“Ne nuk të dërguam ty ndryshe përveçse për të gjithë njerëzit, myzhdedhënës dhe tërheqës i vëmendjes”. (Sebe, 28)
Shpella “Garu Hira” ishte vendtakimi i botës lëndore me atë shpirtërore. Shpallja që erdhi, i zbuloi hapat e parë të ndryshimit të botës duke njoftuar për ardhjen e mesazhit përmbyllës. Çelësi i këtij ndryshimi ishte lidhja e njohurisë me vlera përmes rrugës së leximit në emër të Zotit e jo në emër të çfarëdo gjëje tjetër: (Shih: El Alek, 1-5). Pra, burimi i njohurisë është Zoti, qëllimi i saj është njohja e Zotit dhe nuk ka hair-të mira në një dituri apo njohuri që nuk të shpie tek Zoti.
Mund të themi se vetëdijësimi apo udhëzimi i njerëzve në këtë praktikë gjithëpërfshirëse, ishte bërthama dhe qëllimi i të gjitha shpalljeve hyjnore. Duke u nisur nga kjo, themi se qëllimi i arritjes së njohurisë në sistemin islam, duke përfshirë këtu edhe njohurinë mbi dispozitat e Sheriatit, nuk ka qenë qëllim i vetvetes (d.m.th. vetëm për të arritur njohuri - v.j.), por ajo ishte një nga mjetet për të arritur në formimin e sistemit të vlerave, që nuk ndahet e nuk shkëputet prej saj, dhe nëse në mes tyre ndodh ndarje a shkëputje, atëherë njohuria do të shkaktonte pasoja shumë të këqija ndaj njeriut, sepse njeriu do të mbështetej në veten e tij e në eksperiencën e tij dhe kjo shkakton humbjen e të dy botëve. Përmes një leximi të ngadalshëm dhe të matur, në shembujt e dhënë në Kur’an dhe Synet (Tradita e Pejgamberit a.s. - v.j.) na shfaqet shumë qartë thelbi i këtij sistemi gjithëpërfshirës, për të cilin ka nevojë aktualiteti ynë sot, me qëllim të rindërtimit të sistemit të tij qytetërues, në të cilin vlera është shkëputur nga njohuria dhe, si rezultat i kësaj, ka shkaktuar pasoja shumë të këqija ndaj njerëzimit. Allahu xh.sh. shumë herë, përmes disa shembujve, na ka rikujtuar se ku shfaqen bashkimi dhe ndarja mes njohurisë e vlerave, dhe çfarë ka ndodhur më pastaj si rezultat i tij. Karuni u mashtrua nga dituria dhe pasuria e tij, që e kishte aq shumë, saqë një grup i fuqishëm njerëzish mezi bartnin çelësat e pasurisë së tij, - kur tha: (Shih:El Kasas, 81).
Ndërsa në anën tjetër, Allahu xh.sh. i kishte dhënë bereqet diturisë, zanatit dhe eksperiencës së Dhulkarnejnit atëherë kur ai bëri lidhjen në mes eksperiencës dhe mbështetjes në Zotin gjatë ndërtimit të digës së Jexhuxhëve e Maxhuxhëve. Allahu xh.sh. thotë: “E ata as nuk arritën ta kapërcenin e as ta shponin atë” (Kehf, 97).
Gjithashtu Allahu xh.sh. pranoi kurbanin e birit të Ademit a.s., i cili tha: “Allahu pranon vetëm prej të sinqertëve” (El Maide,27), dhe nuk e pranoi nga tjetri, i cili u bazua në eksperiencën e tij, e cila nuk e ndaloi atë që të reagonte ashpër ndaj vëllait të tij, kur tha: “Ai (që nuk iu pranua) tha: Unë do të të mbys ty”. (El Maide, 27). Kjo është gjendja e dijes kur ndahet nga sistemi i vlerave, dija e tillë nuk e ndalon pronarin e saj nga tirania dhe zullumi... dëshmitë apo argumentet për këtë gjendje në kohën tonë janë mjaft shumë dhe ato tregojnë shëmtinë e dijes kur të shkëputet nga vlerat. Nëse vështrojmë aplikimet praktike të traditës profetike të këtij sistemi të plotë, vërejmë se Pejgamberi a.s. ua mësoi njerëzve namazin duke u thënë: (Faluni ashtu siç më shihni mua duke u falur) (Transmeton Buhariu), mirëpo ai, në të njëjtën kohë, ua sqaroi atyre se namazi që nuk e ndalon dhe nuk e largon njeriun nga amoraliteti dhe veprat e liga, nuk prodhon asgjë përveçse largim nga Zoti... gjithashtu Pejgamberi a.s. i urdhëroi njerëzit që të jepnin zekat duke u sqaruar masën, shumën e mënyrën e shpërndarjes së tij dhe, krejt në fund, u lexonte ajetin kuranor (Shih:Et Tevbe,103)... Gjithashtu Pejgamberi a.s. u mësoi shokëve të vet agjërimin e rregullat e tij dhe në fund iu drejtua atyre duke u thënë: (Ai që nuk e braktis fjalën dhe veprimin e lig (gjatë agjërimit - v.j.) Zoti nuk ka nevojë që ai të braktisë ujin dhe ushqimin) (Buhariu)..., atëherë çfarë dobie ka njohja e dispozitave të namazit, zekatit dhe agjërimit, nëse ato nuk e ndalojnë njeriun nga veprimet e liga dhe vazhdimin e tyre?!
