Pushteti dhe dituria në islam!


Mësimet kuranore dhe veprimet praktike të Pejgamberit s.a.v.s., në përputhje me to vendosën parime të diferencuara qartë të pushtetit politik islam.
Allahu i Lartësuar thotë: “(Përkujto Muhamed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: 'Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës!'” (El-Bekare, 30). Prandaj titulli i sundimtarëve të parë myslimanë që pasuan të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., ishte “kalif”, në kuptimin e pasuesit të tij.
Kurani në vazhdimësi tërheq vërejtjen se Allahut xh.sh., i takon pushteti mbi çdo gjë: “A nuk e ke ditur se vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve e i tokës?” (El-Bekare, 107). Pushteti i pjesshëm i kësaj bote është dhunti e Tij që ia jep atij që do:   “Thuaj: O Allah, Sundues i çdo sendi, Ti ia jep pushtetin atij që do, Ti ia heq prej dore pushtetin atij që do, e lartëson atë që do dhe e përul atë që do...” (Ali-Imran, 26)
Ajo në çka Kurani insiston veçanërisht është obligimi për të vendosur në pozitë dikë që meriton t'i besohet, ku drejtësia është kriteri më i rëndësishëm: Kurani thotë: “Allahu ju urdhëron që t'u jepni amanetin të zotëve të tyre dhe kur të gjykoni, ju urdhëron të gjykoni me të drejt mes njerëzve. Sa e mirë është kjo që ju këshillon. Allahu dëgjon dhe sheh si veproni...” (En-Nisa’, 58) Një nga parimet e përgjithshme që kanë të bëjnë me pushtetin është të jesh besnik ndaj sundimtarit të zgjedhur: “O ju që besuat, bindjuni Allahut, respektoni të dërguarin dhe përgjegjësit nga ju.” (En-Nisa', 59) 
Pushteti është përgjegjësi, me ç' rast secili është përgjegjës në fushën e vet. Në këtë kuptim, Muhamedi s.a.v.s, në një hadith të gjatë, duke numëruar fushat dhe nivelet e ndryshme të përgjegjësisë, thotë: “Ju jeni të gjithë ruajtës (barinj) dhe të gjithë jeni përgjegjës për ata që ruani... Ai që është emir (komandant, në disa versione imami, udhëheqësi, prijësi) mbi popullin është ruajtës dhe është përgjegjës për ata që ai ruan (kujdeset për ta)...” (Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu). Prandaj, pejgamberi i këshillon disa nga sahabët e tij, për të cilët vlerësoi se ata nuk janë në lartësinë e funksionit të caktuar për ndonjë ndonjë arsye, për të mos e kërkojnë dhe dëshirojnë atë funksion.
Gjithashtu, siç thotë Zoti i Plotfuqishëm në Librin e Tij Fisnik – Kuran, njeriu nuk e di se çfarë është e mirë dhe e dobishme për të dhe çfarë nuk është. Prandaj, njeriu duhet t'i lutet Allahut xh.sh., që t'i japë atij vetëm atë që është e mirë në jetën e tij dhe e dobishme për të dhe njëkohësisht e dobishme për të gjithë shoqërinë. Njeriu nuk duhet të jetë egoist dhe të shikojë vetëm interesat e veta personale, duke harruar kështu interesat dhe dobitë e përgjithshme të komunitetit, dhe të mos premtojë vetëm por ta mbajë premtimin e tij.
Njeriu, me shpresën se dëshira e tij do të plotësohet dhe duke parë vetëm interesat e veta, bëhet armiku i atij që e kishte mik, shok, vëlla, kushëri, dhe duke u bërë kështu edhe armik i vetvetes.
Pas kalimit në Amshim të Pejgamberit s.a.v.s., dhe pas bashkimit me të në shoqërinë e tij të një pjese të mirë të sahabëve të tij besnikë, gjatë kohës së një haxhi, hanxhinjtë mes të cilëve ishin ende gjallë disa sahabë të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., dhe shumë tabi'in më të vjetër, bënë tavaf rreth Qabesë dhe mbushën gjithë hapësirën me aromën e fjalëve të kelimei-shehadetit.
Aty, pranë anës së saj jemenase të Qabës, katër të rinj ishin ulur së bashku, tre vëllezër: Abdullah b. Zubejri, Mus'ab b. Zubejri dhe Urve b. Zubejri,  të cilëve iu bashkua edhe shoku i tyre Abdulmelik b. Mervani.
Ndërsa katër të rinjtë e virtytshëm po bisedonin qetësisht mes tyre, njëri prej tyre tha: “Si thoni që secilin prej nesh të dëshiron nga një dëshirë të vetme e që ajo t'u plotësohet!”
Abdullah b. Zubejri tha: Dëshira ime është që një ditë të bëhem sundimtari i Hixhazit. 
