“Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta. (vijnë) Për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre dhe që ta përmendin Allahun në ato ditë të caktuara (në shenjë falënderimi) dhe për që i ka furnizuar me kafshë. Hani pra, prej tyre (kurbanave) dhe ushqeni të ngushtuarin e të varfrin. ( El Haxhxh,27-28) 
Haxhi nuk është ibadet individual as në fenë tonë dhe as në historinë tonë. Duhet ta njohim fenë tonë dhe, duke njohur fenë tonë, lehtësojmë edhe qasjen tonë ndaj problemeve me të cilat ballafaqohemi ne si shoqëri. Haxhi është kushti i pestë i fesë islame. Allahu e obligoi për robërit e Tij duke thënë: ”Aty ka shenja të qarta: vendi i Ibrahimit, dhe kush hyn në të, ai është i sigurt. Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabesë) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton); Allahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që e bëjnë) njerëzit”. (Ali Imran, 97). 
Ky është ibadet dhe si i tillë duhet të kuptohet. Ata që mendojnë ndryshe, duke konsideruar se ritet e Haxhit janë diçka si çudi në vete, mbeten shumë të gabuar në këtë çështje dhe sidomos një pjesë e elitës politike e intelektuale të shoqërisë sonë. Ata kërkojnë dhe vazhdojnë të kërkojnë pareshtur argumente të ndryshme për të diskutuar çështjen pse duhet bërë haxhi me veprimet e tij. Në mënyrë që të qetësohen “mendjet” e tyre, Allahu në ajetin 197 të sures El Bekare thotë: “Haxhi është në muajt e caktuar e kush e bën (ia fillon të zbatojë) haxhin në këta muaj, nuk duhet t’i afrohet gruas, nuk bën të marrë nëpër këmbë dispozitat e sheriatit, as nuk duhet të shkaktojë grindje. Çka punoni nga e mira, All-llahu di për to. Dhe përgatituni me furnizim (për rrugë), e furnizimi më i mirë është devotshmëria, e ju të zotët e mendjes kini dronë Time”. 
Ne si myslimanë jemi të bindur dhe i kryejmë ritet e Haxhit ashtu siç na ka mësuar Pejgamberi ynë, Muhamed Mustafaja a.s., në kryerje të Haxhit, pa asnjë dyshim, ka dobi si fetare, ashtu dhe sociale. Si të mos ketë, kur Haxhi është një udhëtim i mirë në vende në të cilat kanë shkelur pejgamberë, është shpallur vahji, është vendlindja e Islamit dhe aty tuboheshin të parët tanë.
Allahu në Kur’an thotë: ”... por Allahu juve jua bëri të dashur besimin dhe jua zbukuroi atë në zemrat tuaja, ndërsa mosbesimin, shfrenimin dhe kundërshtimin, jua bëri që t’i urreni. Të tillë janë ata që gjetën rrugën e drejtë”. (El Huxhurat, 7). 
Pra , Islami, kur i obligoi ritet e Haxhit, qëllimi ishte që imanin ta shndërronte nga kuptimi subjektiv (teorik) që mësohet nga literatura e gjerë, në përjetime shpirtërore, që njeriun e lidhin menjëherë me zanafillën e Islamit dhe të atyre kolosëve që sakrifikuan për këtë din dhe që e bën njeriun që të lidhet edhe më shumë me këtë vend të Shpalljes dhe me ata thirrësit e parë që bartën mbi supet e tyre këtë amanet hyjnor, jetuan me të dhe jetuan për të. Meka dhe Medina si dy vende të shenjta, mbeten qytetet më të sigurta dhe më të furnizuara nga ana e Allahut, për shkak se Ibrahimi a.s., E kishte lutur Allahun xh.sh.: “Dhe kur Ibrahimi tha: “Zoti im, bëje këtë një qytet sigurie dhe banorët e tij, që besuan Allahun dhe jetën tjetër, furnizoji me lloje të frutave”! Ai (Allahu) tha: “(E furnizoj) Edhe atij që nuk besoi, do t’ia mundësoj shfrytëzimin e frutave për një kohë të shkurtër, e pastaj do ta hedh në dënimin e zjarrit, e sa përfundim i shëmtuar është ai”!(El Bekare, 126). 
Edhe kur Ibrahimi dhe Ismaili, duke i ngritur themelet e shtëpisë (Qabesë ) luteshin: “Zoti ynë, pranoje prej nesh, se me të vërtetë Ti je që dëgjon dhe di”. (El Bekare, 127). 
Qabeja mbetet vend i shenjtë deri në Kiamet. Për këtë Allahu shprehet në Kur’an: “Allahu e bëri Qabenë, shtëpinë e shenjtë, vend jetësimi (çështje të fesë e të jetës) për njerëz, dhe muajin e shenjtë, edhe kurbanin edhe (ato kafshë të shënuara për kurban) atë me qafore. Këtë (përcaktim nga Zoti) që ta dini se Allahu e di ç’ka në qiej dhe ç’ka në Tokë dhe se Allahu ka përfshirë me urtësinë e dijen e Vet çdo send (përcaktimi i Zotit për këto është me qëllim të caktuar, e për të mirën e njerëzve)”.(El Maide, 97). 
Po ashtu në një hadith që transmetohet nga Ebu Hurejra, Pejgamberi a.s. thotë: “Kush e kryen Haxhin dhe nuk flet f jalë të ndyta e nuk bën vepra të ndyta, kthehet në shtëpinë e tij sikur në ditën kur e ka lindur nëna e tij (pa mëkate)”. 
Në Haxh haxhinjtë tanë përjetojnë ndjenja të papërshkruara kur hyjnë në ihram, bëjnë Tavafin, ecin në mes Saj’it dhe Merves, shohin Zemzemin, vizitojnë dhe qëndrojnë në Arefat, Myzdelife, Mine, - që të gjitha këto lënë gjurmë të thella që gjatë tërë jetës nuk mund t’i harrojnë. 
Edhe Muhamedi a.s., në lidhje me vlerën e qëndrimit në Arefat, ka thënë: “Nuk ka ditë, të cilën Allahu e shpëton robin më së shumti nga zjarri se sa dita e Arafatit”. (Muslimi). 


Editoriali
Dituria Islame  267


Artikulli radhës
Dispozitat e kurbanit