Ndalesë me haxhinjtë

 


Flladi i ditëve të Bekuara


 Në këto ditë fisnike, të cilat konsiderohen prej ditëve më të dashura tek Allahu xh.sh. dhe veprat e mira gjatë këtyre ditëve janë më të dashura tek Allahu sesa gjatë ditëve të tjera, e ato janë dhjetë ditët e para të muajit Dhul-Hixhxhe, gjatë të cilave Allahu xh.sh. ia ka ligjësuar njeriut që t’i afrohet Atij sa më shumë me: tehlil (duke thënë: LA ILAHE IL-LALL-LLAH), tekbir (ALLAHU EKBER), tesbih (SUBHANALL-LLAH), tahmid (ELHAMDU LIL-LAH), lëmoshë, vepra të mira dhe me agjërim. Në këto ditë të bekuara drejt nesh fryn era e haxhinjve, drejt nesh fryn flladi i Haxhit, vjen erë e mirë nga Toka e Shenjtë, nga Meka e bekuar. Drejt nesh fryjnë këto erëra dhe fllade, që të nuhatim aromën e tyre dhe të jetojmë në këtë atmosferë hyjnore, në atmosferën e këtij rituali dhe obligimi madhështor, i cili është shtylla e pestë e islamit, vizita e Shtëpisë (Qabesë) për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo. 


Adhurimet islame materiale dhe fizike 


Islami na ka ligjësuar obligime, rituale dhe adhurime, disa prej të cilave dijetarët i quajnë adhurime fizike, e disa të tjera i quajnë adhurime materiale, ndërsa disa të tjerë kanë elemente ndërmjet adhurimeve fizike e materiale. Namazi është adhurim fizik, që e bën me trupin tënd, i tillë është edhe Agjërimi, kurse Zekati është adhurim material. 


Haxhi është adhurim material dhe fizik 


E haxhi është adhurim gjithëpërfshirës: adhurim fizik dhe adhurim material. Njeriu gjatë Haxhit përpiqet dhe orvatet, mundohet me trupin e tij, zhvendoset prej vendit të tij në ato toka të shenjta, dhe jeton një jetë të thjeshtë, që është e ngjashme me jetën e kampistëve dhe endacakëve në shatorre, fle mbi dhe e guralecë, lëviz duke u rrotulluar rreth Qabesë, duke ecur ndërmjet Safasë dhe Merves, - të gjitha këto kërkojnë përpjekje fizike, ecje e lëvizje. Nga një aspekt tjetër, kërkohet edhe pasuria. Njeriu ka nevojë të domosdoshme për pasuri - që të udhëtojë në ato vende. Allahu nuk kërkon nga njeriu që të shkojë në ato vende duke ecur në këmbë, po ai shkon hipur mbi ndonjë mjet udhëtimi. Për këtë arsye, nga mundësitë e udhëtimit për haxh, konsiderohet që të posedojë ushqim dhe mjet udhëtimi. Nëse dëshirojmë të shprehemi me shprehje bashkëkohore për ushqimin dhe mjetin e udhëtimit,themi: të posedojë shpenzimet e udhëtimit për në shtëpinë e Allahut, dhe shpenzimet e qëndrimit të tij në Tokën e Shenjtë gjatë kohës së nevojshme për të, çdo njeri, aq sa ka nevojë për vete, pa bërë shpërdorime dhe as koprraci, dhe t’u lërë fëmijëve të tij aq sa kanë nevojë dhe sa u mjafton atyre derisa të kthehet, e të mos i lërë ata pa asgjë. Për këtë arsye, Haxhi është adhurim fizik dhe material. Meqë haxhi është adhurim i kushtueshëm deri në këtë masë, Allahu xh.sh. e ka obliguar një herë gjatë jetës së njeriut. Namazi duhet të falet për çdo ditë nga pesë herë; zekati jepet kur të plotësohet numri i caktuar në kafshë (njëherë në vit) ose kur njeriu t’i korrë (vjelë) frutat; agjërimi është obligim për çdo vit nga një muaj, ndërsa Haxhi një herë gjatë jetës së njeriut, lehtësim për njerëzit. Për këtë arsye, të parët tanë pesë kohët e namazeve i quanin “peshore të ditës”, Xhumanë e quanin “peshore të javës”, muajin e Ramazanit e quanin “peshore të vitit”, ndërsa Haxhin e quanin “peshore të jetës”.


