Kënaqësinë e ushqimeve e ndjenë trupi, e kënaqësinë e adhurimeve e përjeton zemra dhe shpirti. Allahu xh.sh., e ka krijuar njeriun në formën më të bukur dhe gjithçka në gjithësi e ka ofruar në shërbim të tij. Njeriun, të cilin e ka caktuar si udhëheqës në tokë, e ka pajisur me aftësi të larta të cilat nuk i janë dhënë asnjë krijese tjetër, siç janë shfrytëzimipërdorimi i mendjes, logjika, meditimi dhe vullneti i lirë. Nga njeriu të cilit i janë dhënë këto veti ka kërkuar vetëm t'i dorëzohet Atij. Në lidhje me këtë duhet thënë se nënshtrimi ndaj Allahut nuk duhet kuptuar me logjikën e zotërisë dhe të skllavit, pra ta adhurosh Atë, pa pasur të drejtën e lirë të zgjedhjes. Përkundrazi, robëria ndaj Allahut do të thotë që, duke shfrytëzuar lirinë e zgjedhjes, pra në bazë të dëshirës së lirë, të respektosh vullnetinurdhërat e Allahut xh.sh.; të braktisësh dëshirat dhe kërkesat e epshit (nefsit) dhe të jetosh në përputhje me porositë e Allahut të Madhëruar. Ibadeti adhurimi si e drejtë e Allahut mbi robërit e Tij përmban kërkesën që njeriu të jetojë gjithnjë me vetëdijen e falënderimit ndaj Allahut, i Cili i fali njeriut gjithçka posedon.(1)
Është një pyetje që i lind njeriut në kokë në kohën e kthjelltësisë së trurit, edhe në gjendjen e meditimit të tij me vetveten, e ajo është: Pse jam krijuar? Çfarë është synimi i krijimit tim? Kjo pyetje ka qenë pikë hulumtimi dhe mendimi i filozofëve, por ata s'arritën që të gjejnë një mendim konstant për zgjidhjen e sekreteve të këtyre pyetjeve.
Filozofi gjerman Kanti, mendon se çështjet më madhështore e më të ndërlikuara të filozofisë janë tri:
E para, çfarë mund të njohim ne?;
E dyta, çfarë duhet të veprojmë ne?;
E treta, çfarë shpresojmë dhe në çka i kemi të lidhura shpresat tona?
Kurani iu përgjigjet këtyre problemeve dhe qartëson se qëllimi i krijimit të njeriut është adhurimi ibadeti ndaj Allahut. Për këtë i Lartëmadhërishmi ka thënë: "Unë nuk krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër, pos që të më adhurojnë Mua." (Edh Dharijat, 56).
Nga ajeti i lartpërmendur kuptojmë se ardhja e njeriut dhe jeta e tij në këtë botë është për ta adhuruar Zotin xh.sh.. Adhurimi ibadeti është nënshtrueshmëria dhe përulësia e skajshme me bindshmëri të plotë vetëm ndaj Allahut, e kjo nënkupton mosnënshtrimin ndaj asnjë qenie tjetër që jeton në këtë tokë, sepse që të gjitha janë vetëm krijesa të Allahut, dhe kjo është ajo që e ka proklamuar Kurani: "…vendimi (në çështjen e adhurimit) nuk i takon kujt, pos Allahut, e Ai urdhëroi të mos adhuroni tjetër vetëm Atë…" (Jusuf, 40). Pastaj ajeti tjetër: "Ky është Allahu, Zoti juaj, nuk ka të adhuruar përveç Tij, Krijues i çdo sendi, pra adhurojeni Atë; Ai është mbikëqyrës ndaj çdo sendi." (El En'am, 102).
Islami kur urdhëroi me adhurim ndaj Allahut, në fakt me këtë synoi që ta çliroj njeriun nga skllavëria e cila e kishte përcjellë atë për shumë vite nga mbretërit e tokës dhe liderët despotë, si dhe nga klerikët fetarë të hyjnizuar, dhe dëshiroi që t'ua hiqte nga koka atë iluzion se ata (të hyjnizuarit) janë të krijuar prej një elementi më të dalluar, dhe se në dorën e tyre është edhe dobia e edhe dëmi.(2) Zoti i Lartmadhërishëm thotë: "Thuaju: A adhuroni pos Allahut atë që nuk mund t'ju sjellë as dëm e as dobi? Allahu është që dëgjon (ç'thoni) që di (ç'veproni)." (El Maide, 76).
