“Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por tek ai arrin bindja juaj…” (el Haxhxh,37).
të dhënat historike dhe studimet e ndryshme, si ato antropologjike, arkeologjike e të tjera, kanë vërtetuar se në histori nuk ka popull pa fe. Pra as në të kaluarën e as sot nuk ka njeri që nuk beson në diçka. Andaj mund të thuhet se besimi është kushti i ekzistencës dhe qenies së njeriut. Kurse zbatimi dhe praktikimi i këtij besimi, nxjerr në pah veprën e quajtur “ibadet” (adhurim). Ibadeti është pjesë e pandarë e secilës fe. Si shumë fakte të tjera, këtë realitet e vërteton edhe Allahu xh.sh., kur thotë: “Secilit popull ne i dhamë ligj (fetar) që ata të veprojnë sipas tij…”.(El Haxhxh, 67). Pra, ibadeti është ana praktike e besimit. Një nga ibadetet më të rëndësishme dhe funksionale për çdo fe, është fenomeni i kurbanit. Kurbani është një rit dhe fenomen që e gjejmë tek të gjitha fetë që kanë ekzistuar në të kaluarën dhe që ekzistojnë sot. Në lidhje me këtë, Allahu xh.sh. thotë: “Ne i kemi caktuar çdo populli vendtherjen (e kurbanit), që ta përmendin Emrin e Allahut për arsye se Ai i furnizoi ata me kafshët…”.(El Haxhxh,34)
Historiku i kurbanit, sipas përshkrimit të tij në Tevrat, Ungjill dhe Kur’an fillon me ndodhinë e mirënjohur të dy bijve të Ademit a.s. - Habilit dhe Kabilit. Prandaj kurbani, si ibadet dhe rit fetar, për herë të parë është zbatuar nga Habili dhe Kabili. Këta të dy flijuan për Zotin, duke I dedikuar nga një kurban dhe, për shkak të besimit dhe devotshmërisë që posedonte Habili, Zoti xh.sh. pranoi vetëm kurbanin e tij.(1) Andaj duhet theksuar se besimi dhe devotshmëria janë baza për pranimin e kurbanit. Allahu xh.sh. thotë: “tek allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por tek Ai arrin bindja juaj…”. ( El Haxhxh,37). Në lidhje me këtë, themeluesi i doktrinës krishtere (Shën) Pali, në letrën dërguar hebrenjve, shprehet kështu: “Me anë të besimit Abeli(Habili) i ofroi Perëndisë flijim më të mirë nga ai i Kainit (Kabilit); me anë të tij ai mori dëshmimin se ishte i drejtë, sepse Perëndia dha dëshminë se i pranoi ofertat e tij; dhe me anë të tij, ndonëse vdiq, ai po flet ende. Me anë të besimit, Enoku u zhvendos që të mos shikonte vdekje dhe nuk u gjet më, sepse Perëndia e kishte zhvendosur; sepse, para se të merrej, ai pati dëshmimin se i kishte pëlqyer Perëndisë. Edhe pa besim është e pamundur t`I pëlqesh Atij, sepse ai që I afrohet Perëndisë, duhet të besojë se Perëndia ekziston dhe se është shpërblyesi i atyre që e kërkojnë atë”.(2)
Megjithëse në themel synimi dhe qëllimi i kurbanit si fenomen është i njëjtë, kuptimi dhe forma e zbatimit të tij ndryshon tek fetë. Kur të analizohet me kujdes e kaluara e fenomenit të kurbanit tek popujt e ndryshëm, vërehet se synimi dhe qëllimi kryesor i praktikimit të tij është ekuilibrimi i marrëdhënieve të njeriut me Krijuesin (Zotin, Perëndinë). Kurbani si rit dhe fenomen fetar, gjatë historisë shfaqet në mënyra (forma) të ndryshme, si p.sh.: rit personal, shoqëror, organizime të ndryshme sociale, kulturore, humane e shumë të tjera, kurse si kurban përdoren njeriu, shtaza dhe gjallesa të ndryshme, gjëra të ndryshme materiale, ceremoni dhe shumë e shumë gjëra e mënyra të tjera.(3) Prandaj kurbani mund të vlerësohet dhe të studiohet në shumë aspekte duke filluar nga ai psikologjik, sociologjik, etik e deri tek ai antropologjik dhe shumë aspekte të tjera. Kurse këtu fenomeni i kurbanit do të prezantohet nga këndi i historisë së religjioneve, duke dhënë disa dituri të përgjithshme që ndihmojnë kuptimin e këtij fenomeni tek religjioni në fjalë, pa u thelluar në detaje.
