Disa shqiptarë “evropianë” dhe gjysmë identiteti fetar

 


(KONVERTIMET NË KOSOVË)


Vala e konvertime në Kosovë, e cila me gjasë më shumë është mediale, sesa grup njerëzish që me vetë dëshire po “largohen” nga besimi i mëparshëm nuk është as risi dhe nuk paraqet asnjë sfidë për besimin islam, i cilin vazhdon të jetë më i madhi. Në anën tjetër kjo as nuk na frikëson, sepse gjendja e përgjithshme e gjitha xhamive në Kosovë është pikërisht spektakolare. Çështja e konvertimeve mund të jetë një problem i komplikuar, sepse përveç dimensionit fetar, aty është edhe dimensioni shoqëror dhe psikologjik, por kjo erë konvertimesh më shumë t’i kujton ata fëmijët e lënë pas dore në edukim, të cilët me këmbëngulje bëjnë diçka që nuk e kanë të lejuar dhe që i kapërcen mundësitë e tyre. Në fakt, shikuar me objektivitet, besimi është diçka private dhe medialiteti apo orkestrimi që po i bëhet këto kohë vetëm se po trazon një konflikt që në nënqiellin tonë nuk ka ndezur zjarr edhe atëherë kur u munduan armiqtë të mëdhenj për ta bërë atë. 
Shqiptarët, shekuj më parë kanë sendërtuar përkatësitë e tyre fetare dhe janë pajtuar me të, duke bashkëjetuar në paqe dhe harmoni. Andaj, çdo përpjekje për prishjen e kësaj baraspeshe, nga kushdo qoftë ai, do të na kthehet si bumerang të gjithë neve, dhe me pasoja të paparashikueshme. 
Ne të gjithë pa dallim, myslimanë e të krishterë, u pajtuam për Gjergj Kastriot Skënderbeun – për hero kombëtar, ashtu siç ishte ai pa u thelluar më shumë se çfarë thonë historianë vendorë e ndërkombëtarë për përkatësinë e tij fetare. U pajtuam me Nëna Terezën, si bamirëse dhe humanitare për të nderuar kombin shqiptar. U pajtuam me ndërtimin e kishave katolike edhe nëpër ato vende ku nuk kishte popullatë katolike, vetëm e vetëm për të ruajtur harmoninë fetare që kemi trashëguar ndër shekuj. U pajtuam, që në qendër të Prishtinës të ngritët katedralja, e vlerësuam si shkrimtar mbarëkombëtar tashmë të ndjerin Ismail Kadarenë, pavarësisht sulmeve direkte ndaj Islamit e myslimanëve…, a mos është rastësi që Evropa e zgjodhi ta ngrejë deri në reputacion internacional si autorin më të rëndësishëm bashkëkohor në gjuhën shqipe pikërisht atë Ismail Kadare, i cili reputacionin e tij të lartë e përdori që ndër shqiptarët të promovojë idenë radikale se pranimi i Islamit përbën gabimin më të madh ndër shqiptar. D.m.th., ne pranuam e pranuam, saqë asnjë nga këto konvertime nuk është risi dhe nuk paraqet rrezik për ne si besimtarë, sepse siguria e besimit tonë kalon limitet emocionale dhe lojërat e mundshme politike të dirigjuara nga qarqet e shërbimet sekrete ose nga paqartësia e disa individëve që fajësojnë klerikë të caktuar dhe gjoja si reaksion vendosin për t`u larguar nga ajo që ne besojmë bindshëm se është e vërteta. 
Ne besojmë te liria e plotë e njeriut se përndryshe: “Po të donte Zoti yt do t’i krijonte njerëzit një popull..” Andaj diversiteti në aspektin fetar, kombëtar, racor e gjuhësor është në natyrën e kësaj bote. Me të drejtë ipeshkvi i ndjerë i Kosovës z. Mark Sopi pohonte se “Ne të gjithë e besojmë një Zot të vetëm, por secili e beson dhe adhuron atë në mënyrën e vet.” 


