nuk i shikoni punët tuaja, por i shikoni punët e të tjerëve;
9. I shfrytëzoni begatitë (nimetet) e Allahut dhe nuk E falënderoni Atë;
10. Shpesh i përcillni të vdekurit për në varreza, por nuk po mësoni prej kësaj. Andaj, s’do t’ju përgjigjet duaja! Allahu i Madhërishëm i dha njerëzimit dy libra të mëdhenj. Në njërin tregon fuqinë dhe madhështinë e Tij, kurse në tjetrin tregon dëshirën dhe vullnetin e Tij. Libri i parë është Tërë Gjithësia, në të cilën na tregon për fuqinë e Tij, se Ai është Krijuesi, Mirëmbajtësi dhe Sunduesi i tërë kësaj kreature, gjë që edhe vetë natyra me ligjet e saj dhe me dukuritë që mbretërojnë në të, na e dëshmon. Këtë libër e shpjegojnë shkencëtarët e profileve të ndryshme, si fizikanët, matematikanët, kimistët etj.. Madje edhe zbulimet e ndryshme shkencore vetëmsa vërtetojnë dhe fuqizojnë këtë fakt. Ndërsa libri i dytë është Shpallja Hyjnore, gjegjësisht Kur’ani, në të cilin Ai tregon dëshirën dhe vullnetin e Tij..”
Ardhja e tij ishte edhe si përgjigje e duasë së Ibrahimit a.s.
Madje edhe ashabët që pasonin rrugën e tij, quheshin Kur’anë të gjallë për shkallën e lartë të përputhjes së jetës së tyre me këtë Kur’an dhe me jetën e Pejgamberit a.s.. Kjo është një prej arsyeve të fuqishme dhe motivimeve të larta, se ne duhet ta duam domosdoshmërish shumë këtë Pejgamber. Po ashtu edhe për faktin se Allahu thotë në Kur’an: “Kush i bindet Pejgamberit, ai I është bindur Allahut.” (Nisaë, 80).
Ardhja e Muhamedit a.s. si pejgamber ishte përmbushje e tri paralajmërimeve të mëhershme. Ardhja e tij ishte edhe si përgjigje e duasë së Ibrahimit a.s., atëherë kur gjatë rindërtimit të Qabesë, ai, siç e përshkruan Kur’ani famëlartë, tha: “Zoti ynë, dërgo tek ata, nga gjiri i tyre, të Dërguar i cili t’u lexojë atyre ajetet e Tua, t’u mësojë atyre librin dhe urtësinë, e t’i pastrojë (prej ndytësisë së idhujtarisë) ata. S’ka dyshim se Ti je ngadhënjyesi, i dijshmi..” (Bekare, 129).
Ardhja e tij ishte edhe si vërtetim i paralajmërimit të Isait a.s., i cili dha myzhde se do vinte një Pejgamber pas tij, me emrin Ahmed, gjegjësisht Muhamed. Kur’ani na rrëfen:“Dhe, kur Isai, biri i Merjemes, tha: “O Beni-Israilë, unë jam i dërguar i Allahut tek ju, jam vërtetues i Tevratit që ishte para meje, dhe jam përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed!” E kur ai u erdhi atyre me argumente të qarta, ata thanë: “Kjo është magji e hapur”.” (Saff, 6).
Në fakt Pejgamberi a.s. e shndriti jo vetëm Shamin, por tërë botën me udhëzimin e tij shpëtues. Pejgamberi a.s. është dhuntia më e madhe që Allahu u ka dhënë besimtarëve. Allahu thotë në Kur’an: “Është e vërtetë se Allahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur tek ata, nga mesi i tyre dërgoi të dërguar që atyre t’u lexojë shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Kur’anin dhe Sheriatin, edhe pse, më përpara ata ishin krejtësisht të humbur.” (Ali Imran, 164).
