Në vendin tonë ekziston një zakon shumë i bukur: pastrimi dhe rregullimi i shtëpive para Ramazanit, në shenjë gëzimi dhe mirëseardhjeje për këtë muaj të bekuar. Dhe ndërsa kjo formë e jashtme po merr gjithnjë e më shumë rëndësi, pastrimi i zemrës dhe përgatitja e shpirtit dhe trupit për Ramazan shpesh mungon, deri ditën e parë të muajit, kur shumica besojnë se ndryshimet mund të ndodhin pikërisht atëherë. Përgatitjet duhet të fillojnë shumë më herët, në mënyrë që të kenë ndikim sa më të madh në natyrën e çdo individi dhe ta ndihmojnë atë të heqë dorë nga çdo gjë e padobishme jo vetëm gjatë, por edhe pas Ramazanit.
Prandaj, ju rekomandojmë të merrni një letër dhe stilolaps dhe të përgatisni një listë të ndryshimeve që do të filloni t'i bëni tani, menjëherë, pa vonesë.
- Nëse jemi nga ata që nuk e falin namazin rregullisht, gjëja e parë që duhet të bëjmë është falja e rregullt e namazit. Mund të fillojmë me detyrimet e çdo namazi, me një lutje drejtuar Allahut të Madhëruar që të na lehtësojë dhe të na ndihmojë të durojmë.
- Nëse jemi prej atyre që falin të gjitha namazet farz, duhet të fillojmë me faljen e namazeve sunet dhe të sigurohemi që t'i falim në kohën e parë.
- Ramazani është muaji i Kuranit. Nëse jemi ndër ata që nuk dimë të lexojmë Kuran në gjuhën arabe, duhet të përdorim – ta shfrytëzojmë kohën para dhe gjatë Ramazanit për të mësuar alfabetin arab.
- Nëse tashmë kemi mësuar të lexojmë Kur’anin, atëherë duhet të punojmë në përmirësimin e tedxhvidit dhe krijimin e një rutine të përditshme të leximit: 1, 2, 3 ose më shumë faqe.
- Memorizimi i Kuranit është Sunet dhe praktikë e sahabëve. Të fillosh të mësosh përmendësh një sure të re ose një xhuz para Ramazanit është një mundësi ideale.
- Dhikri dhe istigfari (pendimi) duhet të fillojnë që tani, në mënyrë që shpirtrat tanë të pastrohen nga mëkatet dhe të presin muajin e bekuar me zemra të pastra.
- Kujdesi për të afërmit, miqtë dhe fqinjët gjithashtu duhet të fillojë që tani:
a ka ndonjë që nuk do të mund të përgatitet denjësisht për muajin e agjërimit?
- A ka ndonjë që nuk ka mundësi të sigurojë iftarin?
- A ka të sëmurë që kanë nevojë për ndihmën tonë për t'u përgatitur për Ramazan ashtu siç janë mësuar kur ishin të shëndetshëm?
- Kërkimi i hallallit nga ai që i kemi bërë padrejtësi dhe, nëse është e mundur, kompensimi i dëmit. Le të imagjinojmë të agjërojmë tërë muajin Ramazan me adhurim, por mëkatet tona të mos na falen dhe Zoti të mos na mëshirojë për shkak të dikujt që gjatë tërë Ramazanit është ankuar tek Ai për ne!
- Të ndalojmë së foluri keq për të tjerët. Përgojimi është i ndaluar edhe jashtë Ramazanit, por sa e shëmtuar është të përmbahesh nga ushqimi dhe pija, por të "hash mishin" e vëllait ose motrës tënde!
- Të heqim dorë plotësisht nga fjalët e këqija, sharjet dhe çdo bisedë të padobishme para Ramazanit. Besimtari duhet ta zëvendësojë këtë lloj të të folurit me adhurim dhe kërkim faljeje nga Zoti.
- Pirja e duhanit. Shumë duhanpirës fillojnë të heqin dorë nga cigaret në Ramazan, dhe pastaj, gjatë tërë muajit të agjërimit, bëhen nervozë dhe të pakënaqur, duke u marrë me gjëra të kota për të "përballuar" krizën.
Kjo është një kurth i shejtanit. Konsumimi i duhanit duhet të zvogëlohet para Ramazanit, të ndryshohet koha e përdorimit dhe trupi të mësohet gradualisht me një rutinë të re.
- Ashtu si me duhanin, shumë njerëz nuk mund t’i rezistojnë rutinës së tyre të pirjes së kafesë dhe presin ditën e parë të agjërimit për ta ndryshuar këtë. Zakonisht, ata përfundojnë me dhimbje të mëdha koke, dhe disa madje e vënë në rrezik agjërimin. Koha e konsumimit të kafesë duhet të përshtatet me syfyrin dhe iftarin të paktën një javë para Ramazanit.
- Edhe ushqimi duhet t’i përshtatet agjërimit dhe trupi të përgatitet për të.
- Nëse kemi detyra që mund t'i përfundojmë para Ramazanit, nuk duhet t'i lëmë për gjatë Ramazanit. Ky është muaji i agjërimit, muaji i Kur’anit, muaji i adhurimit dhe i bamirësisë.
- Mos të harrojmë se veprat e mira marrin një bukuri të veçantë në Ramazan. Të krijojmë një listë me vepra të mira për të gëzuar familjen tonë, të afërmit dhe të largëtit, por edhe ata në nevojë në lagjen dhe komunitetin tonë.
- Ndoshta disa vendime të mira, si vendosja e hixhabit ose lënia e ndonjë mëkati, janë duke pritur prej kohësh. Ramazani është mundësia ideale për to.
- O Zot, na e lehtëso dhe na bëj të dashur kryerjen e veprave të mira, dhe na ruaj nga pakujdesia dhe mëkatet. Na pastro dhe bëj që ta presim këtë Ramazan në kënaqësinë Tënde, ta kalojmë dhe ta përcjellim në kënaqësinë Tënde. Amin!
Nga boshnjakishtja: Esat Rexha