Po të shikohen deklaratat më të fuqishme dhe fjalimet më të famshme që kanë mbajtur liderët botërorë, gjithandej nëpër botë, dhe atë gjatë gjithë historisë njerëzore, doemos se do të vërehen pashmangshëm nuancat individualiste dhe tendencat për përvetësim të vlerave e atributeve glorifikuese nga ana e tyre. Te to do të gjejmë edhe dëshirën e flaktë për protagonizëm, dhe eventualisht intencën për arsyetim të gabimeve, sado fatale që kanë qenë ato gjatë rrugëtimit jetësor të tyre.
Dallim esencial në këtë rrafsh ka shënuar i Dërguari ynë i fundit, Muhamedi a.s., i cili në fjalimin e tij lamtumirës, në haxhin e tij të vetëm të jetës të vitit të 10-të h., në kodrën e Arafatit, zgjodhi porosi universaliste, humane, si dhe përjetësuese të parimeve të larta morale. Ai, në asnjë porosi të atij fjalimi nuk shfaqi ndonjë brengosje e as shqetësim për fatin e tij personal, të ardhmen e vet, apo për ndonjë nga familjarët a të afërmit e tij. Këto ishin brenga liderësh e njerëzish të rëndomtë, e ai nuk ishte i tillë. Ai ishte lajmëtari dhe Pejgamberi i fundit i Zotit në tokë, andaj s’mund të ishte si të gjithë të tjerët.
Edhe pse gjendej përballë njerëzve që i kishin besuar, në disa prej thirrjeve të tij fisnike iu drejtua atyre me thirrjen: “O ju besimtarë!”, e në disa prej porosive, iu drejtohej me thirrjen: “O ju njerëz!”, sikur për të rrëfyer se ai nuk u fliste vetëm ithtarëve apo pasueseve besnikë të tij. Ai, nga kodra e Arafatit, në fqinjësi të Shtëpisë së Shenjtë – Qabesë, i fliste njerëzimit mbarë, pa dallim race, gjuhe, kombi a etnie. Në këto mesazhe sikur vërtetonte maksimën kuranore: “E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për mbarë borërat – të gjitha krijesat.” (El Enbija, 107).
Nga aty, Muhamedi a.s., rikonfirmoi shenjtërinë e jetës, gjakut, pasurisë e dinjitetit të njeriut, kur tha: “O ju njerëz! Frikësojuni Allahut dhe respektojeni Atë. Bëhuni të njerëzishëm e të drejtë ndaj vetës e ndaj të tjerëve... Me të vërtetë gjaku juaj, pasuria juaj janë të shenjta për ju, derisa të takoheni me Krijuesin tuaj, ashtu siç është e shenjtë kjo ditë në këtë muaj dhe në këtë v end.”
Aty i shpalli luftë pa kompromis pabesisë, mashtrimit, dhunës, injorancës dhe traditave të epokës së errët, që për shekuj me radhë kishin ngulfatur njerëzimin dhe e kishin fundosur çdo parim të humanizmit. Më qartësisht s’do mund të glorifikoheshin as raportet ndërbashkëshortore se me fjalët e tij ku tha: “Besnikërisht përmbushni detyrat dhe silluni mirë me bashkëshortet tuaja.”
Asnjëra prej porosive të atij fjalimi nuk është vjetërsuar, as nuk ka humbur vlerën që kishte dikur, ani pse kanë kaluar mbi 14 shekuj që kur ato u janë drejtuar njerëzimit.
Siç do të thoshte edhe njëri nga dijetarët bashkëkohorë: “Fjalimi – hytbeja lamtumirëse, të cilën e mbajti i Dërguari i fundit, Muhamedi a.s. në haxhin e tij të jetës, llogaritet dokumenti më madhështor nëpërmes të cilit janë vendosur themelet e shoqërisë islame të porsaformuar. Ato porosi mbesin si një fanar ndriçues, nga shkëndijat e të cilit do të ndriçohen myslimanët në paqe e në luftë. Prej aty, njerëzit do t’i merrnin vlerat e larta morale dhe parimet e sjelljeve ideale. Ajo deklaratë mbetet e skajshme në elokuencën e saj dhe përmbledhëse e principeve të shëndosha juridike, politike, ekonomike, familjare, morale dhe rregulluese e të gjitha raporteve ndërnjerëzore.”
I Dërguari a.s. nuk jetoi gjatë pas këtij fjalimi historik e pas asaj “lamtumire” të paharruar. Tre muaj më pas ai, ia dorëzoi shpirtin e tij të dëlirë Zotit të vet, duke shkuar tek Ai i qetë se e kishte përmbyllur e përmbushur misionin me të cilin ishte ngarkuar. Kaloi nga kjo botë, vetëm pasi la shembullin e papërsëritshëm të një njeriu që tërë veprat, fjalimet madje dhe heshtjet e tij ia dedikoi fisnikërimit të njeriut, mirëqenies dhe paqes së tij në dy botët.
Editorial
Dituria Islame 403