Dihet se menjëherë pas muajit të Ramazanit, fillojnë muajt e Haxhit, të cilët, sipas kalendarit hënor, janë muajt sheval, dhul-ka`de dhe dhjetë ditët e para të dhul-hixhes. Për këtë adhurim (ibadet) Allahu xh.sh. në Kur'an thotë: “Haxhi është në muajt e mirënjohur”. (El-Bekare, 197).
Me shprehjen “muaj të mirënjohur” nënkuptojmë muajin e dhjetë, njëmbëdhjetë dhe muajin e dymbëdhjetë (dhjetë ditët e para të muajit të dymbëdhjetë) të kalendarit islam. Në stinën e Haxhit, kushdo që ndodhet në Qabe ose në rrethinën e saj, është i sigurt, siç theksohet në Kur'an: “Dhe kur shtëpinë (Qabenë) e bëmë vend kthimi dhe vend sigurie për njerëzit”… (El-Bekare,125).Në këtë muaj të shenjtë, në Qabe dhe në rrethinën e saj ndalohen vrasja, lufta, konfliktet dhe gjithçka tjetër që është në kundërshtim me vlerat njerëzore. Për këtë arsye Allahu xh.sh. ka urdhëruar që kushti i pestë i Islamit të kryhet në këtë muaj të shenjtë.
Norma e Haxhit në Islam
Kryerja e Haxhit sipas Sheriatit islam është farzi Ajn dhe një prej pesë shtyllave të Islamit (detyrim individual) i argumentuar në Kur'an dhe në Synetin e Pejgamberit a.s., që është bërë obligim nga fundi i vitit të nëntë h.. Çdo mysliman a myslimane që ka pasuri, e ka për obligim që, brenda mundësive shëndetësore dhe materiale, të kryejë kushtin e pestë të Islamit-Haxhin. Njeriu që kryen këtë obligim, quhet haxhi, kurse vetë ceremonia e kryerjes së kësaj detyre quhet Haxh, ose, siç përdoret tek ne - haxhillëk.
Ky farz i Islamit vërtetohet në Kur'an dhe Hadith. si dëshmi po përmendim disa ajete të Kur'anit, të cilat flasin për këtë kusht-detyrim islam: “Për hir të Allahut, vizita e Shtëpisë (Qabesë) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo” (Ali-Imran, 97.)
Gjithashtu Allahu i Lartëmadhëruar në Kur'anin famëlartë thotë: “Dhe thirr ndër njerëz për Haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura, që vijnë prej vendeve të largëta”. (El-Haxh,27).Po ashtu, ka disa dijetarë të cilët konsiderojnë se kryerja e Haxhit është bërë obligim në ajetin: “E kryeni Haxhin dhe Umren për hir të Allahut”... (El Bekare,196).
Për të qenë Haxhi i pranuar (Mebrur) tek Allahu xh.sh., duhet të jemi të përgatitur mirë për haxh, të mos bëjmë mëkate gjatë kohës së Haxhit, të mos bëjmë hipokrizi dhe që, pas Haxhit, të mos bëjmë mëkate. vetëm me plotësimin e këtyre kushteve haxhi mund të jetë i vlefshëm dhe i pranuar. E për Haxhin (Mebrur), Pejgamberi a.s. ka thënë: “Për Haxhin mebrur nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhennetit”. (Buhariu dhe Muslimi).
Kushtet e obligueshmërisë së Haxhit
Që një mysliman të obligohet për të kryer Haxhin, duhet t`i plotësojë këto kushte:
1. Të jetë mysliman: Haxhi është një prej pesë shtyllave të Islamit, për të cilin obligohen vetëm myslimanët. Nga jomyslimani nuk kërkohet kryerja e Haxhit, përveç nëse ai paraprakisht pranon islamin. nëse myslimani ka kryer haxhin dikur dhe më pastaj ka braktisur fenë islame, pas pranimit të sërishëm të islamit, përsëri duhet ta kryejë Haxhin (e ka farz), nëse ka mundësi, ngase duke mohuar islamin, i ka shlyer të gjitha veprat e kryera më herët. Allahu i Lartmadhëruar në Kur'an thotë: “Kush e mohon (tradhton) besimin, ai ka asgjësuar veprën e vet dhe në botën tjetër është prej të shkatërruarve”. (El-Maide,5)
2. Liria: Mbështetur në faktin se Haxhi është obligim që kryhet jo vetëm me qëndrim fizik, porse ndërlidhet edhe me posedim të mallit (pasurisë), liria është kusht që Haxhi të jetë i obliguar, sepse robi nuk ka të drejtë në pasurinë e zotërisë së tij, ndërkohë që ai nuk posedon pasuri vetanake. Po ashtu, që ai të mos jetë i kërcënuar nga ndonjë dënim apo burgosja, e të ngjashme nga prijësi tiran apo nga armiku.
