Komentimi i kaptinës “El-Kehf” – (7)

 


Këshilla hyjnore për të Dërguarin a.s.


27. “Lexo çka të është shpallur ty nga libri i Zotit tënd! Nuk ka kush që mund t’i ndryshojë fjalët e Tij dhe pos Tij, nuk mund të gjesh strehim. 28. Përkufizoje veten tënde me ata që lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, e që kanë për qëllim kënaqësinë (razinë) e Tij, dhe mos i hiq sytë e tu prej tyre e të kërkosh bukurinë e kësaj bote dhe mos iu bind atij që ia kemi shmangur zemrën e tij prej përkujtimit ndaj Nesh dhe i është dhënë epshit të vet, pse puna e tij ka mbaruar. 29. E ti thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë. Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zjarr që muret e tij (të flakës) i rrethojnë ata, e nëse kërkojnë shpëtim, ndihmohen me një ujë si katran që përzhit fytyrat. Sa e shëmtuar është ajo pije, dhe sa vend i keq është ai”. 30. E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, s’ka dyshim se Ne nuk i humbim shpërblimin atij që është bamirës. 31. Të tillët e kanë vendin në xhennetin e Adnit, nën të cilin rrjedhin lumenj; e aty stolisen me rrathë të artë dore dhe ata veshin rroba të gjelbra prej mëndafshi të hollë e të trashë, janë mbështetur aty në shtretër. Sa shpërblim i mrekullueshëm është dhe sa vend i bukur është ai.” (El-Kehf, 27-31)


Lidhshmëria e këtyre ajeteve me ato paraprake


Në ajetet e kaluara, u shtjellua ngjarja e djelmoshave që u strehuan në shpellë, në shpëtim të besimit të tyre të pastër, nga zullumi dhe tirania e idhujtarëve, nga e cila ngjarje mund të nxjerrim përfundim se sprova në besim është një prej sprovave më të rënda në këtë jetë, por ajo mund të tejkalohet vetëm me iman të pastër dhe me durim. Ndërkohë që ajetet në vazhdim të kësaj sureje, vijnë si këshilla nga ana e Allahut të Madhërishëm për të Dërguarin e Tij, që t’i lexonte e t’i informonte të tjerët me atë që po i shpallej nga Vahji, duke e përkufizuar veten në ndeja vetëm me muslimanët e sinqertë e të devotshëm, pa varësisht se shumica e tyre ishin të varfër. Porosia tjetër për të Dërguarin e Allahut është që të mos mashtrohej nga mirësitë e kësaj bote e të merrej me ndonjërin prej atyre jobesimtarëve, të cilëve Allahu Ua ka shmangur zemrën nga përkujtimi i Tij, sepse të tillët, vendqëndrim do ta kenë zjarrin e Xhehenemit me të gjitha tmerret e tij, ndërsa i bëhet me dije se nëse shoqërohesh me njerëz të dëlirë nga zemra, tek të cilët gjithmonë mund të gjesh prehje e qetësi shpirtërore, atëherë dije se njerëzit e tillë janë banorë të Xhenetit, në të cilët do të gëzojnë të mirat dhe kënaqësitë e Krijuesit Fuqiplotë.


Koment:


27. “Lexo çka të është shpallur ty nga libri i Zotit tënd! Nuk ka kush që mund t’i ndryshojë fjalët e Tij dhe pos Tij, nuk mund të gjesh strehim.


Ky ajet, me të cilin fillon ky grup ajetesh, nga shumi ca e dijetarëve muslimanë, është një përfundim logjik i ngjarjes së As’habul Kehfit, sepse qysh nga ky ajet, i Dërguari udhëzohet me disa porosi të rëndësishme, të cilat skicojnë rrugën e muslimanëve në çdo vend e kohë. Porosia e parë për të Dërguarin a.s. është që të lexojë e përhapë atë që i shpallej nga Zoti i Gjithëfuqishëm, sepse Fjalët e Tij janë e vërteta absolute. Vetëm versioni kuranor i ngjarjes së djelmoshave të shpellës, është i sakti dhe i vërteti, sepse autenticiteti i këtyre Fjalëve hyjnore është i pamohueshëm dhe nuk mund të ndryshohet nga askush. Dhe kjo sikur është një këshillë për Pejgamberin a.s. dhe për të gjithë ne-muslimanët, se vetëm tek Allahu mund të gjejmë strehën e shpëtimit dhe mbrojtjen nga fitnet e ndryshme.


