Krenaria me të kaluarën si alibi për dekadencën tonë


Në diskursin bashkëkohor të predikimit islam vërehet një ëndje e lartë për të zbardhur lavditë e se kaluarës sonë te ndritshme dhe për të rikthyer në memorie virtytet dhe arritjet qe i realizuan brezat e parë të myslimanëve. Në parim kjo "tendencë" është e shëndoshë, sepse synohet mbajtja gjallë e aspiratës për të rimëkëmbur sërish një brez që frymon me Islamin dhe që bëhet shëmbëlltyrë për të tjerët edhe në vazhdim. Pa rikujtuar në formë të ripërtëritshme gjurmët e jetës së virtytshme të tyre, nuk mund ta gjejmë rrugën as ne sot drejt virtytshmërisë. Si mos të jetë kështu ku për brezin e parë dhe dy brezat vijues, gjejmë edhe citate të shumta në Kuran dhe hadithe që vënë theksin te superioriteti i tyre fetar e moral dhe merita që ata të mbesin shembuj tejhistorik. Allahu në Kuran na rrëfeu duke thënë: "Allahu është i kënaqur me të hershmit e parë prej muhaxhirëve (migruesve) dhe prej ensarëve (vendasve-ndihmëtarë) dhe prej atyre që i pasuan ata me punë të mira, e edhe ata janë të kënaqur ndaj Tij. Atyre u ka përgatitur xhenete, në të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përjetë të pasosur. E ky është fitim i madh." (Et Teube, 100).
Megjithatë, rikthimi i detajeve dhe virtyteve të jetës së tyre në diskursin dhe predikimin tonë sot, fshehë brenda vetes edhe një lloj prirjeje për të gjetur një alibi për dekadencën tonë, sikur për të thënë se, nëse doni Islamin e vërtetë dhe praktikuesit e tij të denjë, ja ku i kemi ata breza të denjë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë. Në rregull, veçse të tjerët, nuk po kërkojnë prej nesh shembuj të njerëzve që para shumë shekujve ata kanë vdekur. Ata po hulumtojnë për praktikë shembullore sot dhe modele të gjalla aktuale, të cilat do të mund të përdoreshin çdo ditë si fanar ndriçues në rrugën e drejtë për secilin njeri.
Me dëshirën më të madhe, siç edhe e vërejmë gjithandej në ligjërimet tona, iu flasim njerëzve për sinqeritetin e Ebu Bekrit, trimërinë dhe drejtësinë e Umerit, diturinë e Ibën Mesudit (Zoti qoftë i kënaqur me ta), pastaj asketizmin e urtësitë e Hasan el Basriut, mendjemprehtësinë e shquar të Imam Ebu Hanifes, e më vonë edhe për heroizmat e rrallë të Salahuddin el Ejubit. Duke i rikujtuar të bëmat e tyre, sikur mbushim zbrazëtirën shpirtërore për krenarinë e munguar në epokën moderne. Ne nuk jemi, por ja i kishim ata!
Ata mbesin një dëshmi e gdhendur në analet e historisë, që rrëfejnë për një epokë të ndritshme për veten e tyre, por edhe për Islamin, andaj jo rastësisht gjëma e të bëmave të tyre kumbon edhe sot. Ndërsa brezi i sotshëm, pos krenarisë me paraardhësit, mbesin thjesht dëshmi e një brezi të ngatërruar me vetveten, që s'po arrijmë të bëhemi epiqendër magnetike që tërheq kureshtjen e një bote në ndryshim. E nga kjo perspektivë historike, shihet qartë se sa e gjatë ka qenë periudha në të cilën myslimanët ishin kontribuues të mëdhenj dhe pjesëmarrës aktivë, si në shkencë e politikë, ashtu edhe në historinë kulturore të njerëzimit dhe sa relativisht e shkurtër është periudha e prapambetjes sonë dhe humbjes së pozitës së shëmbëlltyrës.
Pra, sinqeriteti, devotshmëria, dituria, drejtësia e asketizmi i atyre brezave, na japin premisë të lartë për të qenë edhe ne trashëgimtarë të denjë të tyre, por nuk na bëjnë doemos shembullorë e njerëz të mirë.
Aq i spikatur është ajeti për ta përçuar këtë mesazh, ku Allahu ka thënë: "Ai ishte një popull që shkoi, të cilit i takoi ajo që fitoi, e juve u takon ajo që fituat, prandaj ju nuk jeni përgjegjës për atë që ata vepruan." (El Bekare, 141). Pra, të bëmat dhe arritjet e tyre përbëjnë aset krenarie për ta, dhe te Zoti, ata, për ato veprat sigurisht se do të shpërblehen. Ndërsa veprat tona, na takojnë ne dhe ne për to do të "shpërblehemi".
Brezat e fundit të myslimanëve rrezikojnë që kapitalin e grumbulluar të arritjeve dhe të bëmave të brezave të shkuar ta shpenzojnë me shpejtësi, për shkak të pafuqisë që të vazhdojnë kontributin në çdo kohë e vend dhe për shkak të braktisjes së pozicionit ndikues në shoqëri. Andaj, jo rastësisht njerëzit përherë e më shumë po bëjnë thirrje për ta shqyrtuar e rishikuar atë panoramën e ruajtur në memoriet e tyre për epokat tona të lavdishme. Kjo, nëse nuk ndryshojmë për të mirë, po që është një mëkat i madh i brezit tonë.


Editoriali
Dituria Islame 414