Kryeimami Sahiti takon delegacionin nga Zyra Ndërkombëtare për Lirinë e Besimit (IRF) në Departamentin e Shtetit të SHBA

Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, ka pritur në takim një delegacion nga Zyra Ndërkombëtare për Lirinë e Besimit (IRF) në Departamentin e Shtetit të ShBA-ve, në krye me z. Michael  Dozler, znj. Sonia Fernandes, znj. Brooke Young dhe znj. Raba Gjoshi nga Ambasada e ShBA-ve në Prishtinë. 
Kryeimami Sahiti i shprehu mirëseardhje delegacionit nga ShBA-të dhe më pas i njohu ata me organizimin jetës fetare dhe institucioneve të Bashkësisë Islame në vend. 
Gjatë këtij takimi u diskutua për rëndësinë e lirisë së besimit në Kosovë dhe angazhimin e Bashkësisë Islame në avancimin e të drejtave dhe lirive fetare në Kosovë. 
Kryeimami Sahiti theksoi se Kosova është një shembull i harmonisë fetare dhe bashkëjetesës, ku besimtarët e feve dhe etnive të ndryshme bashkëjetojnë në paqe. 
Ai theksoi se Bashkësia Islame e Kosovës është e përkushtuar në promovimin e lirive fetare dhe të drejtës së besimit dhe respektimin e diversitetit, duke kontribuuar kështu në forcimin e paqes dhe stabilitetit në vend.