3. Të jetë i moshës madhore: Për të qenë Haxhi obligim (farz) për një besimtar, është kusht mosha madhore e tij. Haxhi nuk është obligim për fëmijët, sepse obligimet fillojnë me arritjen e fazës së pubertetit, që do të thotë se mosha madhore është kusht që Haxhi të bëhet farz (obligim) për një mysliman. në rast se kryen Haxhin një person i moshës jomadhore, haxhi i tij nuk është pengesë, veçse konsiderohet nafile (vepër vullnetare) dhe, pasi të arrijë moshën madhore, ai duhet ta kryejë Haxhin e obliguar (farz).
4. Të jetë i arsyeshëm-i mençur: arsyeshmëria dhe shëndeti i mirë në aspektin mendor, është parakusht që Haxhi të bëhet obligim-farz për secilin mysliman. haxhin nuk e ka obligim ta kryejë personi i sëmurë mendërisht. mirëpo, nëse personi e kryen Haxhin, kur të jetë i shëndoshë dhe më pastaj sëmuret mendërisht, Haxhi që e ka kryer, konsiderohet i drejt dhe nuk është i obliguar për ta kryer sërish, kur të shëndoshet.
5. Të ketë mundësi materiale: mundësia materiale është kusht, në mënyrë që dikush të obligohet për të kryer Haxhin –këtë farz të fesë islame. Mirëpo, nëse një skamnor e kryen Haxhin me nijetin për ta kryer farzin e Haxhit (d.m.th., haxhin që është obligim një herë gjatë jetës), ky Haxh do të ishte i drejtë dhe nuk do të jetë i obliguar ta kryejë kur të krijojë mundësi për ta kryer.
I obliguar për kryerjen e Haxhit konsiderohet personi që posedon mjete - për shpenzime mesatare për rrugë dhe pa u ngushtuar materialisht, pasi të ketë plotësuar nevojat themelore dhe të domosdoshme në familje si: shtrojën, shtëpinë, furnizimin me ushqim derisa të kthehet nga Haxhi, libra për mësim, mjete të nevojshme për mbarëvajtjen e zanatit a të profesionit me të cilin siguron kafshatën e gojës për familje, larjen e borxheve etj..
Nëse dikush posedon shtëpi, e cila nuk i nevojitet për banim, ose mobile që nuk i përdor, ose tokë të cilën e nuk e punon, ose teprica të tjera të ngjashme me to, që i tejkalojnë nevojat e tij, është i detyruar t`i shesë ato për të siguruar mjetet për Haxh, nëse me shitjen e tyre mund të sigurojë mjete të mjaftueshme.
Është me rëndësi të theksojmë se vonimi i Haxhit për shkak të pamundësive për të blerë dhurata për të afërmit, nuk mund të jetë arsyetim, sepse kjo nuk është prej kushteve të Haxhit. Ai që për këtë arsye e shtyn Haxhin ose për arsye se nuk mund t’u sjellë dhurata të afërmve pasi të kthehet nga Haxhi, dhe vdes para se ta kryejë këtë obligim (farz), ai ka vdekur me mëkat.
6. Haxhi nuk është obligim për një mysliman, përveç nëse posedon mjete të nevojshme në kohën e muajit të Haxhit ose në kohën e nisjes së haxhinjve nga vendi i tij. Nëse kishte pasuri më përpara, po atë e kishte shpenzuar para këtyre muajve, atëherë nuk e ka obligim Haxhin, sepse Allahu xh.sh. në kur'an thotë: “haxhi është në muajt e caktuar”. (El-Bekare 197).
Farzet e Haxhit
1. Ihrami: Me hyrjen në Ihram nënkuptohet marrja e vendimit për kryerjen e Haxhit. Me Ihram hyjmë në obligimet e Haxhit edhe me mendje (nijet), edhe me obligime në praktikë, ashtu siç hyjmë në namaz fillimisht me nijetin e pastaj me tekbirin fillestar dhe me veprime të tjera. Telbin mund ta zëvendësojë çdo lloj i të përmendurit të Allahut apo sigurimi i Kurbanit të Haxhit dhe marrja e tij me vete (që ishte zakon tek arabët që u vënin në qafore shenjat e deveve të caktuara për kurban, të cilat i thernin pastaj në Qabe).