Qëllim i sqarimit dhe përqendrimit tonë në këtë tipar të praktikës së Pejgamberit a.s. në edukim mbi vlerat islame, janë dy çështje: e para, paralajmërimi a njoftimi paraprak i edukatorit se qëllimi i të mësuarit-edukimit nuk përfundon vetëm me bartjen e njohurisë, po qëllimi është që njeriu të depërtojë në përcaktimet dhe synimet e saj me qëllim të investimit të tyre në ndërtimin e një sistemi vlerash te nxënësi. Dhe, e dyta, korrigjimi i qëllimit të nxënësit dhe lirimi (çlirimi) i përcaktimit të tij për kërkim të diturisë, e synimi final duhet të jetë njohja e Zotit.
Sqarim i veçorive të vlerave islame:
S’ka dyshim se sqarimi i veçorive të vlerave islame është hyrja kryesore për të bashkëvepruar me to, si në aspektin e të kuptuarit ashtu edhe në aspektin e zbritjes (shpalljes) së tyre, gjithashtu shfaqja e këtyre veçorive është hyrje për sqarimin e veçantive nga të cilat dallohen vlerat që gjejnë mbështetje në referencat islame atëherë kur të krahasohen me vlera të tjera, të cilat mbështetjen e kanë diku tjetër. Gjithashtu ato ia mundësojnë edukatorit njohjen e rrugëve më të suksesshme që çojnë në ndërtimin e sistemit të vlerave qytetëruese islame tek të rinjtë. Ai që vështron librin e Zotit (Kur’anin) dhe traditën e Pejgamberit a.s. me një vëmendje sistematike dhe analitike, vëren sinjale të qarta, të cilat, nëse i sistemon, arrin rezultatet dhe veçoritë e mëposhtme:
a. Vlerat janë intuitë hyjnore: Allahu xh.sh. krijoi Ademin a.s. dhe më pas fryu në të shpirtin, së bashku me shpirtin që ia dhuroi Zoti, në strukturën e njeriut u rrënjosen edhe vlerat; prandaj dashuria ndaj të mirës dhe urrejtja ndaj së keqes janë pjesë përbërëse të shpirtit që i dhuroi Zoti. Allahu xh.sh. thotë (Esh Shems,7-8). Gjithashtu ka thënë:“Mandej, Ai e formësoi atë (në barkun e nënës) dhe nga ana e Vet atij i jep shpirt” (Sexhde:9). Këtë e ka sqaruar gjithashtu edhe Pejgamberi a.s. në hadithin e tij: (Fëmija lind me intuitë (natyrshmëri - v.j.) të pastër (në fenë Islame - v.j.), mirëpo prindërit e tij e orientojnë nga jahudizmi ose nga krishterimi ose nga zjarrputizmi).
