Me krijimin e universit nga ana e të Plotfuqishmit, Ai në këtë vazhdë krijoi edhe njeriun, të cilin e hijeshoi me mendje, arsye e dëshira dhe e bëri mëkëmbës në planetin e Tokës. Por, ky krijim, krahas mendjes që i dha kësaj krijese, atë e obligoi edhe me shpalljen hyjnore, duke zgjedhur nga ta më të dalluarit-pejgamberët- nga Ademi a.s., e për të përfunduar me më të dashurin e Tij- Muhamedin-a.s., të cilët vazhdimisht ishin në shërbim të njerëzimit dhe realizuan rolin e mëkëmbësit në tokë, adhurimin e pastër ndaj Allahut dhe ndërtimin e jetës. Megjithëkëtë, në mesin e tyre, më i dalluari dhe më i dashuri, Muhamedi a.s., shquhet prej të tjerëve,për mesazhin që kishte marrë dhe përcjellë te njerëzit. Mesazhi i tij i qe drejtuar botës. Ai, ndonëse ishte i zgjedhuri i Krijuesit, në jetën e tij u përball me sëmundjet shoqërore, siç ishin padrejtësitë shoqërore, ekonomike dhe devijimi në besim. Allahu në Kur’anin famëlartë thotë: “Ne e patëm dërguar Nuhun te populli i vet, ai tha: “O populli im, adhuroni Allahun, nuk keni zot tjetër përveç Tij. Unë kam frikë për dënimin tuaj në një ditë të madhe”. (El A’rafë, 59). Mesazhi i Resulullahut ishte i fundit, por edhe plotësuesi i revelatave të tjera hyjnore, ndërkohë që ka karakteristikat e veta të përshtatshme për çdo kohë dhe vend e hapësirë. “Shembulli im – do të thoshte ai - me pejgamberët e tjerë është sikurse i një njeriu që ndërton një shtëpi, e zbukuron, por në atë ndërtesë lë një zbrazëtirë që u bie në sy njerëzve, ata e admirojnë dhe thonë: Ah sikur kjo ndërtesë të kishte edhe atë tullë që të zinte atë vrimë, e unë jam sikurse ajo tullë”.
Pejgamberi, a.s., ka disa veçori që s’i kishte pasur asnjë pejgamber para tij. Ato i përmendi në një hadith që kishte shënuar Muslimi nga Ebu Hurejre r.a., ku thuhet: “Jam mbivlerësuar nga pejgamberët e tjerë për gjashtë gjëra: më është dhënë fjala përmbledhëse, jam ndihmuar me frikësim (të pabesimtarëve), më është lejuar preja e luftës, toka më është bërë xhami dhe pastrim, jam dërguar tek të gjitha krijesat dhe me mua është përmbyllur pejgamberllëku”.
Njeriu që e zgjodhi Allahu për këtë mision, i cili ndryshoi vijën e historisë së njerëzimit, kishte disa tipare edukate që e dallonin, për se ai do të merrte gradën e më të dashurit të Tij. Allahu në Kur’anin famëlartë thotë: “(sikurse plotësova mirësinë Time ndaj jush) Ashtu siç dërguam nga gjiri juaj të dërguar që t’ju lexojë ajetet Tona, t’ju pastrojë e t’jua mësojë librin dhe traditën, e edhe t’ju mësojë atë që nuk e dinit”(El Bekare, 151) dhe po ashtu thotë: “Ai është që arabëve të pashkolluar u dërgoi Pejgamberin nga mesi i tyre, që t’ju lexojë ajetet e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë librin dhe Sheriatin, edhe pse më parë ata ishin në një humbje të dukshme”. (El Xhumua, 2). Këto dy ajete kuranore janë shfaqur në formën më të lartë të retorikës kuranore. Pra, funksioni i ndryshimit të mesazhit të Pejgamberit a.s., që barti nga shkalla e analfabetëve me të gjithë karakteristikat e saj, që nuk shkruanin e as lexonin, nuk zotëronin libër, analfabetë në civilizim në nivelin e edukimit, pastrimit shpirtëror dhe bartës të shkrimit dhe leximit. Ky mesazh ndriçoi mendjet dhe pastroi shpirtrat.