Mbrojtja nga sprova në fe-besim


28. Përkufizoje veten tënde me ata që lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, e që kanë për qëllim kënaqësinë (razinë) e Tij, dhe mos i hiq sytë e tu prej tyre e të kërkosh bukurinë e kësaj bote dhe mos iu bind atij që ia kemi shmangur zemrën e tij prej përkujtimit ndaj Nesh dhe i është dhënë epshit të vet, pse puna e tij ka mbaruar.


Shkaku i zbritjes së këtij ajeti-(28)


- Në lidhje me ajetin 28 të kësaj sureje, transmeton Ibn Merduvije nga Ibn Abasi të ketë thënë: “Ky ajet ka zbritur për Umejje bin Halefin, kur i kishte kërkuar të Dërguarit a.s. një gjë, të cilën e kishte urryer, e kjo ishte dëbimi i të varfërve nga ndejat e tij dhe afrimi i parisë së Mekës.(1)


Koment:


Ajeti i 28 i kësaj sureje, është një porosi dhe këshillë frymëzuese për të Dërguarin a.s., që të shoqërohej vetëm me ata njerëz që e përmendin Zotin mëngjes e mbrëmje, e madhërojnë Atë, e falënderojnë dhe i luten vetëm Atij, pavarësisht nëse janë të varfër apo të pasur. Ashtu siç cekëm më parë tek shkaku i zbritjes, ky ajet ka zbritur për disa prijës nga paria e kurejshëve, të cilët kishin kërkuar nga i Dërguari i Allahut që të ulej vetëm me ta, dhe t’i dëbonte prej ndejave të tij varfanjakët dhe të dobëtit prej muslimanëve, siç ishin Bilali Ammari, Suhejbi, Habbabi, Ibn Mes’udi dhe të tjerë. Mirëpo Allahu xh.sh. Ia kishte ndaluar një gjë të tillë duke e urdhëruar që të rrinte pikërisht me këta të varfër, por të sinqertë e të devotshëm në besimin e tyre. Në kontekst të kësaj këshille ka ardhur edhe ajeti 52 i sures “El En’am”: “Dhe mos i përzë ata që adhurojnë Zotin e tyre pa pra mëngjes e mbrëmje, duke qenë të sinqertë ndaj Tij. Ti nuk përgjigjesh asgjë nga llogaria e tyre e as ata nuk kanë kurrfarë përgjegjësie nga llogaria jote, e po i dëbove ata do të bëhesh nga të padrejtit.”, për të cilin kemi edhe shkakun e zbritjes, sipas asaj që na rrëfen Sa’d Ibn Ebi Vekasi kur thotë: Transmeton Imam Muslimi në Sahihun e tij nga Sa’dibn Ebi Vekasi të ketë thënë: Ishim gjashtë veta me të Dërguarin e Allahut, ndërsa idhujtarët i thanë të Dërguarit a.s.: Dëboji këta që të mos na pengojnë. Prej këtyre të gjashtëve ishim Unë, Ibn Mes’udi, një njeri nga fisi Hudhejl, Bilali dhe dy njerëz emrat e të cilëve nuk më kujtohen, ndërkohë që të Dërguarit a.s. i zbriti ajeti 52 i sures El-En’am”(2)...
Në këtë konstelacion kanë ardhur edhe ajetet e sures Esh-Shuara’ë, të cilët flasin se edhe Nuhi a.s. ishte ballafaquar me parinë e popullit të tij, lidhur me besimtarët e varfër të cilët i kishin besuar. “Ata thanë: “E si të besojmë ty, kur ty të besojnë më të ulëtit?” Ai tha: “Unë nuk di se ç’punuan ata (që ju u thoni të ulët)”. Përgjegjësia e tyre, nëse kuptoni, është vetëm para Zotit tim. E unë nuk do t’i përzë besimtarët. Unë nuk jam tjetër, por vetëm sa t’u tërheq vërejtjen haptas.” (Esh-Shua ra’ë, 111-115)
