Miqtë e sinqertë do të hyjnë së bashku (në grup) në Xhenet

 


Allahu i Madhërishëm thotë:
"E ata që ishin të devotshëm ndaj Zotit të tyre, sillen në grupe te xhenneti, e kur arrijnë aty, dyert e tij i gjejnë të hapura dhe roja e tij u thotë atyre: "Selamun alejkum" - qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, andaj hyni në të, aty do të jeni përgjithmonë. (Surja Ez-Zumer, ajeti 73)
Duke komentuar këtë ajet, Ibn Kajjimi el-Xhevzijje ka thënë: “Allahu refuzon që besimtarët të hyjnë në Xhenet veç e veç, kështu që miqtë do të hyjnë në Xhenet së bashku, në grupe.”
Hazreti Omeri (radijallahu anhu) ka thënë: “Nuk i është dhënë njeriut ndonjë mirësi më e madhe, pas Islamit, se një mik i mirë, prandaj nëse ndokush prej jush sheh mirësi dhe dashuri nga vëllai i tij mysliman, le ta ruajë atë.”
Imam Shafiu ka thënë:
“Nëse ke një mik – i cili të ndihmon të jesh i bindur ndaj Allahut – atëherë qëndro me të, sepse është e vështirë ta mbash një mik, ndërsa është e lehtë ta humbësh.”
Lukman i urtë i ka thënë të birit: “Biri im, gjëja e parë që duhet të fitosh, pas besimit në Allah, është një mik i sinqertë, sepse një mik i vërtetë është si pema: nëse ulesh në hijen e saj, të mbron nga dielli; nëse merr fruta prej saj, të ushqen; dhe nëse nuk të sjell dobi, nuk do të të bëjë as dëm.”
Tregohet se një herë, imami Ahmedi u sëmur rëndë, dhe miku i tij, imam Shafiu, e vizitoi. Kur pa shenjat e sëmundjes në fytyrën e tij, u kaplua nga një trishtim papërshkrueshëm, aq sa u sëmur edhe vetë. Kur imami Ahmed mori vesh për këtë, shkoi ta vizitojë. Kur e pa imami Shafiu, tha:


“U sëmur miku, e unë e vizitova,
Nga mërzia për të, edhe unë u sëmura.
U shërua miku, e ai më vizitoi,
Dhe u shërova, kur e pashë me sy."


Një muslimani të devotshëm i thanë njëherë: “Po të shohim që qëndron gjatë në sexhde gjatë namazit. Mos vallë për shkak të shumë brengave që ke?” Ai u përgjigj: “Jo, por për shkak të shumë miqve që kam. Ne jemi zotuar që ai nga ne që do të shpëtojë në Ditën e Gjykimit, do ta kapë vëllanë dhe mikun e tij për dore.”



Përgatiti: Abdusamed Nasuf Bušatlić