Adhurimi i Allahut xh.sh., mund të bëhet përmes çdo vepre të njeriut, e cila ka për synim kënaqësinë e Allahut. Kështu që çdo vepër që myslimani e bën, mund të llogaritet vepër e adhurimit, nëse qëllimi është i pastër vetëm për hir të Zotit xh.sh..
Vepra më e rëndësishme e adhurimit për myslimanët është përpjekja për ta jetësuar rendin dhe ligjin e Allahut në tokë dhe për ta pasuar mënyrën e jetesës që Ai e ka caktuar, kështu, derisa Islami të udhëheqë me jetën e individit, familjes dhe shoqërisë. Ky është një mision, që i jep myslimanit ndjenjën e vërtetë të përkatësisë së tij në Islam dhe është e vetmja gjë që do ta bëjë t'i bashkohet radhëve të myslimanëve besimtarë dhe të zellshëm dhe do t'i japë jetës së tij kuptim, siç i përshtatet rolit të tij si mëkëmbës në tokë, atë të cilin Allahu i Madhëruar e ka preferuar para krijesave të tjera.(3) Zoti xh.sh., në Kuran thotë: "Ne vërtet nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), u mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam." (El Isra, 70).
Adhurimet ndahen në dy pjesë: adhurimet që kryhen me gjymtyrë dhe adhurimet që kryhen me zemër. Adhurimet që kryhen me gjymtyrë janë si: namazi, agjërimi, haxhi etj., kurse ato që kryhen me zemër janë: falënderimi, sinqeriteti, lutja, pendimi etj.. Pejgamberi a.s., na tregon në shumë hadithe se sjelljet e mira dhe qëndrimet korrekte të cilat reflektohen në dimensione të ndryshme të jetës, mund të vlerësohen si adhurime, siç janë, gjykimi me drejtësi ndërmjet njerëzve, urdhërimi për punë të mira dhe ndalimi nga të këqijat, përshëndetja me selam e atij që e takon, largimi i pengesave nga rruga që i pengojnë kalimtarët etj.. Gjithashtu, ibadet konsiderohet edhe bamirësia ndaj prindërve, fshirja e lotëve nga sytë e një të ngrati, përkëdhelja e kokës së një jetimi, respekti ndaj të moshuarit dhe buzëqeshja me besimtarin që e takon e shumë e shumë të tjera.(4)
Përmes këtyre veprimeve që u përmendën e shumë të tjera që nuk i kemi cekur, Pej gamberi a.s., po na tregon se Zoti i Ma dhëruar dëshiron që robi i Tij ta kalojnë jetën me një vetëdijendërgjegje të këtillë të adhurimit, duke na thënë me një hadith kudsij: "O biri i Ademi? Në çdo situatë më adhuro Mua që të ta pastroj shpirtin dhe të t'i plotësojë nevojat! Nëse nuk vepron kështu, të preokupojë me gjëra të tjera dhe nuk do të plotësohen nevojat tua."(5)
Adhurimet që kryhen me gjymtyrë kanë një kohë të caktuar dhe shpërblehen vetëm për atë kohë që e ke kryer adhurimin, kurse adhurimet e zemrës nuk kanë kohë dhe vend, shpërblimi i tyre shtohet në vazhdimësi.(6)
NDIKIMI I ADHURIMIT TE BESIMTARI
Ibadeti si e drejtë e Allahut mbi robërit e Tij, përmban kërkesën që njeriu të jetojë gjithnjë me vetëdijen e falënderimit ndaj Allahut, i Cili i fali njeriut gjithçka që pose don. Adhurimi është mjeti që robi-njeriu mund të vendosë lidhje komunikimi me Zotin. Është shprehje-prezantim i gjendjes së njeriut, pa ndonjë mjet apo ndërmjetësim te Krijuesi i Madhëruar, për çka njeriu gjithnjë ka nevojë. Mu për këtë shkak besimtari në çdo namaz lexon ajetet e sures El Fatiha: "Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve,…Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje kërkojmë ndihmë! …"
Në këtë mënyrë myslimani e fillon punën duke e lavdëruar Allahun e Madhëruar dhe duke kërkuar ndihmë prej Tij. Ai me këtë e pranon pafuqinë e vet, i përulet Zotit të vet, kërkon ndihmë prej Tij dhe i lutet Atij që në vazhdimësi ta përforcojë udhëzimin dhe adhurimin ndaj Tij. Pikërisht kjo është vetëdija e ibadetit, ndërgjeshmëria e robërisë dhe kënaqësia e përjetimit të adhurimit.(7) Nga kjo që u tha më lartë kuptojmë se të gjitha adhurimet, si dhe të gjitha veprimet dhe sjelljet e tjera që bëhen me qëllim të adhurimit, nuk mbeten vetëm me rregullimin e raporteve mes Allahut dhe robit të Tij, por ato përcaktojnë qëndrimet psiko-sociale të individit si dhe ndërtojnë strukturën e shoqërisë.
