Lëshimet e Haxhit për të cilat duhet prerë kurban dhe kurbani i haxhit-hedji


Adhurimet në fenë islame janë të shumta dhe është e përcaktuar nga ana e Ligjdhënësit të vetëm, Allahut të lartësuar, - se si të kryhen dhe kur të kryhen. Në këtë rast edhe prerja e kurbanit është një formë dhe mënyrë e shprehjes së adhurimit ndaj Allahut të Lartësuar. Dispozitat e kurbanit janë të përcaktuara në mënyrë shumë të qartë dhe të hollësishme; ne do të përmendim disa prej tyre fare shkurt. Para se të hyjmë në shpjegimin e dispozitave, duhet të japim shpjegimin e nocionit kurban. Fjala kurban në kuptimin terminologjik ‘afrim’, ‘për t’u afruar’, kurse në kuptimin e sheriatit islam me këtë fjalë kuptohet therja apo prerja e ndonjë kafshe, së cilës është hallall t’i hahet mishi, me synimin për t’iu afruar Allahut xh.sh.. Kurbani më i mirë është nëse pritet gjatë ditëve të Kurban-Bajramit. Mu për këtë arsye, Pejgamberi a.s. ka thënë:
”Kush ka mundësi për të prerë kurban dhe nuk pret, të mos afrohet tek vendi ku falemi ne (të mos e falë bajramin me ne)” (ibn maxhe)


Norma e Kurbanit 


Therja e kurbanit për Kurban Bajram, është vaxhib. Argumenti me të cilin vërtetohet norma se kurbani është vaxhib për atë që i plotëson kushtet, është ajeti i dytë i kaptinës el-Kevther: “..., andaj falu për Zotin tënd dhe pre kurban”; po ashtu si argument mund ta përmendim edhe hadithin e sipërpërmendur.


Kush obligohet për Kurban 


Që dikush të ketë detyrimin për të prerë kurban, duhet t’i plotësojë këto kushte: 
1. të jetë mysliman; 
2. të jetë i lirë;
 3. të jetë vendës; 
4. të jetë i aftë psikikisht; 
5. të ketë hyrë në moshën madhore; 
6. të jetë i pasur. Kush ka ditën e Kurban-Bajramit aq pasuri, sa pasuria e tij arrin vlerën e nisabit, ai detyrohet/ obligohet për të prerë kurban. 


Shënim: 


Njeriu është i obliguar të presë kurban vetëm për veten e tij, dhe nuk detyrohet të presë për fëmijët e vet të vegjël ose me të meta psikike. 


Koha e prerjes së Kurbanit


 Prerja e kurbanit e ka kohën e caktuar; ai nuk bënë të pritet para kohe dhe as pas kohe. Koha e prerjes së kurbanit të Bajramit fillon prej agimit të ditës së Kurban-Bajramit dhe vazhdon derisa të perëndojë dielli në ditën e tretë të Kurban-Bajramit. Në qytete ose fshatra ku falet Bajrami, kurbani duhet të pritet pasi të falet Bajrami derisa të perëndojë dielli në ditën e tretë, kurse në fshatra të vogla, ku nuk falet Bajrami, koha e prerjes së kurbanit fillon që nga hyrja e kohës së namazit të sabahut dhe do të zgjasë derisa të perëndojë dielli në ditën e tretë të Bajramit. 


Shënim:


 Kur ndodh që, për shkaqe të arsyeshme, të mos mund të shkohet në xhami për ta falur Bajrami, kurbani mund të pritet pasi të kalojë koha e faljes së namazit të Bajramit.
Po qe se ndodh që dikujt nga qyteti i duhet të dërgojë kurbanin e tij për ta prerë në ndonjë fshat ku nuk falet Bajrami dhe ai kurban do të pritet para se të falet Bajrami, një kurban i tillë është i vlefshëm.


Kushtet që duhet t’i plotësojë kurbani


Për të qenë i vlefshëm, kurbani duhet t’i plotësojë këto kushte: 
1. kurbani të jetë bagëti: dhi, lopë, buallicë ose deve. Nuk është kusht që këto shtazë të jenë detyrimisht meshkuj a femra, mund të jenë nga të dy llojet. Po ashtu duhet të përmendim se shtaza e egër nuk lejohet të pritet kurban; 
2. kurbani të jetë shtazë pa të meta dhe e shëndoshë; 
3. kurbani të ketë moshën që kërkohet. Delja e dhia, për t’u prerë kurban, duhet të ketë mbushur një vit. Qengji mund të pritet kurban edhe kur të ketë mbushur gjashtë muaj, me kusht që të jetë i rritur sikur të kishte një vit. Nëse pritet lopa apo buallica, kusht është të kenë mbushur dy vjet, kurse deveja të ketë mbushur pesë vjet.


