Besimi ndjenjë e parëlindur

 


Në mbretërinë qiellore, njerëzit në formë shpirtrash kanë dëshmuar para Allahut Njëshmërinë dhe Hyjninë e Tij. Prandaj, çdo njeri vjen në këtë botë i pajisur me një ndjenjë të tillë. Ky është thelbi i dëshmisë islame: "S'ka Zot tjetër përveç Allahut”, që është konfirmim i pohimit të parë në gjendjen shpirtërore. Ndjenja e pastër kongjenitale mund të harrohet duke u dhënë pas kësaj bote, por, kur të largohen pengesat mashtruese, njeriu i kthehet natyrës së tij burimore.


Shpirtrat e njerëzve kanë ardhur në ekzistencë para zbritjes së tyre në këtë botë. Në mbretërinë qiellore ata janë paraqitur në formën  që ka dëshiruar Allahu dhe Ai ka kërkuar prej tyre që të dëshmojnë për hyjninë e Tij. Sipas Kuranit, Allahu, pasi krijoi Ademin, mori premtimin e tij. Më pas, Ai nxori nga kryqet e tij pasardhësit që do të lindnin deri në fund të botës, gjeneratë pas gjenerate, dhe i vendosi para Tij për t'ua marrë edhe atyre premtimin, duke u thënë: "A nuk jam Unë Zoti juaj?" dhe shpirtrat u përgjigjën: "Po, dëshmojmë se je Ti".
Allahu e bëri këtë me qëllim që njerëzit të mos kishin kurrfarë justifikimi në Ditën e Ringjalljes: "Të mos thoni në Ditën e Kiametit: "Ne për këtë (dëshmim) nuk kemi pasur njohuri", apo të mos arsyetoheshin duke thënë: "Prindërit tanë më parë ishin idhujtarë, e ne ishim pasardhës të tyre. A do të na shkatërrosh ne për atë që bënë ata asgjësues të së vërtetës?" (El A'raf: 172-173).
Këtë dëshmi njerëzimi e ka bërë para ekzistencës tokësore, në botën e urdhrve dhe të fjalëve, ku shpirtrat tanë janë takuar dhe janë njohur në mes tyre. Disa janë afruar e disa janë larguar: "Shpirtrat janë si ushtarët që rrinë grupe-grupe. Ata që njihen në mes vete, shoqërohen, ata që s'njihen ndahen." (Hadith, transmeton Buhariu). Që atëherë, secili njeri është i obliguar për besëlidhjen që ka lidhur me Allahun. Allahu i Plotfuqishëm ua ndau shpirtrave të njerëzve misionin e bartjes së amanetit (Ina aradna el emanete) dhe ata fituan të drejtën për ta realizuar atë me zbritjen nga bota e "urdhrave" në botën tokësore të fenomeneve.
Pranimi që njerëzimi bëri para Allahut (KALU BELA), duke e pranuar për Zot të vetin, është vulosur në shpirtin e çdo njeriu dhe, si i tillë, është i pandashëm nga natyra njerëzore. Prandaj njeriu duhet të vazhdojë ta njohë dhe ta pranojë Krijuesin e tij në gjithë jetën e tij tokësore. Kjo ndjenjë e natyrshme në gjuhën arabe quhet 'fitretullah'- krijim i Allahut, 'Fitretul Ilahijje' - krijim hyjnor dhe 'fitretus selime' krijimi pastër, që nuk mund të ndryshohet: "Përqendro vetveten tënde sinqerisht në fenë, larg prej çdo të kote, (e ajo fe), feja e Allahut në të cilën i krijoi njerëzit, s'ka ndryshim (mos ndryshoni) të asaj natyrshmërie të krijuar nga Allahu, ajo është feja e drejtë po shumica e njerëzve nuk e dinë." (Er Rum: 30).