Sipas shumë dijetarëve, ajeti i 28- i kësaj sureje, tregon për mënyrën më të mirë të mbrojtjes nga sprova në fe-besim. Rrëfimi i djelmoshave të cilët për të shpëtuar besimin e tyre të dëlirë, u larguan nga populli dhe paria e tyre jobesimtare si dhe shoqërimi në mes tyre, është udhëzues për ne që gjithmonë të zgjedhim shoqërinë e mirë, e cila është e devotshme, e sjellshme dhe me besim të pastër, pavarësisht pozitës së tyre ekonomike. Pra ruajtja nga sprova në fe bëhet duke u shoqëruar me njerëz të mirë dhe duke përkujtuar Ahiretin. 
Shoqërimi me njerëz të devotshëm dhe të varfër, është etikë e pejgamberëve të Zotit, andaj, si e tillë, duhet të jetë edhe e jona. Sepse një zemër, e cila është e mbushur me dashurinë ndaj Allahut, është më e pasur dhe më e madhe sesa zemra e atij që është e mbushur me dashurinë e rreme të kësaj bote. 
Nuk ishin vetëm idhujtarët mekas ata që i kishin kërkuar të Dërguarit a.s. që t’i dëbonte të varfrit. Këtë ia kishin kërkuar edhe disa prijës të tjerë arabë pas shpërnguljes në Medinë. Transmetohet nga Selman el-Farisiu të ketë thënë: Disa nga “El-Muel-lefetil kulub”-(disa prej atyre që shpresohej se do ta pranonin Islamin, (Shënim yni S.B.): Unejnetu bin Hisn dhe El Akra’ë bin Habis me disa të ngjashëm të tyre, i thanë të Dërguarit të Allahut: O i Dërguar Allahut, Po të uleshe ti në krye të vendit (ndenjës) dhe po t’i largoje prej nesh këta, xhybet (rrobat) e të cilëve kundërmojnë, (kishin për qëllim Selmanin, Eba Dherrin dhe të varfrit e tjerë muslimanë, të cilët nuk kishin rroba të tjera), mbase do të bisedonim e do të uleshim më ty, do të na kishe folur e ne do të kishin marrë prej teje (ndonjë udhëzim-mësim). Atëherë i Dërguari i Allahut u ngrit dhe i kërkoi (këta varfanjakë-Selmanin, Ebu Dherrin e të tjerët) derisa i takoi diku kah fundi i xhamisë duke e përmendur Allahun e Madhëruar dhe tha: “Falënderimi i qoftë Allahut, i Cili nuk më ma mori shpirtin e të vdisja, pa më urdhëruar që ta përkufizoj veten me këta burra të Ymetit tim. Me ju është jeta ime dhe me ju do të jetë edhe vdekja.”(3)
- Është transmetuar nga Ebu Seidel Hudrijj dhe nga Ebu Hurejra të kenë thënë: Përderisa një njeri po lexonte suren “El-Hixhr” apo suren “El-Kehf” erdhi i Dërguari i Allahut, ndërsa njeriu që lexonte u ndal (heshti), kurse Resulullahi a.s. tha: “Kjo është ndenja (shoqëria) për të cilën jam urdhëruar që të shoqërohem e ta përkufizoj veten me ta”.(4) 
Pjesa e fundit e këtij ajeti: “... dhe mos iu bind atij që Ia kemi shmangur zemrën e tij prej përkujtimit ndaj Nesh dhe i është dhënë epshit të vet, pse puna e tij ka mbaruar.”, është këshillë edhe më e drejtpërdrejtë, që të mos shoqërohej e as të mos i bindej tekeve e kapricieve të Umejje bin Halefit dhe parisë tjetër jobesimtare të mekasve, sepse puna e tyre ka mbaruar. Ata do të jenë përjetësisht në zjarrin e Xhehenemit. Zemrat e shumicës prej tyre nuk arritën të liroheshin nga prangat me të cilat ishin lidhur vetë, duke pasuar shejtanin e mallkuar, i cili ua kishte zbukuruar jetën e kësaj bote.
29. E ti thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë. Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zjarr që muret e tij (të flakës) i rrethojnë ata, e nëse kërkojnë shpëtim, ndihmohen me një ujë si katran që përvëlon fytyrat. Sa e shëmtuar është ajo pije,dhe sa vend i keq është ai”.
