Haxhi i pranuar

 


Haxhi është njëra nga pesë shtyllat e fesë Islame dhe është njëra prej ceremonive të mëdha Islame, për të cilën zemrat janë të etura dhe gjatë muajve të Haxhit, zemrat janë të etura për t’i vizituar ato vende të pastra, me qëllim të realizimit të Fjalës së Zotit xh.sh.: “(Dhe atë kohë) kur Ne e bëmë Qabenë vend dhuntie dhe sigurim për njerëzit”. (El Bekare,125); “Dhe ftoji njerëzit në haxhillëk, do të vijnë ata ty-në këmbë dhe (duke shaluar) në çfarëdo deveje; duke ardhur prej të gjitha viseve të largëta, që të prezantojnë në dobitë e tyre”. (El Haxh, 27-28).


Haxhinjtë dynden çdo vit për të vizituar ato vende të shenjta dhe çdonjëri prej tyre aspiron dhe shpreson të kthehet prej atyre vendeve i pastër nga mëkatet sikur në ditën kur e ka lindur nëna e tij/saj. Sepse, siç thuhet në një hadith: (Haxhi i shlyen (mëkatet) e kaluara).(Muslimi), gjithashtu hadithi tjetër: (Ai i cili shkon në haxh dhe gjatë asaj periudhenuk kryen ndonjë akt të turpshëm apo të neveritshëm, ai person pastrohet nga mëkatet sikur ditën kur e ka lindur nëna e tij/saj).(Buhariu). Gjithashtu në një hadith tjetër thuhet: (Haxhi dhe Umreja eliminojnë varfërinë dhe mëkatet ashtu siç eliminon shakulli papastërtinë nga hekuri dhe ari).(Tirmidhiu, Nesaiu dhe ibn Maxhe.)
Mirëpo duhet të kemi kujdes për një çështje: për kujdesin që Haxhi ynë të jetë i pranuar; sepse falja e mëkateve dhe hyrja në Xhenet lidhet ngushtëme të qenët e haxhit Haxh i pranuar. Në këtë çështje kanë aluduar edhe disa thënie të
Pejgamberit a.s., siç transmetojnë Imam Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi a.s. është pyetur: (Cila është vepra më epëlqyer? Pejgamberi a.s. u përgjigj: Besimi në Zotin dhe në të dërguarin e Tij. Pastaj cila? Pejgamberi a.s u përgjigj: Përpjekjamundi për hir të Zotit. Pastaj cila? Pejgamberi a.s u përgjigj: Haxhi i pranuar). Gjithashtu transmetojnë Imam Buhariu dhe Muslimi, po ashtu nga Ebu Hurejre, se Pejgamberi a.s. ka thënë: (Umreja e pasuar me Umre i fshin mëkatet në mes tyre, ndërsa haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhenetit).


Atëherë cili është Haxhi i pranuar?


