Ekziston edhe diçka tjetër që ndërlidhet me rolin e Umerit r.a. në luftëra. Pas përfundimit të luftës në Uhud, kur myslimanët ishin ngjitur në kodrën e Uhudit, Ibni Kamie kishte përhapur lajmin se gjoja Pejgamberi a.s. kishte pësuar së bashku me Ebu Bekrin dhe Umerin, në fushëbetejën e Uhudit. Për ta siguruar lajmin, Ebu Sufjani kishte shkuar poshtë kodrës dhe kishte bërtitur: "A është Muhamedi në mesin tuaj"? Umeri kishte insistuar t`i përgjigjej, por, Pejgamberi a.s. i kishte thënë të mos i përgjigjej. Pastaj Ebu Sufjani bërtiti: "A është Ebu Bekri në mesin tuaj"? Sërish Muhamedi a.s. u tha të mos i përgjigjeshin. Pastaj ai pyeti: "A është Umeri në mesin tuaj"? Muhamedi a.s.. prapë u kishte thënë të mos i përgjigjeshin. Ebu Sufjani kishte thënë: "Nëse nuk gjenden këta të tre, ju të tjerët nuk na interesoni".(1) Umeri r.a. nuk mundi të duronte pa iu përgjigjur dhe tha: "O armiku i Allahut, që të tre jemi gjallë. Allahu i ka lënë në jetë ata, për shkak të të cilëve ti do të pikëllohesh". Ebu Sufjani tha: "Disa prej të vdekurve tuaj janë masakruar, unë nuk e urdhërova këtë, po kjo nuk më pikëllon". Pastaj tha: "Hubeli është i madh". I dërguari i Allahut i pyeti shokët e vet: "A nuk do t`i përgjigjeni?" E ç't`i themi?" Thuani: "Allahu është më i Madhi dhe më i Fuqishmi". Ebu Sufjani tha: "Ne kemi Uzanë e ju e nuk keni". I dërguari i Allahut u tha shokëve: "Thuani Allahu është Zoti ynë, e ju nuk keni Zot". Ebu Sufjani tha: "Tani u hakmorëm. Kjo ditë është për ditën e Bedrit. Lufta është me fat të ndryshueshëm". Umeri u përgjigj: "Nuk jemi të barabartë, të vrarët tanë do të hyjnë në Xhenet, kurse tuajt do të hyjnë në zjarr". Ebu Sufjani bërtiti: "Dil para meje, o Umer!" I dërguari i Allahut i tha Umerit: "Shko e shih ç'po do". Umeri doli, e Ebu Sufjani e pyeti duke i thënë: "Të përbej në Allahun, o Umer, a e kemi mbytur Muhamedin?" Umeri bërtiti: "Pasha Allahun, jo! Ja tek është këtu, është duke të dëgjuar se ç`je duke thënë". Ebu Sufjani tha: "Për mua ti je më i sinqertë e më i ndershëm se Ibni Kumei".(2)
Përparësitë e Umerit dhe politika e ti
Kur Muhamedi a.s. ndërroi jetë , atë e zëvendësoi Ebu Bekri, dhe njerëzit i thoshin - zëvendësi i të Dërguarit a.s.. Mirëpo, kur vdiq Ebu Bekri dhe në vend të tij u caktua Umeri, njerëzit filluan të thoshin: "Zëvendësi i zëvendësit të Pejgamberit". Pas kësaj periudhe myslimanët filluan të mendonin se si të quanin atë që do të vinte pas Umerit r.a.. Ta quanin zëvendësi i zëvendësit të zëvendësit të Pejgamberit?! Sigurisht që kjo do të ishte tepër e gjatë, kështu që duhej gjetur një emër tjetër për të. Atëherë shokët e Pejgamberit a.s. thanë: "Ne jemi besimtarë dhe Umeri është prijësi ynë, kështu që do ta quajmë Prijësi i besimtarëve".(3) Umeri nga ky çast u quajt kështu duke u bërë i pari që mori këtë emër. Umeri r.a. është i pari që shënoi kalendarin sipas hixhretit (emigrimit) nga Meka në Medinë. Po ashtu në kohën e tij u vendos falja e namazit të teravive me xhemat. Kjo ndodhi në Ramazanin e vitit 14. Umeri r.a ishte i pari që caktoi ndëshkimin me 80 shkopinj për ata që pinë alkool. Ai arriti të shtinte në dorë tokat e Gadishullit Arabik dhe të Egjiptit (Kajron dhe Aleksandrinë). Umeri ishte i pari që tokat e çliruara ua la vendësve, me kusht që të paguanin haraçin, ndërsa për jomyslimanët caktoi xhizje.