Në kohën e Ibrahimit a.s. njerëzit ishin të përkushtuar-ishin të dhënë pas ndërtimit të tempujve të ndryshëm përmes të cilëve shenjtëronin-adhuronin Diellin dhe planetët e tjerë. Ata ishin orientuar në abstrakten e jo në diçka që perceptohet dhe është e kuptueshme. Ata nuk kishin bërë ndonjë zgjidhje për të adhuruar Allahun dhe për t’u afruar tek Ai. Tërë ajo që kishin bërë, ishte pjellë e mendjes së dobët të tyre.
Ishte shumë e nevojshme dhe e domosdoshme për njerëzit e asaj kohe që të mësonin mënyrën e adhurimit të drejtë dhe, me mëshirën e Allahut, kjo mënyrë erdhi dhe u realizua përmes një shtëpie-Qabesë, përreth së cilës do të silleshin-rrotulloheshin njerëzit dhe do të afroheshin tek Allahu xh. sh.. Njerëzit u thirrën për ta vizituar këtë shtëpi dhe për madhërimin e saj, dhe kohë pas kohe u mësuan se respekti dhe madhërimi i saj nënkupton respekti dhe madhërimin e Allahut Fuqiplotë, sikurse mosrespektimi i saj që nënkupton mosrespekt ndaj Krijuesit. Kështu Haxhi-vizita e kësaj shtëpie Qabesë u bë obligim dhe njerëzit u urdhëruan ta respektonin dhe ta madhëronin atë. Një nga format a mënyrat e madhërimit të kësaj shtëpie, është edhe tafavi-sjellja rreth saj.(1)
Kuptimi i Tavafit
Tavafi është rrotullim, qarkullim ritual rreth Qabesë në Mekë; ai përbëhet prej shtatë rrotullimeve. Shtatë rrotullime quhen një tavaf. Tavafi në terminologjinë islame nënkupton adhurimin e Allahut duke u sjellë rreth Qabesë në mënyrë të veçantë. Ky lloj ibadeti ndaj Allahut të Madhërishëm është legjitimuar nëpërmjet Kuranit famëlartë dhe haditheve të Pejgamberit a.s..
Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Kujtoje kur Ne udhëzuam Ibrahimin për në vendin e shtëpisë (Qabesë): të mos më bënte Mua shok, të pastronte shtëpinë Time për ata që e vizitojnë (bëjnë tavaf), që qëndrojnë në këmbë duke u falur, përkulur dhe që bëjnë sexhde”. (El Haxhxh, 26).
Gjithashtu i Madhërishmi thotë: “Pastaj le të heqin papastërtinë e tyre, le t’i zbatojnë premtimet e veta dhe le të sillen (bëjnë tavaf) rreth shtëpisë së lashtë”. (El Haxhxh, 29).
Nëpërmjet ajetit të parë e kuptojmë se tavafi rreth Qabesë është prej adhurimeve që i bëheshin Allahut qysh nga kohët e lashta. Ajeti i dytë na mëson se për të gjithë ata që mësyjnë vizitën e shtëpisë së Allahut-Qabesë, rrotullimi rreth saj-tavafi është obligim. Aishja r.a. tregon: “Gjëja e parë që ka bërë Pejgamberi a.s. kur ka ardhur në Qabe, ishte marrja e abdesit për të bërë tavafin”. (Buhariu dhe Muslimi).
Vlera dhe urtësitë e Tavafit
S’ka dyshim se urtësi parësore e tavafit, dhe jo vetëm e tavafit, por edhe e të gjitha adhurimeve të tjera, dhe e çdo lloj urdhërese apo ndalese që vjen nga Kurani apo syneti, është bindja ndaj Allahut dhe nënshtrimin daj urdhrave të Tij. Pra, edhe tavafi rreth Qabesë, i cili bëhet në shenjë bindjeje dhe respekti ndaj Allahut Fuqiplotë. Urtësi e veçantë e tavafit është kujtimi i Allahut dhe madhërimi i Tij. Transmeton Aisheja r.a. se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Me të vërtetë tavafi rreth Qabesë, vrapimi në mes Safas dhe Merves dhe hedhja e guralecëve janë bërë për ta kujtuar Allahun”. (Ebu Davudi).