Çka lejohet dhe çka nuk lejohet të pritet kurban


Kafshët që lejohet të priten kurban: 
1. Deveja që ka mbushur pesë vjet. 
2. Lopa që ka mbushur dy vjet. 
3. Buallica që ka mbushur dy vjet. 
4. Delja që ka mbushur një vit. Lejohet të prite dhe qengji që ka mbushur gjashtë muaj, me kusht që të jetë i trashë/ i rritur. 
5. Dhia që ka mbushur një vit. 
6. Kurbani që nuk ka fare brirë që nga lindja. 
7. Kurbani që nuk ka një pjesë të bririt. 
8. Shtaza e tredhur, po më mirë të mos jetë. 


Kafshët që nuk lejohet të priten kurban:


1. Kafsha e egër, edhe nëse lejohet t’i hahet mishi. 
2. Kafsha që është e verbuar në të dy sytë. 
3. Kafsha që është e verbuar vetëm në njërin sy. 
4. Kafsha që çalon sa të mos mund të shkojë duke ecur deri tek vendi i therjes. Nëse ndodh që ajo të mund të ecë me tri këmbë, duke çaluar me të katërtën, por disi arrin deri tek vendi i therjes, lejohet të pritet kurban. 
5. Kafsha që është shumë e ligë. 
6. Kafsha që e ka të këputur gjysmën e më tepër të një veshi. 
7. Kafsha që e ka të këputur gjysmën e më tepër të bishtit. 
8. Kafsha që nuk i ka shumicën e dhëmbëve, po nëse i ka më tepër se gjysmën, lejohet të pritet kurban. 
9. Kafsha e cila, që nga lindja, nuk ka veshë. 
10. Kafsha që i ka të këputura majat e sisave.


Për sa persona vlen kurbani


Delja ose dhia vlen si kurban vetëm për një person. Kafshët e mëdha të prera kurban, si deveja, lopa dhe buallica vlejnë për shtatë veta si kurban, po me kusht që të gjithë ta kenë bërë nijetin për kurban. Nëse vetëm njëri prej shtatë personave të mos e ketë bërë nijetin e kurbanit, kurbani i tillë nuk është i vlefshëm për asnjërin prej tyre.


Ndarja e mishit dhe lëkurës së kurbanit


Rekomandohet që kurbani të ndahet në tri pjesë, një pjesë të ndalet për familjen, një pjesë t’u jepet të varfërve dhe një pjesë t’u jepet të afërmve. Më së miri është që krejt mishi i kurbanit të jepet sadaka. Sa i përket lëkurës, ajo nuk duhet të shitet, po duhet të jepet sadaka. Po ashtu nuk lejohet që therësi të shpërblehet me mishin e kurbanit ose me lëkurën e kurbanit.


Shënim:


1. Prerja e kurbanit për Bajram është vaxhib, dhe nga ky obligim nuk lirohet mukel-lefi edhe nëse ndodh që të kalojë koha e prerjes së kurbanit pa u prerë. Nëse ndodh që dikush ta ketë blerë kafshën për kurban, po të mos e ketë therur derisa të kenë kaluar ditët e Bajramit, në këtë rast ky person duhet ta japë sadaka kurbanin të gjallë, ose ta therë dhe mishin ta japë sadaka, e kurrsesi të mos hajë fare nga mishi i tij. Por, nëse ndodh që të mos e ketë blerë fare kafshën për kurban, edhe pse e ka pasur vaxhib, ai duhet të japë sadaka sa është vlera e një kurbani. 
2. Po qe se ndodh që kafshën për kurban, pasi të jetë blerë, të ketë humbur, të ketë ngordhur ose të jetë vjedhur, në një rast të tillë, personi obligohet të blejë një tjetër kafshë për kurban. Po, nëse e gjen kurbanin e parë, pasi ta ketë blerë tjetrin, ai vetë duhet të zgjedhë se cila kafshë është më e mirë që ta presë kurban, ose, nëse ka mundësi, t’i presë të dy.
3. Nëse një njeri i varfër, i cili nuk e ka vaxhib kurbanin, blen ndonjë kurban, e ka vaxhib për ta prerë. Po qe se këtij i humb ose ia vjedhin kurbanin, ai duhet të blejë një tjetër kafshë për ta prerë kurban. 4. Lejohet të autorizohet dikush për të prerë kurban. 5. Nuk lejohet të shiten as mishi dhe as lëkura e kurbanit.


