Myftiu Tërnava priti në takim reisin e Bashkësisë Islame të Bosnje e Hercegovinës, dr. Husein ef. Kavazoviq

 


Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka mirëpritur sot në takim reisin e Bashkësisë Islame të Bosnje dhe Hercegovinës, dr. Husein ef. Kavazoviqin, i cili shoqërohej nga bashkëpunëtorët e tij.


Gjatë këtij takimi, të dy liderët fetarë shprehën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, me theks të veçantë në mbarëvajtjen e jetës fetare dhe në fushën e arsimit islam. Myftiu Tërnava theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike, duke rikujtuar të kaluarën e dhimbshme të përbashkët të dy popujve.


“Bashkësia islame e Kosovës është e gatshme për një bashkëpunim vëllazëror me Bashkësinë Islame të Bosnjës, ngase kemi shumë gjërat të cilat neve na bashkojnë nga e kaluara, siç është trashëgimia e përbashkët, një trashëgimi që e kemi pasur të përbashkët në të kaluarën islame fetare, e cila, fatkeqësisht në përmasa të mëdha është shkatërruar nga armiku i përbashkët i Bosnjës dhe i Kosovës nga ana e Serbisë, dhe në këtë fushë – segment ka shumë çka të flitet, pastaj një bashkëpunim në mes të institucioneve tona, siç janë medresetë, instituti etj.,” – deklaroi ai.


Myftiu Tërvana me këtë rast shprehu edhe gatishmërinë e tij që në një të ardhme ta vizitojë shtetin e Bosnjës. “Me lejen e Zotit, do ta vizitojmë Bosnjën në të ardhmen e afërt dhe do të njihemi më afër me zhvillimet e përgjithshme që janë në Bosnjë. Sigurisht, ajo që na ka bashkuar dhe na bashkon është edhe komuniteti i shqiptarëve që jetojnë në Bosnjë, dhe komuniteti i boshnjakëve që jetojnë në Kosovë. Këto minoritete shërbejnë si ura lidhëse mes dy kombeve dhe dy shteteve, që duhet t’i respektojmë.”


Ndërkohë, reisi i Bosnjës, dr. Husein ef. Kavazoviq, theksoi rëndësinë e lidhjeve të forta fetare, kulturore dhe vëllazërore mes dy vendeve:


“Ne besojmë se angazhimi ynë për ta ndërtuar këtë shtëpi së bashku në Ballkan është ajo që na obligon, pra t’i përkushtohemi qëllimeve të përbashkëta, dhe ky është gjithmonë qëllimi më i rëndësishëm për ne myslimanët, të bëjmë thirrje për të mirë dhe të largojmë nga ajo që është e keqe. Jemi veçanërisht të kënaqur me mikpritjen që na është bërë dhe me përkushtimin që kemi parë nga Myftiu Tërnava dhe bashkëpunëtorët e tij për ruajtjen e vlerave tona të përbashkëta islame” – tha reisi Kavazoviq.


Ai theksoi se është arritur të rinovohet ajo që ishte shkatërruar dhe shkatërruar. “Natyrisht, kemi arritur të shërojmë plagët në popullin tonë, krimet e tmerrshme, krimin e gjenocidit që është kryer këtu dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe sot këto dy bashkësi ofrojnë duar pajtimi dhe lutën për paqe në këto hapësira dhe punojnë për paqe.”