Prej urtësive të tavafit është afrimi tek Allahu. Për vlerën e tavafit mjafton fakti që Allahu i Lartësuar tavafin rreth kësaj shtëpie-Qabesë, shtëpisë së parë (për t’u adhuruar Allahun) dhe më të respektuar në rruzullin tokësor, e bëri obligim. Fakti që Allahu i Madhërishëm vizitën e kësaj shtëpie-Haxhin e bëri një nga pesë shtyllat e Islamit, tregon qartazi për pozitën e lartë të saj dhe vlerën e tavafit rreth saj. Kjo shtëpi-Qabeja dhe tavafi rreth saj është vendi më i preferuar dhe rasti më i mirë për lutje dhe dua. Derisa të bëjë tavaf rreth Qabesë, haxhiu është nën mbrojtjen dhe mëshirën e Allahut. Ai troket në derën e Allahut për të kërkuar mirësitë e Tij dhe falje për mëkatet e veta. Haxhiu gjatë tavafit lutet për xhenetet e Allahut, sepse aty është vendi ku pranohen duatë dhe u zbret mëshira e Allahut. Gjatë tavafit njeriu kujton babanë e tij, Ibrahimin a.s., i cili e ndërtoi Qabenë dhe bëri thirrje për vizitën e saj. Këtë shtëpi e vizituan edhe pejgamberë të tjerë, e vizitoi edhe Muhamedi a.s., i cili madje vuri bazat dhe parimet e shëndosha të vizitës së saj, të zhveshura nga çdo formë politeizmi.
Llojet e Tavafit:
Varësisht nga gjendja e haxhiut dhe koha kur bëhet tavafi, ai mund të jetë:
1) Synet – i rekomanduar (Tavafu kudum).
2) Farz – detyrim (Tavafu zijare ose Tavafu ifadah).
3) Vaxhib – obligativ (Tavaful veda ose Tavafu sadr).
Çdo tavaf tjetër përveç këtyre është tavaf nafile.
Tavaful kudum- i arritjes
Tavaful kudum është synet për shumicën e dijetarëve- shkollave juridiko fetare për haxhiun që ka hyrë në Mekë, para qëndrimit në Arefat, pa marrë parasysh llojin e haxhit të tij, nëse është Mufred apo Karin. Përjashtim bëjnë banorët e Mekës, sepse ata nuk e bëjnë këtë lloj tavafi meqë janë vendës. Duke marrë parasysh këtë, tri kategori janë të liruara nga tavafi kudum:
a) Banorët e Mekes, dhe të gjithë ata që jetojnë-banojnë brenda kufijve të mikateve-vendeve ku vishet ihrami.
b) Ata që bëjnë umre dhe që e bëjnë haxhin temetu, dhe
c) Ata që kanë vendosur të shkojnë drejt në Arefat.
Malikinjtë thonë se tavafi kudum është vaxhib për të gjithë ata që kanë veshur ihramin në mikate, edhe nëse janë banorë të Mekës, dhe po ashtu është vaxhib- obligim sipas tyre fidja për të gjithë ata që kanë mësyrë Arefatin dhe e kanë lënë tavaful kudumin, ndonëse kanë pasur kohë për ta bërë atë. Ndërsa Hanbelinjtë thonë se ai që e bën haxhin temetu, tavaful kudumin e bën para tavafit ifadah, e pastaj e bën tavaful ifada. E tek Shafinjtë tavaful kudumi është synet edhe për ata që nuk janë në ihram e që janë brenda Mekës.