Kurbani në Judaizëm
Në Judaizëm kurbani si një fenomen fetar, zë vend të rëndësishëm. Në Tevrat dhe në të dhëna të tjera historike gjenden nocione, terma dhe rrëfime të llojllojshme që kanë të bëjnë me kurbanin. (4).Kurbani tek çifutët e ka zanafillën tek Habili dhe Kabili. Duke pasur parasysh se shumica e nocioneve në Dhjatën e Vjetër, që kanë të bëjnë me kurbanin, kanë kuptimin e flijimit të diçkaje për Zotin(5) edhe Habili si çoban flijoi për Zotin një shtazë nga kopeja (tufa) e tij, kurse Kaini (Kabili) diçka nga të vjelat e tokës.(6) Për çifutët kurbani është diçka e shenjtë dhe vendi special për flijimin e tij ishin faltoret siç është ajo në Kudus. Këtë ibadet çifutët e bënin në ditë dhe kohë të caktuara. Në periudhën e hershme në përgjithësi çifutët kurbanin e përdornin si dhuratë, mirënjohje, lutje, dëmshpërblim dhe afrim tek Zoti.(7)
Në Judaizëm ka dy lloje të praktikimit të kurbanit. Kurbani që theret, pra therja e shtazës ose djegia e saj (hedhja e saj në zjarr), dhe që nuk theret, si dedikimi i ushqimeve, ujit dhe pijeve të ndryshme për Zotin.(8) Po ashtu në Juadizëm ka kurban ditor, i cili është bazë dhe realizohet duke therur nga dy qengja një vjeç në mëngjes dhe mbrëmje(9); javor, therja e dy deshve një vjeç ditën e shtunë (sebt)(10); si dhe kurbani mujor, në ditën e parë të çdo muaji hënor theren dy dema të rinj, një dash, cjap(11) etj.. Përveç këtyre ka edhe ditë, net dhe festa të tjera, në të cilat theren dhe dhurohen kurbanë të ndryshëm.
Disa nga veçoritë që Tevrati kërkon t’i përmbushë kurbani, janë: të theret për kurban shtaza së cilës i hahet mishi dhe që e ka të pastër, të jetë pa të meta, në disa raste të jetë mashkull, të mos theren të njëjtën ditë edhe ëma edhe i vogli i saj etj.(12) Për sa i përket faktit nëse mishi, gjaku dhe ajo që dedikohet për kurban, mund të përdoret ose jo për ushqim a për diçka tjetër, sipas rregullave fetare, gjaku, vajrat dhe ato që dedikohen drejtpërdrejt për Zotin, janë të ndaluara të përdoren, edhe ajo që digjet në zjarr ndalohet për t’u ngrënë, kurse kurbani i bashkimit (komunion-euharistia) mund të hahet nga ai që e ther kurbanin dhe nga të afërmit e tij.(13) Një e veçantë në traditën judaiste që nga f illimi e deri në kohën e Musait a.s., ka qenë f lijimi i fëmijës së parë për kurban. Një gjë e tillë vërtetohet edhe në rastin e Ibrahimit dhe Ismailit a.s.(14) Por Zoti, në vend të Ismailit, i dërgoi Ibrahimit a.s. që të therte një dash. Kjo zakonisht praktikohej në raste të veçanta, si p.sh. për hir të ndonjë lufte të rëndësishme.
Në Juadizëm, që nga periudha e parë e deri në vitin 70, me rrënimin e faltores së dytë nga Romakët, fenomeni i kurbanit ishte një fenomen fetar. Pas rrënimit të faltores ku flijohej kurbani, për një kohë të gjatë u ndërpre zbatimi fizik i therjes së kurbanit si rit fetar dhe, në vend të tij, filluan lutjet për rindërtimin e faltores dhe rifillimin e praktikës së mëparshme, kështu që pas kësaj ngjarjeje fenomeni i kurbanit vazhdoi të praktikohej vetëm individualisht. Sepse në mesin e çifutëve besohet se Zoti kërkon të therin kurban për të, që të pastrohen nga mëkatet, dhe ky ishte ibadeti fondamental i tyre.
Kurbani në Krishterim
Duke pasur parasysh se Isai a.s. ishte i dërguar tek beni- Israilët dhe vetëm me ndikimin e Palit, thirrja e tij u shndërrua në një fe të re, edhe themelet e institucionit të kurbanit në Krishterim mbështeten në Dhjatën e Vjetër. Pra, mësimet dhe tradita e kurbanit të Judaistëve kishte ndikuar edhe në fenë e krishterë dhe një gjë e tillë pasqyrohet në Dhjatën e Re.
