Urimi i Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, me rastin e festës së Fitër  Bajramit


Të nderuar vëllezër dhe motra,
Të dashur qytetarë!
Vetëm edhe pak orë na ndajnë nga festimi i Fitër Bajramit, andaj kam kënaqësinë që sot, në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, institucioneve të saj dhe në emrin tim personal t’ju drejtohem me përgëzimet dhe urimet më të mira, me bindje dhe shpresë që Bajramin ta ndiejmë, ta presim e ta përjetojmë shpirtërisht me gëzime e përkushtim në ambientet tona të ngrohta familjare dhe shoqërore. 
Që sonte kur kemi natën e Bajramit, besimtarët myslimanë hyjnë në atmosferën e festës së Fitër Bajramit, të gëzuar me plotë të drejtë se kanë kryer një ndër urdhrat e Zotit të Madhëruar, agjërimin e muajit Ramazan, ibadet ky që bëhet vetëm për Zotin e Gjithësisë.
Vëllezër dhe motra!
Ceremonia e Fitër Bajrami është moment që bashkon besimtarët në faljen e namazit të Bajramit, që shënon njëkohësisht momentin më të rëndësishëm të kësaj feste, për të vijuar më pas me urimet dhe përgëzimet më të mira e më të sinqerta, si dhe me përqafimet e ngrohta si për asnjë moment tjetër me familjarët, fëmijët, farefisin, shoqërinë, e për të shijuar më pas aromën dhe nimetet e festës rreth sofrës së Bajramit me më të dashurit tanë.
Zoti i Madhërishëm thotë: “Ka shpëtuar ai që është pastruar, që e përmend emrin e Zotit të vet dhe që fal namaz!” (El Aë’la, 15).
Kjo festë e bekuar, e cila në formën më të mirë përçon porosi dhe mesazhe për paqen, harmoninë, dashurinë, mirësinë dhe gëzimin për besimtarët, është një dhuratë prej Zotit për përkushtimin, devotshmërinë dhe adhurimin e shtuar gjatë muajit të bekuar Ramazan. 
Për një muaj me radhë, agjërimi mbushi zemrat dhe shpirtrat tanë me një ndjenjë të veçantë paqeje, qetësie, e pse jo edhe krenarie. Andaj festa e Fitër Bajramit është mundësi për të shprehur mirënjohjen dhe gëzimin për arritjen e pastrimit shpirtëror, që është shoqëruar me sakrificë, përkushtim dhe devocion.
Fitër Bajrami është festë përbashkuese për myslimanët në mbarë botën. Festë që simbolizon triumfin shpirtëror, moment gëzimi dhe reflektimi që shpreh faljen, mirësinë dhe bashkimin familjar e shoqëror. Vlera këto që i japin kuptim të thellë social dhe shoqëror, e gjithsesi edhe shpirtëror kësaj feste madhështore. 
Fitër Bajrami sjell gëzim e hare në familjet tona, ngase është moment që e bashkon atë, ripërtërin lidhjet familjare dhe shoqërore, kultivon paqen, mirëkuptim, solidaritetin, dashurinë e respektin për tjetrin, si dhe kultivon vëllazërinë dhe harmoninë mes nesh. 
Të dashur vëllezër dhe motra!
Gjatë festës së Fitër Bajramit zemrat bashkohen në miqësi, njerëzit bashkohen pas ndarjes duke u përkujdesur që gëzimi për festën e Bajramit të arrijë në çdo shtëpi, si dhe të shpërndahet bekimi i Zotit xh.sh., nëpër çdo familje. 
Fëmijët kanë një peshë e kujdes të veçantë në festën e Fitër Bajrami, ngase kjo festë është një mundësi e shkëlqyer për t’iu mësuar atyre vlerat universale dhe porositë fisnike e hyjnore të Fitër Bajramit. Duhet kujdes i veçantë për fëmijët tanë që ta përjetojnë festën e Bajramit, t’i vizitojnë xhamitë me ne, t’i shijojnë dhuratat e veçanta, të marrin mesazhe uruese dhe të jenë pjesë e pritjeve dhe vizitave te familjet, miqësia dhe farefisi që realizohen për Bajram. Në këtë mënyrë fëmijët tanë shijojnë festën, mësojnë traditën tonë pozitive dhe ruajnë kujtime më të bukura nga fëmijëria për këtë festë.
Vëllezër dhe motra!
Festa e Fitër Bajrami te populli ynë në vazhdimësi ka pasur një rëndësi dhe vlerë të posaçme, është festë më popullore dhe më me ndikim në shoqërinë tonë. Si në të kaluarën, ashtu edhe tash, populli ynë e feston Bajramin me shumë gëzim dhe nderim, duke ruajtur traditat dhe duke theksuar vlerat e solidaritetit, respektit dhe mirësisë.
Duke pasur parasysh se namazi i Bajramit është një mundësi reale për të shprehur falënderimin për mundësinë që na e dhuroi Zoti për agjërimin e këtij muaji të bekuar, është momenti kyç për të kërkuar dhe reflektuar paqe dhe lumturi për veten, familjen dhe për besimtarët mbarë, ngase kjo është një formë e thellë e lidhjes shpirtërore më Zotin dhe një shenjë e besimit të vazhdueshëm në Zotin Një.
Urime festa e Fitër Bajramit për të gjithë besimtarët tanë kudo që ata gjenden!



Myftiu i Kosovës,
Naim ef. Tërnava


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

KBIGJ priti për urime të Fiter Bajramit përfaqësuesit e institucioneve lokale dhe politike (video)