Disa urtësi të obligimit të Haxhit


1 - Bindja dhe nënshtrimi ndaj Allahut xh.sh. 
Islami erdhi me adhurim ndaj Allahut xh.sh., që Allahu të thotë: “kam urdhëruar dhe kam ndaluar”, ndërsa robi thotë: “Dëgjova dhe respektova (Urdhrin)”. Allahu të ka urdhëruar që të shkosh në këto toka, të dëgjosh e të respektosh, të sillesh rreth Qabesë shtatë herë, as pesë e as dhjetë herë jo, po shtatë herë, domethënë shtatë, të fillosh rrotullimin prej Gurit të Zi, e nuk të llogaritet rrotullimi rreth Qabesë (tavafi) veçse prej Gurit të Zi. Guri i Zi nuk është objekt adhurimi tek myslimanët, siç pretendojnë disa misionarë, jo, Guri i Zi është fillimi i tavafit. Myslimanët nuk adhurojnë gurin dhe as Qabenë, po ato janë simbole. Myslimani, kur rrotullohet rreth Qabesë, e puth Gurin e Zi ose e përshëndet me dy duart e tij apo bën me shenjë nga ai duke thënë: BISMIL-LAHI VALL-LLAHU EKBER (në emër të Allahut, Allahu është më i Madhi).
Besimtari rrotullohet rreth Qabesë shtatë herë duke iu bindur dhe nënshtruar urdhrit të Allahut xh.sh. dhe duke e lutur atë, e në veçanti ndërmjet Ruknit jemanij dhe Gurit të Zi. Pastaj i fal dy rekate pas Mekami (vendit të) Ibrahimit (i tërë vendi i Qabesë është Mekami Ibrahim, sikur të falej në cilindo vend të Qabesë, do të vlente dhe do të zërë vendin e Mekami Ibrahimit), fal një namaz të lehtë të përbërë prej dy rekatesh, ashtu që të mos i lëndojë njerëzit e as t’i ngushtojë ata. në rekatin e parë, pas sures El-Fatiha, lexon suren El-Kafirun, ndërsa në rekatin e dytë, gjithashtu pas sures el-fatiha, lexon suren El-Ihlas. Pastaj pi ujë prej ujit të Zemzemit, dhe e lut Allahun kur ta pijë ujin, duke thënë: “O Allahu im, kërkoj nga Ti dituri të dobishme, furnizim të gjerë dhe shërim nga çdo sëmundje”. Pastaj haxhiu shkon në Safa dhe Merve, qëndron në atë kodër, ku ka qëndruar Pejgamberi a.s., dhe e ka filluar ecjen (sa’jin) prej Safasë, dhe ka ecur shtatë xhiro, e e ka mbaruar ecjen në merve.
Ndërmjet Safasë dhe Merves ekzistojnë dy shenja të gjelbra të dukshme e të qarta, ndërmjet të cilave haxhiu duhet të vrapojë, duhet të jetë më i shpejtë në ecje, duke e kujtuar atë që i ka ndodhur nënës së Ismailit a.s. (Haxheres), kur ajo vraponte për të kërkuar ujë për foshnjën e saj, e me mall e luste Allahun, derisa Allahu nxori prej tokës dhe prej nën këmbëve të saj ujin “Zemzem”. Haxhi është gjallërim i kujtimeve të vjetra dhe të reja: kujtimet e Ibrahimit a.s. nga e kaluara, dhe kujtimet e Muhammedit a.s. nga e tashmja. Në ato ditë, myslimani jeton me Ibrahimin a.s. dhe me Muhammedin a.s., duke Iu bindur Allahut xh.sh.. 
Ibrahimi a.s. i gjuajti guralecët atëherë kur djalli dëshiroi ta cyste dhe ta joshte e ta provokonte që të mos e bënte Kurban të birin, Ismailin a.s..Myslimani I bindet Allahut të lartësuar dhe e adhuron Atë me gjuajtjen e guralecëve. Disa njerëz thonë: Ç’është vlefta e gjuajtjes së guralecëve? Gjuajtja e guralecëve personifikon të keqen (sherrin), për këtë arsye njeriu duhet ta gjuajë këtë të keqe. është simbol për shpalljen e rezistencës, këmbëngulje për luftimin e të këqijave. Në këtë mënyrë njerëzit e përfytyrojnë këtë çështje, saqë për gjuajtjen e guralecëve njerëzit thonë: shejtani i madh, shejtani i mesëm dhe shejtani i vogël, ose: gjyshi, biri dhe nipi. Njerëzit e përfytyrojnë djallin, për këtë arsye e gjuajnë me guralecë, madje dikush e gjuan edhe me këpucët e tij e me gjëra të tjera edhe se kjo nuk është e lejuar. Haxhi është i mbushur me këtë gjuhë simbolike, e simbolika është gjuhë internacionale, që mund ta kuptojë çdo njeri. Pra,Haxhi është personifikim i parimit të adhurimit për Allahun.


