Futbollisti i Barcelonës, Lamine Yamal, do të bëhet lojtari i parë në historinë e kombëtares së Spanjës që do të agjërojë gjatë muajit të Ramazanit dhe njëkohësisht do të luajë ndeshjet e kombëtares.
Këtë vit, 17-vjeçari Yamal ka vendosur të agjërojë, duke krijuar për herë të parë një situatë të tillë për kombëtaren e Spanjës.
Yamal shpjegon si agjëron gjatë Ramazanit dhe çfarë konsumon për syfyr
Ramazani këtë vit përkon me pauzën ndërkombëtare të marsit, dhe Yamal do të jetë pjesë e aktiviteteve të kombëtares ndërkohë që do të vazhdojë agjërimin.
Super-talenti spanjoll ka treguar për DAZN si e përballon këtë periudhë.
“Unë jam besimtar dhe ndihem mjaft i shëndetshëm për të agjëruar. Zgjohem në orën 5 të mëngjesit për t’u falur dhe për të konsumuar diçka me elektrolite, pasi ato ndihmojnë trupin të qëndrojë i hidratuar gjatë ditës,” ka thënë Yamal.
Ai gjithashtu ka theksuar se agjërimi nuk ndikon në performancën e tij:
“Agjërimi nuk ndikon në lojën time. Klubi është plotësisht i përgatitur për këtë dhe na ofron gjithçka që na nevojitet për të qenë në formën më të mirë,” shtoi ai.
Stafi mjekësor i kombëtares së Spanjës do ta monitorojë me kujdes Yamal-in, i cili deri tani nuk ka treguar asnjë rënie të performancës. Madje, që nga fillimi i Ramazanit, ai ka shënuar dy gola dhe ka dhënë një asist në katër ndeshje.
Vlen të përmendet se Yamal nuk është lojtari i parë mysliman që ka veshur fanellën e Spanjës, pasi para tij këtë e kanë bërë Adama Traoré, Ansu Fati dhe Munir El Haddadi. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk është përballur me një situatë ku ndeshjet e kombëtares janë zhvilluar gjatë Ramazanit.