Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit. Le të jetë salavati dhe selami për pejgamberin tonë të dashur, Muhamedin a.s.
Mirë se vini dhe me fat ju qoftë festa. I lutemi Allahut të Plotfuqishëm që të na mundësojë hyrjen tonë në Ramazan dhe të na udhëzojë në rrugën e së mirës.
A jeni gati për muajin Ramazan? A jeni gati edhe për një vit tjetër të dhënies dhe afrimit me Allahun e Plotfuqishëm? A jeni tashmë të vendosur në qëllimet tuaja, apo ato janë ende të dobëta dhe të paqarta në zemrat tuaja? Cili është Ramazani më i bukur që e keni kaluar në jetën tuaj? A është ky i vitit të fundit?
Në këtë artikull do të bëhet fjalë për Ramazanin dhe gjërat që ne do t’i bëjmë përgjatë tij, si dhe për shpërblimet që ne do t’i fitojmë në mënyrë që t’i eliminojmë brengat dhe frikën.
Po fillojmë me hadithin e Pejgamberit (s.a.v.s) të cilin e ka thënë në ditën e parë të muajit Ramazan dhe natën e fundit të muajit shaban. Hadithin e transmeton Selman el-Farisiu, i cili thotë: “Pejgamberi (s.a.v.s) në ditën e fundit të muajit shaban e mbajti hutben vijuese: “O ju njerëz, po ju vjen një muaj i madh dhe i bekuar, muaji në të cilin gjendet një natë më e mirë se një mijë muaj të tjerë, muaji agjërimin e të cilit Allahu e ka bërë të obligueshëm (farz), kurse namazet e natës në të vullnetare. Kush e kryen një vepër të mirë në këtë muaj, është e njëjtë me atë që ka kryer një detyrë të obligueshme (farz) jashtë këtij muaji, ndërsa kush e kryen një farz në këtë muaj është i barabartë me atë që ka kryer 70 farze në ndonjë muaj tjetër.
Ky është muaj i durimit, kurse shpërblimi për durim është Xheneti. Ramazani është muaj i bamirësisë, muaj në të cilin shtohet furnizimi i besimtarit të sinqertë. Kush e fton tjetrin në iftar do t’i falen mëkatet, do të jetë i mbrojtur nga zjarri i Xhehenemit dhe do ta ketë shpërblimin të barabartë me shpërblimin e agjëruesit të cilin e ka ftuar në iftar pa kurrfarë pakësimi të shpërblimeve të veta.” (Sahihu Ibni Huzejme, 3/191; Muhtesar, 25.)
A po shihni se kujt po i afrohemi? A po e kuptoni vlerën e asaj për të cilën po flasim? A mund ta imagjinoni këtë fillim?
Hadithi i dytë thotë: “Në Ramazan hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe prangosen shejtanët.“ Kjo me të vërtetë ka ndodhur sonte. A po e dëgjoni hapjen e dyerve të Xhenetit? A po e ndieni aromën e Xhenetit? Ky është Ramazani, andaj ju qoftë me fat. Hidhni brengat dhe vendosni t’i kalojmë këto 30 duke u përpjekur që t’i afrohemi Allahut të Plotfuqishëm.
Ibn Abbasi (r.a.) ka thënë: “Me të vërtetë Xheneti stoliset çdo vit gjatë Ramazanit dhe kur ai vjen, Xheneti thotë: O Allah, bëj që robërit e Tu në këtë muaj të jenë banorë të mi.” Sikur Xheneti mallëngjehet për stoli të reja. Tani, le të shikojmë se cilat janë shpërblimet të cilat i fitojmë në këtë muaj.
Shpërblimet e Ramazanit ndahen në 5 kategori, të cilat i kemi përcaktuar në bazë të Kuranit dhe Hadithit. Secila kategori është aq e madhe, saqë kur dëgjoni për të, mendoni se vetëm ajo është e mjaftueshme, por kur dëgjoni se çka përmban në vete kategoria tjetër, atëherë thoni: “Kjo është ajo që dua unë dhe të cilën do të përpiqem që ta meritoj.“
Shpërblimet:
1. Falja e mëkateve; 2. Shpëtimi nga Zjarri; 3. Thesari i veprave të mira; 4. Pranimi i lutjeve dhe 5. Nata e Kadrit (nata e 27-të)
Falja e mëkateve
A mund të imagjinoni që të gjitha mëkatet tuaja, të cilat i keni kryer në të kaluarën, të fshihen, pavarësisht nga pesha e tyre? Pikërisht kjo ndodh në Ramazan, në bazë të hadithit të Muhamedit (s.a.v.s), ku thotë: “Ai i cili e agjëron muajin Ramazan me besim dhe shpresë tek shpërblimi i Allahut, do t’i falen mëkatet e kaluara.”
