Muaji i Ramazanit

 


Muaji i Ramazanit është muaji i nëntë i kalendarit hënor mysliman. Allahu xh.sh. e veçoi këtë muaj me disa ndodhi që nuk harrohen, dhe me disa dhunti që nuk harxhohen kurrë.


1. Në të Allahu xh.sh. zgjodhi Muhamedin a.s. për profet dhe të dërguar për mbarë njerëzinë që nga koha e tij e deri në fund të jetës së kësaj bote.
2. Në këtë muaj Allahu xh.sh. filloi zbritjen e Kuranit tek Muhamedi a.s.. Allahu xh.sh. thotë:
“Muaji i Ramazanit në të cilin (filloi të) shpallet Kurani, është udhërrfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues”. (El-Bekare, 185)
3. Në këtë muaj Allahu xh.sh. i shumëfishon shpërblimet e agjëruesve dhe ngre gradat e tyre.
Selman Farisiu r.a. tregon: “Na foli (ligjëroi) Pejgamberi a.s. në ditën e fundit të muajit të Shabanit, dhe tha:
“Po ju afrohet një muaj i madh dhe i begatshëm, muaj në të cilin është një natë, e cila ka vlerën e më shumë se një mijë muajve të tjerë. Zoti xh.sh. e ka bërë farz (obligim) agjërimin e tij, kurse faljen e natës së tij, synet. Ai që bën një punë të mirë në të, është sikur të zbatonte një farz (obligim) jashtë këtij muaji, e kush kryen një farz në këtë muaj, është sikur t’i kryejë 70 farze jashtë këtij muaji. Ramazani është muaj i durimit (sabrit), kurse shpërblimi i sabrit është Xheneti. Ai është muaj i mëshirës, muaj i barazisë, është muaj në të cilin besimtarit i shtohet rrësku. Ai që i jep iftar një agjëruesi, fiton faljen e mëkateve dhe shpëtimin nga zjarri dhe ka shpërblim sa agjëruesi, pa iu pakësuar asgjë shpërblimit të tij”.
Disa thanë: “O i Dërguar i Allahut xh.sh., çdonjëri prej nesh nuk ka mundësi të ushqejë ndonjë agjërues”. Pejgamberi a.s. tha:
“Këtë shpërblim Allahu xh.sh. do t’ia dhurojë edhe atij i cili e ushqen agjëruesin me ndonjë hurmë ose i jep ujë, apo pak qumësht. Ky është muaj, fillimi i të cilit është mëshirë, mesi i tij është falje mëkatesh dhe fundi i tij është shpëtim nga zjarri. Kush u lehtëson (punën) robërve (shërbëtorëve, punëtorëve) të tij, Allahu xh.sh. e fal atë dhe e liron prej zjarrit të Xhehnemit.
Shumëfishoni në këtë muaj katër gjëra: Me dy gjëra do të bëni të kënaqur Zotin tuaj, dhe dy gjëra (të tjera) janë të domosdoshme për ju. Dy gjërat me të cilat e bëni të kënaqur Zotin tuaj, janë: Dëshmia se nuk ka zot përveç Allahut dhe kërkimi i faljes prej Tij. Ndërsa dy gjërat e domosdoshme për ju, janë të kërkoni prej Zotit xh.sh. Xhennetin dhe mbrojtjen nga zjarri i Xhehenemit. Kush i jep të pijë ujë agjëruesit (në kohën e iftarit), Allahu xh.sh. do t’i japë ujë atij nga kroi im, me një të pirë dhe nuk do të ketë etje derisa të hyjë në Xhenet.
4. Në muajin e Ramazanit hapen dyert e Xhennetit në pritje të atyre që i përfshin mëshira e Zotit e kënaqësia e Tij dhe mbyllen dyert e Xhehenemit për ata që kanë agjëruar për hir të Allahut, sepse agjërimi për ta është mburojë dhe shpëtim nga zjarri i Xhehenemit.
Transmeton Ebu Hurejra r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Kur arrin muaji i Ramazanit, hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe ngujohen shejtanët”.