Isai a.s. i përkiste një familjeje dhe rrethi me tradita judaiste, kështu që ai së bashku me familjen e tij, disa herë kishin marrë pjesë në ceremonitë e ndryshme ku therej kurban.(15) sipas shkrimeve biblike, Isai a.s. çdo vit, së bashku me familjen e tij, shkonin në Kuds dhe merrnin pjesë në festën e Pashkëve.(16) Po ashtu edhe në shumë vende të tjera në shkrimet biblike, vërtetohet therja ose miratimi dhe lejimi i therjes së kurbanit nga ana e Isait a.s.(17)
Megjithëse Isai a.s. ka zbatuar dhe respektuar institucionin e kurbanit, ai ka theksuar dhe ka lënë të kuptohet se nuk varet gjithçka dhe nuk mbaron puna vetëm me kurbanin duke thënë: “Unë dua mëshirë dhe jo flijime. Sepse unë nuk erdha për të thirrur për pendim të drejtët, por mëkatarët”.(18)
Edhe pse elementet e kurbanit në Krishterim janë marrë nga Dhjata e Vjetër, me ndikimin e Palit dhe kalimin e kohës, botëkuptimi i tij ka ndryshuar nga ai judaist dhe ka marrë një formë krejtësisht tjetër, duke përvetësuar një doktrinë të re. kështu, sipas komenteve të Palit, vetë “vdekja e Isait” apo “kryqëzimi” i tij është kulmi i flijimit tek Perëndia.(19) Sipas tij, Isai a.s. kishte f lijuar vetveten për t’i shpëtuar gjithë njerëzit në sipërfaqen e Tokës nga mëkati i madh i Ademit a.s.(20) Si përfundim, mund të thuhet se, sipas doktrinës së krishterë, kurban i vërtetë është vetë Isai a.s., sepse ai në darkën e fundit të pashkëve, duke u flijuar për njerëzit, Atit të tij si kurban i dhuroi vetveten dhe, pas flijimit të tij, nuk ka nevojë për kurban tjetër. Duke u konsideruar Isai a.s. si kurban i parë dhe i fundit, pas të cilit nuk ka nevojë për flijim tjetër, në Krishterim therja ose kurbani si ibadet është zëvendësuar nga disa rite të tjera, siç është euharista, apo nga kurban shpirtëror. Në lidhje me këtë, sot në teologjinë e krishterë si kurban më i mirë për Perëndinë konsiderohet adakimi i një të krishteri në shërbim të zotit. Në këtë aspekt, sipas doktrinës së krishterë, çdo falënderim e madhërim, mirënjohje e besim është flijimi më i mirë shpirtëror te Zoti.
Kurbani në Lindjen e largët
Hinduizmi: Kurbani tek hindusët, si në të kaluarën ashtu edhe sot, zë vend të rëndësishëm. Sepse, sipas librave të tyre të shenjtë, posaçërisht sipas ilahisë në kapitullin e fundit të Rig-Vedas “bota është krijuar në saje të flijimit të një kurbani të madh”.(21) Sipas kësaj ilahije, njeriu i fortë (i quajtur Purusha), nga ana e perëndive të vogla, është therur për kurban. Kështu kurbani konsiderohet si shkak i forcës dhe ekzistencës së gjithësisë. Në kohën e Brahmanëve dhe Vedave, riti i kurbanit, i cili realizohej në mbikëqyrjen e shërbyesve fetarë, ishte ditor, mujor dhe stinor, sipas të cilit çdo ditë, në fillim të muajit dhe në ndërrimin e stinëve, për nder të perëndive, të parëve dhe shpirtrave, flijojnë duke hedhur në zjarr kryesisht gjëra ushqimore, siç janë qumështi, vera, soman, margarina, ëmbëlsira, drithëra të ndryshme si dhe bagëti.* Me kalimin e kohës, për kurban më shumë janë përdorur gjërat ushqimore sesa bagëtitë, të cilat pothujse janë ndaluar fare. Edhe në kohën e Upanishadëve ka vazhduar tradita e njëjtë e f lijimit. Kurse me daljen në skenë të Budizmit dhe Xhainizmit, të cilët refuzojnë derdhjen e gjakut, flijimi i gjallesave është zbehur ndjeshëm.
Budizmi: Në Budizëm kurbani si rit fetar nuk ekziston. Sepse, sipas themeluesit të Budizmit, Budës, njeriu është pronari i vetes së tij dhe nuk ka qenie dhe fuqi mbi njeriun. Prandaj njeriu nuk ka për kë të flijojë kurban dhe në të njëjtën kohë mosvrasja (ahimsa**) është nga tiparet themelore të Budizmit. Megjithëkëtë, edhe budistët në faltoret e tyre, me qëllim flijimi, përdornin qirinj, tymosje, temjan dhe gjëra ushqimore.