Fjala “me besim” këtu tregon se agjërimi nuk duhet të ndodhë për adet, ose sepse të gjithë në mjedisin tuaj agjërojnë, kështu që ju nuk dëshironi të ndaheni prej tyre. Agjërimi duhet të kryhet për ta kënaqur Allahun. Nga ana tjetër, “agjërimi për të fituar shpërblim” do të thotë se ne agjërojmë me dëshirën për të fituar sevape. Prandaj, nëse duam të na falen mëkatet tona, duhet t’i respektojmë këto dy kushte.
Por dikush mund të pyesë: «Si është e mundur që ta mbaj në nivel të njëjtë sinqeritetin në qëllimet e mia gjatë 30 ditëve?” Hadithi i mëparshëm na jep udhëzim se si të përgjigjemi. Nëse jeni në gjendje të falni namazin e teravisë për 30 ditë, të përqendruar me dëshirë për të fituar sevape, dhe nuk e kryeni vetëm për adet, ju jeni në rrugë të mirë që t’ju falen mëkatet.
Dikush tjetër, përsëri, mund të thotë: “Po çka ndodh nëse unë nuk zgjohen gjatë natës, sepse nuk më ka dalë gjumi?” Pejgamberi (s.a.v.s) na tregon se ka edhe një shans të tretë për faljen e mëkateve, kur në hadith të tij thotë: “Kush e kalon Natën e Kadrit në ibadet, me besim dhe shpresë tek shpërblimi i Allahut, do t’i falen mëkatet e kaluara.”
Shpëtimi nga zjarri
Po supozojmë se këtë vit ju janë falur mëkatet, dhe nuk do ta pritni Ramazanin e ardhshëm. Mëkatet që keni kryer pas Ramazanit do të mbeten. Prandaj, në hadithin e Pejgamberit (s.a.v.s) e gjejmë mundësinë edhe për një shpërblim të madh, që është shpëtimi nga Zjarri. Ka thënë Muhamedi (s.a.v.s): “Çdo natë në Ramazan Allahu shpëton nga Zjarri disa prej robërve të Tij.“
Në të vërtetë, melekët çdo natë i shkruajnë emrat e atyre të cilëve do t’u ndahet ky shpëtim, andaj, a mos është tashmë dikush në mesin e tyre? A mos është shkruar ndoshta emri i dikujt dje? A kanë gjetur të gjithë shpëtim? Kush janë ata të zgjedhurit emrat e të cilëve janë shkruar?
Allahu shikon në zemrat e robërve të Tij dhe i zgjedh ata që janë të përkushtuar e të pastër, ata që nuk kursehen në dëshirë për ta kënaqur Allahun dhe për t’i pëlqyer Atij. Njerëzit e tillë jo domosdoshmërisht duhet të jenë shumë të arsimuar. Ndoshta ajo është një vajzë 17-vjeçare, e cila ende nuk ka arritur për të bërë shumë, ose ai është një njeri me shumë mëkate, por me qëllim të vendosur që të bëhet person më i mirë këtë vit.
A mund ta supozoni emri i kujt po regjistrohet në këtë moment? Këtë e di vetëm Allahu. Ai shikon në zemrat e besimtarëve të Tij dhe e di se cili prej tyre e meriton këtë shpërblim. Duhet ta dini se Allahu i Mëshirshëm në këtë mënyrë i fal mëkatet e kaluara dhe ju premton të zgjedhurve të Tij se ata nuk do t’i prekë Zjarri, sepse kur Ai të ju zgjedhë ju, atëherë ju nuk do të jeni më në rrezik. Vetëm imagjinoni se sa njerëz shpëtojnë çdo natë nga Zjarri në Egjipt, Marok, Arabinë Saudite, Evropë, Amerikë ...