Në një transmetim të Muslimit thuhet:
“Hapen dyert e mëshirës, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe prangosen shejtanët”.
Pejgamberi a.s. sqaron se koha e muajit të Ramazanit në përgjithësi është e dobishme. Agjëruesi në të mbulohet me mëshirën e Allahut xh.sh., rrethohet me lutjet e të mirëve, dhe largimin e të këqijave dhe të mashtrimeve të filozofisë së devijuesve.
El-Ajni në “Sherh li-Buhari” ka thënë: “Mbyllen dyert e Xhehenemit”, sepse agjërimi është mburojë; mbyllen dyert e Xhehenemit me ndërprerjen e tyre nga mëkatet dhe braktisjen e të këqijave që meritojnë ndëshkimin me zjarr të Xhehnemit, dhe për shkak të numrit të vogël të njerëzve që Allahu xh.sh. i ndëshkon gjatë këtij muaji për veprat e këqija të tyre për hir të këtij muaji.
E, nëse thuhet se edhe në Ramazan bëhen të këqija e mëkate të shumta, dhe, sikur të ishin shejtanët të prangosur, nuk do të ndodhnin ato; - përgjigjja është se ky premtim është dhënë për agjëruesit që i plotësojnë kushtet dhe normat e agjërimit, dhe qëllimi është zvogëlimi i të këqijave në të. E kjo është një çështje që hetohet, ngase ato në këtë muaj ndodhin më pak.
Dhe thuhet - nuk ka nevojë për prangosjen e ngujimin e tyre në tërësi, që të mos ndodhin të këqija dhe mëkate, sepse për to ka edhe faktorë të tjerë përveç shejtanëve, që ndikojnë tek njeriu për të bërë mëkate: si epshi i shfrenuar, traditat e mbrapshta dhe shejtanët prej njerëzve.
5. Transmetohet nga Xhabiri r.a. se Pejgamberit a.s. ka thënë: “Popullit tim në muajin e Ramazanit i janë dhënë pesë gjëra, që nuk i janë dhënë asnjë pejgamberi para meje:
E para: Në natën e parë nga ky muaj, Allahu xh.sh. agjëruesit i shikon me mëshirë, e atë që e shikon Allahu xh.sh. me mëshirë, nuk e dënon kurrë.
E dyta: Era (aroma) e gojës së atyre që janë agjërueshëm, është më e mirë tek Zoti xh.sh. sesa era e parfumit (myshkut).
E treta: Melaiket kërkojnë falje për te çdo ditë e natë.
E katërta: Allahu xh.sh. e urdhëron Xhenetin duke i thënë: Përgatitu dhe zbukurohu për robërit e Mi, se është afruar koha që të pushojnë prej lodhjeve të kësaj bote, në shtëpinë dhe nderin Tim.
E pesta: E kur të arrijë nata e fundit, Allahu xh.sh. i fal të gjithë. Njëri nga të pranishmit e pyeti: A është ajo Nata e kadrit? Pejgamberi a.s. iu përgjigj: “Jo, a nuk e ke parë se punëtorëve që punojnë, kur përfundojnë punën e tyre, u jepet shpërblimi”.
Prandaj, agjërimi i Ramazanit është shtylla e katërt prej shtyllave të fesë islame. Ai është kombinuar prej veprave të zemrës dhe prej ndalesës nga ushqimet, pirjet dhe marrëdhëniet seksuale tërë ditën. Ky është një prej ibadeteve më të dalluara”.
Rëndësia e agjërimit në përgjithësi
1. Transmeton Ebu Hurejre se Muhamedi a.s. ka thënë:
“Çdo vepër e njeriut shumëfishohet në shpërblim me dhjetë fish e deri në 700 fish. Allahu xh.sh. ka thënë: Përveç agjërimit, sepse ai është i Imi, prandaj Unë vetë do të shpërblej për të. Ai heq dorë nga dëshirat dhe ushqimi i tij vetëm për hir Timin. Për agjëruesin ka dy gëzime: njëri është në iftar dhe gëzimi tjetër kur të takohet me Allahun xh.sh.. Dhe vërtet, era e gojës së atij që agjëron, është më e dashur tek Allahu xh.sh. sesa era e myshkut (parfumit)”.
