Pesë myslimanë britanikë lundrojnë nga Londra në Mekë për të kryer Haxhin

 


Pesë myslimanë britanikë po lundrojnë nga Mbretëria e Bashkuar drejt Arabisë Saudite për të kryer Haxhin, duke ringjallur shpirtin e lashtë të pelegrinazhit përmes ujërave të hapura, pa pasur asnjë përvojë të mëparshme në lundrim.
Ajo që filloi si ëndërr është bërë realitet për pesë burra nga Londra të cilët aktualisht po udhëtojnë me det drejt Arabisë Saudite për të kryer Haxhin.
Pa përvojë të mëparshme në lundrim, grupi nisi udhëtimin e tyre prej 7,400 km nga Kanali Anglez më 1 prill, duke kaluar nëpër ujërat evropiane dhe të Afrikës së Veriut drejt Detit të Kuq.
Ekuipazhi - Abdul Wahid, Tauseef Ahmed, Jody McIntyre, Dobbir Uddin dhe Taher Akhtar, të moshës midis 27 dhe 47 vjeç - e kanë shndërruar ekspeditën e tyre unike në një mision shpirtëror.
Anija e tyre me vela, një Westerly 33 Ketch e vitit 1978, udhëtoi nga Kanali Anglez në Marsejë, ishujt e Korsikës, Sardenjës dhe Sicilisë, përmes Kanalit të Suezit në Detin e Kuq.
Wahid e përshkroi udhëtimin si "një ringjallje e shpirtit të vjetër të Haxhit", duke ndërthurur përkushtimin islamik me trashëgiminë detare të Britanisë. "Bëhet fjalë për bukurinë e Haxhit në formën e tij të pastër", tha ai. "Duke ecur, duke hipur në kalë ose duke lundruar - kështu arritën paraardhësit tanë në Mekë."
Por jo gjithçka ka shkuar mirë. Në Francë, grupi u përball me një bllokim prej 24 kilometrash në kanal, që i detyroi të ngrejnë të gjithë varkën mbi një kamion. Një ditë tjetër, u zgjuan dhe panë që anija po rridhte dhe po fundosej ngadalë — megjithatë, përkundër çdo pengese, ata vazhduan përpara. 
“E nisëm këtë udhëtim pa pasur ndonjë përvojë në lundrim,” pranoi Wahid. “U stërvitëm për gjashtë muaj, madje jetuam në det për një javë për të mësuar. Falë Allahut, arritëm deri këtu.” 
Përtej sfidave teknike, janë momentet emocionale dhe shpirtërore ato që kanë lënë gjurmë të thella. Nga takimi me delfinët që kërcenin në dallgë e detit deri te kryerja e lutjeve nën qiell të hapur, ky udhëtim ua ka forcuar besimin dhe ndjenjën e qëllimit.


 


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

KBIGJ priti përfaqësues të institucioneve lokale dhe politike me rastin e urimeve për Kurban Bajram (VIDEO)