Shefqet Zeka ka lindur më 8 gusht 1977 në Prishtinë, nga babai Sabiti dhe nëna Nazifja.
Shkollën fillore “Asim Vokshi” e ka mbaruar në Prishtinë, kurse në vitin shkollor 1992 – 1993 qe regjistruar në medresenë e mesme “Alauddin” të Prishtinës.
Mësimet në medrese i ndërpreu në vitin e dytë, i detyruar që të punonte punë të tjera për të siguruar mbijetesën e familjes. Një kohë ushtroi edhe profesionin e taksistit.
Shefqeti mori pjesë në protestat e studentëve të Tetorit 1997 dhe në protesta të tjera më vonë.
Shpërthimi i luftës në Kosovë Shefqetin e gjeti në Drenicë, ku u mobilizua në radhë të UÇK-së. Në fillim me traktorin e tij furnizonte me gjëra ushqimore zonën e Drenicës, kurse nga mesi i gushtit 1998 u bë ushtar i rregullt i Brigadës 114 të Drenicës. Ishte bashkëluftëtarë me Fehmi Lladrovcin. Si ushtar është dalluar për disiplinë dhe për trimëri. Mori pjesë në luftimet që zhvilloi kjo brigadë deri në rënien e tij.
Shefqeti ra shehid më 22 shtator 1998 gjatë luftimeve që u zhvilluan në Çikatovën e Vjetër, së bashku me Fehmi e Xhevë Lladrovcin. Ish-eprori i tij, Gani Nika, nga Brigada 114 “Fehmi Lladrovci”, në gazetën “Kombi”, thekson: “Shefqeti luftoi si luan, por një granatë serbe ia mori jetën.”
Shefqeti është varrosur në varrezat e fshatit Shkabaj (ish-Gllanasellë), pranë komandantit Fehmi Lladrovci.