Urtësia e tavaful kudumit është respekti dhe përshëndetja për Qabenë e jo për xhaminë-haremin, për këtë arsye fillohet me tavaf e jo me dy regate namaz, të cilat janë përshëndetje për xhaminë, sepse qëllimi i ardhjes në xhami-harem është Qabeja dhe respekti ndaj saj është tavafi. Mirëpo, nëse haxhiu ka frikë se mund t’i ikë ndonjë namaz që është farz, apo ndonjë synet i fortë, apo i ka gjetur duke u falur me xhemat, ose e ka kujtuar ndonjë kohë të namazit farz që nuk e ka falë, atëherë përparësi kanë të gjitha ato raste e tavafi bëhet pas tyre.(2)
Tavafuz-zijare-ifada
Ky lloj i tavafit, - për këtë pajtohen të gjithë dijetarët- shkollat juridiko-fetare, është farz dhe shtyllë prej shtyllave të Haxhit. Pa kryerjen e tij, Haxhi konsiderohet i pavlefshëm. Ky tavaf kryhet pas qëndrimit në Arafat. Allahu i Madhërishëm thotë: “Dhe le të sillen (bëjnë tavaf) rreth shtëpisë së lashtë”. (El Haxhxh, 29).
Koha e këtij tavafi fillon prej agimit të ditës së parë të bajramit (pas Arafatit) dhe nuk ka një kufi të caktuar se kur përfundon, pra derisa të jetë gjallë haxhiu, e nëse nuk kryhet në Ejjamun Nahri, obligimi nuk shlyhet, po duhet të kryhet gjithsesi më pastaj, sepse koha e tij është pa kufi.
Sipas Ebu Hanifes, nëse ky tavaf nuk kryhet në Ejjamun Nahri, duhet therur kurban, ndërsa nxënësit e tij – Ebu Jusufi dhe Muhamedi nuk parashohin therjen e kurbanit nëse vonohet ky tavaf pas Ejjamu Nahri. Koha më e pëlqyer për kryerjen e këtij tavafi është mëngjesi i ditës së parë të bajramit”.
Transmeton Nafi’ë nga Ibn Umeri se Muhamedi a.s. e ka bërë tavaful ifada në ditën e bajramit dhe pastaj është kthyer dhe e ka falur namazin e drekës në Minë. Nafi’ë thotë: Ibn Umeri e bënte tavaful ifada në ditën e parë të bajramit dhe pastaj kthehej në Minë dhe e falte namazin e drekës dhe tregonte se i dërguari i Allahut a.s. vepronte kështu”. (Muslimi)(3)
Kushtet e Tavafuz- zijare
Kushtet e tavafit sipas Hanefinjve, janë:
1. Nijeti. - Nijeti në parim-esencë është kusht për tavafin pa pasur nevojë të specifikohet në kohën kur bëhet tavafi.
2. Tavafi të bëhet rreth Qabesë. - Është kusht që tavafi të bëhet brenda xhamisë-mesxhidul haramit pa marrë parasysh a është afër apo larg shtëpisë-Qabesë.