Deliktet në Haxh për të cilat duhet prerë kurban


Kompensimi me kurban për deliktet gjatë Haxhit, ndahet në dy grupe: 1. kompensimi me kurban – një kafshë e trashë (deve, lopë etj.), dhe 2. kompensimi duke prerë kurban ndonjë kafshë të imët, si dele, dhi etj.


Kompensimi me kurban – një kafshë e trashë (deve, lopë etj.)


Kompensimi me kurban – një kafshë e trashë (deve, lopë) vlen në këto raste:
1. Nëse haxhiu tavafi ziaren e bën duke qenë i papastër (xhunub), dhe nuk e ka përsëritur derisa ka qenë në Mekë; nëse e ka përsëritur, nuk është i detyruar të presë kurban; 
2. Nëse haxhiu, pas qëndrimit në Arefat, bën marrëdhënie intime para se të rruhet ose të qethet. Mirëpo, nëse ndodh që haxhiu të ketë pasur marrëdhënie intime para qëndrimit në Arefat, haxhi i tij nuk vlen dhe konsiderohet i prishur.


Kompensimi duke prerë kurban një dele, dash a dhi


Kompensimi duke prerë kurban një dele, dash a dhi, vlen për këto raste: 
1. Nëse haxhiu parfumos një pjesë të trupit tërësisht; 
2. nëse ngjyros kokën, mjekrën dhe duart me kanë, ose me ndonjë bojë tjetër që ka aromë; 
3. Nëse vesh rroba të qepura dhe i mban gjatë tërë ditës; 
4. Nëse e mban kokën të mbuluar gjatë tërë ditës; 
5. Nëse rruan së paku një të katërtën e kokës, të mjekrës, të qafës, të nënsqetullave, të vendeve të turpit; 
6. Nëse i pret thonjtë, qoftë edhe të njërës dorë a këmbë; 
7. Nëse e kryen tavaful kudumin i papastër (xhunub); 8. Nëse e lëshon më pak se gjysmën e tavafu ziares;
 9. Nëse nuk e kryen sa’jin; 
10. Nëse nuk qëndron në Muzdelife; 
11. Nëse nuk i hedh guralecët në Mine;  
12. Nëse e prish haxhin për shkak të marrëdhënieve intime; 
13. Nëse bën marrëdhënie intime pas rruarjes, por para se ta ketë bërë tavafi ziaren; 
14. Nëse i është zgjuar epshi për shkak të prekjes ose puthjes së ndonjë femre; 
15. Nëse e shtyn kohën e rruarjes, tavafu ziaren apo hedhjen e guralecëve deri pas Bajramit; 
16. Nëse rruhet në ndonjë vend jashtë haremit; 
17. Nëse kryen ndonjë veprim të haxhit para tjetrit.


Hedji (kurbani i haxhit)


Hedj quhet kurbani që dërgohet për t’u prerë në harem. Hedj (kurban) mund të jetë deveja, lopa, delja, dashi, dhia ose cjapi. Hedji më i vogël mund të jetë dele, desh, dhi ose cjap. Thënë shkurt, si hedj vlen çdo shtazë e cila vlen për kurban. Hedji për llojet temett’u e kiran të haxhit, duhet të pritet gjatë ditëve të Kurban-Bajramit. Mishi i kurbanit hedj që pritet, mund t’u jepet varfanjakëve që janë në harem dhe atyre që janë jashtë haremit. Hedji nuk lejohet të milet, dhe, nëse ndodh që të milet, qumështi u jepet të tjerëve. Po qe se ndodh që hedji të ngordhë apo t’i shkaktohet ndonjë e metë e madhe, duhet të zëvendësohet me një tjetër, kurse me të parin pronari i tij mund të veprojë si të dojë, f.v. ta presë për vete, ta shesë etj..


Dituria islame 231


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

KBIGJ priti përfaqësues të institucioneve lokale dhe politike me rastin e urimeve për Kurban Bajram (VIDEO)