Natyrshmëria islame - fitra 


Imani buron nga thellësia e zemrës së njeriut dhe është i ngulitur në shpirtin tij. Si rrjedhim, çdo foshnjë që lind e bart me vete këtë besim të natyrshëm tek Zoti: "Çdo foshnjë lind me natyrë të pastër (natyrshmëri islame)." (Hadith). Fi- tra është natyra e parakrijuar e njeriut, e orientuar nga njëshmëria e Zotit (tevh-id), që ka qenë thelbi dhe esenca e gjithë shpalljeve hyjnore.
Dijetarët e shkencave shoqërore dhe të shkencave të natyrës janë të mendimit se ndjenja e besimit tek njeriu është diçka e natyrshme dhe e bashkëlindur (fitri). Ata vlerësojnë se fëmijët janë të prirë dhe të parapërgatitur për ta besuar botën si krijim të Zotit. Në qoftë se fëmija lihet vetëm, ai do të rritet me dijen se ka vetëm një Zot. Sapo fëmija fillon të kuptojë normalisht, duke shqyrtuar shkakun dhe përbërjen e sendeve e dukurive që sheh, ai do të nisë të bëjë pyetje.
Ibn Hazmi (994-1064), në veprën e tij El-Fasl, e ka shtjelluar mjaft mirë konceptin e parimeve të para të quajtura: [Fillimet e arsyes] (evailul akl), të pranuara edhe prej shkencëtarëve të kohës sonë, ku tregohet se parimet e para fillojnë të formohen te fëmija qysh në moshën dy- vjeçare. Fëmija, midis moshës tre deri pesë vjeç, duke mos pasur asnjë nxitje, fillon të kuptojë parimin e shkakësisë, të ndajë veten prej të tjerëve, madje të pyesë: "Kush më ka bërë mua, zogjtë, lodrat...?"
Dr. Justin Barrett, shkencëtar në Qendrën e Antropologjisë dhe Vetëdijes të Universitetit të Oksfordit, deklaroi për radio-programin BBC4, të emetuar më 24 nëntor 2008, se fëmijët e vegjël kanë predispozita që të besojnë në një Krijues Suprem, sepse instinktivisht supozojnë se gjithçka që është krijuar në Tokë, i shërben një qëllimi të caktuar: "Argumentet shkencore në dhjetë vjetët e fundit tregojnë se fëmija vjen në këtë botë me më shumë nga ato që ne i kemi konsideruar si rastësi, përfshirë edhe predispozitën se ai e sheh natyrën në formën se pas saj qëndron një Qenie Inteligjente".
Njeriu, aftësinë dhe ndjenjën për ta njohur Krijuesin, e ka të lindur dhe e sjell me vete në këtë botë dhe, nëse nuk do ta kishte këtë shkëndijë, ai kurrë nuk do të mund të arrinte në idenë e ekzistencës së Zotit.
Këtë e ka përshkruar, para qindra vjetësh, filozofi andaluzian Ibn Tuffejli (1105-1185) në librin e tij "Hajj in Jakdhan", përmes një njeriu që rritet i vetmuar në një ishull, dhe i cili, duke medituar, arriti ta kuptonte dhe ta besonte Krijuesin me mendjen e tij. Prandaj, feja dhe besimi nuk janë kategori historike që janë zhvilluar me njeriun, kinse nën presionin e frikës nga dukuri të ndryshme natyrore. Përkundrazi, besimi është një dhuratë hyjnore që nga lindja, një gjendje e natyrshme në të cilën lind çdo njeri (fitreh/sensus communis), që është e përbashkët për të gjithë.
Dr. Barrett thotë se fëmijët e vegjël besojnë në Zotin edhe nëse këtë nuk e kanë mësuar nga prindërit e tyre dhe në shkolla, dhe vazhdon e pohon se edhe ata që do të rriteshin në një ujdhesë të vetmuar, do ta besonin Zotin: "Nëse do të izolonim disa fëmijë në një ujdhesë të vetmuar dhe nëse ata do të rriteshin larg çdo ndikimi, mendoj se do ta besonin Zotin".
Deri në fazën e pjekurisë, fëmijët nuk janë në gjendje të mendojnë dhe të kuptojnë në masën e duhur, por ndikohen nga familja, i imitojnë ata dhe nuk mund t'i rezistojnë ndikimit të prindërve të tyre. Feja që fëmija merr në këtë moshë, është feja që pasojnë prindërit e tij. Prandaj Allahu nuk i kërkon llogari asnjë fëmije që lind në një familje jomyslimane dhe nuk i dënon ata për besimet e pavërteta që pasojnë.
Por, kur fëmija rritet dhe hyn në fazën e pubertetit, nëse është normal në aspektin mendor, nga ai kërkohet që të pasojë besimin e vërtetë, besimin që është skalitur në shpirtin e tij dhe që pajtohet me arsyen e shëndoshë. Në këtë periudhë lind vetëdija mbi botën, mbi vetveten, mbi kohën, dhe në kokën e tij vërtiten pyetje të ndryshme, që kërkojnë përgjigje.
Në konstruktin e mendjes së njeriut ekziston veçoria për ta kërkuar Krijuesin, gjë që e ka ngritur atë mbi të gjitha krijesat. Për nga natyra e tij njeriu është adhurues dhe nuk ka njeri që nuk adhuron. Dallimi ndërmjet tyre qëndron në faktin se çfarë adhurojnë. Disa besojnë drejt, kurse të tjerë jepen pas besimeve të kota.
Prandaj, djajtë përpiqen ta nxisin atë që të qëndrojë në atë gjendje që është, apo të zhytet edhe më thellë në humbjen e tij. Duke ia zbukuruar të pavërtetën, ata mundohen t'ia pamundësojnë njeriut që të arrijë të kuptojë të vërtetën. Allahu në një hadithi kudsij thotë "Unë i krijova robërit e Mi në fenë e drejtë, por shejtanët i bëjnë ata që të humbasin rrugën."
Por, nëse njeriu është i vendosur dhe nuk bie pre e pasionit dhe ëndjeve të kota nën cytjen e djallit dhe e kërkon të vërtetën sinqerisht, atëherë ai do të ketë ndihmën e Krijuesit. Madje, sa më shumë që njeriu arrin ta ruajë fitren e tij të pastër dhe atë që është shkruar në pllakën e shpirtit të tij, aq më pak pengesa do të ketë për ta pranuar rrugën e drejtë islame.