Ai që vështron Emrat e bukur të Allahut dhe atributet e Tij, vëren se prej tyre janë: ‘i Drejti, Mirëbërësi, Mëshirëploti, Mëkatfalësi, Mirënjohësi, i Buti, Paqedhënësi, Siguruesi...’ dhe atribute e emra të tjerë, me të cilët Allahu xh.sh. e ka vulosur intuitën e njeriut atëherë kur e krijoi nga balta, e më pastaj fryu në të nga shpirti i drejtësisë, paqes, mëshirës, faljes, butësisë, mirënjohjes dhe shumë vlerash e cilësish të bukura, e më pastaj ia mësoi emrat e gjësendeve dhe e dalloi me mendje-logjikë, gjithashtu i dërgoi atij pejgamberë njërin pas tjetrit në kohë dhe vende të ndryshme, me qëllim të rikujtimit të tij. Allahu xh.sh. thotë: (Shih:Err Rrum, 30). Edukatori duhet të kthehet te Kur’ani dhe praktika e Pejgamberit a.s. në mënyrë që të ndërtojë dhe të ngulitë vlerat në shpirtrat e njerëzve duke u bazuar në devotshmërinë dhe kënaqësinë e Allahut xh.sh., të kundërshtojë çdo fjalë që nuk ka bazë të mirëfilltë, edhe nëse ndikimi i saj është i madh në zemrat e njerëzve, sepse ajo tretet shumë shpejt, e baza e vlerave është qëndrueshmëria dhe stabiliteti. Njeriu nuk është një faqe e bardhë në të cilën nuk ka as këshilla e as udhëzime, gjithashtu ai nuk është një faqe e zezë e mbushur me mëkate, siç është e njohur në teorinë krishtere, po është i lindur në natyrshmërinë islame dhe me vlerat e tij, mirëpo, kur ka zbritur në tokë dhe është përzier me ambientin, ndonjëherë u afrua e ndonjëherë u largua nga këto vlera, në varësi nga ndikimet. Prandaj Allahu xh.sh., në librin e Tij dhe në traditën e Pejgamberit të Tij, përshkroi disa metoda dhe rrugë për të arritur në pastërtinë nga ndyrësirat dhe për t’iu afruar vlerave burimore hyjnore në intuitën e njeriut.
b. Vlera pragmatike: edhe pse vlerat islame kanë burim hyjnor, megjithëkëtë zbritja e tyre në aktualitetin tonë, bazuar në udhëzimet e shpalljes, atyre u ka dhënë formë pragmatike dhe relative-proporcionale, dhe e ka larguar atë nga përsosmëria absolute, e cila konsiderohet si diçka e kërkuar, që mund të realizohet me përqindje të ndryshueshme. Qëllimi i kësaj karakteristike është që feja islame ta largojë njeriun nga pesimizmi i mosrealizimit të vlerave në një shoqëri në mënyrën e përsosur të kërkuar, dhe nxitja e tij për të vepruar me qëllim të ngulitjes së vlerave në shpirtrat dhe zemrat e njerëzve sipas energjisë dhe përpjekjes, e më pastaj çështjen t’ia lërë Zotit dhe t’I nënshtrohet Atij me lutje e dua, për t’i ndihmuar në realizimin e qëllimit dhe dëshirës së tij.Prandaj vlerat islame me këto tipare nuk janë thjesht vlera teorike e ideale, po janë përmbledhje e një legjislativi, i cili ka zbritur në varësi të rrethanave e ndodhive, dhe i cili u është përgjigjur problemeve dhe çështjeve të njerëzve, e nuk është ide që kërkon të realizojë një kulturë të virtytshme, në të cilën nuk ekziston e keqja, prandaj ato janë pragmatike në objektivat dhe qëllimet e saj dhe baza e tyre është thënia e Zotit në Kur’an: “e unë u nguta tek Ti, o Zoti im, që të jesh i kënaqur ndaj meje” (Taha, 84). Ngutja këtu nënkupton ngritjen në shkallët e kënaqësisë ndaj Zotit, në varësi nga energjia dhe mundësia: “Allahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij”. (El Bekare, 286).
Të marrim si shembull drejtësinë. Ajo është një vlerë islame e rrënjosur thellë, mirëpo realizimi i saj në të vërtetë është mbrojtja nga tirania-zullumi me aq sa ka mundësi, për këtë arsye Pejgamberi a.s. thoshte: (Unë jam njeri dhe ndonjëherë më vijnë palë që janë ngatërruar, ndodh që njëra palë të jetë më oratore se pala tjetër dhe unë llogaris se ai e tha të vërtetën, dhe në bazë të fjalëve të tij, gjykoj, mirëpo ta dini se, nëse ndonjërit i jap ndonjë të drejtë të myslimanit (pa të drejtë - v.j.), atëherë ajo është një copë zjarri dhe, nëse do, le ta marrë ose le ta braktisë).
