Termi dashuri është shprehje që shumë shpesh e hasim në rrethet tona dhe e përjetojmë nga dashamirët tanë. Por, çka në të vërtetë është dashuria dhe kush është më meritor ta përfitojë atë? Çfarë efekti do të arrijmë përmes këtij mekanizmi në raport me rrethin tonë? Gjatë këtij punimi do të përpiqemi të japim një pasqyrë rreth kësaj teme.
Dashuria në kontekstin gjuhësor, si fjalë, tregon për ndjenja të fuqishme dhe të thella: pëlqim, dashamirësi, adhurimi për dikë apo për diçka.(1) I gjithë ky shpjegim parqet besimin tonë në Allahun xh.sh. dhe në Islamin si program jete të përzgjedhur nga Krijuesi i Gjithëdijshëm. "Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë." (Edh Dharijat, 56). Adhurimi nënkupton respektimin dhe madhërimin e Allahut xh. sh., përmbushjen e detyrave tona të përcaktuara nga Ai, si dhe falënderimin për begatitë e shumta që na i dhuroi. E nga begatitë më të mëdha që Allahu i dha njeriut padyshim është feja, përmes së cilës njeriu kupton qëllimin e krijimit të tij.
Besimi i drejtë i njeriut do të hapë një derë në zemrën e mendjen e tij, përmes së cilës do të arrijmë t'i perceptojmë gjërat drejt dhe t'i trajtojmë me prioritet disa karshi disa të tjerave. Allahu i Madhëruar përcaktoi një formë unike dhe të vetme për zhvillimin e llojit njerëzor në tokë, duke e krijuar një pjesë trupore - mitrën në trupin e femrës, aty ku do të zhvillohet një brez i ri i llojit njerëzor. Aty është vendqëndrimi i foshnjës në trupin e nënës për nëntë muaj, dhe që nga aty fëmija krijon një lidhje me nënën e vet, lidhje kjo që nuk përfundon kurrë, duke e synuar shijimin e frutave të kësaj lidhje edhe në Xhenet.
Lidhjen ndërmjet tyre që është ekzistenciale, në atë fazë embrionale e mundëson ushqimin dhe absorbimin e ndjenjave dhe emocioneve që nëna përjeton gjatë kësaj periudhe. Po të përcaktohet se çka ka nevojë një fëmijë qysh në këtë faze, padyshim se ofrimin i ndjenjave të dashurisë ndaj fëmijës është esencial për zhvillimin dhe formësimin emocional të tij.
Ardhja në jetë e një fëmije është momenti më i rëndësishëm dhe i veçantë për një prind e në veçanti për një nënë, e cila përjeton dhembjen më të madhe për të sjellë në jetë dashurinë më të madhe. Atë që ajo gjatë e ka ëndërruar. Të analizosh sakrificën që njeriu bën për njeriun, gjen se nuk ka sakrificë më të madhe se sa ajo e nënës për fëmijën e saj, dhe është interes personal dhe obligim fetar që kjo sakrificë të ketë qëllim, mision e vizion, si dhe kërkon nga fëmija të jetë mirënjohës për nënën e tij.
Qëllimi kryesor i një martese të shëndoshë, sigurisht se duhet të jetë ruajtja dhe zhvillimi i llojit njerëzor, e ajo pra mund të bëhet vetëm përmes martesës së rregullt. Allahu xh.sh në Kuran na porosit: "Allahu krijoi për ju bashkëshorte nga vetë lloji juaj, e prej bashkëshorteve tuaja fëmijë e nipa dhe ju furnizoi me (ushqime) të mira…" (En Nahl, 72). Në një hadith të transmetuar nga Bejhakiu dhe Abdurrezaku, na specifikon porosinë e të Madhëruarit, ku i Dërguari a.s., ka thënë: "Martohuni që të shtoheni! Unë do të mburrem para ymeteve të tjera."
Shtimi i një anëtari të ri në familje nënkupton forcë për atë familje, shtet, e patjetër se shndërrohet edhe një kauzë, të cilën do ta mbështes në të ardhmen.
Misioni
Familja është projekti jetësor i dynjasë dhe ahiretit. Në një hadith, i Dërguari a.s. duke qenë shëmbëlltyra dhe modeli më i kompletuar për pasim, na porositi: "Më i miri prej jush është ai që është më i dobishmi për familjen e vet, ndërsa unë jam më i miri ndër ju ndaj familjes sime."(2) Nga kushtet e imanit është që ne të besojmë në botën tjetër, ringjalljen, llogaridhënien dhe Xhenetin e Xhehenemin. Allahu xh.sh. në Kuran na porosit që ta ngremë nivelin e përgjegjësisë që kemi karshi familjes e në mënyrë të veçantë ndaj fëmijëve: "O ju që besuat, ruani veten dhe familjen tuaj prej zjarrit, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt të rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruara." (Tahrim, 6). Pastaj në një hadith tjetër, i Dërguari a.s., ka thënë: "Të gjithë ju jeni barikujdestar dhe të gjithë jeni përgjegjës për tufën tuaj."(3) Këto porosi hyjnore ngrenë nivelin e përgjegjësisë që kemi, duke na alarmuar për përkujdesjen ndaj amanetit, stolisë së kësaj bote, por edhe të asaj që Zoti ynë e bëri të jetë sprova më e madhe në këtë jetë.