3. Të bëhen katër rrotullime është kusht-farz, ndërsa plotësimi i shtatë rrotullimeve është vaxhib.
Ndërkaq, për sa i përket pastërtisë nga papastërtia e vogël, nga xhenabeti, nga hajzi dhe nifasi, ky nuk është kusht tek Hanefinjtë. Pastërtia gjatë kryerjes së tavafit është vaxhib. Nëse haxhiu e ka bërë tavafin, duke qenë i papastër, obligohet ta përsërisë atë derisa të jetë në Mekë. Nëse e përsërit gjatë Ejjamu Nahri, nuk obligohet asgjë, e nëse e vonon pas Ejjamu Nahri, sipas Ebu Hanifes, obligohet të therë kurban. E nëse kthehet në vendin e tij pa e përsëritur, obligohet të therë kurban - një dele nëse papastërtia ka qenë e vogël, e nëse ka qenë xhunub - obligohet të therë një kafshë të trashë. Gjithashtu vazhdimësia e rrotullimeve gjatë tavafit nuk është kusht tek Hanefinjtë. Vazhdimësia e rrotullimeve është synet. Nëse haxhiu ndërpret tavafin për ta falur ndonjë namaz obligativ ose namaz të xhenazes, ose shkon për ta ripërtërirë abdesin, ai e vazhdon tavafin aty ku ka mbetur dhe nuk ka nevojë ta nisë prej fillimit. Po ashtu, nuk është kusht tek Hanefinjtë që tavafi të fillojë nga haxherul esvedi-guri i zi. Sipas tyre fillimi i tavafit nga haxherul esvedi është vaxhib.(4)
Tavaful veda-lamtumirës
Tavaful veda është vaxhib tek të gjitha medhhebet përveç Malikinjve, të cilët mendojnë se është mendub. Haxhiu që nuk e kryen tavaful veda, obligohet të therë kurban. Muhamedi a.s. ka thënë: “Askush të mos largohet (nga Meka) pa e përshëndetur Qabenë (pa e bërë tavaful veda)”. (Muslimi).
Nëse haxhiu largohet nga Meka pa e bërë tavaful veda-n, ai obligohet të kthehet që ta bëjë këtë tavaf – në qoftë se nuk i ka kaluar mikatet, sipas Hanefinjve, dhe - nëse nuk e ka tejkaluar distancën e shkurtimit të namazit, sipas Shafinjve dhe Hanbelinjve, sepse e ka lënë tavafin që është vaxhib. E nëse i ka kaluar mikatet, sipas Hanefinjve, ose distancën e shkurtimit të namazit, sipas Shafinjve dhe Hanbelinjve, haxhiu nuk obligohet të kthehet për ta bërë këtë tavaf, mirëpo në vend të tavafit obligohet të therë kurban. E sipas praktikës së Shafinjve dhe kadiut Ebu Ja’la nga Hanbelinjtë, edhe nëse kthehet haxhiu për ta bërë tavafin pasi ka tejkaluar distancën e shkurtimit të namazit, nuk lirohet nga therja e kurbanit.
Sipas Hanefinjve tavaful veda nuk është vaxhib për banorët e Mekës dhe as për ata që jetojnë-banojnë brenda kufijve të mikateve-vendeve ku vishet ihrami. Hanbelinjtë thonë se kush banon brenda kufijve të Haremit nuk obligohet me këtë tavaf, e ai që banon jashtë kufijve të tij obligohet ta bëjë. Ndërsa Shafinjtë thonë se tavaful veda është vaxhib për të gjithë ata që largohen nga Meka për të udhëtuar, edhe nëse janë banorë të Mekës, pa marrë parasysh a udhëtojnë larg apo afër. Duhet përmendur se gratë lehona dhe ato me menstruacione janë të liruara nga ky lloj tavafi dhe nuk obligohen as për kompensimin e tij- therje të kurbanit. Transmetohet se Omeri r.a. ka thënë: “Kush e bën haxhin të mos largohet pa e përshëndetur Qabenë (pa e bërë tavaful veda), përveç grave me menstruacione, atyre ua ka lehtësuar i dërguari i Allahut”. (Tirmidhiu dhe Nesaiu)
Kushtet e vlefshmërisë së këtij tavafi janë:
1. Nijeti. Nijeti në parim-esencë është kusht për këtë lloj tavafi pa pasur nevojë të specifikohet në kohën kur bëhet tavafi dhe,
2. Që ky tavaf të bëhet pas tavafu zijare.
Koha e kryerjes së tavaful veda-s është pas përfundimit të të gjitha ritualeve-obligimeve të haxhit dhe në kohën kur haxhiu dëshiron të largohet nga Meka, në mënyrë që veprimi i fundit i tij të jetë tavaful veda.(5)
Vaxhibet e Tavafit dhe synetet e tij
Vaxhibet e Tavafit janë:
a) Të fillohet nga haxherul esvedi, nëse nuk fillon aty obligohet përsëritja e tavafit derisa të ndodhesh në Mek, e nëse kthehesh pa e përsëritur duhet therur kurban.