Dashuria është një vlerë e madhe islame, mirëpo Pejgamberi a.s., kur shtrohej çështja e drejtësisë në mes bashkëshorteve të tij, E luste Zotin e Madhërishëm që të mos e qortonte për shkak të animit emocional, nga i cili nuk kishte mundësi të largohej. Gjithashtu ruajtja e pasurisë së jetimit është një vlerë e madhe ekonomike islame, mirëpo karshi saj ekziston një kërcënim, i cili ia tërheq vëmendjen atij që ha pasurinë e jetimit, për shkak të ekzistimit real të këtij fenomeni në shoqëri dhe i cili do të ekzistojë derisa të ekzistojë kjo botë. Kështu, në mënyrë analoge, vepro edhe me vlera të tjera islame, edhe pse ato në burim-bazë janë absolute, mirëpo, kur të praktikohen, duhet të merret në konsideratë gradualiteti për të arritur eliminimin e vlerave të këqija me ato të mirat. Pejgamberi a.s. ka thënë: (Pas çdo vepre të ligë pasoje me një vepër të mirë, dhe me njerëzit sillu me moral-sjellje të mirë.) (Tirmidhiu).
c. Vlera universale: Edhe pse Kur’ani ka zbritur në gjuhën e pastër arabe, megjithatë mesazhi i tij për vlerat, dispozitat, këshillat, premtimin dhe frikësimin - i është drejtuar mbarë botës. Për këtë arsye, ne, kur bëjmë thirrje për vlerat islame, nuk bëjmë thirrje për privatësitë-veçoritë tona si ymmet islam, sepse një gjë e tillë nuk shkakton përveçse mbyllje dhe ngufatje të këtyre vlerave për të mos u përhapur në universin e gjerë universal dhe për të mos qenë në harmoni me mesazhin universal që bart për të gjithë njerëzit (mesazhin hyjnor). Allahu xh.sh. thotë: “Ne nuk të dërguam ty ndryshe përveçse për të gjithë njerëzit, myzhdedhënës dhe tërheqës i vëmendjes”. (Sebe, 28) Gjithashtu thotë: “E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat”. (El Enbija, 107).
Emëruesi i përbashkët i njerëzve të mençur është respektimi i vlerave të mirëfillta pa marrë parasysh ndryshimet e burimeve të tyre... drejtësia është e mirë e tirania-zullumi është i keq, gënjeshtra dhe e vërteta janë dy gjëra të kundërta që nuk bashkohen, koprracia dhe tahmaqarllëku janë të urryera, ndërsa zemërgjerësia dhe gjymertllëku janë të kërkuara.
Këto vlera dhe të kundërtat e tyre janë vlera universale, ato janë burim i intuitës me të cilën ka ardhur Islami universal; vlerat islame nga të cilat përbëheshin mesazhet e pejgamberëve dhe të dërguarve të Zotit në tërësi dhe që i vulosi Muhamedi a.s., nuk janë ekskluzivisht vetëm për myslimanët, ato janë të hapura për të gjitha kombet dhe popujt që mund të përfitojnë prej tyre dhe t’i rregullojnë sjelljet dhe orientimet e tyre, dhe kështu këto vlera universale të jenë hyrje në Islam për shumë kombe, popuj dhe individë.
Muhamedi a.s. i pranoi këto vlera universale dhe erdhi që t’i plotësonte ato. Plotësimi i tyre nënkupton se feja islame ka miratuar vlera njerëzore, të cilat ekzistonin në bazë të intuitës dhe natyrshmërisë tek disa njerëz, pa marrë parasysh origjinën dhe përkatësinë e tyre, kjo ka qenë si hyrje për t’ua tërhequr vëmendjen e tyre ndaj vlerave islame, në mënyrë që t’i pranonin në tërësi dhe kështu të plotësonin mirësinë e Zotit ndaj tyre: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe”. (El Maide,3).
