Reisi i BeH, dr. Husein ef. Kavazoviq, i shoqëruar nga Myftiu Tërnava, vizituan xhamitë monumentale në Prishtinë

 


Reisi i Bosnje dhe Hercegovinës, dr. Husein ef. Kavazoviq, i shoqëruar edhe nga Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, gjatë vizitës së tij zyrtare në Prishtinë, vizitoi sot pasdite tri xhamitë monumentale të Prishtinës, në Xhaminë e Çarshisë, Xhaminë “Jashar Pasha” dhe Xhaminë “Sulltan Mehmet Fatih”.


Gjatë qëndrimit në këto xhami, reisi Kavazoviq, ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe historike, duke potencuar se këto objekte fetare, jo vetëm që janë vende të adhurimit, por janë edhe simbole të bashkëjetesës dhe unitetit. Ai i ka cilësuar këto xhami si simbole të përpjekjeve të vazhdueshme për t’i ruajtur vlerat fetare dhe kulturore të myslimanëve të Kosovës.


Vizita e reisit Kavazoviq në këto xhami ka theksuar edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit, duke hapur kështu një mundësi të re për forcimin e lidhjeve ndërmjet bashkësive islame të Kosovës dhe Bosnjës. Ai edhe njëherë ka shprehur mirënjohje për mikpritjen e Myftiut Tërnava, duke lavdëruar kështu edhe punën dhe angazhimin e institucionit të Bashkësisë Islame për promovimin e paqes dhe harmonisë në vend.