Pas hyrjes në Ihram, është kusht heqja dorë nga marrëdhëniet intime gjersa të mos kryhet qëndrimi në Arefat dhe tavafi tek Umra. Kontaktet bashkëshortore para Arefatit, e prishin Haxhin. Edhe pse e prish Haxhin (kush vepron sikur u tha më sipër) personi në fjalë duhet të vazhdojë t’i kryejë ceremonitë e tjera të Haxhit dhe të therë një dash (kurban) si dënim, dhe në vitin e ardhshëm ta kryejë Haxhin. Në lidhje me këtë temë, Pejgamberi a.s. ka thënë në një hadith: “Duhet të therë një kurban, ta përfundojë Haxhin e filluar dhe vitin e ardhshëm sërish ta kryejë Haxhin”. (Ebu-Davudi dhe Bejhekiu). Ndërsa, nëse ka pasur marrëdhënie intime pas rruarjes së kokës, po para tavafit, në këtë rast duhet të therë një dash, sepse femrat janë ende në ihramin e tyre, po në këtë rast delikti është më i vogël, prandaj mjafton vetëm therja e një dashi për kompensim dhe jo përsëritja e Haxhit.
2. Qëndrimi në Arefat në kohë të caktuar: Qëndrimi në Arefat, qoftë edhe për një kohë të shkurtër, është farz, koha e këtij qëndrimi fillon prej kur dielli gjendet në zenit (drekë), ditën e nëntë të Dhul-hixhes deri në agimin e ditës së dhjetë të Dhul-hixhes. Ai që në këtë kohë nuk qëndron në Arefat, qoftë për pak kohë dhe pavarësisht nëse qëndron në këmbë apo ulur, zgjuar a në gjumë, ai nuk ka bërë haxh, sepse Pejgamberi a.s. ka thënë: “Haxhi është Arefat. Ai që prezanton në tubimin e natës (së Bajramit) në Arefat, para ardhjes së agimit, ai ka arritur në Haxh”. Është kusht që në Arefat të qëndrohet doemos i pastër nga xhenabeti me abdes, por pastrimi dhe të marrët e abdesit është synet i fortë. Lejohet dhe konsiderohet i kryer farzi i tillë nëse femra është me menstruacion (hajz) dhe në kohë pas lindjes (nifas) gjatë kohës sa është duke qëndruar në Arefat.
3. Tavafuz-Ziare (Tavafi që kryhet pas qëndrimit në Arefat): Ky tavaf është i njohur si tavaful-Ifada. allahu i madhëruar në Kur'an thotë: “…Dhe le të sillen (të bëjnë tavaf) rreth shtëpisë së lashtë”. (El Haxhxh, 29). Ky tavaf duhet të bëhet pas hedhjes së guralecëve në ditën e parë, të dytë ose të tretën e Kurban Bajramit. Prej këtij obligimi haxhiu mund të lirohet vetëm nëse vdes pas Arefatit, përndryshe duhet ta kryejë tavafi-ziaren.
Vaxhibet e Haxhit janë obligime të rëndësishme që kompletojnë gjithë procedurën dhe rregullat e Haxhit. Moskryerja e vaxhibeve nuk e prish Haxhin, por përbën një mangësi, e cila kompensohet me therje kurbani në Harem, dhe kjo nëse shkak i moskryerjes së tyre është ndonjë fatkeqësi personale. Ndërsa, nëse shkak i moskryerjes së vaxhibeve është ndonjë fatkeqësi natyrore, haxhiu në këtë rast nuk është i detyruar të therë kurban. Duhet ditur se kurbani theret për shkak të moskryerjes së ndonjë vaxhibi të haxhit, pa marrë parasysh nëse është lënë qëllimisht apo jo, ose gabimisht. Ai që nuk e kryen qëllimisht, është mëkatar më i madh. Me therjen e Kurbanit vetëm përmirësohen gabimet e Haxhit, kurse, për shkak të mëkatit të kryer, pas përmirësimit të gabimeve duhet të bëhet tevbe.
Vaxhibet e Haxhit
1. Ihrami; Haxhi dhe Umreja nuk mund të kryhen pa ihram. Me veshjen e Ihramit nënkuptohet që haxhiu ka vendosur të kryejë Haxhin apo Umren. Për sa i përket nijetit për veshjen e Ihramit, atë mund ta bëjmë vetëm me zemër.