(4) Musa El-Eshariu thotë: "E kërkova Pejgamberin a.s. në xhami dhe nuk e gjeta. Pyeta gratë e tij në mos ishte në shtëpi, por nuk e gjeta…Shkova në drejtim të pusit dhe Pejgamberin a.s. e gjeta aty, kishte marrë abdes dhe po qëndronte në gurin e pusit…Ebu Musa El-Eshariu tha me vete që atë ditë do të bëhej portier i Pejgamberit a.s.. Ai mori qëndrimin e portierit dhe qëndroi te hyrja e pusit. Pas pak erdhi Ebu Bekri dhe kërkoi leje të hynte te Pejgamberi a.s. me ndërmjetësimin e Ebu Musa El-Eshariut. Pejgamberi a.s. i dha leje që të hynte Ebu Bekri të cilin e përgëzoi me Xhenet…Pastaj erdhi Umeri r.a., i cili kërkoi leje të hynte te Pejgamberi a.s.. Ebu Musa El-Eshariu i kërkoi leje Pejgamberit a.s. se Umeri dëshironte të vinte tek ai. Pejgamberi a.s. i dha leje dhe i tha ta përgëzonte Umerin me Xhenet.(5)
Zgjedhja e Umerit halif
Kur Ebu Bekri ndjeu që po i afrohej vdekja dhe myslimanët mund të mbeteshin shumë shpejt pa udhëheqës, ai filloi të këshillohej me ashabët për caktimin e halifit të myslimanëve pas tij. Umer Ibnul Hatabi ishte personi më i afërt për Ebu Bekrin. Umeri ishte njeriu i dytë në Ymet pas Ebu Bekrit. Në një rast kur Pejgamberi a.s. ishte në xhami së bashku me ashabët e tij, ai kishte pyetur se ku ishin Ebu Bekri dhe Umeri. Në atë çast qenë afruar ata të dy te Pejgamberi a.s. - Ebu Bekri ulet në anën e djathtë, kurse Umeri në të majtën. Pejgamberi a.s. i mori për dore të dy dhe tha: "Kështu do të ringjallemi në Ditën e Kiametit".(6) në një rast tjetër Pejgamberi a.s. kishte thënë: "Burri më i mirë është Ebu Bekri, dhe burri më i mirë është Umeri". Kur e pyetën Muhamedin a.s. se kush ishte njeriu më i dashur për të, ai kishte tënë: "Aishja" I thanë: "Jo prej grave, po prej burrave", e ai tha: "Babai i saj". Pastaj kush? Pejgamberi a.s. tha: "Umeri". Pejgamberi a.s. para vdekjes i kishte paralajmëruar myslimanët me isharete që Ebu Bekri do ta merrte halifatin pas tij, kurse Ebu Bekri kishte lënë amanet me të cilin i porosiste që duhej ta trashëgonte Umer ibni El-Hatabi. Ebu Bekri kërkoi mendimin e njerëzve në lidhje me këtë, dhe ata e autorizuan që të caktonte pasardhësin. Në të vërtetë, ai kishte urdhëruar që të tuboheshin të gjithë dhe me atë rast kishte deklaruar: "O njerëz, siç po shikoni, më erdhi përcaktimi i Allahut, e ju keni nevojë për një njeri, i cili do t'ju udhëheqë dhe t'ju prijë në namaz, do të luftojë kundër armikut tuaj dhe do t'ju urdhërojë . Nëse doni, unë do të mendoj dhe do të jap mendimin tim. Për Allahun përveç të cilit nuk ka tjetër, gjithnjë kam menduar për të mirën tuaj. Atëherë ia plasi vajit dhe njësoj vepruan edhe të tjerët, duke thënë: "O pasardhës i Pejgamberit të Allahut, ti je më i miri dhe më i dituri prej nesh, prandaj na e zgjidh ti halifin". Ai u përgjigj : "Unë do të mendoj dhe do t'ja jap mendimin tim. Do të zgjedh më të mirin prej jush, nëse do Allahu."