Ndoshta ju mund të thoni: “Por unë me siguri përsëri do të bëj mëkate pas Ramazanit, atëherë si mund të më garantohet shpëtimi nga Zjarri?” Unë për këtë ju jap këtë përgjigje: “Natyrisht, se do të bëni mëkate, por falja bën që e mira juaj ta dominojë të keqen, dhe që bindja juaj ta dominojë mosbindjen, pastaj edhe mëkatet tuaja nuk do të jenë në vetvete aq të këqija siç ishin para se të faleshin.” A nuk po e shihni madhësinë e kësaj begatie?! A po shihni tani vlerën e vërtetë të asaj për çka që po flasim këtu? Zgjohuni! Këto gjëra janë me rëndësi të madhe.
Thesari i veprave të mira
Ndoshta ju mund të jeni nga ata që Allahu do t’i falë dhe do t’i shpëtojë nga Zjarri, por kjo nuk do të thotë se ju do të arrini një shkallë të lartë në Xhenet. Për ta arritur atë, ju ofrohet mundësia e tretë, fitimi i thesarit të veprave të mira: “Kush kryen një vepër të mirë në këtë muaj, është e njëjtë me atë që ka kryer një detyrë të obligueshme (farz), jashtë këtij muaji, ndërsa kush kryen një detyrë të obligueshme (farz) në këtë muaj, është i barabartë me atë që ka kryer 70 farze në ndonjë muaj tjetër.“
Provoni, me ndihmën e matematikës, të bëni një llogaritje. Për shembull, falja e namazit të drekës vlen 10 sevape, kurse me xhemat 27 herë më shumë, pra 270 sevape. Nëse të njëjtin namaz e falim me xhemat gjatë gjithë muajit Ramazan, ai do të na sjellë 70 herë më shumë sevape. Pastaj, nëse i falim të gjitha pesë namazet ditore në të njëjtën mënyrë, sevapi ynë do të jetë si vijon: 270 * 70 * 5 = 94.500, që është gati i njëjtë si shpërblimi për një namaz të falur në Qabe (100.000 sevape)! Pastaj, nëse e shumëzojmë këtë numër me 30 ditë në Ramazan?
Po sa sevape fitojmë nga leximi i Kuranit?
Çdo harf (shkronjë) vlen 10 sevape. Muhamedi (s.a.v.s) ka thënë: „Unë nuk them se elif lam mim është një harf, por elifi është harf, lami është harf dhe mimi është harf.“ Pra, vetëm leximi i kësaj sjell 30 sevape. Po leximi i bismilahit, sa sevape sjell? Bismilahi përmban 19 harfe dhe vlen 190 sevape. Shumëzoni këtë me 70.
Po nëse e lexoni një hatme? Duhet ditur se një xhuz (Kurani ka 30 xhuza) përmban rreth 7.000 harfe dhe vlen rreth 70.000 sevape. Shumëzoni me 70 dhe lehtësisht mund të llogaritet se leximi i një xhuzi në Ramazan është me vlerë rreth 4.900.000 sevape. Për këtë ju nevojiten rreth 45 minuta në ditë. Vazhdoni të shumëzoni dhe gëzohuni që keni mundësinë ta fitoni një thesar të cilin mund ta merrni pa asnjë kompensim.
Po agjërimi, sa sevape sjell?
Askush nuk e di këtë, por është e sigurt se numri është edhe më i madh se të gjitha të lartpërmendurat.
Në Hadith thuhet: “Çdo vepër e birit të Ademit (njeriut) është për të, përveç agjërimit. Ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të.” Me fjalë të tjera, për të gjitha veprimet që njerëzit i kryejnë, shpërblimi është i njohur, me përjashtim të agjërimit, ai është një surprizë që do t›ju presë në Ditën e Gjykimit. Derisa mendoni për këtë, ta dini se aroma që del nga goja e agjëruesit, tek Allahu është më e preferuar sesa aroma më e bukur.