2. Sa`ji-vrapimi në mes kodrave Safa dhe Merve: Vrapimi duhet të f illojë prej kodrës Safa deri në kodrën Merve, që konsiderohet një sjellje. Kështu duhet të veprohet shtatë herë. I sëmuri dhe ai që nuk mund të ecë, lejohet ta bëjë sa`jin me mjete të tjera të bartjes. Sa`ji duhet të kryhet patjetër pas tavafit.
3. Qëndrimi në Muzdelife: Musdelifja është vend në mes Arefatit dhe Mines, ku haxhiu e ka obligim (vaxhib) të qëndrojë qoftë edhe për një kohë të shkurtër. Personit të sëmurë, të dobët fizikisht, qoftë grua a burrë, që frikësohet për shëndetin apo nga rrethana të tjera për shkak të grumbullimit të madh të njerëzve, i lejohet të mos qëndrojë në Muzdelife. Koha e qëndrimit aty, sipas medhhebit hanefi, është prej para agimit e deri në lindjen e diellit.
4. Hedhja e guralecëve: Guralecët së pari hidhen në ditën e parë të Kurban-Bajramit në Xhemeretul akabe (Guri i madh), kurse në dy ditët e tjera hidhen në të tri xhemeratet. Në Xhemrën e parë duhet të hidhen shtatë guralecë një nga një. Koha e hedhjes në këtë Xhemre fillon prej sabahut të ditës së Bajramit deri në sabahun e ditës së dytë. Në ditën e dytë dhe të tretë hidhen guralecët në të tri xhemeratet nga shtatë, duke filluar nga i vogli, tek i mesmi dhe në fund, në Xhemretul akabe. Me rastin e çdo hedhjeje, duhet të shqiptohet fjala “All-llahu Ekber”. Në vend të të sëmurit dhe të dobëtit, guralecët mund t’i hedhë dikush tjetër, që është i aftë, i shëndoshë.
5. Rruajtja a prerja e flokëve: Rruajtja a prerja e flokëve është prej normave obliguese (vaxhib) të Haxhit. Sipas dijetarëve islamë, rruajtja e flokëve është më e lavdëruar se prerja e tyre. Kjo vlen për meshkuj, kurse për gra është më e parapëlqyer prerja e flokëve. Personi që nuk ka flokë, sipas hanefinjve, duhet të rruajë kokën me mjete të rrojës. Koha e rruajtjes a prerjes së flokëve fillon pas hedhjes së guralecëve në Xhemretul akabe dhe zgjat deri në ditën e tretë të Kurban-Bajramit.
6. Tavaful veda: Ky është tavafi lamtumirës, që është vaxhib për secilin haxhi që nuk jeton në Mekë. Nëse dikush largohet nga Meka pa e kryer këtë tavaf, po të ketë mundësi, duhet të kthehet për ta kryer tavafin, se përndryshe, nëse nuk mund të kthehet, duhet të presë një kurban për kompensim.
Synetet e Haxhit
Tavaful Kudumi, pastrimi apo marrja e abdesit para veshjes së Ihramit, pastaj qëndrimi dhe fjetja në Mine në natën e Arefatit, bujtja në Muzdelife, qëndrimi në Mine gjatë ditëve të hedhjes së guralecëve, falja e dy rekateve pas veshjes së Ihramit, zbulimi i krahut të djathtë në tri sjelljet e para të tavaful kudumit, ecja e shpejtë në tri sjelljet e para të këtij tavafi, pastaj nisja nga Mina për në Arefat në ditën e nëntë të Dhul-hixhes pas lindjes së diellit, vrapimi në sa`j në mes shenjave, shqiptimi i shpeshtë e telbijes, ihrami të jetë prej dy pjesësh të bardha dhe pastrimi para hyrjes në Mekë.
Literatura e konsultuar:
1. Haxhi, rregullat e kryerjes së haxhit, Abdulhamid Mahmud Tuhmaz, SH.K. “Drita-Gjilan” Gjilan, Shtëpia Botuese “Drita e jetës” Gjilan, 2004.
2. Pesë shtyllat e fesë islame, Fahrudin Ebibi, Irfan Abazi, Taxhedin Bislimi, jusuf Zimeri, Shkup, 1419/1998
3. Fikhul Ibadat, mr.Flamur Sofiu, Prishtinë, 2008.
4. Hutbet e xhumasë, Imam Imer jusufi, Kërçovë, 2006.
5. Ligjërata javore, Fehmi Raqipi, Logos-A, biblioteka Mendimi Islam, Shkup 2006.
Dituria Islame 231