Humaniteti i tij në jetën e përditshme, po edhe në mbjelljen e kësaj cilësie fisnike, tek gjenerata e ashabëve reflektonte edhe epërsinë e Islamit në adhurim, në legjislativ dhe udhëzim, karshi zakoneve dhe traditave të asaj epoke.
Muhamedi a.s, më 628, u kishte dërguar letër murgjve të Manastirit të Shën-Katerinës, me të cilën garantonte një status privilegjesh për ta në malin Sinai. Letra përmbante disa klauzola, të cilat mbulonin të gjitha aspektet e të drejtave të njeriut, përfshirë këtu çështje të tilla, si mbrojtja e krishterëve, liria e adhurimit dhe lëvizjes, liria për të caktuar gjykatësit e tyre dhe për të pasur (mbajtur) pronat e tyre, përjashtimi nga shërbimi ushtarak, dhe e drejta e mbrojtjes së tyre në kohë lufte.
Pra, kjo Shpallje synoi njeriun duke e vlerësuar si të tillë, e nuk e shikoi fare si të pagabueshëm, dhe as si shejtan të mallkuar as si kafshë. Për këtë Allahu në Kur’an thotë: “Pasha njeriun dhe Atë që e krijoi atë! Dhe ia mësoi se cilat janë të këqijat dhe të mirat e tij” (Esh- Shems, 7-8). Pra, kësaj krijese Allahu i dhuroi mendjen, emocionet, trupin e shpirtin, dhe ndonëse gjatë jetës së tij ka batica e zbatica shpirtërore, megjithatë, mbetet njeri, dhe feja islame vepron mbi këtë bazë tek ai. Për njeriun nuk ka gjë më të keqe në jetë sesa t’i pasojë epshet dhe emocionet e veta, që janë devijime jo të rralla. “A e ke parë ti (Muhamed) atë që, duke e ditur dëshirën e vet, e respekton si zot të vetin, atë Allahu e ka humbur, ia ka mbyllur të dëgjuarit dhe zemrën e tij, i ka vënë perde mbi të parit e tij, më thuaj, pos Allahut, kush mund ta udhëzojë atë? A nuk merrni mësim”? (El Xhathije, 23)
Sot, shumë shoqëri moderne kanë humbur humanizmin dhe njerëzoren që tashmë është shndërruar në “artikull” që u nënshtrohet rregullave të tregut, ashtu si çdo gjë tjetër materiale. Dhe ky është dehumanizimi është kulmi i nënçmimit të racës dhe sojit njerëzor dhe humanitetit, një cilësi me të cilën e ka nderuar Allahu. Tipari i tërësisë është tjetër karakteristikë e edukatës së Pejgamberit a.s., që njeriun e vlerëson si njeri, ashti siç e vlerësoi edhe Islami, pra si tërësi, si krijesë që përbëhet nga trupi, shpirti, ndjenjat, emocionet, mendja etj., sikurse përmbledh edhe të gjitha etapat e jetës së tij, që nga fëmijëria e deri tek pleqëria, sikurse vlerëson edhe kontributin e secilit (mashkull a femër). Pra, edukata pejgamberike njeriun e shikonte si shumëdimensional, ku çdo aspekti njerëzor i jep vendin e merituar, pa e tepruar a ekzagjeruar.
Balancimi dhe ekuilibrimi mbetet po ashtu si normë edukative e personalitetit të të Dërguarit të Tij, pra misioni i tij krijoi një harmoni në shumëdimensionalitetin e jetës së njeriut, ku u bë balancimi në ekuilibrim dhe ekuilibrimi në balancim në mes botës shpirtërore dhe materiale.
Dituria Islame 259