Pse Allahu na i jep të gjitha këto? Sepse është i mëshirshëm, sepse dëshiron që ne të na shpjerë në Xhenet dhe dëshiron ta nxjerrë nga ne forcën të cilën e posedojmë. Andaj, nëse Allahu ju ofron një shans, pranojeni atë dhe thoni: “O Allah, unë jam Yti.“
Pranimi i lutjes
Për pranimin e lutjes kemi më shumë nevojë. Ka thënë Pejgamberi (s.a.v.s): “Lutja e agjëruesit nuk refuzohet.“ Kushtojini vëmendje përdorimit të fjalës: “Nuk refuzohet!“
Në përputhje me këtë, nëse i vini re ajetet e përmendura në suren el-Bekare, të cilat kanë të bëjnë me agjërimin, do të shihni se aty thuhet kështu:
„Kur robërit e Mi të pyesin për Mua, (thuaju): Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai të më lutet Mua. Prandaj le ta plotësojnë thirrjen Time (për agjërim e detyra të tjera) dhe le të më besojnë Mua (mos të shmangen nga besimi), për të qenë në rrugën e drejtë.“ (el Bekare, 186)
Pse ky ajet është përmendur pikërisht këtu? Sepse midis lutjes dhe Ramazanit ka një lidhje të fortë. Në fund të ajetit, Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Kur ai të më lutet Mua.“ Kjo do të thotë se ne duhet të agjërojmë me agjërim të sinqertë dhe duhet në të që të jemi të përkushtuar dhe seriozë, në mënyrë që Allahu ta pranojë lutjen tonë.
Çdo vit unë e kam zakon ta jap një këshillë të cilën edhe këtu do ta përsëris: zgjidhni për vete pesë lutje për ato gjëra që ju duhen më së shumti dhe përqendrohuni në to gjatë tërë muajit. Theksoni ato vazhdimisht, në çdo sexhde, në çdo orë të iftarit, sa herë që ngriheni në syfyr dhe në çdo namaz të teravisë. Thuhet se shokët e Pejgamberit (s.a.v.s) për vete zgjidhnin lutje të cilat i përsëritnin gjatë muajit Ramazan dhe kurrë nuk u vinte Ramazani tjetër pa iu plotësuar lutjet e Ramazanit të vitit paraprak.. Edhe përvoja ime personale e konfirmon këtë. Me të vërtetë, unë çdo lutje që kam bërë në këtë muaj, më është plotësuar, sepse ky është muaji kur lutjet pranohen. Paramendoni nëse ne të gjithë do t’i ngrinim duart tona së bashku dhe në të njëjtën kohë të kërkonim shpëtimin nga Zjarri, ose që umeti islam të ngrihet nga dobësia dhe të ecë përpara. Imagjinoni ardhjen e Ramazanit vijues dhe kjo të ndodhë në saje të lutjeve tona!
Dje kam marrë një telefonatë nga një grua, e cila më kërkonte t’u them njerëzve që të luten për djalin e saj, i cili po vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Ajo e di se lutja e Ramazanit mund ta shërojë fëmijën e saj.
Nata e Kadrit
Ajo është një natë me më shumë vlerë se një mijë muaj. Një mijë muaj janë 84 vjet, ose një jetëgjatësi mesatare. A po shihni çka do të thotë kjo? Nëse këtë natë ia kushtoni ibadetit, është sikur ta keni kaluar gjithë jetën tuaj vazhdimisht duke adhuruar Allahun e Plotfuqishëm.
Dy rekate në këtë natë, janë sikur të jeni falur 84 vjet. Sa sevape janë këtu?! Një lot në këtë natë është si një det me vajtime në bindje dhe frikë nga Allahu i Plotfuqishëm, një det, i cili do të vendoset në peshoren e veprave tuaja. Nëse e merrni nënën për dore në këtë natë, është sikur të kishit qenë të mirë ndaj saj për 84 vjet, kurse sadakaja që jepni atë natë, është sikur të kishit dhënë për çdo ditë gjatë asaj periudhe.
E pra, nëse ena e veprave të mira në peshoren tuaj para kësaj nate ishte e dobët, bindja e sinqertë në atë natë, do të bëjë që ajo enë ta mbipeshojë dhe mbi të do të krijohet një mal nga sevapet dhe veprat tuaja të mira. Kjo është mëshira e Zotit tonë ndaj nesh, të cilën e bën për të na shpënë në Xhenet.
