Hajdin ef. Aruçi ka lindur më 10 maj 1920 në Rezallë të Skënderajt, nga babai Maliqi dhe nëna Elfija.
Ka mbaruar Medresenë e Madhe të Gjakovës tek myderriz Fahri ef. Iljazi dhe ka arritur deri në “Mulla Xhami|. Pas Luftës së Dytë Botërore është mësuesi i parë i shkollës së parë shqipe në Rrezallë.
Si mësues punoi vetëm dhjetë ditë, sepse menjëherë u dërgua në shërbimin ushtarak të Jugosllavisë. Pas kryerjes së shërbimin ushtarak, punoi shtatë vjet në “Trepçë” në Zveçan, deri më 1953, kur iu kthye detyrës së imamit në xhaminë e fshatit Llaushë dhe aty shërbeu deri në vdekje.
Hajdin efendiu ka qenë i përndjekur vazhdimisht nga UDB-ja, sidomos pas ngritjes së flamurit kombëtar në rrethojat e Fabrikës së tjegullave.
Kur filloi Lufta e UÇK-së, Hajdin efendiu në plumbat e armikut hynte dhe dilte në xhami, për t’i kryer detyrat fetare. Gjatë udhëtimit nëpër male, kishte takuar komandantin Fehmi Lladrovci, të cilit i kishte thënë: “Komandant Fehmi Lladrovci, për ty dhe shokët e tu çlirimtarë që bëni luftë për lirinë e Atdheut, dy orë luftë çlirimtare kanë vlerë sikur të bënit agjërim e falje vullnetare më dekada”.
Hajdin ef. Aruçi është vrarë më 20 mars 1999 në shtëpinë e Islam Konjuhit në vendin “Lagjja e Dytë” të Skënderajt, kur forcat çetnike serbe, me uniforma të bardha, kishin rrethuar lagjen dhe kishin vrarë shumë qytetarë të këtyre anëve.
Vetëm pas shtatëdhjetë e katër ditësh qe bërë e mundur që trupi i Hajdin efendiut të merrej nga të afërmit e tij, në prani të gazetarëve kanadezë, dhe të varrosej afër Lapidarit të Lirisë në Rrezallë. Për të rënët e fshatit Rrezallë, përfshirë edhe mulla Hajdin efendiun, është ngritur lapidari.
Ka lënë pasardhës dy djem.