Si prind, obligohemi që fëmijës t'ia mësojmë besimin e drejtë në Krijuesin e tij, mënyrat e kryerjes së obligimeve fetare dhe largimin nga punët e ndaluara që pasojat e veprimeve të tyre do të përjetohen në këtë dynja, në jetën në varreza dhe në ditën e gjykimit, atëherë kur secili do ta korrë atë që mbolli në dynja.
Nga metodat që duhet përdorur në rregullimin e raporteve të fëmijës me Zotin e tij, me familjenrrethin dhe vetveten e tij është dashuria. Njeriu është i prirë që ta pasojë, ta dëgjojë, ta vlerësojë, e të sakrifikojë për atë që e do. Nuk ka dashuri më të sinqertë se ajo e nënës për fëmijën e saj. E manifestimi i kësaj dashurie duhet të shprehet me dhembshuri, kujdes e dashamirësi, duke u bërë udhërrëfyes për të dhe duke i treguar për qëllimin e krijimit dhe rrugën e vërtetë me stacionin e fundit të saj, me Xhenetin.
Vizioni
Fëmija është fryt i dashurisë dhe butësisë, zbukurim dhe përmbushje e dynjasë. Ai i jep kuptim jetës së çiftit bashkëshortor, dhe i tilli duhet trajtohet me mëshirë, kujdes e dashuri. Prindërit për fëmijët janë edhe si mundësi e përfitimeve të shumta. Nga ta kërkohet që të sillen mirë me prindërit: "Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as "of oh", as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta respektuese)." (El Isra, 23). Ky trajtim karshi prindërve do të jetë mirënjohja dhe falënderimi më i madh për sakrificën jetësore që ata bënë për të si fëmijë i tyre, që pastaj të arrihet shpërblimi e kënaqësia e Allahut në këtë sprovë që çdo fëmijë testohet.
Nëna meriton kujdesin dhe dashurin e posaçme: "Ne e urdhëruam njeriun t'u bëjë mire prindërve të vet, ngase nëna e vet me mund e barti dhe me vështirësi e lindi." (El Ahkaf, 15).
Nëna është më meritorja për dashurinë tonë. Ebu Hurejra transmeton se: "Erdhi një njeri te Pejgamberi a.s. dhe e pyeti: "Kush ka më së shumti merita që t'i kushtohet kujdes i plotë?" "Nëna" i tha Pejgamberi a.s.. "Mandej kush vjen në radhë?", "Nëna" iu përgjigj Pejgamberi a.s.. "E pastaj kush?" pyeti prapë "Nëna, e mandej babai" iu përgjigj Pejgamberi i Allahu xh.sh..
Në një hadith tjetër kemi edhe një mesazh nga Allahu përmes së cilit kushtëzohet Xheneti: "Xheneti është nën këmbët e nënës."
Askush me shumë se nëna nuk e di koston e sjelljes së një fëmije në jetë dhe si e tillë askush nuk ka dashuri më shumë se ajo. Të gjitha këto porosi duhet t'i mësohen dhe instalohen fëmijëve tanë në personalitete e tyre, sepse ne prindërit, jemi arkitektë të personaliteteve të tyre, duke u siguruar atyre plotësimin e nevojave jetësore me hallall dhe ofrimin e dashurisë e përkujdesjes së pakufishme për ta.
Ata do jenë pasardhësit tanë, burim i shpërblimeve për ne edhe pas vdekjes sonë, burim i krenarisë apo turpit, burim i gëzimit dhe ndonjëherë ndoshta edhe i mërzisë.
Përfundimi
Dashuria duhet të shihet si infuzion që në vete përmban gjitha vlerat që feja na thërret t'i kemi e t'i praktikojmë. T'i rrisim fëmijët me dashuri do të thotë të mbjellim pemë dashurie në të, frutat e të cilit do t'i shijojnë edhe njerëzit e tjerë duke marrë "vitaminat" - këshillat e nevojshme për jetë. Dashuria na siguron kështjellë të lumtur familjare, fëmijë të qetë, të suksesshëm dhe përtej kësaj edhe shumë humanë.
______________________
1 Fjalorthi.com
2 Sahihu i Buhariut.
3 Transmetojnë Buhariu, Muslimiu dhe Tirmidhiu.
Dituria islame 405