Megjithatë, këto shpërblime nuk do t’i fitojnë ata që agjërojnë vetëm me stomak (me uri); sepse ekzistojnë trI lloje të agjërimit. Njëri është abstenimi nga ushqimi dhe pijet. I dyti është kur agjërojnë edhe pjesët e trupit tonë; që do të thotë se trupi ynë përmbahet nga kryerja e mëkateve gjatë gjithë muajit. Çdo ditë të Ramazanit duhet të përmbahemi nga pirja e duhanit, nga marrja e ryshfetit, nga shikimi i programeve haram, nga thashethemet, nga gënjeshtra, nga shkuarja në ndonjë vend haram apo nga fyerja dikë. Pejgamberi (s.a.v.s) ka thënë: “Kush nuk braktis dëshminë e rrejshme dhe veprimin sipas saj, ai nuk do të ketë shpërblim nga agjërimi, ngase Allahu nuk ka nevojë për askënd prej jush që ta braktisë ushqimin dhe pijen e tij (Do të thotë Allahu nuk do ta pranojë agjërimin e tij).”
Prandaj, le të jetë agjërimi juaj këtë vit i sinqertë. Agjëroni me tërë trupin tuaj, agjëroni me zemrën tuaj. Agjërimi më i mirë është kur zemra agjëron, dhe ky është lloji i tretë i agjërimit. Agjërimi vetëm me stomak nuk do t’i shpëtojë njerëzit nga Zjarri (por, vetëm Allahu e di me siguri). Megjithatë, më i miri është agjërimi i zemrës, dhe në zemrën e një agjëruesi të tillë nuk ka asgjë tjetër veç Allahut, gjatë gjithë muajit. “Unë jam vetëm Yti, o Allah!”, thonë këta agjërues.
A mund ta arrini këtë gjendje? A mund të agjëroni me zemër të gjitha 30 ditët?
Kjo do të thotë të flasësh për Allahun, të flasësh për hir të Allahut, të heshtësh për hir të Allahut. Kjo do të thotë se jeta jonë duhet të jetë rreth, me dhe për Allahun. Kjo, përsëri, nuk do të thotë që nuk do t’i kryeni detyrat e përditshme, por që e gjithë qenia juaj do t’i kushtohet kënaqësisë së Allahut.
Ejani për këtë Ramazan ta vendosim një moto. Sa herë që Pejgamberi (s.a.v.s) donte të punonte për një temë serioze, ai vendoste një moto për sahabët dhe i inkurajonte ata të mendonin dhe të punonin për atë moto. Unë do t’ju sugjeroj disa moto nga të cilat ju mund ta zgjidhni një për veten tuaj.
Shqyrtoni moton e Musait (a.s.): “(Musai) tha: “Ja, ata, shkojnë pas gjurmëve të mia e unë nxitova te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë Tënde”. (Taha, 84). Ose moton e Ibrahimit (a.s.): “(Ibrahimi) tha: “Unë po shkoj te Zoti im. Ai do të më udhëzojë.” (es-Saffat, 99). Ose moton e Pejgamberit tonë (s.a.v.s): “Unë të përgjigjem dhe të shërbej Ty o Zot. Çdo e mirë është prej Teje, kurse e keqja për Ty është e huaj!”. Ose, le të jetë motoja jonë ky ajet: “Nxitoni kah falja e mëkateve nga Zoti juaj.” (Alu Imran, 133).
Moto mund të jetë dhe kjo: “Unë do të bëhem më i afërt me Allahun.” Ejani që ne për veten tonë ta zgjedhim bashkërisht këtë moto: “Unë do t’i përgjigjem Allahut si kurrë më parë.”
