Organizohet ceremonia e duasë dhe përcjelljes së haxhinjëve të Komunës së Gjakovës
Sot, pas faljes së namazit të drekës, Këshilli i Bashkësisë Islame të Gjakovës, organizoi duanë e përbashkët për haxhinjtë që këtë vit kanë vendosur të udhëtojnë drejt vendeve të shenjta për të kryer shtyllën e pestë të Islamit – Haxhin.
Ceremonia u hap me leximin e një pjese nga Kur’ani Famëlartë nga imami i xhamisë së Hadumit, hafiz Safet ef.Hoxha. Më pas, fjalën e mori kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës, dr. Valon ef. Myrta i cili falënderoi Allahun e Madhërishëm për mundësinë që, edhe këtë vit, të përcjellim haxhinjtë tanë drejt vendeve të shenjta. Ai u uroi atyre udhëtim të mbarë, qëndrim të lehtë dhe përjetim të paharrueshëm gjatë kryerjes së këtij obligimi të shenjtë, duke u lutur që Haxhi i tyre të pranohet nga Allahu Fuqiplotë.
Më tej, udhëheqësi i grupit të haxhinjve, Enes ef. Rexha në mënyrë të përmbledhur paraqiti vlerat shpirtërore të Haxhit, si dhe rregullat që duhet ndjekur gjatë këtij udhëtimi të bekuar.
Në përmbyllje të aktivitetit, kryeimami, Visar ef. Koshi, bashkë me të pranishmit, bëri duanë e haxhinjëve.
Ceremonia u mbajt në xhaminë e Hadumit, në praninë e imamëve, një numri të konsiderueshëm të xhematlinjve, mysafirëve e familjarëve të haxhinjëve.
Këshilli i Bashkësisë Islame të Gjakovës u uron të gjithë haxhinjve një rrugëtim të mbarë dhe Haxh të pranuar, duke iu lutur Allahut të Madhërishëm që t’ua lehtësojë çdo vështirësi të mundshme gjatë udhëtimit dhe kryerjes së riteve të Haxhit, t’ua pranojë përkushtimin dhe dëshirën, dhe t’i kthejë me besim më të thellë, shpirt të pastër dhe moral të ngritur.






Artikulli radhës