Vlen të theksohet se përafërsisht të njëjtin koncept me Budizmin dhe Hinduizmin në lidhje me flijimin, por me disa ndryshime të vogla, kanë edhe fetë e tjera hinduse, siç janë Xhainizmi, Shintoizmi, Konfuçizmi etj.. Zakonisht tek fetë në Kinën e Vjetër dhe në Japoni, për nder të perëndive, stërgjyshërve e shpirtrave dhe, për të fituar përkrahjen dhe kënaqësinë e tyre, si kurban flijoheshin - njeriu, shtazët e egra e shtëpiake, ushqime dhe pije të ndryshme, veshmbathje dhe shumë gjëra të tjera.(22) Kurse me ardhjen e Konfuçizmit, flijimi i njeriut është ndaluar dhe është zëvendësuar nga gjëra të tjera.
Kurbani në Mesopotami
Edhe në Mesopotami, si edhe në vende të tjera, ekziston institucioni i kurbanit. Kryesisht në ceremonitë e festave, xhenazeve dhe kulteve të tjera, më së shumti për flijim përdoreshin shtazët dhe ushqimet, si mielli, djathi, hurmat, ëmbëlsirat, vera dhe mjalti; kurse nga shtazët - delja. Për kurban zgjidhej shtaza më e mirë.(23)
Kurbani në Greqinë e vjetër
Në Greqinë e Vjetër riti i kurbanit ishte ndër ibadetet kryesore. Gjërat që përdornin për kurban, i hidhnin në zjarr ose i braktisnin që të prisheshin. Grekët e vjetër, përveç shtazëve dhe ushqimeve të ndryshme, për kurban përdornin edhe shpezë, gjallesa të detit dhe bimë.(24) Kurbani më i rëndësishëm ishin bagëtitë, si: lopët, delet, dhitë dhe derrat. Një pjesë nga kurbanet lejohej për ngrënie, kurse pjesa tjetër digjej në zjarr.
Kurbani në Egjipt
Edhe në Egjiptin e Vjetër ekzistonte institucioni i kurbanit, i cili kishte një rëndësi të veçantë. Për kurban më shumë përdoreshin gjallesat, përfshirë edhe njeriun. Për kurban flijoheshin sidomos armiqtë e mbretit dhe të Egjiptit. Përveç kësaj, për të kënaqur perëndinë Seth, thernin edhe shtazë të egra, dema dhe zogj të ndryshëm. Po ashtu egjiptasit e vjetër besonin se, në saje të kurbaneve, ekzistonin perënditë, kurse, në saje të perëndive, ekzistojnë njeriu dhe natyra.(25)
Kurbani në islam
Deri më tash u pa se kurbani si institucion, me gjithë ndryshimet, format dhe qëllimet e ndryshme, ka ekzistuar në çdo kohë dhe në çdo shoqëri. Po ashtu, kurbani ishte i rëndësishëm dhe një ibadet dhe adet i pandashëm edhe për shoqërinë e kohës së injorancës, para Islamit. Kurse, me ardhjen e Islamit, kurbani mori një formë krejt tjetër, duke pasur për qëllim vetëm adhurimin ndaj Allahut, fitimin e kënaqësisë së Tij e afrimin tek Ai, duke u larguar nga shirku, vrasja, dhuna, harxhimi i kotë, mundimi i shtazëve dhe papastërtia e mjedisit.(26) Në lidhje me kurbanin, obligueshmërinë dhe rëndësinë e tij, në Islam Allahu xh.sh. thotë: “Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por tek Ai arrin bindja juaj…”( El Haxhxh ,37); “Ne vërtet të dhamë ty shumë të mira. Andaj ti falu dhe pre kurban për hir të Zotit tënd”. (El Kevther, 2). Në Islam kurbani theret gjatë festës së Bajramit të Kurbanit, festë e cila vjen menjëherë pas mbarimit të kohës së Haxhit. Për të qenë i obliguar kurbani, myslimani duhet të ketë pasuri të mjaftueshme për blerjen e tij. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ai që ka mundësi dhe nuk ka vendosur të therë kurban, të mos i afrohet xhamisë sonë”.(27) Përveç kurbanit, i cili theret gjatë Bajramit të Kurbanit, në Islam ekziston edhe kurbani që theret në zonën e Haremit (Hedije), kurbani i premtimit (adakit) dhe kurbani i falënderimit (akika).Kurbani në Islam, përveç rëndësisë si ibadet dhe adhurim ndaj Allahut, ka edhe rëndësinë e tij në aspektin social dhe, në këtë fushë, luan një rol shumë të rëndësishëm.
