Shpjegim i shkurtër rreth disa çështjeve bashkëkohore në aspektin juridik islam (1)

 


Sa ishte prezent i Dërguari a.s., nuk ishte e nevojshme që të tuboheshin dijetarët prej sahabëve, ngase i Dërguari a.s., ishte prezent dhe se ai ishte i vetmi që jepte zgjidhjen e çështjes. Ndërsa pas vdekjes së të Dërguarit a.s., patjetër që për Zgjidhjen e çështjes duhej që të tuboheshin dhe të konsultoheshin dijetarët prej sahabëve, në mënyrë që të gjenin Zgjidhje juridike për çështjen e re.


Hyrje


Allahu i Lartësuar ka sjellë sheriatin islam si një ligj që i përshtatet dhe e zgjidh çdo çështje për të cilën ka nevojë njeriu deri në Ditën e Kiametit. Këtë më së miri e vërteton fjala e Allahut të Lartësuar: "Sot ua kam përsosur fenë tuaj dhe e kam plotësuar begatinë Time dhe Unë jam i kënaqur që Islami të jetë feja juaj."(1)
Padyshim se me kalimin e kohës, gjërat ndryshojnë çdo ditë dhe në mesin e njerëzve paraqiten çështje apo problematika të panjohura më parë, e të cilat kërkojnë zgjidhje në aspektin juridik islam. Këto çështje(2) në terminologjinë islame njihen si 'en neuazil'. Po ashtu, në këtë kapitull mund të përfshihen edhe ato çështje të cilat kanë qenë të njohura në kohën e të Dërguarit a.s., por që më vonë është paraqitur nevoja për ndryshimin e formës së zbatimit të çështjes. P.sh. në kohën e të Dërguarit a.s., është dhënë zekatul fitri me elb, por në ditët e sotme nuk mund të jepet me elb, ngase tanimë elbi nuk përbën ushqimin e rëndomtë të njerëzve. Nga kjo kuptohet se edhe pse si çështje është e hershme, por që prapë ka nevojë për të dhënë sqarime për rrethanat në të cilat ne tashmë jetojmë, duke mos dalë jashtë rregullave të sheriatit për sqarimin e kësaj çështje. Thënë më qartë, ne e dimë se dhënia e zekatul fitrit synon sigurimin e shujtës së ushqimit për ditën e Fitër Bajramit dhe që i varfëri të mos ketë nevojë për të lypur, e që në kohën tonë më nuk konsiderohet dhënia e elbit si shujtë e ushqimit, dhe se me dhënien e elbit nuk mund ti sigurohet shujta e Bajramit si ushqim për të varfërin.
Në kohën e sahabëve, kur ndodhte të paraqitej ndonjë çështje e re, atëherë dijetarët e asaj epoke tuboheshin dhe konsultoheshin për të gjetur një zgjidhje juridike për çështjen e paraqitur. Sa ishte prezent i Dërguari a.s., nuk ishte e nevojshme që të tuboheshin dijetarët prej sahabëve, ngase i Dërguari a.s., ishte prezent dhe se ai ishte i vetmi që jepte zgjidhjen e çështjes. Ndërsa pas vdekjes së të Dërguarit a.s., patjetër që për zgjidhjen e çështjes duhej që të tuboheshin dhe të konsultoheshin dijetarët prej sahabëve, në mënyrë që të gjenin zgjidhje juridike për çështjen e re.