Vëllai i tij Mus'abi tha: Unë do të doja të bëhesha një ditë sundimtari i Irakut.
E unë nuk do të isha i kënaqur vetëm me këtë, tha Abdulmelik b. Mervani, do të doja të isha sundimtari i gjithë botës dhe se një ditë, pas Muavijut b. Ebu Sufjanit, të trashëgojë kalifatin.
Urve b. Zubejri heshti për dëshirën e tij më të madhe, prandaj e pyetën: "Çfarë do të doje të ishe një ditë?"
Ai tha: “Allahu ju bekoftë dhe plotësoftë dëshirat tuaja të dynjasë! Për sa më përket mua, nuk do të doja asnjë nga ato që dëshironit, por do të doja që një ditë të bëhesha një dijetar i madh që do t'i zbatojë njohuritë e veta në veprim dhe do t'u tregoja të tjerëve për Librin e Zotit të tyre, dhe Synetin e Pejgamberit të tyre s.a.v.s., si dhe rregullat e fesë së tyre, në mënyrë që të fitoj kënaqësinë e Allahut në botën tjetër dhe të fitoj Xhenetin.
Kështu që kohët kaluan, pas vdekjes së Jezid b. Muavijut, Abdullah b. Zubejri me të vërtetë e jetësoi dëshirën e tij për t'u bërë kalife dhe betimin në besnikëri i dhanë myslimanët në të gjithë Hixhazin. 
Dëshira iu plotësua edhe vëllait të tij Mus'abit, të cilin Abdullah b. Zubejri e emëroi si guvernator të tij në Irak.
Pasi sunduan dhe vdiqën Muaviju b. Ebu Sufjani, djali i tij Jezidi dhe Mervan b. Hakemi, kalifatin donte ta merrte Abdulmelik b. Mervani, dhe u bëri thirrje myslimanëve të betoheshin për besnikëri ndaj tij, kështu që banorët e Shamit ranë dakord për këtë, dhe banorët e Hixhazit dhe Irakut refuzuan.
Abdulmelik b. Mervani, megjithatë, pas vdekjes së vëllezërve Abdullah b. Zubejrit dhe Mus'ab b. Zubejrit, të cilët u ekzekutuan nga ushtarët e tij, u bë kalifi më i fuqishëm në botë.
Por çfarë ndodhi me Urve b. Zubejrin?
Për të realizuar dëshirën e tij, afër Qabesë, Urve, që në moshë të vogël, iu përkushtua kërkimit të dijes dhe filloi të shoqërohej me sahabët e mbijetuar të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., të cilëve u shkonte nëpër shtëpitë e tyre në këmbët e tij, u falë pas tyre dhe ndoqi rrathët e tyre të diturisë. Ai u shoqërua dhe mësoi nga Ali b. Ebu Talibi, Abdurrahman b. Avfi, Zejd b. Thabiti, Ebu Ejjub el-Ensariu, Usame b. Zejdi, Se'id b. Zejdi, Ebu Hurejra, Abdullah b. Abbasi, Nu'man b. Beshiri dhe shumë nga sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata.
Ai gjithashtu mësoi shumë nga Aishja, nëna e besimtarëve, kështu që shumë shpejt u bë një nga shtatë dijetarët më të famshëm të së drejtës islame në Medinë, në dijeninë e të cilëve të gjithë myslimanët mbanin dhe kërkuan mendimin e tyre në shkencat fetare. Sundimtarët e drejtë iu drejtuan atij për këshilla, për shkak të asaj që u kishte dhënë Allahu në amanet dhe besim.
Kur kalifi Omer b. Abdulazizi erdhi në Medinë, njerëzit dolën në masë të madhe për ta mirëpritur dhe për t'i dëshiruar mirëseardhjen. Gjëja e parë që bëri, pasi e fali namazin, ishte që të ftonte dhjetë nga njerëzit më të ditur në ligjin islam, të udhëhequr nga Urve b. Zubejri. Kur erdhën dhjetë dijetarë, Omer b. Abdulazizi i priti sa më mirë që të mundej dhe falënderoi Allahun e Lartësuar, e pastaj u tha: 
“Ju kam thirrur, Allahu ju shpërbleftë, për të më ndihmuar në realizimin e së vërtetës dhe drejtësisë, sepse unë nuk do të vendos asgjë vetë, para se të konsultohem me ju. Nëse vëreni se dikush po i bën padrejtësi tjetrit, sidomos nëse vëreni se një nga shërbëtorët e mi po vepron padrejtësisht, unë ju përgjërohem në Allahun që të më informoni menjëherë.”
Urve b. Zubejri, para dhjetë dijetarëve më të njohur të kohës, kalifit të drejtë - Omer b. Abdulazizit i dëshiroi sukses në pozitën e tij të re dhe e luti Allahun që t'i japë atij drejtësi, arsye dhe urtësi!!!


Artikulli i kaluar
Liria e besimit
Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme