Nga data 20.03.2025 deri më 24.03.2025, një delegacion i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në përbërje të mr. Vedat Shabani, sekretar i FSI-së, dhe mr. Hysni Beka, profesor në Medresenë e Mesme “Alauddin” realizuan një vizitë në shtetet skandinave.
Delegacioni fillimisht u ndal në qytetin e Drammen-it në Norvegji. Aty falën namazin e xhumasë te hoxha, z. Faton Bytyqi, ku Hysni Beka mbajti ligjëratë para namazit të xhumasë ndërsa hytben e xhumasë e mbajti Vedat Shabani.
Gjatë kësaj vizite në Norvegji, delegacioni i BIK-ut, ditën e premte për namazin e teravive vizitoi xhematet e xhamive në qytetet Sarsborg, te imami z. Ardian Haliti, dhe qytetin Halden, te imami z. Blerim Maliqi. Ndërsa ditën e shtunë, për namazin e ikindisë, vizituan xhematin e Qendrës Islame Kulturore të shqiptarve të Norvegjisë në Oslo, ku imam ishte z. Berat Hashani, kurse për namazin e teravive ishte tek xhemati i hoxhës Sabri ef. Jonuzi, po ashtu në Oslo.
Ditën e diel, delegacioni i BIK-ut, për namazin e drekës ishte në qytetin e Borås-it të Suedisë, ku imam për muajin e remazanit ishte z. Faruk ef. Sinani. Ndërsa për namazin e teravisë, prof. Hysni Beka ishte në Malmo të Suedisë ndërsa prof. Vedat Shabani ishte në Kopenhag të Danimarkës te xhemati i Bashkësisë Islame Shqiptare, ku imam ishte z. Basri Kurtishi.
Vlen të potencohet se në të gjitha vizitat e lartpërmendura delegacioni i BIK-ut është pritur shumë mirë dhe në çdo takim ka mbajtur nga një ligjëratë rreth vlerës së muajit të ramazanit, me fokus në dhjetë netëshin e fundit. Gjithashtu delegacioni ka përcjell tek xhematet e lartpërmendura falënderimet në emër të BIK-ut për kontributin e vazhdueshëm që ata japin për atdheun, veçanërisht për Bashkësinë Islame të Kosovës.