d. Vlera të përshtatshme dhe të përshtatura: Kur e lexojmë thënien e Abdullah ibn Mesudit r.a.: (Nëse ti u tregon njerëzve një çështje të cilën mendjet-intelekti i tyre nuk arrin ta kuptojë, kjo çështje tek disa do të shkaktojë përçarje-fitne), vërejmë se porosia-ftesa islame, që bën thirrje për praktikimin e vlerave islame, nuk është e një forme; porosia-ftesa përfshin përmbajtjen dhe mjetin... dhe nga kjo kuptojmë se çdo kohë dhe çdo gjeneratë e ka formën e porosisë-ftesës, dhe mjetet që të dërgojnë tek ato vlera, evoluojnë dhe ndryshojnë. Për këtë arsye vlerat islame nuk kanë qenë të kufizuara për vende dhe kohë, po janë vlera që mund të shpërndahen dhe të përhapen përmes të gjitha rrugëve dhe mjeteve të dobishme e të ligjshme, të cilat përshtaten me to, dhe nuk ndikohen në esencë. Për këtë arsye përqendrimi i Kur’anit ishte shumë i madh për rëndësinë e ekzistimit të vlerës në shoqëri, pa caktuar ndonjë mjet të veçantë për të. Drejtësia realizohet në një shoqëri me mjete dhe forma të ndryshme, mund të realizohet në forma të ndryshme të jetës së përgjithshme, brenda familjes, në treg, në institucione dhe në organizata e vende të tjera përmes formave dhe mjeteve të ndryshme, baza e kësaj është ajeti kuranor, në të cilin Allahu xh.sh. thotë: “Kur të flitni, duhet të jeni të drejtë, edhe nëse është çështja për të afërmit”. (El En’am,152).
Feja islame ka urdhëruar që çështja e konsultimit (Esh-Shura) të realizohet në shoqëri, mirëpo ajo nuk ka caktuar formën dhe mjetin për realizimin e tij; gjithashtu ka urdhëruar që amanetet t’u dorëzohen pronarëve të tyre pasi të jenë ruajtur, mirëpo nuk ka përcaktuar se si duhet të ruhen ato, sepse mjetet e ruajtjes janë të ndryshueshme; gjithashtu ka urdhëruar që të ketë solidaritet në shoqëri, po rrugët dhe mjetet e realizimit të tij i ka lënë të hapura për njerëzit; gjithashtu ka urdhëruar për shpenzimin e pasurisë për hir të Allahut në përgjithësi, me qëllim që mirësia të përfshijë të gjitha aspektet e jetës dhe të mbulojë të gjitha nevojat e njerëzve; për këtë arsye vlerat islame duhet të barten te çdo popull a gjeneratë me ato mjete që janë të përshtatshme dhe janë të pranueshme për ta, nëse dëshirojnë që ato të kenë ndikim në sjelljet, orientimin dhe formësimin e tyre.
e. Vlera të qëndrueshme dhe të vazhdueshme: Vlera nuk mund të bëhet vlerë e rrënjosur në shpirtin e njeriut përveçse nëse ajo përsëritet në sjelljet e tij dhe bëhet veti e cilësi e pandashme e tij. Nuk është e pranueshme nga njeriu që një herë të jetë i sinqertë e herën tjetër gënjeshtar, siç nuk pranohet që herë të jetë i drejtë e herë tiran-zullumqar në pozita a qëndrime të ndryshme... dhe, nisur nga kjo, mund ta kuptojmë thënien e Pejgamberit a.s.: (Burri e thotë të vërtetën dhe e kërkon atë gjithherë, derisa të shkruhet te Zoti si njeri besnik) (Tirmidhiu). Këtë epitet nuk mund ta arrijë njeriu përveçse me këmbëngulje, vazhdimësi dhe duke e bërë çështjen shprehi/adet... mund të ndodhë që një personit t’i vishet cilësia e kundërt (gënjeshtra) përmes këmbënguljes, vazhdimësisë dhe duke e bërë shprehi atë veti gjithashtu, siç është përmendur në një pjesë tjetër të hadithit të Pejgamberit a.s. (dhe një burrë i cili gënjen dhe e kërkon atë gjithherë, derisa të shkruhet te Zoti si gënjeshtar).
Bazuar në këtë, ka ardhur kritika apo gjykimi i Kur’anit për ata të cilët nuk qëndrojnë në rrugën e drejtë dhe të vërtetë, po sjelljet e tyre lëvizin në mes të vërtetës dhe të pavërtetës, në mes udhëzimit dhe humbjes: (Shih:En- Nisa,137). Kritika kuranore është gjithashtu edhe ndaj atij modeli të njeriut, i cili nuk i vazhdon veprat e mira dhe vepron shumë pak, e më pastaj pushon së vepruari mirë ose e ndërpret në tërësi: “A e ke parë atë që u zmbraps (prej fesë). Që dha pak e pastaj e ndërpreu” (Nexhm,33-34), d.m.th. u dobësua nga vazhdimi i dhënies ose e braktisi në tërësi, megjithëse mundësi kishte.
