“O ju që besuat, as pasuria juaj e as fëmijët tuaj të mos u shmangin prej adhurimit të All-llahut, e kush bën ashtu të tillët janë mu ata të humburit.” (El-Munafikun, 9)
Dashuria e qëndrueshme dhe e vazhdueshme është pasojë e përmendjes dhe kujtimit të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm, dhe Allahu i Lartësuar është Ai që meriton dashurinë më të përsosur dhe të plotë, adhurimin, përkushtimin dhe nënshtrimin. Dhikri është thesari më i madh nga i cili përfitojnë besimtarët, ndërsa armiku dhe i pabinduri ndaj Allahut është ai të cilit i është mohuar dhikri dhe adhurimi ndaj të Lartësuarit.
Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar ka urdhëruar në Kuran besimtarët që ta përmendin Atë sa më shumë, duke e bërë këtë shkak për shpëtimin e tyre. Ai thotë: “Dhe përmendeni shumë Allahun, që të arrini atë që dëshironi.” (El-Xhum’a, 10) Pastaj thotë: “…edhe burrat që e përmendin shpesh Allahun, edhe gratë që e përmendin shpesh Allahun.” (El-Ahzab, 35) Gjithashtu thotë: “O ju që besoni, pasuria dhe fëmijët tuaj të mos ju largojnë nga përmendja e Allahut. E kush e bën këtë, është prej të humburve.” (El-Munafikun, 9) “Përmendmë Mua, që Unë t’ju përmend ju.” (El-Bekare, 153)
I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Ju kanë kaluar ata të vetmuarit (el-muferridun).” Shokët e tij pyetën: “Cilët janë të vetmuarit?” I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., u përgjigj: “Ata janë besimtarët dhe besimtaret që e përmendin shumë Allahun, xh.sh.”
Tirmidhiu transmeton nga Ebu Derda, r.a., e ai nga Pejgamberi, s.a.v.s., se ka thënë: “A doni t’ju udhëzoj në veprën më të mirë, më të pastër te Zoti juaj dhe në shkallët më të larta, që është më e vlefshme se dhënia e arit dhe argjendit, dhe më e mirë se lufta kundër armiqve tuaj, dhe mbytja e tyre?” Shokët thanë: “Patjetër, o i Dërguar i Allahut!” E ai u përgjigj: “Përmendja e Allahut të Lartësuar.”
Mu’adh b. Xhebeli ka thënë: “Njeriu nuk mund të bëjë vepër më të mirë që do ta mbrojë nga dënimi i Allahut sesa dhikri.”
Dhikri për zemrën është si uji për bimën, si uji për peshkun – i cili nuk ka jetë pa të.
Ekzistojnë tre lloje të dhikrit:
Lloji i parë është përmendja e Allahut të Lartësuar përmes emrave dhe cilësive të Tij të bukura.
Lloji i dytë janë fjalët e tesbihut, falënderimit, tekbirit, shehadetit dhe madhërimi i Allahut të Lartësuar – dijetarët e mëvonshëm zakonisht këtë e kanë për qëllim kur flasin për dhikrin.
Lloji i tretë i dhikrit është përmendja dhe kujtimi i Allahut të Lartësuar përmes respektimit të urdhrave të Tij, zbatimit të ligjeve të Tij dhe shmangies nga ndalesat – dhe ky është dhikri i atyre që e kanë mësuar vërtet fenë. Natyrisht, dhikri i tyre i përfshin të gjitha këto tre aspekte.
Dhikri më i zgjedhur është përmendja e Allahut të Lartësuar me fjalët e Tij.
Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe kush ia kthen shpinën përkujtimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në Ditën e Kiametit do ta ringjall të verbër.” (Taha, 124) Dhikri (përkujtimi) i përmendur në këtë ajet është fjala e Allahut që Ai e shpalli të Dërguarit të Tij, s.a.v.s.
Allahu i Lartësuar gjithashtu thotë: “… ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve qetësohen kur përmendet Allahu – dhe me të vërtetë, zemrat qetësohen kur përmendet Allahu.” (Er-Ra’d, 28)
Një lloj tjetër i dhikrit është dhe lutja, kërkimi i faljes dhe nënshtrimi para Allahut.
Autor: Ibn Kajjim El-Xhevzijje