b) Tavafi kryhet ashtu që gjatë rrotullimit Qabeja të mbetet në anën e majtë. Trupi dhe rrobat të jenë të pastra është synet i fortë.
c) Veshja adekuate-mbulimi i avretit është vaxhib gjatë kryerjes së tavafit, edhe pse në esencë mbulimi i avretit është farz, mirëpo me vaxhib këtu nënkuptohet se, nëse haxhiu nuk mbulon avretin gjatë tavafit, haxhi i tij nuk prishet (është i vlefshëm, po haxhiu është mëkatar), mirëpo duhet të përsëritet tavafi ose të theret kurban. Sasia e avretit është, siç dihet, nëse zbulohet një e katërta e më shumë e ndonjë gjymtyre-vendit të trupit.
d) Tavafin ta bëjë vetë haxhiu duke ecur, se, përndryshe, nëse e bart dikush pa ndonjë arsye, ai duhet ta përsërisë tavafin derisa të ndodhet në Mekë dhe, nëse është kthyer në vendin e tij, obligohet të therë kurban. Po ashtu nuk lejohet autorizimi i dikujt tjetër për kryerjen e tavafit, pa ndonjë arsye.
e) Të kryhen shtatë rrotullime prej haxherul esvedit në haxherul esved. Këto shtatë rrotullime të gjitha janë vaxhib gjatë tavafit kudum dhe tavafit veda. Mirëpo, nëse haxhiu i lë katër rrotullime të tavafit veda, obligohet të therë kurban e nëse i lë më pak se katër, obligohet të japë sadaka për secilin rrotullim që ka lënë. Ndryshe nga kjo, nëse në tavaful kudum lë shumicën e rrotullimeve ose më pak, nuk obligohet asgjë përveçse duhet të pendohet, sepse ky lloj tavafi në esencë është synet. E për sa i përket tavafit zijare, katër rrotullimet e para të tij janë farz, kurse tri të tjerat vaxhib.
f) Të falen dy rekate namaz pas çdo lloj tavafi – është vaxhib, qoftë ai tavaf farz, vaxhib ose synet. Është më mirë që këto rekate të falen menjëherë pas tavafit dhe preferohet të falen pas mekami Ibrahimit.
Synetet e Tavafit janë:
a) Pastërtia të jetë në shkallë të duhur; trupi, ihrami etj.
b) Përshëndetja e haxherul esvedit-gurit të zi në fillim të çdo rrotullimi.
c) Gjatë tavafit shpatulla-krahu i djathtë të lihet i zbuluar-idtiba.
d) Të bëhet reml (për burra dhe të rinj-fëmijë, po për gra jo) -të shpejtohen hapat gjatë tri rrotullimeve të para në secilin tavaf, pas të cilit bëhet sa’ji, si p.sh. tavafu kudum.
e) Duaja-lutja në përgjithësi gjatë tavafit është synet.
f) Meshkujt të jenë sa më afër Qabesë.
g) Të kryhen të gjitha rrotullimet njëri pas tjetrit.
__________________
1. El-Imam Ed-Dehlevi, Huxhetullahi el-baligatu. Darul xhejl. Bot. i. 2005 Bejrut, f. 134.
2. Shih: Prof. dr. Vehbet Ez-zuhejli, El-Fikh el-Islami ve ediletuhu. Darul Fikr. Bot. 4. 2002 Dimeshk, v. 3, f. 2203-2204.
3. Abdurrahman bin Muhamed el-Xheziri, Kitabul Fikh alel medhahib el erbeatu. Dar ibn Hazem. Bot. 1. 2001 Bejrut, f. 367. Dhe: Prof. dr. Vehbet Ez-zuhejli, El-Fikh el-Islami ve ediletuhu, f. 2212.
4. Prof. dr. Vehbet Ez-zuhejli, El-Fikh el-Islami ve ediletuhu, f. 2211-2214.
5. Po aty f. 2206-2208.