Ka lindur më 1 janar 1976 në fshatin Morinë të Gjakovës, nga babai Imeri dhe nëna Hanumshahi.
Shkollën follore “Ganimete Tërbeshi” e ka mbaruar në Morinë kurse në shkollën e mesme – medresenë “Alauddin” të Prishtinës ishte regjistruar në vitin shkollor 1990/91. Vitin e parë ne medrese e pati kryer me sukses të shkëlqyeshëm, kurse pak para se të përfundonte vitin e dytë, më saktësisht më 10 qershor 1992, derisa ishte duke shkuar nga shtëpia në medrese, qe ndaluar nga gjashtë paramilitarë (çetnik) serb, të cilët e patën rrahur e torturuar për disa orë. E kishin lëshuar me plagë të rënda në trip e të dëmtuar dhe, me një thirrje që i kishin dhënë e kishin detyruar të paraqitej në polici. Nga ky presion Muhamet efendiu u detyrua të ndërpreste shkollimin e më tutjeshëm, kurse pas shërimit disa javësh, në mënyrë që mos të binte edhe njëherë në duar të policisë serbe, vendosi të largohej edhe nga Kosova.
Nga kurbeti qe kthyer në vendlindje më 1994. Në fund të vitit 1997 iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe së bashku me shumë bashkëluftëtarë të Morinës, u inkuadrua në Shtabin e Morinës me detyrë shenjëtar mitralozi.
Muhameti ka marrë pjesë në aksione për furnizimin me armë për UÇK-në nga Shqipëria. Ai ka marra pjesë aktive në luftimet e zhvilluara midis Shtabit të Morinës dhe njësive ushtarake serbe, më 27 prill, më 3, 6 dhe 29 maj 1998, duke shfaqur trimëri e guxim të pashoq në luftë me forcat serbe. Më 13 qershor 1998 në Lagjën e Pshtme të Morinës, njësiti diversant, i udhëhequr nga Muhamet Ukshini, ra në një pritë të forcave serbe dhe Muhameti pikërisht aty ra dëshmorë i Lirisë.
Trupin e tij, forcat serbe e morën dhe e varrosën në Gjakovë, me synim për t’i humbur gjurmë. Megjithkëtë, pas përfundimit të luftës trupi i tij është gjetur dhe është varrosur së bashku me dëshmorët tjerë të Morinës më 28.08.1999.
Bahkëluftëtarë të Muhametit kanë qenë Ajet dhe Smajl Ukshini (vëllezërit e Muhametit), Arben, Blerim, Xhafer, Avni dhe Sami Ukshini (kushërinjë të afërt të Muhamet efendiut), Sylejman Abdyli si dhe Can dhe Bekim Demiri. Komandant i tij ka qenë Sami Ukshini në Njësitin për Ndërhyrje të Shpejta, nën komandën e Sadri Avdylit. Muhametit i janë dhënë post mortum mirënjohje të ndryshme nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK -së (2003) etj.