2. Transmeton Ebu Hurejre se Muhamedi a.s. ka thënë:
“Agjërimi është mburojë (ruajtës) dhe mur fortifikate nga zjarri”.
3. Transmeton Othman bin Ebil-Asi r.a. se e ka dëgjuar Pejgamberin a.s. duke thënë:
“Agjërimi është mburojë prej zjarrit sikur mburoja e luftës e ndonjërit prej jush. E agjërimi më i mirë është agjërimi i tri ditëve në çdo muaj”.
4. Transmeton Ebi Umameh, Zoti qoftë i kënaqur me të, i cili ka thënë: “I thashë Pejgamberit a.s. - më udhëro të bëj ndonjë vepër. Pejgamberi a.s. tha:
“Agjëro, se agjërimi nuk ka shembull dhe as ka peshojë që të masë shpërblimin e tij. Unë prapë përsërita pyetjen, e Pejgamberi a.s. m`u përgjigj: Agjëro, sepse agjërimi me të vërtetë nuk ka shembull. E përsërita edhe një herë pyetjen, dhe prapë m`u përgjigj: Agjëro, se me të vërtetë ai nuk ka shembull.”
5. Transmetohet nga Ebi Seid El-Hudri r.a., i cili thotë se Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Kush agjëron një ditë për hir të Allahut xh.sh., Allahu xh.sh. fytyrën e tij e largon prej zjarrit të Xhehenemit 70 vjet”.
Vërejtje për atë që nuk agjëron
muajin e Ramazanit
1. Transmeton Ebu Hurejre r.a. se Muhamedi a.s. ka thënë:
“Kush prish (nuk agjëron) një ditë të muajit Ramazan pa ndonjë arsye dhe pa ndonjë sëmundje, ajo ditë nuk kompensohet edhe nëse agjëron tërë vitin”.
2. Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Lidhjet e Islamit dhe bazat e fesë, mbi të cilat është themeluar Islami, janë tri, e kush lë ndonjërën prej tyre duke e mohuar atë, ai është pabesimtar, lejohet gjaku i tij, e ato janë: Dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, namazi farz dhe agjërimi i muajit të Ramazanit”.
Ramazani në jetën e myslimanëve
1. Muaji i Ramazanit është muaj adhurimi, muaj në të cilin lexohet Kurani më tepër se në çdo muaj tjetër. Ramazani është muaj i përkujtimit dhe përmendjes së Zotit pandërprerë, dhe i zbukurimit të xhamive me xhemat.
Transmetohet se Ebu Hanifja, Shafiu etj., në muajin Ramazan bënin hatme (leximin e Kuranit në tërësi) nga 60 herë, një hatme ditën e një natën, dhe hatmen e fundit e lexonin natën e Bajramit.
2. Në Ramazan nuk shfaqen kundërshtimet as punët e këqija, pranohet leximi i Kuranit dhe namazi për hir të agjërimit të Ramazanit, edhe prej atij që nuk është falur tërë vitin; ka shumë raste që në këtë muaj mbyllin lokalet e alkoolit dhe në popull vërehen shenjat e devotshmërisë, madje femrat e zbuluara mbulohen dhe pakësohet muzika e pamoralshme dhe dëgjimi i saj.
3. Në këtë muaj vërehen shenjat e vëllazërisë, gëzimit dhe kënaqësisë në fytyrat e njerëzve në përgjithësi, pavarësisht, të pasur apo të varfër qofshin. Në këtë muaj forcohen lidhja shpirtërore, dashuria e ndihma për hir të Zotit dhe për të arritur pëlqimin e Tij.
4. Në muaj të Ramazanit shtohen vizitat dhe gazmendet në mes të afërmve e të dashamirëve dhe ndihmat për të varfrit, duke ditur se në Ramazan shumëfishohet shpër-blimi për punët e mira, siç është vizita e farefisit, futja e gëzimit në zemrat e besimtarëve islam, dhe sidomos për shkak se e dinë se atij që ushqen një agjërues, i takon shpërblimi sikurse agjëruesit pa i munguar agjëruesit asgjë nga shpërblimi i tij.