Për këtë arsye, duhet të zotërojnë mundi, këmbëngulja dhe zellshmëria, për ta obliguar veten (nefsin) që të qëndrojë lidhur me vlerat islame derisa të kalojë nga shkalla e nënshtrimit (ndaj Islamit) në atë të bindjes (imanit) dhe të mirësisë (ihsanit), në mënyrë që njeriu ta adhurojë Zotin sikurse të jetë duke e parë Atë... Këto janë frytet më të ëmbla të vlerave islame, të cilat nuk mund të realizohen as të arrihen përveçse përmes përsëritjes, vazhdimësisë dhe qëndrueshmërisë.
Urtësia dhe konkluzioni në ndërtimin e vlerave:
Vlerat janë sikur ilaçet, ilaçet nuk mund të jenë të dobishme nëse nuk ekziston personi që di t’i përdorë dhe personi që ka gatishmëri për t’i marrë ato, dy çështje të cilat e bëjnë trupin e njeriut t’i pranojë ato me një qetësi dhe besim. Ai që vëzhgon në mënyrë të qetë traditën e mjekut më të mirë, Pejgamberit a.s., e gjen veten përpara disa udhëzimeve shkencore dhe edukative, të cilat e sistematizojnë metodën e edukimit tek edukatorët, një gjë që ua mundëson atyre të arrijnë qëllimin përmes rrugëve më të mira. Këto udhëzime mund t’i kufizojmë a t’i përcaktojmë si në vijim:
• Të mbështeturit në argumentin e saktë-autentik: Nga Kur’ani famëlartë apo nga tradita e pastër e Muhamedit a.s. ose edhe nga fjalët dhe përvojat e gjeneratave të hershme pas Pejgamberit a.s., për sinqeritetin dhe diturinë e të cilëve ka dëshmuar i tërë Ymmeti.
Andaj, duke u nisur nga ky parim, edukatori duhet të bazohet në Kur’an pastaj në hadithin e vërtetë të Pejgamberit a.s., në mënyrë që t’i ndërtojë vlerat në zemrat e njerëzve në bazë të devotshmërisë dhe kënaqësisë së Zotit, dhe të kundërshtojë çdo fjalë apo vepër që nuk është e mbështetur në argumente të sakta, edhe nëse ajo ka ndikim në masë, sepse ajo zhduket shumë shpejt, ndërsa vlerat janë të qëndrueshme dhe stabile siç e thamë edhe më sipër.
• Komunikimit të mirë: Allahu xh.sh. në Kur’an thotë: (Shih:Et-Tevbe,128 dhe Ali Imran, 159).
Këto dhe ajete të tjera janë ato që flasin për veçoritë e komunikimit të Pejgamberit a.s. dhe për ato që skicojnë rrugën e tij përmes udhëzimeve hyjnore, aty gjejmë përdëllim, mëshirë, urtësi, krenari, falje, këshillim dhe shumë gjëra të tjera, të cilat janë dyer hyrëse për vazhdimin e komunikimit me njerëzit.
Pejgamberi a.s. shpeshherë përmend ndonjë tregim apo shembull, me qëllim që masa e gjerë ta kuptojë sa më lehtë, si p.sh.: (Shembulli im dhe i pejgamberëve të mëparshëm është sikur shembulli i një personi që ka ndërtuar një shtëpi...) (Buhariu), ose hadithi tjetër, ku thotë Pejgamberi a.s. (Çfarë mendoni për një njeri i cili ka një lum pranë shtëpisë së tij dhe në të lahet pesë herë në ditë, a do t’i mbeste ndonjë papastërti në trupin e tij? Të pranishmit u përgjigjën: Jo, o i Dërguari i Allahut, atëherë ai tha: “Në këtë mënyrë edhe pesë namazet e falura gjatë ditës i shlyejnë mëkatet) (Buhariu). Pejgamberi a.s. lexonte psikologjinë e pyetësit dhe gatishmërinë apo kapacitetin e tij për të mësuar dhe në këtë mënyrë edhe përgjigjen ia jepte aq sa të kishte dobi prej saj. Tregohet se njëherë një njeri kishte shkuar te Pejgamberi a.s. dhe i kishte thënë: Më këshillo, o i Dërguari i Zotit”, e Pejgamberi a.s. tha: (mos u hidhëro), pyetësi tha: edhe diçka tjetër, Pejgamberi a.s. tha: (mos u hidhëro), dhe përsëriti disa herë fjalët (mos u hidhëro). Mirëpo në një rast tjetër ne vërejmë se Pejgamberi a.s. i kishte thënë Muadhit r.a., pasi i kishte dhënë përgjigjen e pyetjes që i kishte bërë ai, duke i thënë: “O i Dërguari i Zotit, më trego për një vepër e cila do të më fusë në xhenet dhe do të më largojë nga zjarri-xhehenemi (a dëshiron të të tregoj për esencën e çështjes, shtyllën e saj dhe pikën kulmore të saj)... (a dëshiron të të tregoj për dyert e mirësive)... (a dëshiron të të tregoj për atë që i përfshin të gjitha këto). Në këtë mënyrë vazhdonte Pejgamberi a.s. duke i propozuar atij këshilla, e shkak i kësaj ishte: ajo çfarë përmendëm më lart rreth gatishmërisë dhe kapacitetit të nxënësit apo dëgjuesit për ta pranuar atë që i thuhet. Kjo, s’ka dyshim, është prej teknikave më të avancuara për komunikim dhe edukim që i njeh edhe mendimi edukativ bashkëkohor.