Myzhdeja e Muadh b. Xhebelit
Muadh b. Xhebeli r.a., ishte njëri nga sahabët e të Dërguarit e Allahut a.s., i cili kishte udhëtuar shumë herë me të. Në një rast, gjatë një prej këtyre udhëtimeve qëndronte në ulësen e prapme të shalës së kafshës së të Dërguarit të Allahut a.s.. Ky rast ishte njëri ndër momentet kur Muadhi fizikisht ishte më afër të Dërguarit të Allahut. Mes tyre gjendej vetëm pjesa e prapme (vetulla) e shalës. Muadhin, i cili qëndronte pas tij, i Dërguari i Allahu e thirri: "O Muadh!" Ai u përgjigj: "Urdhëro o i Dërguar i Allahut!" Pas pak i Dërguari i Allahu e thirri edhe njëherë në të njëjtën mënyrë, edhe Muadhi iu përgjigj njësoj. "Urdhëro o i Dërguar i Allahut!" Pasi ecën edhe pak i Dërguari i Allahut sikur dëshironte t'ia tërhiqte vëmendjen e bashkëbiseduesit në një temë të rëndësishme, edhe njëherë e thirri: "O Muadh!" Përsëri përgjigja e Muadhit ishte: "Urdhëro o i Dërguar i Allahut!" Me këtë rast i Dërguari i Allahut e pyeti: "A e di të drejtën e Allahut mbi robërit e Tij?" Muadhi i Përgjigjet: "Këtë më së miri e di Allahu dhe i Dërguari i Tij", Pejgamberi a.s., i tha: "E drejta e Allahut mbi robërit e Tij është që ata ta adhurojnë t'i bëjnë ibadet dhe të mos i përshkruajnë shok asnjë send." Pas një kohe të shkurtër përsëri thirri: "O Muadh!" Nuk e kishte përfunduar atë që kishte për të thënë. Por Muadhi iu përgjigj njësoj: "Urdhëro o i Dërguar i Allahut!" i Dërguari i Allahut vazhdoi: "Nëse veprojnë kështu a e di të drejtën e robërve ndaj Alla hut?"Muadhi i përgjigjet: "Këtë më së miri e di Allahu dhe i Dërguari i Tij." Atëherë ai tha: "E drejtë e robërve ndaj Allahut është që Ai të mos i dënojë ata." Muadhi u emocionua nga këto që dëgjoi e pyet: "O i Dërguar i Allahut, a t'i përgëzoj njerëzit për këtë lajm?" Kurse i Dërguari fisnik iu përgjigj: "Jo, mos i përgëzo, sepse (duke i besuar kësaj myzhdeje) mund të lirohen (neglizhojnë)."(8)
Ky hadith i Pejgamberit a.s., dhe shumë të tjerë që nuk i kemi përmendur janë sihariqe që e nxisin besimtarin në kryerjen adhurimeve dhe përjetimin e kënaqësisë së tyre. A mos të jemi falënderues ndaj Zotit për këtë fe dhe të mirat e saj!? Pa dyshim se po. Falënderimi i qoftë Allahut!
________________________________
1. Islami nëpërmjet haditheve, Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë, V. 2. f. 28.
2. Afif Abdul Fetah Tabbareh, Shpirti i fesë islame, Përktheu dhe përshtati nga arabishtja, mr. Driton Arifi, Prishtinë, 2020, f. 260.
3. Dr. Muhamed Ali el Hashimi, Muslimani ideal, Prishtinë, 2008, f. 34.
4. Islami nëpërmjet haditheve, Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë. V. 2, f. 33.
5. Sunen et Tirmidhij, Mektebetu el Mearife lineshri ve tevzi, Botimi i tretë, Riad, 2008, 2466.
6. Amër Halid, Përmirësimi i zemrave, Furkan ISM, 2010. f. 119.
7. Islami nëpërmjet haditheve, Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë, V. 2. f.29.
8. Sahih el Buhari, Daru el Gadi el Xhedid, Kajro, 2013, Kapitulli i xhihadit, 2856
Dituria islame 405