Përse konvertimet? 


Në radhë të parë duhet vënë theksi te demontimi i mitit dashakeq për islamizimin e dhunshëm dhe përgënjeshtrimi i këtij falsifikimi ideologjik është imperativ absolut për shqiptarët. Ballkani është i vetmi territor në botë, në të cilin pushteti politik i shtetit - pushtues, gjatë tërë pesë shekujve ka lënë liri të plotë të zgjedhjes dhe praktikimit të identitetit fetar, gjuhësor dhe kulturor për të gjithë popujt, pa marrë parasysh në numrin e tyre. Kishat, manastiret, sinagogat, me shkollat e tyre etj.. Duhet të jepet qartë e vërteta! Aq më tepër sepse është falsifikuar në mënyrë sistematike, ndërsa ky falsifikim ka krijuar shtresime të mëdha të mosmarrëveshjeve të thella dhe armiqësive të paarsyeshme ndaj myslimanëve shumicë. Me moskokëçarje të pabesueshme flitet për traditën islame të shqiptarëve si për një handikap dhe gabim historik, pra si për një gabim i cili mund të mënjanohet dhe përmirësohet edhe sot. Është përpunuar receta sa e thjeshtë aq edhe efikase, se si të përmirësohet ky gabim historik duke hequr dorë nga identiteti i tyre islam dhe që ta zëvendësojnë me atë romak-katolik, i cili korrespondon në tërësi me identitetin modern evropian dhe vlerat evropiane. 
Së këndejmi, secili besim bën çmos që besimtarët e vet t`u mbesin besnikë parimeve te fesë së vet. Në veçanti kjo ndjenjë është e theksuar në ato mjedise ku besimtarët e një besimi të caktuar janë pakicë. Sepse ata si të tillë edhe e ndiejnë veten të rrezikuar nga dominimi i shumicës. Islami vërtet është një lloj rreziku për ta! Por ata e dinë mirë se ky rrezik nuk vjen nga Islami si fakt konkret shpirtëror dhe shoqëror, por nga ndjenja e forcës tërheqëse, të cilën Islami e ka për ta, kurse ata duan ta fshehin sa prej të tjerëve e aq me shumë prej vetvetes. Kjo drojë e paargumentuar, përveç me bazën e saj psikologjike, është kushtëzuar edhe me faktin sociologjik dhe politik, se Islami si formë e jetës ka të bëjë me gjitha aspektet e shoqërisë dhe pranimi eventual i modelit islam kulturor do t’i ndryshonte rrënjësisht shumë karakteristika të paradigmës shoqërore për të ashtuquajturat shoqëri bashkëkohore perëndimore. Ky është një realitet që duhet të pajtohemi. Andaj, edhe bëhen përpjekje që secila fe të jetë sa më e organizuar dhe sa më afër besimtarëve të vet. 


Por përse e bëjnë këtë? 


Sepse, ata asnjëherë nuk krijuan një lidhje serioze me Zotin; 
Ata asnjëherë nuk krijuan një dashuri për Profetin; 
Ata asnjëherë nuk besuan se ka një shpërblim për besimtarët e drejtë; 
Ata asnjëherë nuk e panë Islamin si zgjedhje të parë në festat e tyre e as në lidhjet, martesat, e vdekjet; 
Ata asnjëherë nuk e kërkuan Islamin në tryezat e tyre, ndërsa ushqimi hallall është inekzistent dhe nuk i dihet emri; 
Ata asnjëherë nuk kërkuan një xhami për fëmijët e tyre. 
Tani, çfarë humbi Islami ose çfarë na bënë konvertimet e tyre kur realisht këta individë as nuk janë e nuk ishin pjesë e Islamit. Janë njerëz që për kohën që kanë jetuar “myslimanë” kanë qenë jashtë Islamit edhe si numër.


Dituria Islame 409