(7) Kështu porosit Ebu Bekr ibni Kuhafe, në fund të jetës së tij në këtë botë dhe në fillim të jetës në Ahiret, në mënyrë që këtë ta besojë jobesimtari dhe i ligu, dhe që gënjeshtari të dijë se kjo është e vërtetë. "Unë si pasardhës, pas meje do ta lë Umer ibni Hatabin, prandaj dëgjojeni dhe bindjuni. Unë gjithnjë jam munduar të mos lëshoj ndonjë të mirë për Allahun, për Pejgamberin e Tij, fenë e Tij, veten time dhe ju. Nëse ai është i drejtë, atëherë kjo është që mendoj dhe di për të, por, nëse nuk është kështu, secili njeri përgjigjet për mëkatet e veta. Unë vetëm dëshiroj mirësi dhe fshehtësitë nuk i di. Ata që bëjnë zullum, me siguri do ta dinë në çfarë vuajtjesh do të zhyten, ves-selamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu. Pas kësaj fjale, Ebu Bekri r.a. e ftoi vetëm për vetëm Umerin dhe ia komunikoi vendimin e vet e më pastaj u largua nga ai, ngriti duart dhe tha: "O Zoti im, me këtë unë kam shprehur vullnet të mirë për ta, ngase kanë frikë nga hutia. Prandaj veprova atë që veprova, e Ti e di më së miri. Unë ua paraqita propozimin tim, dhe si prijës e zgjodha më të mirin dhe më të fortin nga mesi i tyre…"
Proklamata e Umerit në lidhje me mënyrën e udhëheqjes
Ebu Bekri r.a. vdiq të martën në mbrëmje, tetë net para përfundimit të muajit Xhemadel-Uhra, të vitit XIII h. Pas vdekjes së tij, Umeri edhe praktikisht e mori pushtetin e hilafetit, dhe shpalli metodat dhe strategjinë e tij për qeverisjen e myslimanëve. Ai pati deklaruar: "Jam vënë në sprovë me ju, dhe ju me mua. Jam emëruar udhëheqës juaji pas dy shokëve të mi pararendës, prandaj kush është me ne këtu, ne do të kujdesemi për të, e kush është në vende të tjera, do t`ua dorëzojmë atyre që janë më të fortë se amaneti. Kush vepron mirë, ne do të rritim raportin e mirë ndaj tij, ndërsa kush bënë kundërvajtje, do ta ndëshkojmë e Allahu na faltë edhe ju edhe ne".Kur u bë Umeri halif, njerëzit menduan se ai do të ishte i ashpër, ngase njihej për vrazhdësinë e tij; i tillë ishte edhe në kohën e Pejgamberit a.s. bile edhe më i ashpër në kohën e Ebu Bekrit. Por, tani si do të jetë në pozitën e halifit? Njerëzit, ndoshta me arsye, kishin frikë nga ashpërsia dhe trimëria e Umerit, dhe ai e dinte këtë, prandaj një ditë ngriti duart drejt qiellit dhe tha: "Zoti im, unë jam i ashpër, pra më bëj më të butë;unë jam i dobët, pra më forco; unë jam koprrac, pra më bëj bujar".(8) kur pushteti kaloi në duart e tij, Umeri u ishte drejtuar edhe ashabëve me fjalët: "Mos më konsideroni të ashpër, ngase gjatë kohës së Pejgamberit të Allahut kam qenë polic i tij, e i tillë kam qenë në kohën e Ebu Bekrit, mirëpo tani, pasi pushteti kaloi në duart e mia, jam bërë më i dobëti nga ju para peshës së drejtësisë". Këshilla e fundit në ligjëratën e tij ishte që, nëse nuk e urdhëronin për të mirë, nuk e ndalonin nga e keqja dhe nuk e mësonin, do të ankohej tek Allahu xh.sh.. Për Umerin, të ishte halif nuk ishte thjesht pozitë udhëheqëse, pasi tek ai ekzistonte frika se të qenë halif dhe përgjegjës i myslimanëve, mund të ishte pengesë për të hyrë në Xhenet.(9) Njësitë e ushtrisë islame në kohën e Umerit r.a. luftonin në tri fronte: në frontin e Perandorisë Persiane, në frontin e viseve të Shamit kundër Bizantit, dhe në frontin e tretë drejt Egjiptit. Në të gjitha këto fronte ai kishte arritur të korrte suksese të mëdha.
_________________________
1. Saffiu Rrahman El-Mubarekfuri, Err-Rrahikul Mahtum, 1416h.-1977. f.278.
2. Ibni Hisham, II, f.93-94..
3. Hasan Ejub, Katër Halifët e Drejtë, Shkup, 1424.-2003 f.92-93.
4.. Po aty, f.93.
5Amër Halid, Katër Halifët e Drejtë, Prishtinë, 2009, f.82.
6. Po aty, f.85.
7. Ed-Dinuri, El-Emanetu ves-sijase, 1/25.
8.Tabekat Ibni S`ad, 3/274; shih edhe: Menakibu Umer nga ibnul-Xhevzi, f.25.
9.Amr Halid, Ibdi.. f87.
Dituria Islame 238