5. Gjatë këtij muaji shtohen ndihma, sadakaja dhe raste gëzimi të nevojtarëve, ngase prej vëllezërve të tyre të pasur, u jepet zekat, sadaka ose dhurata të ndryshme.
6. Myslimanët në këtë muaj jetojnë me ndjenja të përbashkëta, sikurse është heqja dorë prej ushqimeve dhe pijeve, madje ka raste kur edhe pabesimtarët nuk hanë as nuk pinë haptazi në mesin e myslimanëve, në shenjë respekti ndaj ndjenjave të myslimanëve. Në këtë muaj gjatë ditës restorantet mbyllen, kafiteritë e hapura nuk u shërbejnë atyre që rrinë në to, dhe as ata nuk kërkojnë ndonjë gjë. Zaten, as në rrugë nuk sheh njeri duke ngrënë apo duke pirë, edhe nëse është fëmijë ose e ka të lejuar për ndonjë arsye.
7. Ndaj atij që prish rendin dhe rregullin e agjërimit të Ramazanit duke ngrënë ose pirë haptazi, aplikohen masat ndëshkuese të Sheriatit. Omeri r.a. të dehurin në Ramazan e dënonte me 100 kamxhikë, pra ia shtonte numrin e kamxhikëve për 20 më shumë, sepse me dehje ai nënçmonte shenjtërinë e muajit Ramazan dhe atij i thoshte: “E fëmijët tanë agjërojnë?!” Nuk ka dyshim se dënimi fizik është dënim rehabilitues e përmirësues, sepse, së pari, e prek atë që bën shkelje të dispozitave të Sheriatit islam, dhe, së dyti, ndikon edhe tek të tjerët.
Për sa i përket dënimit me burgosje deri ditën e Fitër Bajramit, të atij që nuk agjëron në Ramazan, edhe pse është ndëshkim i kufizuar ndaj tij, ai është një dëm për të dhe familjen për të cilën është përgjegjës, si në pikëpamje materiale, ashtu edhe edukative dhe për atë tek i cili ai punon, ngase ia lë punën. Prandaj kjo shkakton sjellje të këqija dhe varësi të tyre nga të tjerët…
8. Në muajin e Ramazanit burrat, gratë dhe fëmijët falin namazin e teravive në xhami me 20 rekate të plota. Me qëllim të lehtësimit për faljen e jacisë dhe namazit të teravive në xhami, bëhet shtyrja e ezanit të jacisë derisa të kalojnë dy orë pas perëndimit të diellit. Kjo traditë edhe sot e kësaj dite praktikohet në dy xhamitë kryesore - në Mekë (Qabe) dhe në Medinë (Xhamia e Pejgamberit a.s.), po edhe në tërë Arabinë Saudite. Kjo traditë dikur ishte edhe në shumë vende të ndryshme të Botës Islame, madje dhe në Shqipëri, në ish-Jugosllavinë, në Bullgari, Greqi etj..
9. Ata që kanë mundësi, në këtë muaj bëjnë Umren (vizitë e Qabesë jashtë kohës së Haxhit), për arsye se Pejgamberi a.s. nxiste për Umre në përgjithësi, dhe sidomos në muajin e Ramazanit.
Transmeton Ibni Abasi se Pejgamberi a.s. iu drejtua një gruaje, e cila quhej Umu Sinan, dhe i tha: Çfarë të pengoi që ta bëje haxhin me ne? Ajo i tregoi shkaqet që e penguan dhe, në fund, Pejgamberi a.s. i tha: “Umra në Ramazan është Haxh (e ka sevabin e Haxhit) ose Haxhit me mua”.


 


(Pjesë nga libri “Dispozitat e Agjërimit” të autorit Vehbi Sulejman Gavoçi, të përkthyer nga Ekrem Simnica, botim i Shtëpisë botuese “Dituria Islame” më 2009)


Artikulli i kaluar
Çfarë është Mukabeleja!