Përfundim
Në fund mund të themi se gjatë gjithë historisë së njerëzimit, në fetë që kanë ekzistuar dhe që ekzistojnë sot, kurbani si ibadet ka një rëndësi të veçantë dhe është nga ibadetet kryesore. Në fetë hyjnore kurbani e ka zanafillën nga Habili dhe Kabili, për të cilët bëhet fjalë në Tevrat, Ungjill dhe Kur’an. Gjatë historisë, për kurban janë përdorur njerëzit, kafshët, shpezët e ndryshme, gjallesat e detit, gjëra të ndryshme ushqimore dhe materiale. Me flijimin e këtyre gjërave, në varësi nga besimi, është synuar gjithnjë rregullimi i marrëdhënieve me qeniet mbinatyrore, përkatësisht me Zotin dhe perënditë e ndryshme, respekti, fitimi i kënaqësisë dhe ndihmës së tyre, kërkimi i faljes për mëkate etj.. Prandaj kurbani është një fenomen dhe element i përbashkët i të gjitha feve, dhe është i lashtë sa vetë njeriu.
_______________
* Një bimë me cilësi halucinante, lëngun e së cilës ithtarët e Hinduizmit e përfitonin duke e ndrydhur bimën në gurë të veçantë dhe një pjesë të saj e flijonin për nder të perëndive, kurse pjesën tjetër e pinin vetë. Më gjerësisht, shih: Ekrem Murtezai, Fjalor i Terminologjisë Fetare, Botimi Dituria Islame, Prishtinë 2007, f. 528.
**Ahimsa: moslëndimi, jodhuna, jombytja; njëri nga parimet themelore të etikës së hindusëve, veçanërisht brendapërbrenda fesë budiste dhe asaj xhainiste. Shih: Ekrem Murtezai, po aty, f., 20.
_____________________
1. Dhjata e Vjetër, Zanafilla 4:3-4; Dhjata e Re, Hebrenjve 11:4-6; Kurani Kerim 5:27 etj.
2. Dhjata e Re, Hebrenjve 11:4-6.
3. Mehmet AYDIN, Ansiklopedik Dinler Sözlüğü, Din Bilimleri Yayınları, Konya 2005, f. 428.
4. Levitiku 1:2 9, 2; Isaia 43:2; 1 i Samuelit 2:29, 26:19, 2:12-17; Zanafilla 4:3; Esdra 20:28, 40:43 etj.
5. Levitiku 1:2, 3:14.
6. Zanafilla 4:3-4.
7. Ahmet, GÜÇ, Çeşitli Dinlerde ve İslam’da Kurban, Düşünce Kitabevi, Bursa 2003, f. 143-144.
8. Mehmet AYDIN, po aty, f., 429-430.
9. Eksodi, 29:38-42
10. Numrat 28:9-10.
11. Numrat, 28:11-15
12. Ahmet GÜÇ, DİA, “Kurban”, XXVI, Ankara 2002, f. 434
13. Levitiku, 7/15-21, 32-34, 35-36.22/29-30
14. Numrat 18:15; Eksodi 22:29, 13:13 15, 34:20; Zanafilla, 12:7-8, 22:13
15. Më gjërësisht shih: Luka 2:22-24.
16. Luka 2:41-43.
17. Luka 22:7-8; Gjoni 2:23, 5:1; Mateu 26:17-19, 8:4, 5:23-24; Marku 14:12-16.
18. Mateu 9:13. Përveç kësaj, ka edhe thënie të tjera, ku ju jep përparësi shumë veprave të tjera në krahasim me therjen e kurbanit. Shih: Marku 12:33; Mateu 12:7, 23:23-24; osea 6:6 etj.
19. Hebrenjve 10:12; Efesianëve 5:2.
20. Mehmet AYDIN, po aty, f., 431; I. Korintasve 5:7.
21. Ahmet GÜÇ, Çeşitli dinlerde…, po aty, f., 83.
22. Ahmet GÜÇ, DİA, po aty, f., 435.
23. Mehmet AYDIN, po aty, f., 432.
24. Mehmet Aydın, po aty, f., 432.
25. Ahmet Güç, DİA, po aty, f., 434-435
26. Ali Bardakoğlu, DİA, “Kurban”, XXVI, Ankara 2002, f. 436.
27. Fethu’l- Bari Sherhi Sahihi’l-Buhari, Egjipt 1310, X, 2; Zebidi, Tecrid përkthim, XII, 33
Dituria Islame 267