Ejani ta shkruajmë këtë moto dhe le të jetë kjo moto e përbashkët për ne. Tani kur ne e dimë se çfarë shpërblime ka në Ramazan, ejani t’i planifikojmë veprimet tona në Ramazan për këtë vit. Ejani të merremi vesh për 6 gjëra. E para, të merremi vesh për një orar, të cilit do t’i përmbahemi të gjithë ne, pavarësisht nga rrethanat. Ejani t’i afrohemi Allahut si një bllok. Orari ynë do të përbëhet nga 6 kolona dhe 30 rreshta. Çdo ditë të Ramazanit, në kolonë mund ta shkruani këtë shenjë √ ose këtë x. Paramendoni sa do të jeni të lumtur kur të arrini të realizoni gjithçka që keni caktuar në orarin tuaj. Paramendoni shpërblimin tonë nëse ne të gjithë bashkohemi dhe punojmë së bashku. Çfarë shpërblimi! Nuk do të punojmë vetëm, por së bashku para Allahut, pastaj edhe Ai do të krenohet me ne në prani të melekëve të Tij.
Këto gjashtë gjëra (në orar) janë formula e Pejgamberit (s.a.v.s). Këto janë gjërat më të rëndësishme në të cilat Pejgamberi (s.a.v.s) është fokusuar në Ramazan. Këto janë:
Falja e të gjitha namazeve ditore me xhemat (pa marrë parasysh a jeni mashkull apo femër), tërë muajin;
Dhënia e sadakës për çdo ditë. Pejgamberi ynë (s.a.v.s) ishte shumë bujar, por edhe më shumë ishte në Ramazan. Ata e krahasuan atë me erën e cila nuk lë asgjë prapa, sepse ai jepte gjithçka që kishte dhe nuk linte asgjë për vete. Prandaj imitoni Pejgamberin tuaj dhe caktoni sasinë e parave që do t’i jepni në Ramazan.
Puna për përmirësimin e marrëdhënieve familjare dhe respekti i prindërve çdo ditë. Puthni dorën e prindërve tuaj, thërrisni të afërmit tuaj, ose pajtohuni me dikë me të cilin keni qenë në grindje. Bëjeni atë për hir të mëshirës së Allahut;
Bërja e lutjes për çdo ditë. Ne do të përqendrohemi në dy lutje kryesore, pastaj secili prej nesh mund ta shtojë lutjen e tij. Do të lutemi që Allahu të na shpëtojë nga Zjarri dhe që rilindja e umetit tonë të realizohet përmes nesh. Kjo është shpresa jonë; Ramazani në këtë vit mund të jetë pikë kthese në histori.
Leximi i gjithë Kuranit në namaze.
Kryerja e ndonjë vepre të mirë çdo ditë.
Ramazani është muaj i punëve të vështira. Të gjitha fitoret tona kanë ndodhur në Ramazan. Ne duhet të mësojmë nga sahabët se si ta arrijmë këtë gjendje të ekuilibrit. Ejani të gjithë t’i premtojmë vetvetes se do t’u përmbahemi këtyre gjashtë gjërave. Vetëm gratë mund të garantojnë përmbushjen e kësaj skeme! Sepse kur gruaja vendos diçka, ajo përpiqet që atë edhe ta realizojë; ajo do t’ia kujtojë edhe burrit të saj dhe të gjithëve përreth saj që edhe ata ta bëjnë një gjë të tillë. Ne nuk do të kemi sukses në këtë pa ndihmën e grave.
Unë jam shumë optimist këtë vit; po ndjej se do ta hapim një faqe të re në jetën tonë pas Ramazanit, dhe se rilindja e umetit tonë do të fillojë këtë vit në Ramazan. Ramazani mund të krahasohet me vjeshtën në tokë. Vjeshta vjen me mirësi, me shi, për t’i dhënë tokës gjithçka që i nevojitet. Bimët dhe krijesat pinë dhe rriten me mëshirën e saj. Edhe toka është shumë e urtë; e ruan këtë mëshirë përbrenda saj për ta përdorur gjatë gjithë vitit.
Në mënyrë të ngjashme, Ramazani vjen për t’i dhënë umetit fuqi shpirtërore dhe etike. Se a do ta ruajë umeti këtë fuqi për ta përdorur gjatë gjithë vitit? Kjo është shpresa jonë këtë vit. Ramazani është si batica dhe zbatica. Kur ballafaqohemi me rënien e shpresës, me përtaci dhe mjerim, Ramazani vjen dhe ne shohim një rritje të bindjes, fuqisë dhe bujarisë.
Përktheu: Miftar Ajdini
Përkthim dhe përshtatje nga libri “Në gjurmët e të Dashurit”, i autorit të mirënjohur Amër Halid.