Metoda e nxjerrjes së vendimit juridik islam për çështjen e re


Ajo që është më e rëndësishme në këtë aspekt, është që duhet të kuptohet mirë dhe qartë paraqitja e çështjes së re, para se për të të jepet vendimi juridik, ngase në këtë mënyrë zvogëlohet mundësia e gabimit në nxjerrjen e vendimit. Pra, analizimi dhe kuptimi i qartë dhe i saktë i çështjes mundëson që vendimi të jetë shumë më afër saktësisë së përgjigjes. Te dijetarët është e njohur kjo rregull:(3) - "Vendimi juridik për një çështje ndërtohet mbi perceptimin e drejtë të saj."
Ibnul Kajimi r.a., ka thënë: "As myftiu e as prijësi nuk mund të arrijnë deri te vendimi i saktë pa I pasur parasysh këto dy elemente, e para, të kuptohet dhe të perceptohet shumë qartë çështja e re, dhe e dyta, të kuptohet se cili është vendimi i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij për çështjen e paraqitur. E më pastaj vlen njëra normë edhe për tjetrën.(4)
Nga e gjitha kjo, mund të kuptohet qartë se duhet kërkuar ndihmë nga ekspertët e çështjeve, ngase ka mundësi që çështja e re të jetë e vështirë për t'u kuptuar. Psh. nëse është çështje e mjekësisë, atëherë kërkohet ndihma për shpjegim nga ana e mjekëve: nëse është çështje e ekonomisë, atëherë kërkohet ndihmë për sqarime nga ekonomistët e të ngjashme. Në vijim, ne do ti përmendim disa prej çështjeve të reja, të cilat kanë nevojë për shpjegim juridik fetar:


Ushqimet dhe pijet të cilat në përmbajtje kanë sasi të alkoolit


Alkooli i cili është në përmbajtjen e ushqimeve apo pijeve mund të ndahet në tri kategori:
Alkooli që është në ushqime apo pije me sasi sa që konsumuesi mund të dehet. Kjo sasi e alkoolit që gjendet në ushqime apo në pije konsiderohet haram sipas konsensusit të dijetarëve (ixhma).
Alkooli që është në ushqime me sasi të vogël, mirëpo konsumimi i shumtë i këtyre ushqimeve ndikon që konsumuesi të dehet. Konsumimi i këtyre ushqimeve konsiderohet haram, ngase edhe këto hyjnë në vendimin e të Dërguarit a.s.: "Konsumimi i shumtë i një ushqimi apo pije që shkakton dehje, konsiderohet haram edhe nëse konsumohet pak (ky ushqim apo pije).(5) Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve, pra konsumimi i ushqimeve që kanë pak alkool dhe nuk të dehin pos nëse konsumohen shumë konsiderohet haram.
Alkooli, sasia e të cilit është shumë e paktë në ushqim apo pije, saqë kur të shtohet në ushqim, ai humbet krejtësisht dhe më nuk mbetet si alkool në atë ushqim apo pije. Kur ndodhë që në ushqim apo pije ka sasi shumë të paktë të alkoolit, saqë nëse ha shumë ushqime të tilla aspak nuk mund të dehesh, ngase tashmë alkooli është tretur krejtësisht. Këtu është fjala për sasinë shumë të paktë të alkoolit që përdoret për ruajtjen e ushqimeve të ndryshme, si p.sh., sasia shumë e paktë e alkoolit që vendoset në qumësht apo në ushqime të tjera, me qëllim të konservimit të tyre. Industria bashkëkohore e ushqimeve e konsideron alkoolin etilik si materien më të mirë për tretje dhe ruajtje të ushqimit, por me kusht që sasia e alkoolit të tillë të jetë shumë e vogël dhe e konsumuar. Pra, ky lloj alkooli me sasi shumë të vogël gjendet në pjesën dërmuese të ushqimeve dhe pijeve të kohës së sotme.
Tanimë lind pyetja, cili është qëndrimi juridik islam rreth këtyre ushqimeve që kanë përqindje të paktë të alkoolit etilik i cili është konsumuar - transformuar në një materie krejtësisht tjetër brenda në ushqim apo pijet
Përgjigja: Nëse dihet se diçka prej alkoolit ose mishit të derrit ose ndonjë materie tjetër e ndaluar i është shtuar ushqimit apo pijeve, atëherë nëse është në një proporcion shumë të vogël dhe ajo materie e ndyrë konsumohet (transformohet) në substanca të tjera të pastra dhe nuk ka mbetur asnjë gjurmë në ushqim ose pije, si p.sh., të mos vërehet ngjyra, shija, era e elementit të ndaluar dhe që të mos ketë kurrfarë efekti. Këto ushqime ose pije nuk është e ndaluar të konsumohen, dhe ky është rasti në përqindjen shumë të vogël që është përmendur në pyetje, sepse një përqindje e tillë konsumohet - transformohet (humbet në produkt) me atë që i është shtuar, dhe se nuk ka mbetur asnjë gjurmë në produkt prej asaj që është e ndaluar.(6)