Dashuria e tij, menjëherë pas dashurisë së Allahut
Dashuria e madhe ndaj tij, duhet radhitur menjëherë pas dashurisë së Allahut të Madhërishëm. Të mos jetë askush para tyre në dashuri e respekt. Për këtë na dëfton hadithi që transmeton Enesi: “Kush disponon tri gjëra (apo tri cilësi), me to ka shijuar ëmbëlsinë e imanit: Të jenë Allahu dhe i Dërguari i Tij më të dashurit se gjithçka tjetër tek ai, të dojë një person vetëm për hir të Allahut dhe të urrejë të kthehet në mosbesim pasi Allahu e shpëtoi nga ai (mosbesim) sikurse urren të hidhet në zjarr.” (Buhariu dhe Muslimi).
Po ashtu thotë: “Nuk ka besuar ndonjëri prej jush (me besim të plotë) përderisa të mos jem unë më i dashur tek ai sesa prindi i tij, fëmija i tij dhe të gjithë njerëzit.” (Buhariu dhe Muslimi).
Me një rast tregohet se Umeri r.a. kishte shkuar te Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe i kishte thënë: “Ja Resulallah, unë me të vërtetë të dua shumë, por më shumë e dua veten”. Pejgamberi alejhi selam iu përgjigj: “O Umer, nuk ka besuar ndonjëri prej jush derisa të mos jem unë më i dashur tek ai sesa vetja e tij”. Atëherë Umeri r.a. i tha: “Ja Resulullah, prej këtij çasti unë të dua ty më shumë se veten time”.
Përshëndetja, lutja dhe salavati për të
Nga dashuria e madhe që kemi ndaj këtij të Dërguari, ne dërgojmë përshëndetje e salavate për të. Një gjë të tillë e bën Vetë Allahu dhe melekët e tij, e po ashtu edhe besimtarët myslimanë, madje ata janë të urdhëruar për këtë. Allahu xh.sh.thotë: “Është e vërtetë se Allahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë (duke rënë salavat) dhe përshëndeteni me selam.” (Ahzabë, 56).
Ndërsa Pejgamberi a.s. thotë: “Kush bie një herë salavat për mua (lutet për mua), Allahu për këtë salavat lutet dhjetë herë për të.” (Ahmedi).
Në të përmendurit e Pejgamberit a.s. ka shumë bereqet e begati, nëse njeriu bën vazhdimisht një gjë të tillë. Ibn el-Kajjim përmend më shumë se katërdhjetë dobi në salavatin për Pejgamberin alejhi selam.
Mbrojtja e Synetit të tij
Çdo besimtar që e do Pejgamberin a.s., e ka për obligim të ruajë dhe të mbrojë personalitetin e këtij Pejgamberi si dhe Synetin e tij. Ta mbrojë atë nga sul muesit dhe etiketuesit e ndryshëm. Forma më e mirë e mbrojtjes është vetë praktikimi dhe zbatimi i këtij Syneti në jetën e përditshme. Kohët e fundit jemi dëshmitarë të sulmeve dhe ofendimeve të ndryshme që i bëhen Pejgamberit tonë të dashur me karikatura e vizatime të ndryshme. Madje në kohën e fundit është bërë dhe një film dashakeq dhe ofendues për Pejgamberin e nderuar, i titulluar “FITNE”. Të gjitha reagimet e besimtarëve janë për t’u përshëndetur, por në formën e drejtë e të civilizuar, e jo të bien pre e provokimeve dhe intrigave të pabesimtarëve dhe armiqve të Pejgamberit a.s.. Po e përsëris edhe një herë se forma më e mirë e mbrojtjes së Pejgamberit dhe Synetit të tij, është ngjallja dhe zbatimi i këtij Syneti.
Nënshtrimi ndaj tij dhe moskundërshtimi i tij
Besimtari, nga dashuria që ka ndaj Pejgamberit, duhet t’i nënshtrohet atij e t’i bindet në të gjitha çështjet. Kurrsesi nuk lejohet të bjerë në kundërshtim me të. Pejgamberi ynë i dashur thotë: “Gjithë Ymeti im do të hyjë në Xhenet, përveç atij që refuzon. I thanë atij: E kush është ai që refuzon, o i Dërguari i Allahut?! Ai u përgjigj: Ai që më nënshtrohet, hyn në Xhenet, e kush bën mëkat ndaj meje (nuk më nënshtrohet), ai refuzon të hyjë në Xhenet.” (Buhariu).