Dijetarët myslimanë kanë thënë se për të qenë i pranuar, haxhi duhet t’i plotësojë disa çështje. Prej tyre:
1. Përmbushja e konditave-shtyllave dhe detyrave të tij, d.m.th.: këto çështje të bëhen në mënyrën më të përsosur të mundshme. Sepse Pejgamberi a.s. çështjen e Haxhit e ka sqaruar edhe me fjalë edhe me vepra gjatë Haxhit lamtumirës dhe ka thënë: (Merrni (mësoni) nga unë ritualet e haxhit, sepse mund të ndodhë që të mos jem më në mesin tuaj për ta bërë haxhin). (Muslimi)
2. Të vepruarit e veprave të mirësisë gjatë Haxhit, d.m.th.: kjo përfshin të gjitha veprat e mira dhe këtë e ka sqaruar edhe Zoti në Kur’an, kur thotë: “...por mirësi e vërtetë është ajo e atij që I beson Allahut, Ditës së Gjykimit, engjëjve, librit, pejgamberëve, dhe pasurinë që e do, ua jep të afërmve, bonjakëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep zekatin, dhe ata që, kur premtojnë, e zbatojnë, dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertët dhe të tillët janë ata të devotshmit”. (El Bekare, 177). Ky ajet kuranor – siç thotë dijetari ibn Rexheb në librin e tij Letaiful-Mearif – tregon se llojet e mirësisë janë gjashtë, dhe ai që i bashkon këto lloje, ai e ka arritur mirësinë. E para: besimi në pesë kushtet themelore të besimit imanit; e dyta: dhënia e pasurisë që e do, të afërmve, bonjakëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve; e treta: falja e namazit; e katërta: dhënia e zekatit; e pesta: zbatimi i premtimit; e gjashta: durimi në skamje, në sëmundje dhe në luftë, prandaj haxhiu ka nevojë për të gjitha këto lloje të mirësisë, sepse nuk i pranohet Haxhi atij haxhiu i cili nuk ka besim-iman; nuk e ka të plotë dhe të pranuar haxhin ai haxhi i cili nuk e fal namazin dhe nuk e jep zekatin, sepse shtyllat e fesë janë të ndërlidhura njëra me tjetrën dhe nuk mund të jetë imani i plotë e as Islami përderisa të mos veprohen të gjitha këto vepra, gjithashtu nuk plotësohet haxhi i haxhiut i cili nuk e zbaton premtimin e dhënë, i cili nuk u jep pasurinë e dashur atyre që ka thënë Zoti, dhe i cili nuk bën durim për sprovat që e goditin, dhe për vështirësitë që mund t’i has gjatë këtij udhëtimi.
3. Të pajisurit me moral dhe trajtimi i mirë i njerëzve: mirësjellja ndaj njerëzve është mirësi. Transmeton Imam Muslimi se Pejgamberi a.s. është pyetur për mirësinë. Ai është përgjigjur: (Mirësia është morali i mirë). Mirësjellja ndaj njerëzve gjatë kohës së Haxhit është një veti tepër e nevojshme, si me fjalë ashtu edhe me vepra. Transmeton Xhabir ibn Abdullahu se Pejgamberi a.s. është pyetur për mirësinë gjatë Haxhit dhe ai është përgjigjur: (dhënia e ushqimit, përhapja e selamit (përshëndetjes) dhe fjalët e mira). Si përmbledhje e tipareve të mirësisë, për të cilat ka nevojë një haxhi, janë ato me të cilat edhe Pejgamberi a.s. e ka këshilluar Ebu Xherijin, duke i thënë: (Mos nënçmo asnjë lloj të mirësisë, edhe sikur ajo të jetë diçka shumë e thjeshtë, edhe sikur të largosh një pengesë nga rruga, e
cila i pengon njerëzit, apo ta takosh vëllanë tënd fytyrëçelë, apo ta përshëndetësh atë kur ta takosh, apo të qetësosh ndonjë njeri me brenga, edhe nëse të fyen ndonjë person me diçka që ai e din që e ke, po edhe ti e di që ai e ka të njëjtën gjë, atëherë mos e fyej ti, kështu ti arrin shpërblimin ndërsa ai ndëshkimin, atë çfarë veshët e tu dëshirojnë ta dëgjojnë, veproje, kurse atë që veshët e tu nuk dëshirojnë ta dëgjojnë, largohu prej saj).(Hakimi) . Si përfundim: Njeriu më i mirë është njeriu më i dobishëm për njerëzit dhe më i durueshëm ndaj dëmeve të tyre, ashtu siç edhe i ka cilësuar Allahu xh.sh. të devotshmit, kur thotë: “Të cilët japin kur janë shlirë edhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që ua falin (të keqen) njerëzve, e All-llahu i do bamirësit”. (Ali Imran, 134). Haxhiu ka nevojë të ketë kontakt me njerëz të tjerë, dhe ai besimtar që kontakton me njerëz dhe bën durim ndaj dëmeve të tyre, është më i mirë sesa ai besimtar që nuk ka kontakt me njerëz të tjerë dhe nuk bën durim ndaj dëmeve të tyre.