Mishrat e importuar nga vendet jomyslimane


Mishrat e importuar mund të ndahen në dy grupe:
Mishrat e importuar nga vendet jomyslimane që nuk janë të krishterë e as hebre, por mund të jenë me besime pagane:
Mishrat e importuar nga vendet jomyslimane, por që janë vende krishtere apo hebraike.
Sa u përket mishrave që janë të importuara nga viset jomyslimane që nuk janë të krishterë e as hebre, ato mishra janë të ndaluara dhe nuk lejohen të konsumohen nëse therësi nuk është mysliman, e as i krishterë e as hebre. P.sh. nëse therësi është budistë apo hindus, sipas konsensusit të dijetarëve, këto mishra janë të ndaluara.
Ndërsa, kur ndodh që mishrat e importuara janë nga vendet krishtere apo hebraike, si p.sh. mishrat e importuar nga Brazili, Franca dhe vendet e tjera, atëherë lind pyetja se a lejohen këto mishra apo jo? Përgjigja është se këto mishra janë të lejuara, ngase janë therur nga pasuesi i librave hyjnor (i krishteri apo hebreu). Për këtë është thënë qartë në ajetin kuranor: "U janë lejuar ushqimet e ithtarëve të Librit, po ashtu edhe ushqimet tuaja janë të lejuara për ta..."(7)
Ka fjalë që qarkullojnë se të krishterët kur po i therin kafshët nuk po e përmendin emrin e Zotit ose edhe më e keqja, edhe pse janë të krishterë fare nuk shkojnë në kishë dhe as që i kryejnë adhurimet e tyre, pra këta janë të ngjashëm me ateistët. Sa i përket asaj se të krishterët janë të devijuar, dihet mirëfilli se për devijimin e tyre ka folur edhe Kurani, kur ka thënë: "Vërtet kanë mohuar ata të cilët thanë: Vërtet Allahu është i treti i treve. Nga kjo kuptohet qartë se devijimi i të krishterëve është i haptë, por që, edhe përkundër kësaj, Allahu ka lejuar për myslimanët ushqimet e tyre. Pra, përderisa personi që e therë kafshën është prej ithtarëve të Librit, pavarësisht devijimet të tij, kafsha që është therur për ne është hallall. Në rastin e tillë, neve na mbetet që të veprojmë sipas asaj që ka thënë i Dërguari i Allahut, që ne të përmendim emrin e Zotit, e pastaj ta hamë dhe po ashtu të veprojmë sipas bazës, që d.m.th. ushqimet e ithtarëve të Librit janë të lejuara për ne.