Pas këtyre ajeteve sqaruese dhe argumenteve të pakontestueshme, jobesimtarëve nuk u mbeti me ndonjë arsye apo shkas që edhe më tej të qëndronin në mosbesimin e tyre, sikur të ishin statuja të palëvizshme. Përkundrazi, ndjenjat e tyre shpirtërore, do të duhej të lëviznin e të ndjenin dashurinë dhe ngrohtësinë hyjnore që u ofrohej në çdo moment. Por..., megjithatë, në fe-besim nuk ka dhunë e as imponim. Secili njeri e ka sferën e lirisë së tij për të besuar apo mohuar. Askush nuk mund ta detyrojë askënd të besojë, kur zemra e tij nuk është e gatshme të përthithë dritën e udhëzimit. Pikërisht për këtë arsye, ekziston Dita e Gjykimit, ekzistojnë Xheneti dhe Xhehenemi, ekziston Drejtësia Hyjnore. Ata që nuk e pranuan dritën e këtij udhëzimi, do të mbesin përjetësisht në errësirë. Ata do të ndëshkohen në skëterrat dhe humnerat e Xhehenemit (Ferrit). Zjarri përcëllues do t’i djeg fytyrat dhe gjymtyrët e tyre. Ata janë të rrethuar nga çdo anë me këtë zjarr të tmerrshëm. Nëse kërkojnë ndihmë, atyre do t’u hidhet ujë i zi si katran, i cili ua përvëlon fytyrat e tyre duke i shëmtuar ato. Shija e këtij uji është aq e keqe dhe kundërmuese, dhe as që mund të krahasohet madje as me kundërmimin më të neveritshëm në këtë botë. Ky është vendi më i shëmtuar, vendi i turpit të përjetshëm, të cilin e “merituan” për shkak të arrogancës dhe kryeneçësisë së tyre në jetën e kësaj dynjaje...
30. E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, s’ka dyshim se Ne nuk i humbim shpërblimin atij që është bamirës. 31. Të tillët e kanë vendin në xhennetin e Adnit, nën të cilin rrjedhin lumenj; e aty stolisen me rrathë të artë dore dhe ata veshin rroba të gjelbra prej mëndafshi të hollë e të trashë, janë mbështetur aty në shtretër. Sa shpërblim i mrekullueshëm është dhe sa vend i bukur është ai.”
Ata që besuan dhe gjatë jetës në këtë botë nuk u joshën nga të mirat e saj, por kishin gjithnjë parasysh se një ditë do të dalin para drejtësisë dhe gjykimit të Allahut, ata tash do të jenë grupi i shpëtuar dhe fitimtar. Allahu xh.sh. është zotuar se nuk do ta humb punën dhe mundimin e atij që ka bërë bamirësi, por do ta shpërblejë me të mirat e Tij të pakufishme. E ku ka mirësi më të madhe sesa Xhenneti Adn, nën të cilin rrjedhin lumenj me ujë të kthjellët sikurse kristali. Në këto kopshte të Parajsës, besimtarët do të trajtohen mbretër e shkuar mbretërve. Ata të mbështetur në kolltukë prej ari, të veshur me rroba mëndafshi, do të sodisin të gjitha këto mirësi të pakufishme, duke falënderuar Allahun e Gjithëmëshirshëm, që i shpërbleu për hir të besimit të tyre të pastër e të sinqertë. As imagjinata më e bujshme njerëzore, nuk mund të konceptoj të mirat që besimtarët do t’i kenë në Xhenet, por shpërblimi më i madh për secilin prej tyre do të jetë shikimi në Madhërinë e Tij, (subhane ve teala), shikim ky i cili i mbush me dashurinë e përjetshme, pas të cilit, zemra e kërkon vetëm atë ndjesi të papërshkrueshme të kënaqësisë... 