Pejgamberi a.s., përmes tipareve të fytyrës së tij, tregonte gjithashtu për hidhërimin apo kënaqësinë e tij, ndonjëherë ndodhte që ta ndryshonte formën e të ulurit për të treguar për rëndësinë e asaj që ishte duke treguar, siç ka ndodhur atëherë kur ishte duke treguar për mëkatet e mëdha, sikur tregon transmetuesi i hadithit, i cili thotë se Pejgamberi a.s. ndodhej shtrirë në krah dhe pastaj u ul e tha: (edhe dëshmia e rrejshme) duke e përsëritur disa herë, saqë thamë me vete sikur të pushonte më.
• Ftesës për praktikë mesatare dhe të moderuar: (Veprat më të dashura te Zoti janë ato që cilat janë të vazhdueshme edhe nëse janë të pakta) (Buhariu). Nuk ka rëndësi sasia e veprave, po cilësia dhe vazhdueshmëria e tyre..., prandaj ruajtja e mesatares në çështjen e praktikimit të dispozitave të Sheriatit është metodë për vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e vlerave, bile mund të themi se mesatarja është argument i qartë për qëndrueshmërinë e tyre. Është i njohur tregimi i tre personave që kishin shkuar në shtëpinë e Pejgamberit a.s. dhe e kishin pyetur për mënyrën e jetesës, se si e kalon Pejgamberi a.s. dhe, kur u informuan, sikur iu duk atyre pak, dhe thanë ç’thanë duke e ngarkuar veten me diçka që nuk i kishte ngarkuar Allahu xh.sh.. Kur dëgjoi Pejgamberi a.s. për veprimet e tyre, tha duke i këshilluar ata dhe duke i orientuar nga mesatarja: (Pasha Allahun, unë jam më i devotshmi nga mesi juaj dhe më së shumti ia kam dronë-frikën Zotit, mirëpo megjithatë, unë agjëroj dhe ha (d.m.th. nuk agjëroj gjithherë - v.j.), falem dhe bie të fle dhe martohem me gra, e kush largohet nga tradita ime, ai nuk është pasues imi.) (Muslimi)
Ndërtimi i një sistemi praktik për vlerësimin, kontrollimin e mbizotërimit të vlerave te njeriu
Edukatorët pajtohen se vlerësimi-kontrollimi i njohurive dhe shkathtësive të dukshme- të jashtme, është çështje e lehtë dhe e mundur, përmes përdorimit të metodave të njohura vlerësuese duke vënë në sprovë memorien, ose përmes vështrimit të sjelljes praktike. Kur t’i thuash një nxënësi: Fale namazin e sabahut me devotshmëri (hushu’ë), ti mund t’i vlerësosh njohuritë e atij nxënësi duke e dëgjuar gjatë leximit të Kur’anit. Gjithashtu mund t’i vlerësosh edhe sjelljet e tij përmes vëzhgimit të lëvizjeve të tij që nga tekbiri fillestar deri tek dhënia e selamit, mirëpo si mund të vlerësosh shkallën e devotshmërisë (hushu’s), ajo është një ndjenjë emocioni e brendshme e pa analogji. Hulumtuesit e çështjeve pedagogjike dhe ata të psikologjisë kanë hasur në vështirësi për ndërtimin e një sistemi praktik të vlerësimit të vlerave. Rreth kësaj çështje kanë bërë disa hulumtime dhe disa studime të pakta në krahasim me studimet që kanë të bëjnë me vlerësimin e njohurive dhe shkathtësive të dukshme. Dhe ajo që kanë arritur në përfundim, është se vlerësimi i vlerave bazohet në aftësinë e mësuesit lidhur me formulimin e treguesve të jashtëm, në sjelljet e nxënësit të cilat pranojnë vrojtimin e përsëritur, në mënyrë që ajo të jetë argument për pjekurinë e një vlere në brendësinë e nxënësve.
