Udhëtimi i një burri libian drejt qytetit saudit të Mekës për të kryer pelegrinazhin vjetor të Haxhit, i mbushur me këmbëngulje dhe përkushtim shpirtëror, po shpërndahet gjerësisht në mediat sociale.
Ajo që filloi si një udhëtim i zakonshëm për Amer Al Mahdi Mansour Al Gaddafi-n për të kryer Haxhin, u shndërrua në një pengesë pasi ai u ndalua në zyrën e imigracionit gjatë kontrollit të sigurisë.
Mbiemri i Amerit — Al Gaddafi — u shënua në sistemin e sigurisë në aeroport, dhe më pas ai u mbajt në sportel.
“Do të përpiqemi ta zgjidhim për ty, por duhet të presësh pak me ne”, iu tha në aeroport.
Derisa grupi i tij hipi në avion, ai mbahej ende në sportelin e aeroportit. Pasi çështja e sigurisë u zgjidh, piloti refuzoi t'ia hapte derën dhe vendosi të nisej pa të.
Edhe pse oficerët e sigurisë u përpoqën ta ngushëllonin, Ameri refuzoi të largohej nga aeroporti duke thënë: "Kam ndërmend të kryej haxhin dhe me dëshirën e Zotit do të shkoj".
Menjëherë pas ngritjes, avioni pësoi një defekt teknik dhe u detyrua të kthehej prapa. Avioni iu nënshtrua riparimeve të vogla, megjithatë, piloti refuzoi të hapte derën.
Pasi u ngrit për herë të dytë, avioni hasi në problem të dytë, duke e detyruar të ulej përsëri.
Sipas pasagjerëve dhe ekuipazhit, pas uljes së dytë piloti tha: "Betohem se nuk do të fluturoj përsëri nëse Ameri nuk do të jetë me ne".
Ndërkohë, autoritetet i hapën rrugën Amerit, ai hipi në avion që në përpjekjen e tretë.
Duke folur për incidentin, Ameri tha: "Doja vetëm të shkoja në Haxh. Dhe besoja se nëse është e shkruar, asnjë forcë nuk mund ta ndaloj."
Foto e Amerit po bëhet virale në rrjetet sociale, ku ai shihet duke pozuar me ekuipazhin e aeroplanit.