Sot në orët e para të mëngjesit xhamitë e qytetit dhe fshatrave të Komunës së Gjakovës hapën dyert, duke mirëpritur besimtarët që kishin ardhur për t’u bashkuar në faljen e namazit të sabahut dhe në atë të Kurban Bajramit.
Imamët, përmes ligjëratave dhe hytbeve të tyre, përcollën te besimtarët mesazhin e thellë dhe madhështor të kësaj feste. Ata rikujtuan edhe një herë historinë, vlerat dhe qëllimin e Kurban Bajramit – festë e sakrificës, bujarisë, tolerancës dhe unitetit.
Në fjalët e tyre, ata bënë thirrje për reflektim dhe veprim: që këto ditë të shfrytëzohen për të ndihmuar njëri-tjetrin, për të qenë më bujarë, më solidarë dhe më pranë atyre që kanë nevojë, duke theksuar se Kurban Bajrami nuk është vetëm një ritual, por një moment përbashkimi, përulësie dhe dashurie ndaj Zotit dhe ndaj krijesave të Tij.