Nëse rikthehemi dhe vështrojmë jetën e Pejgamberit a.s., gjejmë se kjo teori edukative moderne në parim bazohet në hadithin e Pejgamberit a.s., ku thuhet: (Nëse vëreni një njeri i cili shkon në xhami vazhdimisht, atëherë dëshmoni për imanin-besimin e tij.) (Tirmidhiu); shkuarja në xhami është sjellje e jashtme, e cila pranon vrojtimin, ndërkaq, përsëritja e këtij veprimi është argument i qartë për vlerën e besimin në shpirtin e atij personi... Kjo sqarohet edhe më shumë nëse vështrojmë në mënyrë të qetë thëniet e Pejgamberit a.s. se: (Një njeri kishte parë një qen shumë të etur dhe, ai i dha qenit ujë me çorapen e tij derisa iu shua etja, dhe E falënderoi Zotin e Zoti (për shkak të këtij veprimi - v.j.) e futi në Xhenet.) (Buhariu). Gjithashtu: (Një grua është futur në xhehenem shkaku i një maceje, së cilës as nuk i kishte dhënë ushqim dhe as nuk e kishte lënë të hante vetë.) (Buhariu). Edhe hadithi tjetër: (Njeriu shpesh flet ndonjë fjalë me të cilën Zoti është razi (i kënaqur - v.j.), pa i kushtuar ndonjë vëmendje, mirëpo, për shkak të asaj fjale, Zoti e ngrit në gradat e Xhenetit.) (Buhariu)... Gjërat që u cekën, janë sjellje të jashtme dhe, me gjithë thjeshtësinë e tyre, tregojnë për masën e mbizotërimit të vlerave në ndërgjegjen e njeriut.
Ky sistem na bën që ne të konfirmojmë se edukatori nuk duhet të mjaftohet vetëm me përkujtimin dhe sqarimin e vlerës, nëse nuk e përcjell atë dhe nëse nuk kujdeset për zhvillimin e saj në ndërgjegjen e nxënësit-pasuesit përmes metodës së aftësisë mbi formulimin e treguesve për vlerësim, duke e përcjell përsëritjen e saj në sjelljen e nxënësit-pasuesit derisa të shndërrohet në argument të mbizotërimit të vlerës në ndërgjegjen e tij apo nevojës së saj për më shumë mund. Në dritën e kësaj konfirmohen mënyrat garantuese për të mbështetur atë që është pozitive dhe për të shëruar atë që është negative përmes metodës së ripërtëritjes.
Kjo që u tha, është një lexim vrojtues dhe zbulues i sistemit të vlerave qytetëruese në praktikën e Pejgamberit a.s.. E paraqitëm atë në kontekstin e nevojave të aktualitetit tonë bashkëkohor, në mënyrë që ajo të jetë një zgjidhje për problemet dhe brengat e kësaj kohe, dhe me qëllim të themelimit të një vizioni të ndryshëm nga ai që është i përhapur në aktualitetin tonë e që bazohet në atë që kufizohet vetëm në materializëm, që më shumë i ngjan karakterit modern sesa atij qytetërues, që duhet t’i bashkojë në mes elementeve të mirëqenies materiale dhe ngritjes në vlerat shpirtërore. Këto janë disa elemente në sistemin e edukimit të Pejgamberit a.s. mbi bazat e vlerave dhe ndërtimit të tyre në zemrat e njerëzve, të cilat konsiderohen bazë e rilindjes qytetëruese. Allahu xh.sh. thotë: (Shih: Er-Rrad,11)
Prof. Dr. Halid Es-Samedij
Përktheu dhe përshtati nga gjuha arabe, Vedat Shabani
burimi: www. hiramagazine.com/archives/title/634