Allahu thotë: “Thuaj: Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit, e nëse ata refuzojnë, atëherë Allahu nuk i do pabesimtarët!” (Ali Imran, 32).
Në Sahih, në hadithin që transmeton Enesi r.a., shënohet: “Një njeri erdhi tek i Dërguari i Allahut dhe i tha: O i Dërguari i Allahut, kur është Kiameti? Pejgamberi i tha: Çfarë ke përgatitur për atë ditë? Ai iu përgjigj: Nuk kam përgatitur shumë agjërim as shumë sadaka, përveçqë unë jam një njeri që E dua Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Atëherë Pejgamberi a.s. i tha: Ti do të jesh me atë që e do!” Allahu i Lartësuar po ashtu thotë: “O besimtarë, mos bëni asgjë para (se të orientoheni në udhëzimet e) Zotit dhe të Dërguarit të Tij.” (Huxhurat, 1).
Që do të thotë: O ju njerëz, as mos folni e as mos veproni diçka në kundërshtim me Kur’anin dhe Synetin.
Allahu xh.sh. thotë: “Kur Allahu ka vendosur për një çështje, ose i Dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfare.
Të këshilluarit për të
Besimtarët çdoherë këshillojnë vetveten, por edhe të tjerët për këtë Pejgamber dhe Synetin e tij. Këshillohen në mes tyre për ta besuar atë si të vërtetë, si dhe për format e zbatimit të tij në jetë, madje edhe përkrahen në mes tyre në këtë rrugë.
Imam Neveviu në shpjegimin e tij të Sahihut të Muslimit, lidhur me këtë, thotë: “Të këshilluarit për të Dërguarin e Allahut a.s. është të besuarit në mesazhin e tij, të bindurit në gjithë atë që ai ka sjellë, nënshtrimi ndaj tij në urdhra e në ndalesa, përkrahja e tij, i gjallë e i vdekur, luftimi i kundërshtarëve të tij, përkrahja e ndihmëtarëve të tij, respektimi i vlerës së tij, ndihma e tij, ngjallja e rrugës dhe Synetit të tij, përhapja e thirrjes së tij, zgjerimi i Sheriatit të tij, ftesa dhe të edukuarit me rastin e leximit të tij, të ndaluarit nga fjalët dhe të mos flasësh pa njohuri rreth tij, respektimi i familjes dhe shokëve të tij, të pajisurit me virtytet morale të tij dhe me edukatën e shëndoshë, të duash ithtarët e këtij Syneti dhe t’i përkasësh kësaj përkatësie, si dhe të distancohesh nga çdonjëri që shpik në Synetin e tij apo që zgjat gjuhën kundër ndonjërit prej shokëve të tij, e të ngjashme”.(1)
Ibn Tejmije thotë: “Allahu ka sqaruar në Librin e Tij obligimet ndaj të Dërguarit: Nënshtrimi ndaj tij, dashuria e tij, përkrahja, respektimi dhe ndihma e tij, të gjykuarit me të, të pajtuarit me gjykimin e tij, moskundërshtimi i tij, pasimi i tij, lutja për të dhe salavati për të, t’i japim përparësi atij para vetes, para familjes dhe para pasurisë; për çdo gjë që kemi mospajtime e paqartësi të kthehemi tek ai (dhe Syneti i tij), e të tjera”.(2)
Një njeri erdhi tek i Dërguari a.s. dhe i tha: “Ja Resulallah, si është puna e një personi që do një person, por që nuk mund ta arrijë gradën e tij”? Atëherë Pejgamberi a.s. i tha: “Njeriu do të ringjallet, e do të jetë me atë që e do”!
Enesi, sa herë që transmetonte këtë hadith, thoshte në fund: “O Allahu im, vetëm Ty Të dua dhe të Dërguarin Tënd”!
Prandaj dhe ne po e përfundojmë këtë shkrim duke falënderuar Allahun e duke dërguar salavat për Pejgamberin tonë të dashur dhe duke thënë: “O Allahu im, vetëm Ty Të dua dhe të dërguarin Tënd”!
_______________________
(1)Sherh Muslim”, Pjesa 2, Vëllimi 1, f. 38.(2) Ibn Tejmije (“El-Fetava”, 1/68.
Dituria Islame 235