4. Shpeshtimi i përmendjes së Zotit (dhikri). Për këtë ka urdhëruar Allahu xh.sh. përmes Kur’anit, që gjatë ceremonive të Haxhit të shpeshtohet përmendja e Tij. Ai thotë: “Nuk është mëkat për ju të kërkoni begati nga Zoti juaj (të bëni ndonjë tregti gjatë haxhit). E kur të derdheni (hiqeni) prej Arafatit, përmendeni Allahun në vend të shenjtë (Muzdelife), përmendeni Atë ashtu si ju ka udhëzuar Ai, sepse më parë ishit të humbur. Pastaj zdirgjuni andej nga zdirgjen njerëzit, kërkoni Allahut falje, se Allahu fal e është mëshirues. E kur t’i kryeni detyrat tuaja, përmendeni Allahun sikurse i përkujtoni prindërit tuaj, bile përmendeni edhe më fort”.( El Bekare: 198), e në veçanti shpeshtimi i të përmendurit të Zotit gjatë veshjes së Ihramit.
5. Largimi nga aktet e turpshme, imorale dhe mëkatet. Allahu xh.sh. thotë: “Haxhi është në muajt e caktuar e kush bën (ia fillon të zbatojë)haxhin në këta muaj, nuk duhet t’i afrohet gruas, nuk bën të marrë nëpër këmbë dispozitat e Sheriatit, as nuk duhet të shkaktojë grindje. Çka punoni nga e mira, Allahu di për to. Dhe përgatituni me furnizim (për rrugë), e furnizimi më i mirë është devotshmëria, e ju të zotët e mendjes kini dronë Time”. (El Bekare, 197). Ndërsa Pejgamberi a.s. në një hadith thotë: (Kush e kryen haxhin dhe gjatë asaj periudhe nuk bën ndonjë akt të turpshëm, apo imoral, apo ndonjë mëkat, kthehet sikur atë ditë kur e ka lindur nëna e tij).(Buhariu dhe Muslimi) Andaj asnjë haxhi apo person nuk furnizohet me ndonjë furnizim më të mirë sesa furnizimi i devotshmërisë.
Transmeton Imam Tirmidhiu nga Enes ibn Maliku r.a., i cili ka thënë: (Erdhi një njeri te Pejgamberi a.s. dhe i tha: O i Dërguar i Allahut, unë dua të udhëtoj, prandaj më furnizo! Pejgamberi a.s. i tha: Zoti të furnizoftë me devotshmëri. Ai i tha: Edhe diçka! Pejgamberi a.s. i tha: Allahu t’i faltë mëkatet. Ai tha: Edhe diçka! Pejgamberi a.s. i tha: Allahu t’i lehtësoftë punët e mira kudo që të jesh). Disa nga gjeneratat e para të myslimanëve, kur përcillnin ndonjë haxhi që shkonte në Qabe, i thoshin: Të këshilloj me atë çfarë e ka këshilluar Pejgamberi a.s. Muadh ibn Xhebelin atëherë kur e kishte përcjellë: (Kija dronë-frikën Allahut kudo që të jesh, pas çdo vepre të ligë bëj një vepër të mirë, me të cilën e shlyen të ligën, dhe me njerëz sillu mire).
6. Pasuria me të cilën shkon në haxh, duhet të jetë e pastër-hallall e jo nga fitimi haram, sepse Allahu xh.sh. është i pastër dhe nuk pranon përveç së pastrës. Një poet ka thënë: Nëse në haxh shkon me pasuri haram – atëherë ti nuk e ke bërë haxhin, por e ka bërë mjeti me të cilin ke udhëtuar. Allahu nuk pranon përveç së mirës – dhe jo çdonjëri që shkon në haxh, i pranohet (haxhi).
7. Haxhiu që shkon në Qabe, të mos synojë me këtë udhëtim mendjemadhësinë, krenarinë apo krekosjen, po qëllimi i tij i fundit të jetë kënaqësia e Allahut xh.sh. dhe të bëhet shumë modest. Sepse Allahu xh.sh. nuk e pranon asnjë punë që nuk është e sinqertë nga qëllimi. Ai thotë: “E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, përveçqë ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij”. (El Bejjine, 5). Ndërsa Pejgamberi a.s. ka thënë: (Allahu xh.sh. nuk pranon asnjë vepër e cila nuk është e sinqertë dhe nuk ka për qëllim kënaqësinë e Tij).(Ebu Davudi dhe Nesaiu.)
8. Prej shenjave të pranimit të haxhit është: haxhiu të rikthehet në shtëpi duke qenë më i mirë sesa ka qenë pa shkuar në haxh, dhe të mos veprojë më ndonjë mëkat..
Krejt në fund, E lusim të Madhin Zot xh.sh. që t’ua pranojë Haxhin të gjithë atyre haxhinjve që kanë vizituar Shtëpinë e Tij, Qabenë e shndritshme, dhe t’ua lehtësojë atyre që kanë dëshirë për ta vizituar atë vend të bekuar.


 


Abdulmahmud Jusuf Abdullah
Përktheu dhe përshtati: Vedat Shabani


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

KBIGJ priti përfaqësues të institucioneve lokale dhe politike me rastin e urimeve për Kurban Bajram (VIDEO)