Misioni i pejgamberëve 


Meqë njohja e transhendentes hyjnore është diçka e lindur te njeriu, devijimi dhe shmangia nga kjo normë shkaktohet nga harresa. Këtë kongjenitalitet njerëzor e asfiksojnë botëkuptimet e dështuara, epshet dhe kënaqësitë e kësaj bote. Prandaj, misioni i të gjithë pejgamberëve ka qenë që t'i rikujtonin dhe t'i ftonin njerëzit që t'i ktheheshin zotimit (mithak-ut), nëpërmjet të cilit njeriut i është dhënë jo vetëm funksioni i të qenit shërbëtor i Allahut, por edhe funksioni mëkëmbës i Tij mbi tokë.
Historia tregon se të gjithë njerëzit e botës, gjatë epokave të ndryshme, kanë besuar në ekzistencën e Krijuesit. Abas El Akad thotë se njeriu është koshient dhe i vetëdijshëm për Zotin. Ai është i bindur vetvetiu se Ai ekziston.
Njeriu qëndron i magjepsur përballë madhështisë dhe harmonisë së universit. Kjo magjepsje është e shprehur në mënyrë sipërfaqësore te njeriu i zakonshëm, kurse te shkencëtari në mënyrë të thellë. Çdo mendje mrekullohet dhe kërkon autorin e universit. Në këtë kërkim, ndodh që njeriu ta gjejë Krijuesin ose të gabojë dhe të shmanget nga natyra e tij e pastër origjinale.
Ka njerëz që nuk besojnë ose që thonë se nuk besojnë. Shumica e atyre që e kanë mohuar ekzistimin e Zotit, janë pushtuar nga pasionet e tyre. Një deformim i tillë ndodh ngase këta njerëz nuk kanë mundur të ruajnë natyrshmërinë e tyre të pastër e të vërtetë, nën ndikime negative të ardhura nga mashtrimet e jashtme të shoqërisë, arsimit, rrymave mohuese apo presionit të brendshëm, sikurse janë dëshirat egoiste, fodullëku, mendjemadhësia, popullariteti, hipokrizia etj. Kjo rezulton me larjen e trurit dhe sëmurjen e zemrës për shkak të mëkateve, pakujdesisë dhe pavëmendshmërisë së njeriut ndaj argumenteve dhe shenjave të Zotit. Prandaj, edhe pse ekzistenca e Allahut është një e vërtetë e padyshimtë, ka edhe të tillë që nuk e pranojnë këtë të vërtetë. (El-Hixhr: 14-15).
Ashtu sikurse trupi u nënshtrohet ligjeve që ka vendosur Krijuesi në natyrë, po ashtu edhe shpirti duhet t'i nënshtro- het faktit se Allahu është Zoti dhe Krijuesi. Fitra, kthimi në normë, është baza e Islamit, prandaj, duke praktikuar Islamin, veprat e jashtme të njeriut harmonizohen me natyrën me të cilën Allahu e krijoi qenien e tij.
Në shpirtin e tij ekziston ndjenja e mbështetjes dhe strehimit tek një Qenie e lartë dhe e fuqishme. Njeriu, vetëm duke iu kthyer zotimit burimor ndërmjet tij dhe Krijuesit, mund të jetë plotësisht vetvetja. Njerëzimi ka lindur dhe ka ardhur me besim (iman) në këtë botë dhe me këtë besim/iman duhet të ndahet dhe të largohet prej saj.
"Kush ka pranuar me kënaqësi Allahun për Zot, Islamin për fe dhe Muhamedin a.s. për pejgamber, - ka shijuar ëmbëlsinë e besimit-imanit". (Hadith).


 


Dituria Islame 225


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme