Divorci si atraksion i brezit modern

 


Në tentativën për të rikonstruktuar çdo gjë të trashëguar si vlerë e virtyt në shoqëritë tona, që deri diku mund të cilësoheshin si konservative, fryma modernizuese nuk po e kursen as celulën më të fuqishme të shoqërisë – familjen. Martesa si themel i një familjeje të shëndoshë e fisnike është llogaritur nga Krijuesi ynë si një “...besatim i fuqishëm”, (En Nisa, 21), në mes të burrit e të gruas për një jetë të përbashkët njerëzore. Ajo, mbetet përherë një kontratë e shenjtë e bekuar nga Zoti, por edhe një zotim çiltërsie nga çifti bashkëshortor. Megjithatë ky besatim i dëlirë mbase është edhe institucioni më i kërcënuar duke iu rrezikuar edhe thelbi ekzistencial i saj. 
Divorci i lehtësuar pa kufi, e i normalizuar tejmase edhe në situatat kur ai nuk është fare “normal” e bënë lidhjen martesore sa të brishtë, po aq edhe të atakuar, mu në një kohë që shoqërisë së trazuar, do t’ia ruante besnikërisht themelin dhe stabilitetin e saj. 
Në rrethana të mirëqena, martesa përbën një fat dhe ogur të mirë që me të ngazëlloheshin e kremtonin familja dhe gjithë rrethi i çiftit bashkëshortor. Natyrshëm, në një martesë, shoqëria sihariqohej me rritjen e shumimin e saj. Ajo, thjesht, premtonte gjithnjë mbijetesën. Formoheshin familjet që mbeteshin si kala e pathyer përballë furtunave më të vështira në çdo vend, e sidomos te ne që lirinë e mirëqenien e kishim të munguar. 
Mirëpo, me një ritëm krejt shpërfillës, ajo “familja e madhe” si një strehë e fortë që dikur ishte normë, e tilla tashmë ka mbetur pjesë e së shkuarës. Ajo celulë, që dikur në gjirin e saj bashkonte dy a tre breza, tashmë është transformuar e reduktuar në “familje një bërthamore”, duke lënë brenda një shtëpie vetëm qiftin e martuar dhe eventualisht ndonjë fëmijë të lindur prej tyre. Madje, kjo frymë transformuese në shoqërinë tonë nuk u ndal në këtë cak. Ajo, në hapin e radhës do shpërbërjen edhe të kësaj “familjeje një bërthamore”, synon divorcin e ndarjen, për të jetuar secili “i lirë”, ani pse në vetmi. 
Të etur për të hequr petkun tradicional dhe duke synuar adoptimin dhe absorbimin e të gjitha produkteve të modernitetit, nivelin e përparimit shumë njerëz nuk e matin me numrin e martesave, por me numrin e divorceve të tyre. Divorci më nuk përbën problem e as nuk është shqetësim, përkundrazi është një avancim dhe sukses që për të duhet krenuar. 
E, për të qenë të saktë në anën dispozitive islame, divorci si solucion në një martesë toksike e të trazuar në nivel të pariparueshëm, mbetet rruga më e vështirë, por që megjithatë ajo mbetet e hapur dhe si i tillë ai është i lejuar. Atë e përshkroi si më së miri i Dërguari ynë, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, kur tha: “Gjëja më e urryer tek Allahu, por që megjithatë lejohet është divorci.” Në kontekst të determinimit juridik të normës për divorcin, ishte tejet konciz juristi i shquar hanefit Ibën Abidini, kur thoshte: “Sa i përket shkurorëzimit, parimisht në Islam ai është i ndaluar, që nënkupton se mbetet i ndaluar përveç kur ekziston arsyeja që e justifikon atë. E nëse nuk shtrohet nevoja për të, ai mbetet naivitet e madje “çmenduri”, sepse si i tillë është mosmirënjohje ndaj dhuntisë (së martesës), por edhe shkaktim i dëmit për bashkëshorten-in e fëmijët. Andaj arsyet që mund ta justifikojnë janë dallimet në karakter e sjellje, shfaqja e urrejtjes që shpie deri te moszbatimi i normave hyjnore në jetën bashkëshortore...”. Thënë ndryshe, divorci nuk duartrokitet në Islam, por në situatat e nevojshme prapë ai mbetet i lejuar. 
Studimet e fundit zbulojnë se divorcet – ndarjet bashkëshortore ishin të lidhura ngushtësisht me nivelet më të larta të ankthit, depresionit e izolimit social, si dhe përmbajnë në vete një rrezik shumë të madh të abuzimit me alkoolin, e jo rrallë herë edhe me lëndët narkotike. Pos pasojave që i bartin mbi supet e veta çiftet e divorcuara, një kompleks tejet i rëndë mbetet edhe fati i fëmijëve pas ndarjes së prindërve të tyre. Madje, po të mendohej më thellë, t’ua thuash fëmijëve se ata duhet të mësohen të jetojnë pa praninë e dy prindërve, kjo ndoshta mbetet pjesa më e dhimbshme dhe më e vështirë e tërë kësaj çështjeje. Nëse jo për vetveten, një çift racional, para divorcit, do të duhej të mendonin shumë gjatë për fëmijët e tyre që pafajësisht do të privoheshin nga ledhatimet e përkujdesja prindërore në një kohë, që ata edhe nën ombrellën e të dyve po e kanë tejet të vështirë ruajtjen, edukimin dhe orientimin e mirëfilltë në jetën e tyre. 


Editoriali
Dituria Islame 409


Nuk ka artikull pas ketij.