Porosia e këtyre ajeteve: (27-31)


- Allahu xh.sh. e urdhëroi të Dërguarin e Tij që t’ua përcjell të gjithëve, besimtarëve dhe jobesimtarëve se çka i ka zbritur atij nëpërmjet këtyre ajeteve kuranore rreth ngjarjes së djelmoshave që u strehuan në shpellë, rreth thirrjes në Njëshmëri, për ndalimin e shirku dhe idhujtarisë.
- Kurani është libër që flet për shumë çështje të fshehta, të cilat askush prej njerëzve nuk mund t’i dijë apo deshifrojë, përveç atyre të cilat Allahu dëshiron t’Ua zbulojë njerëzve nëpërmjet të Dërguarve të Tij, siç është rasti me ngjarjen e djelmoshave të shpellës, tregimin e Musait a.s. me Hidrin, apo tregimin e Dhulkarnejnit.- Askush nuk mund të ndryshojë diç prej Kuranit, sepse është Libër për të cilën garancitë i ka dhënë vetë Krijuesi Fuqiplotë, sepse Ai ka thënë: “Ne me Madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij” (El-Hixhr, 9),
- Allahu xh.sh. Ia ka mundësuar çdo muslimani që të strehohet në një shpellë figurative, në kohë turbullirash e fitnesh, e kjo shpellë e sigurt është Imani dhe afërsia tek Allahu, me gjëra nga të cilat Ai është i kënaqur. Ai i cili kërkon strehim tek Allahu, pa dyshim që e ka gjetur strehimin më të sigurt.
- Urdhërimi për të lexuar Kuran, dhe të punuarit me të, është mburoja më e fortë në përballjen me përgënjeshtruesit e së vërtetës.
- Islami është fe e barazisë dhe e dashurisë. Nën hijen e Ligjeve të kësaj feje, nuk ka dallim në mes të pasurit dhe të varfrit, sundimtarit dhe shërbëtorit. Tek Allahu të gjithë jemi të barabartë në përgjegjësi. Bile, të varfrit kanë një pozitë të lartë në Islam, kur dihet se Vetë Al lahu xh.sh. e porosit të Dërguarin a.s. që të shoqërohet me të varfrit muslimanë: “Përkufizoje veten tënde me ata që lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, e që kanë për qëllim kënaqësinë (razinë) e Tij...”
- Ai që mendon se mund t’ia dalë i vetëm në kohë fitnesh e turbullirash, duke qenë i izoluar nga njerëzit e mirë, ai është i gjykuar të dështojë. Muslimanët, vetëm të bashkuar, mund të jenë të respektuar nga të tjerët.
- E vërteta e kësaj feje është sqaruar nga ana e të Plotfuqishmit, andaj secili është i lirë të besoj ose të mos besojë.
- Për ata që nuk besojnë, duke ndjekur epshet dhe pasionet e ulëta, Allahu xh.sh. ka përgatitur si ndësh kim zjarrin e Xhehenemit, në të cilin ka ndëshkime të tmerrshme.
- Ndërsa ata që i besuan udhëzimit të Tij dhe ndoqën rrugën e pejgamberëve, shpërblimi meritor për ta do të jetë Xheneti, me kënaqësitë dhe bukuritë e tij.
- Madhështia e stilit të lartë kuranor, shihet në përfundimin e ajeteve 29, ku i Lartmadhërishmi flet për vendqëndrimin e jobesimtarëve në Xhehenem: “Sa e shëmtuar është ajo pije, dhe sa vend i keq është ai”. dhe përfundim të ajetit 31, ku Allahu xh.sh. flet për vend qëndrimin e besimtarëve në Xhenet: “Sa shpërblim i mrekullueshëm është dhe sa vend i bukur është ai.”. 



(vijon) 


_______________________________
1. El-Vahidiu “Esbabun-nuzulil Kuran” fq. 490, (me rivajet nga BedruddinelArgijani), Rijad, 2005. 
2. SahihulMuslim, hadithinr 46, (2413) kapitulli vlera e sahabëve, kreu vlera e Sa’dIbnEbiVekasit. 
3. El-Vahidiu “Esbabun-nuzulil Kuran” fq. 490. 
4. Et-TefsirulMunir, vëll. VIII, fq. 262


 


Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

KBIGJ priti përfaqësues të institucioneve lokale dhe politike me rastin e urimeve për Kurban Bajram (VIDEO)