Të drejtat e autorit dhe të markës tregtare - brendet


E drejta e autorit në kohët e hershme nuk është diskutuar nga ana e juristëve myslimanë, për faktin se në kohët e hershme nuk ka pasur shtëpi botuese dhe se autori në ato kohë u ka dhënë atyre që kanë dashur të marrin dije që të bëjnë kopje librin me qëllim që dituria të shpërndahet, e madje për këtë autori është gëzuar. Ndërsa, në ditët e sotme, ku ekzistojnë shtypshkronja dhe mundësohet botimi i librave me kopje të shumta dhe prej shitjes së tij ka përfitime materiale, dijetarët i kanë shtyrë që të mendojnë për të drejtat e autorit. Juristët bashkëkohorë myslimanë kanë mospajtime rreth të drejtave të autorësisë.
Disa prej tyre janë të mendimit se e drejta e autorësisë nuk duhet të merret parasysh, ngase në kohët e hershme, dijetarët i kanë dhënë me vullnet dhe dëshirë të madhe librat e tyre që të kopjohen dhe se nuk kanë kërkuar kurrfarë kompensimi dhe kurrfarë të drejte të autorësisë.(9)
Ndërsa, një grup i dijetarëve bashkëkohorë janë të mendimit se e drejta e autorit është e drejtë legale dhe se nuk lejohet të cenohet në asnjë mënyrë. Ata mendojnë që nuk lejohet të shfrytëzohen këto të drejta për shfrytëzime personale. Këta thonë se nëse e shfrytëzon një libër vetëm për vete dhe atë nuk e ke blerë, me këtë e ke dëmtuar autorin, ngase libri është fryt i mendjes dhe angazhim i autorit. Pra, sipas mendimit të këtyre, rezulton në atë se asnjë mënyrë nuk lejohet të përdoren-shfrytëzohen programe kompjuterike të cilat përmbajnë shkrime të autorëve. Mendimin e tyre, këta e arsyetojnë duke thënë se, si mund të shfrytëzohet një mendim i dikujt pa e ditur se ai a është i pajtimit që t'i përdoret mendimi i tij apo jot. Pra, nëse e shfrytëzon mendimin e tjetrit pa leje është shkelje e së drejtës së autorësisë dhe në këtë rast, ka bërë shkelje ndaj të drejtës së autorit. Ndërsa mendimi i tretë është mendim mesatar, sipas këtij mendimi, lejohet të shfrytëzohet për çështje personale, por assesi nuk lejohet të përdoret për përfitime materiale. Sipas shumicës së dijetarëve bashkëkohorë, mendimi mbizotërues është se e drejta e autorit është e drejtë legale që duhet të ruhet dhe të respektohet.
Po ashtu, lind pyetja, ai që bën plagjiat apo e vendos emrin e vet si autor në librin e dikujt tjetër, a duhet të zbatohet dënimi për vjedhje d.m.th., a duhet t'i këputet dora? Në raste të tilla nuk duhet të ekzekutohet dënimi me këputje të dorës, ngase nuk plotësohen disa kushte të vjedhjes, por patjetër duhet të dënohet me teazir d.m.th. me një lloj të dënimit të cilin e përcakton gjykatësi sipas ixhtihadit të tij.


Të bërit tesbin me mjete elektronike


Padyshim se të bërit tesbih është një prej mënyrave të adhurimit të Allahut të Madhëruar dhe se Allahu ka përcaktuar shpërblime të shumfishta për ata që bëjnë tesbih ndaj Allahut të Lartësuar. Dijetarët e mëhershëm janë që të gjithë të mendimit se lejohet të përdoren mjete për të bërë tesbih Allahun dhe se asnjëri prej tyre nuk i ka konsideruar haram mjetet që përdoren për të bërë tesbih.
Rreth kësaj çështje duhet të përmendim atë se ka transmetime që janë përdorur guralecët dhe farat për të bërë tesbih, me të vetmin qellim, që me ndihmën e tyre të arrihet numërimi i fjalëve të tesbihut. Ajo që konsiderohet më e saktë është se lejohet të përdoren çfarëdo mjete elektronike, të cilat mundësojnë numërimin e fjalëve që shprehen gjatë të bërit tesbih.



________
1. El Maide, 3.
2. Çështje të reja për të cilat nuk është dhënë kurrfarë shpjegimi më herët dhe se për çështjet e tilla nuk tekst (ajet apo hadith) d.m.th. askush prej dijetarëve nuk ka diskutuar rreth këtyre çështjeve në aspektin juridik islam.
3. Ibën Tejmije: Mexhmul Fetava vol. VI fq. 295, El-Fetuhi: Sherhul Keukebil Munir vol. I fq. 50.
4. Ibnul Kajiim: Tlamul Mukiin, vol. 1, fq. 70.
5. Transmeton Ebu Davudi nr. 3681, Nesaiu nr. 5607, Ibën Maxheh nr. 3394 dhe Ahmedi nr.6558.
6. https://islamqa.infolarlanswersi 1985361.
7. El Maide, 5, Shumica dërmuese e komentueseve të Kuranit janë të mendimit se qëllimi i shprehjes "ushqim" ka për synim kafshët e therura.
8. El Maide, 73.
9. Prej dijetarëve bashkëkohorë që mendojnë kështu është Shejh Salih bin Abdurrhaman el Husajni et Temimij, i cili ishte udhëheqës gjeneral i çështjeve të dy Haremeve dhe anëtarë i Jurisë së Dijetarëve të Mëdhenj të Arabisë Saudite. Ky dijetar ka vdekur në muajin Xhumadel Ahireh të vitit 1434h.


 



Dituria Islame 362