2 - uniteti dhe harmonia
Allahu xh.sh. i mbledh njerëzit nga të gjitha anët e botës, nga Lindja e Perëndimi, arabët dhe joarabët, nga ngjyrat e ndryshme ndërmjet të bardhëve e të zinjve, nga popujt e ndryshëm, me poste e pozita të ndryshme, nga shtetet e ndryshme, Islami i ka shkrirë në një vend, besojnë në Një Zot, pasojnë një Pejgamber, drejtohen nga një kible, kryejnë të njëjtat rituale, thirrja e tyre është e njëjtë: “LEBBEJKE ALLAHUMME LEBBEJK ...”. Islami erdhi për të personifikuar unitetin e myslimanëve me këtë obligim. Uniteti islam manifestohet në këtë Haxh, në këtë sezon madhështor. nuk ka dallim ndërmjet myslimanëve gjatë këtyre ritualeve dhe para Shtëpisë së Allahut (Qabesë), të gjithë janë të barabartë. Në këtë obligim manifestohet universaliteti i Islamit. Kjo është feja universale, feja e të bardhëve dhe të zinjve, feja e lindorëve dhe perëndimorëve, feja e të gjitha racave, ngjyrave, gjuhëve dhe vendeve. Ky është një kongres i myslimanëve nga mbarë bota, në të nuk ka ftuar ndonjë mbret, kryetar, qeveritar apo ministër, po ka ftuar Zoti i robërve, Allahu i Lartësuar. Ai i ftoi njerëzit në këtë vend, në të cilin personifikohet universaliteti i Islamit. 


3 - Paqja 
Prej kuptimeve që personifikon ky Haxh, është “paqja”. Haxhi është udhëtim i Paqes, gjatë tij njeriu duhet të jetë i qetë, paqësor dhe tolerant, saqë edhe grindja është e ndaluar gjatë kohës së Haxhit. Mos u grind me shokun tënd, as me atë prej të cilit blen apo të cilit i shet diçka. Bëhu i qetë, i thjeshtë, i butë e shpirtbutë, derisa të kalojë ky udhëtim në paqe. Paqe madje edhe me kafshët, haxhiut nuk i lejohet t’i gjuajë gjallesat tokësore, as lepujt, as thëllëzat, as drerët ose kafshë të ngjashme me to (el Maide, 95.) Allahu xh.sh. dëshiron që myslimani të jetë paqësor në këto toka të shenjta, paqësor me kafshët, madje edhe me bimët, gjatë kohës së Haxhit në Mekë nuk priten as bimët e as bari i saj, përveç druve të zjarrit për ndezje ose diçka e ngjashme me to. Gjatë muajve të Haxhit, nuk lejohet as lufta (el-Huxhurat, 13.) Kështu dëshiron Islami, që t’i mësojë myslimanët të jetojnë në vende të paqes, në muajt e paqes, në një gjendje (i veshur me ihrame) të paqes, përveç nëse dikush i sulmon ata. nëse sulmohen, atëherë ata do të vetëmbrohen.


4- Barazia 
Prej parimeve që personifikohen në obligueshmërinë e Haxhit, është: parimi i barazisë, vlera e barazisë. islami erdhi për të eliminuar dallimet, për t’i zhdukur këto dallime që bëjnë veçime ndërmjet njerëzve, nga racat e tyre, ngjyrat, pozitat, vendet dhe nga gjëra të ndryshme që kanë bërë klasifikime ndërmjet njerëzve. Islami erdhi për ta shpallur barazinë ndërmjet njerëzve. Të gjitha adhurimet e Islamit, obligueshmëritë dhe ritualet e tij, konfirmojnë kuptimin e barazisë. Kur të shkojnë njerëzit të veshur me ihrame për në haxh, i zhveshin të gjitha shenjat dalluese e i veshin këto rroba të bardha, që janë më të afërtat dhe mund t’i ngjajnë veshjes me të cilën varroset i vdekuri mysliman (qefinit), për t’ua kujtuar njerëzve Ahiretin (botën tjetër), ua kujton Ditën e llogarisë. Njerëzit i zhveshin gjërat që i dallojnë nga njëri-tjetri, njerëzit i sheh t’i kenë veshur këto rroba të bardha e nuk mund të dallosh udhëheqësin nga nëpunësi, as të pasurin nga i varfri, e as ministrin nga rojtari, - të gjithë janë të barabartë. Haxhi erdhi për të konfirmuar barazinë për të cilën dallohet Islami. Qytetërimi ekzistues është qytetërim dallues i racave dhe ngjyrave,saqë edhe kishat tek perëndimorët janë të ndara, ekzistojnë kisha për të bardhët dhe të tjera për të zinjtë, ata nuk e dinë barazinë. 


Haxhi i pranuar dhe kushtet e tij 


Myslimani ndien (nevojën) për një mbushje të besimit më të fortë sesa mbushja e zakonshme. Për këtë arsye, shumë njerëz shkojnë si mëkatarë në ato vende dhe kthehen të penduar nga efekti i kësaj mbushjeje, madje shumë njerëz pendimin e tyre e varin me Haxhin. Haxhi ia jep besimtarit këtë mbushje, e sidomos Haxhi i pranuar, për të cilin Pejgamberi a.s. ka thënë: “umra deri në umre është mbulesë-falëse kundër e mëkateve të haxhiut (të bëra ndaj Allahut xh.sh.), ndërsa Haxhi i pranuar (i kryer me dinjitet) pa mëkate e i respektuar (tek Allahu), për këtë s’ka shpërblim (tjetër) përveçse Xhenneti” (Taberaniu në “Evset”.). Ç’është Haxhi i pranuar, për të cilin njerëzit luten për njëri tjetrin duke thënë: Allahu ta bëftë haxhin të pranuar, mundin tënd të falënderuar dhe mëkatet të falura? 


 


”Ligjëratat e Shejh El-Kardavit” Kajro, 2005, vëllimi VI.
Përktheu nga gjuha arabe Mr. Faruk Ukallo 


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

KBIGJ priti përfaqësues të institucioneve lokale dhe politike me rastin e urimeve për Kurban Bajram (VIDEO)